Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Dhjamosja—Një shqetësim botëror gjithnjë e në rritje
Dhjamosja «po rritet në përmasa shqetësuese përreth botës» qoftë te të rriturit, qoftë te fëmijët, dhe tani përfshin disa nga vendet më të varfëra, siç raportohet në revistën The Lancet. Sipas Beri Popkinit, ekonomist dhe epidemiolog për të ushqyerit pranë Universitetit të Karolinës së Veriut, kjo vjen pjesërisht nga përparimet e teknologjisë. Këto kanë bërë të mundur nxjerrjen e vajrave të ngrënshme nga farëra të tilla, si: misri, soja e pambuku. «Në vendet aziatike e afrikane, kaloritë e tepërta që i shtohen ushqimit të përditshëm vijnë kryesisht nga këto vajra»,—thotë The Lancet. Gjithashtu, politikat qeveritare për bujqësinë e tregtinë lejojnë që sheqeri të eksportohet me çmime të ulëta, duke u dhënë prodhuesve një produkt të lirë për të përmirësuar shijen e ushqimeve. Në shumë fusha, teknologjia ka bërë që të ulet edhe veprimtaria fizike dhe harxhimi i energjisë, të cilat dalëngadalë kanë sjellë shtimin në peshë. Specialistët e ushqimit dhe të shëndetit i shqetëson fakti që dhjamosja mund të çojë në sëmundje kronike, si për shembull, në diabet, tension të lartë të gjakut dhe sëmundje kardiovaskulare.
Zbulohet një organizëm i ri i panjohur
Shkencëtarët në Universitetin e Regensburgut, në Gjermani, kanë zbuluar një mikrob interesant në fundin vullkanik të oqeanit në veri të Islandës. Ai zhvillohet vetëm në një ujë që vlon, pa oksigjen e që është i pasur me squfur, siç vëren revista Der Spiegel. Bakteriet morën emrin Nanoarchaeum equitans, që do të thotë xhuxhët e lashtë që kalërojnë, sepse ato jetojnë në sipërfaqen e një organizmi shumë më të madh, të quajtur Ignicoccus ose topi i zjarrtë, nga i cili, me sa duket, varen për rritjen e tyre. Mikrobet e kanë diametrin vetëm 400 nanometra dhe janë kaq të vogla, saqë, sipas artikullit, «më tepër se gjashtë milionë prej tyre do të qëndronin në majën e një gjilpëre». Ato janë të pashoqe edhe përsa i përket ADN-së së tyre, e cila nuk përmban madje as 500.000 çifte bazash. «Kështu xhuxhi i lashtë është krijesa me gjenomin më të vogël që njihet»,—thuhet në Der Spiegel.
«Adhurimi i të famshëmve»
«Kërkimet e reja psikologjike tregojnë se adhurimi i individëve të famshëm nga publiku ka filluar të zërë vendin e fesë në jetën e shumë njerëzve»,—thotë psikiatri dr. Raxh Persodi. Duke shkruar në The Sunday Times të Londrës, Persodi pohon se sa më të dobëta të jenë bindjet fetare të dikujt, aq më shumë ka të ngjarë që ai të «adhurojë» të famshmit. Ky lloj adhurimi shfaqet nga ata që janë të gatshëm të paguajnë çmime të larta për të mbledhur sende që i zotëronin ose që i kanë prekur të famshmit. Përveç kësaj, Persodi thotë se «adhuruesit e të famshëmve» i përshtatin vlerat dhe mënyrën e jetesës me idhullin e tyre të preferuar, i cili shpesh mbahet si i pagabueshëm dhe që «vepron sipas një vargu rregullash të ndryshme, të cilat nuk mund të kuptohen nga të vdekshmit e rëndomtë dhe për të duhen bërë lëshime». Ndikimi që të famshmit kanë te të tjerët është i dukshëm edhe në rritjen e shitjes së prodhimeve të reklamuara nga të famshmit, si dhe në imitimin e vendimeve jetësore që kanë të bëjnë me kujdesin për shëndetin, siç thekson dr. Persodi. Ai shton: «Kjo tregon se adhurimi ynë për të famshmit me të vërtetë i bën ata njerëzit më të fuqishëm të planetit, pra barasvlerësit e perëndive në mesin tonë.»
India ka 25 për qind të të verbërve në botë
«India njihet për gjendjen e mjeruar se ka 12 milionë njerëz të verbër, të cilët përbëjnë 25 për qind të popullsisë së verbër të botës në tërësi»,—thotë gazeta e Indisë Deccan Herald. Gjithashtu, një raport nga Youth Vision India, 2002, që bazohet në të dhëna të mbledhura nga kolegje dhe shkolla të më se 40 qyteteve anekënd Indisë, nxori në pah se «më se 50 për qind e të rinjve që kishin nevojë për ndreqje të shikimit as që ishin të vetëdijshëm për këtë». Sipas zbulimeve, në këtë vend gabimet në përthyerjen e dritës dhe perdet në sy ishin përgjegjëse për shumicën e çrregullimeve të syve, dhe këto ishin të ndreqshme. «Mungesa e të qenit të vetëdijshëm për problemin» dhe një «numër i vogël i specialistëve që kujdesen për sytë» përmenden në artikullin e gazetës si shkaqet kryesore të problemit të Indisë. Aty shtohet: «India ka vetëm 5.000 okulistë, ndërkohë që OBSH-ja i ka këshilluar të ketë 40.000 të tillë.»
Përfundon Bibla në gjuhën e inuitëve
Shoqata Biblike Kanadeze ka përfunduar punën e saj 23-vjeçare për përkthimin e gjithë Biblës në inuktitut, gjuha e inuitëve të Kanadasë. Përkthimi ishte një punë e vështirë. «Të përpiqeshe të përktheje diçka që i përkiste kulturës së një populli që kishte dele, deve, gomarë e dru palmash, në një kulturë që përqendrohet te fokat, lopët e detit dhe shumë pak bimë, ishte e vështirë,—tha Hart Vinsi, drejtori i përkthimit të Shkrimeve për Shoqatën Biblike Kanadeze.—Për shembull, Bibla ka shumë fjalë për drurët e palmave. Por në Nunavut [territori më verior i Kanadasë], nuk ka drurë fare, çka e bën të vështirë t’i përshkruash ata.» Inuktituti është gjuha amtare e afro 28.000 kanadezëve. Sipas National Post «tani Bibla është në dispozicion në më tepër se 2.285 gjuhë të ndryshme».
Rreziqet e Internetit
Në gazetën The Times të Londrës thuhet se keqpërdorimi i Internetit shpesh shkakton konflikte në martesë, sipas organizatës më të madhe të Britanisë për udhëzime në lidhje me martesën, të quajtur Marrëdhënia. «Burrat dhe gratë ankohen se bëhen të ve ose vejusha nga Interneti, pasi lihen pas dore, ndërkohë që partneri kalon orë të tëra në kompjuter duke shkëmbyer mesazhe me të panjohur në dhomat e bisedës, duke futur në kompjuter muzikë e lojëra ose duke parë pornografi.» Vendndodhjet në Internet që u bëjnë të mundur njerëzve të rigjallërojnë ndonjë histori dashurie të dikurshme me E-mail, si edhe nxitja e dëshirave seksuale me anë të Internetit, mund ta rrezikojnë harmoninë në martesë. Organizata Marrëdhënia bën konsulta martesore për 90.000 çifte në vit, 10 për qind e të cilëve fajësojnë Internetin për vështirësitë. Dhe problemi po bëhet më i madh. Drejtoresha e përgjithshme e Marrëdhënies, Anxhela Sibsoni, thotë: «Këshilltarët tanë raportojnë se gjithnjë e më shumë Interneti po shkatërron marrëdhëniet.»
Sfidat e popullsisë që po plaket
«Plakja e popullsisë është një dukuri botërore që ka ndikuar ose do të ndikojë te çdo burrë, grua dhe fëmijë kudo në botë. . . . Aty nga viti 2050, për herë të parë në historinë e njerëzimit, numri i individëve të moshuar në botë do ta tejkalojë numrin e të rinjve»,—tha Ivan Shimonoviçi, presidenti i Këshillit Ekonomik dhe Social, duke folur në Konferencën e Dytë Botërore për Plakjen, e cila u mbajt në Madrid të Spanjës, më prill 2002. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anani, tha në konferencë se në më pak se 50 vjet, numri i njerëzve që janë mbi 60 vjeç do të rritet nga 600 milionë në gati 2 miliardë, duke ua kaluar atyre nën moshën 15-vjeçare. Ai tha edhe se 80 për qind e këtyre njerëzve të moshuar do të jenë në vendet në zhvillim. Rënia e ritmit të lindjeve dhe rritja e jetëgjatësisë anembanë botës kanë luajtur një rol në ndryshimet më të mëdha të përbërjes së popullsisë. Konferenca e tanishme ka bërë thirrje për të shtuar punonjësit e shëndetësisë dhe të shërbimeve sociale, me qëllim që të plotësohen nevojat e veçanta të të moshuarve, kështu që ata mund të plaken «në siguri dhe me dinjitet».
Pulla që fyejnë
«Paraqitja e personaliteteve dhe e çështjeve fetare në pullat e postës ndonjëherë mund të shkaktojnë situata të mërzitshme»,—pohohet në gazetën e Izraelit Jerusalem Post. Një imigrant nga Afrika e Jugut, Alan Silveri, vëzhgoi një nga pullat që autoritetet postare kishin nxjerrë për të shënuar muajt hebraikë. «Duke përdorur një lupë, Silveri pa se pulla e muajit elul kishte disa herë emrin e Perëndisë, i cili sipas ligjit judaik nuk mund të përdoret veçse për qëllime të shenjta»,—thuhet në Jerusalem Post. Ai ia tregoi atë rabinit të tij, «i cili shpalli në mënyrë autoritare se sipas ligjit judaik është e ndaluar të përdorësh pullën e elulit». Ai tha edhe se «ajo nuk duhet blerë, e nëse ke ndonjë të tillë, duhet t’i vendosësh ato në koleksionin e shkrimeve të shenjta që janë hequr mënjanë për t’u groposur, në vend që të flaken në kazanin e plehrave». Kjo nuk ishte e pulla e parë që shkaktoi probleme. Njëra që ishte hartuar për të përkujtuar rabinin e lubaviçërve, Menahem Mendel Shnirsonin, u kundërshtua nga disa prej ithtarëve të tij, të cilët pohuan se ai «nuk vdiq» dhe nga të tjerë që «thanë se ishte e papërshtatshme që të lëpihej pjesa e pasme e një pulle ku paraqitej rabini i tyre ose që pjesa e përparme të vulosej». Kjo pullë nuk doli në qarkullim.