Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta bëni shtatzëninë më të sigurt?

Si ta bëni shtatzëninë më të sigurt?

Si ta bëni shtatzëninë më të sigurt?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË

SIPAS Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, më shumë se një gjysmë milion gra vdesin çdo vit nga shkaqe që lidhen me shtatzëninë. Përveç kësaj, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF-i) raporton se çdo vit më tepër se 60 milionë gra vuajnë nga ndërlikime të rënda për shkak të shtatzënisë dhe afro një e treta e këtyre kanë dëmtime ose infeksione që zgjatin tërë jetën. Në vendet në zhvillim shumë gra janë si të zëna në grackë brenda një cikli shtatzënish, lindjesh, si dhe e lënë veten pas dore, gjendje që i rraskapit dhe i sëmur. Po, shtatzënia mund të sjellë dëme, e madje mund të jetë e rrezikshme. A mund të bëjë diçka një grua për ta bërë shtatzëninë e saj më të sigurt?

Kujdesi për shëndetin para shtatzënisë

Planifikimi. Ndoshta nevojitet që burri me gruan të diskutojnë bashkë se sa fëmijë do të kenë. Në vendet në zhvillim është e zakonshme të shohësh gra që kanë fëmijë të vegjël, i japin gji një foshnje dhe, në të njëjtën kohë, presin një fëmijë tjetër. Një planifikim dhe shqyrtim i kujdesshëm bën të mundur që të kalojë ca kohë deri në lindjen e një fëmije tjetër, e falë kësaj, një grua mund të çlodhet e të marrë veten pasi ka lindur.

Të ushqyerit. Sipas Bashkimit të Organizatave për një Shtatzëni të Suksesshme, para se të mbetet shtatzënë, një grua ka nevojë për të paktën katër muaj që të marrë veten nga marrja e substancave të dëmshme dhe të krijojë rezerva të mira ushqimore. Për shembull, rreziku për shpinën e ndarë, që shkaktohet nga një e metë në mbylljen e gypit nervor, ulet në masë të madhe kur ajo që pret të bëhet nënë ka rezerva të mira të acidit folik. Disa gra që kanë në plan të mbeten shtatzëna marrin acid folik, duke qenë se gypi nervor i embrionit mbyllet midis ditës së 24-t deri në të 28-n pas ngjizjes, pra, kohë më parë se shumë gra e kuptojnë që janë shtatzëna.

Një tjetër lëndë ushqyese e rëndësishme është hekuri. Në të vërtetë, gjatë shtatzënisë një grua ka dy herë më shumë nevojë për hekur. Nëse i ka të ulëta rezervat e hekurit, çka është e vërtetë për shumë gra në vendet në zhvillim, ajo mund të ketë anemi nga mangësia e hekurit. Kjo gjendje mund të keqësohet nga shtatzënitë e njëpasnjëshme, ngaqë gruaja mund të mos ketë kohë ndërmjet tyre që të plotësojë prapë rezervat e hekurit. *

Mosha. Rreziku i vdekjes te vajzat shtatzëna nën moshën 16-vjeçare është 60 për qind më i madh se te vajzat që janë në të 20-tat. Nga ana tjetër, ka më shumë të ngjarë që gratë mbi 35 vjeçe të sjellin në jetë foshnja me anomali të lindura, si për shembull me sindromin Daun. Nënat që janë tepër të reja ose janë në vitet e fundit të moshës që mund të kenë fëmijë janë më të prekshme nga preeklampsia. Ky çrregullim, i karakterizuar nga tensioni i lartë i gjakut pas javës së 20-të të barrës, së bashku me enjtjen dhe shtimin e sasisë së proteinave në urinë, e rrit rrezikun e vdekshmërisë, si për nënën, ashtu edhe për fëmijën.

Infeksionet. Infeksionet urinare, të vaginës e të qafës së mitrës dhe ato gastrointenstinale mund të keqësohen gjatë shtatzënisë dhe të rritin rrezikun e lindjes së parakohshme dhe të preeklampsisë. Është më mirë që çdo infeksion të kurohet përpara shtatzënisë.

Kujdesi për shëndetin gjatë shtatzënisë

Kujdesi para lindjes. Vizitat e rregullta te mjeku gjatë periudhës së shtatzënisë pakësojnë rrezikun e vdekjes së nënës. Edhe në vendet ku është e kufizuar mundësia për t’u vizituar rregullisht në klinika e spitale, ndoshta ka mamí të stërvitura siç duhet.

Kujdesi para lindjes mund të tërheqë vëmendjen e personelit të stërvitur ndaj disa gjendjeve që kërkojnë kujdes të veçantë. Këto përfshijnë barrët me disa fetuse, tensionin e lartë, problemet e zemrës e të veshkave, si dhe diabetin. Në disa vende një grua shtatzënë mund të bëjë vaksinën kundër tetanozit për të parandaluar tetanozin te foshnja i porsalindur. Gjithashtu, midis javës së 26-të dhe të 28-të të barrës, ajo mund të bëjë analizat për streptokokët e grupit B. Këto bakterie, kur gjenden në zorrën e trashë, mund ta infektojnë foshnjën gjatë lindjes.

Nëna e ardhshme duhet të përgatitet për t’u dhënë specialistëve të shëndetit të gjitha të dhënat që mundet, përfshirë edhe të kaluarën e saj shëndetësore. Gjithashtu ajo duhet të bëjë pyetje lirisht. Duhet kërkuar menjëherë ndihmë mjekësore në rast se ka: rrjedhje gjaku nga vagina, ënjtje të shpejtë të fytyrës, dhembje në gishtërinj ose dhembje koke të forta a të vazhdueshme. Po ashtu në qoftë se ka: dobësim ose mjegullim të shpejtë të shikimit, dhembje të forta të barkut, të vjella të vazhdueshme, të dridhura ose ethe, ndryshime në shpeshtësinë ose forcën e lëvizjeve të fetusit, humbje lëngjesh nëpërmjet vaginës, dhembje kur urinon ose mungesë të pazakontë të urinës.

Alkooli dhe droga. Kur një nënë përdor pije alkoolike dhe droga (këtu futet edhe duhani) shtohet rreziku që fëmija të jetë i vonuar mendërisht, me anomali fizike, e madje me çrregullime në sjellje. Madje dihet që foshnjat e nënave të varura nga droga shfaqin simptomat e një njeriu që po lë drogën. Ndonëse disa njerëz besojnë se një gotë verë me raste nuk është e dëmshme, specialistët zakonisht këshillojnë përmbajtje të plotë nga pijet alkoolike gjatë shtatzënisë. Ato që presin të bëhen nëna duhet të bëjnë kujdes edhe nga tymi i duhanit.

Ilaçet. Nuk duhet marrë asnjë ilaç, veçse po të jetë rekomanduar posaçërisht nga një mjek që është në dijeni të shtatzënisë dhe që i ka peshuar me kujdes rreziqet. Edhe marrja e disa plotësuesve të vitaminave mund të jetë e dëmshme. Për shembull, teprica e vitaminës A mund të shkaktojë shformime të fetusit.

Shtimi në peshë. Një grua shtatzënë duhet të shmangë ekstremet. Sipas botimit Terapia e Krausit me Ushqimin, të Ushqyerit dhe Dietat (Krause’s Food, Nutrition and Diet Therapy) rreziku i vdekjes te foshnjat që lindin me peshë të vogël është 40 herë më i madh se te të porsalindurit me peshë normale. Nga ana tjetër, të hash sa për dy veta vetëm sa nxit dhjamosjen. Shtimi i duhur në peshë, që bëhet më i dukshëm duke filluar nga muaji i katërt e më tej, tregon se ajo që pret të bëhet nënë po merr sasinë e duhur të ushqimit për të plotësuar nevojat e saj që janë më të mëdha tani. *

Higjiena dhe faktorë të tjerë. Banjat dhe dushet mund të bëhen si zakonisht, por nuk duhen bërë dushe vaginale. Një grua shtatzënë duhet të shmangë kontaktet me dikë që vuan nga ndonjë infeksion viral, si për shembull nga rubeola, e quajtur ndryshe fruthi gjerman. Për më tepër, me qëllim që të parandalohet toksoplazmoza, duhet treguar kujdes nga mishi i pagatuar mirë e nga kontakti me jashtëqitjet e maceve. Gjërat themelore të higjienës, si larja e duarve dhe e ushqimeve që hahen të gjalla, janë thelbësore. Marrëdhëniet seksuale zakonisht nuk përbëjnë një rrezik, përveçse gjatë javëve të fundit të shtatzënisë ose në raste hemorragjie, ngërçesh ose dështimesh të mëparshme.

Lindje e suksesshme

Një grua që gjatë shtatzënisë tregon kujdes për veten do të jetë më pak e prekshme nga ndërlikimet gjatë lindjes. Natyrisht, ajo do të ketë planifikuar a parapëlqen të lindë në shtëpi apo në spital. Në një masë të mjaftueshme ajo do të dijë edhe çfarë të presë dhe si të bashkëpunojë me maminë e kualifikuar ose me mjekun. Ky, nga ana e vet, do të dijë çfarë i pëlqen më tepër gruas, pasi ajo është informuar për sa u përket gjërave ku ka mundësi të bëhet një zgjedhje, në çështje të tilla, si: qëndrimi i trupit gjatë lindjes, ndërhyrje kirurgjike në vulvë, përdorimi i pincave, i qetësuesve për dhembjet dhe vëzhgimi i fetusit me pajisje elektronike. Duhet të merren vesh edhe për çështje të tjera, si për shembull në cilin spital ose klinikë do të shkojnë në rast se lindja në shtëpi bëhet e ndërlikuar? Ç’do të bëhet saktësisht nëse humbet shumë gjak? Meqë hemorragjia shkakton shumë vdekje te nënat, zëvendësuesit e gjakut duhet të jenë gati për pacientet që nuk pranojnë transfuzionin. Gjithashtu duhet menduar që më përpara ç’do të bëhet në qoftë se është e nevojshme një prerje cezariane.

Bibla thotë se fëmijët janë një bekim nga Perëndia, një «trashëgimi». (Psalmi 127:3) Sa më shumë të dijë një grua për shtatzëninë e saj, aq më mirë do të jetë për të. Duke u kujdesur për veten para e gjatë shtatzënisë dhe duke menduar siç duhet që më përpara për çështjet e ndryshme në lidhje me lindjen, një grua do të bëjë gjithë sa mundet për të pasur një shtatzëni më të sigurt.

[Shënimet]

^ par. 7 Disa burime të acidit folik dhe të hekurit janë: mëlçitë, bishtajoret, perimet gjethore, arrat, lajthitë e bajamet, si dhe drithërat që u janë shtuar vitamina ose minerale. Ndoshta është më e lehtë që trupi t’i përvetësojë ushqimet e pasura me hekur, kur ato shoqërohen me burime të vitaminës C, siç janë frutat e freskëta.

^ par. 16 Për një grua që në fillim të shtatzënisë ka peshë normale këshillohet të shtojë nga 9 deri 12 kilogramë aty nga fundi i barrës. Prapëseprapë, gratë adoleshente ose që vuajnë nga mosushqyerja duhet të shtojnë në peshë nga 12 deri 15 kilogramë, kurse ato që janë mbi peshë duhet të shtojnë vetëm nga 7 deri 9 kilogramë.

[Kutia në faqen 14]

SUGJERIME PËR GRATË SHTATZËNA

● Zakonisht ushqimi i përditshëm i një gruaje shtatzënë duhet të përfshijë: fruta, perime (veçanërisht ato me ngjyrë të gjelbër të errët, portokalli dhe të kuqe), bishtajore (të tilla, si: bathët, sojat, thjerrëzat dhe qiqrat), drithëra (ku futen: gruri, misri, tërshëra e elbi, është më mirë drithëra të papërpunuara ose që u janë shtuar vitamina e minerale), ushqim shtazor (peshk, pulë, mish viçi, vezë, djathë dhe qumësht, parapëlqehet qumështi i skremuar). Yndyrnat, sheqeri i rafinuar dhe kripa është më mirë të përdoren me përkorje. Pini shumë ujë. Shmangni pijet që përmbajnë kafeinë, po ashtu edhe ushqimet që kanë konservues dhe lëndë shtesë (si për shembull, ngjyrues dhe aromatizues artificialë). Kolla, argjila dhe lëndë të tjera të pangrënshme mund të shkaktojnë kequshqyerje dhe helmim.

● Kini kujdes nga rreziqet e mundshme të mjedisit të tilla, si: ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve X dhe ndaj kimikateve të dëmshme. Kufizoni përdorimin e spërkatësve dhe të substancave të tjera për mirëmbajtjen e shtëpisë. Mos lejoni të mbinxeheni duke qëndruar në temperatura tepër të larta ose nga ushtrimet e tepërta. Shmangni qëndrimin në këmbë për një kohë të gjatë dhe stërmundimin. Mbajeni rripin e sigurimit në pozicionin e duhur.