Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Varësia» nga celularët

«Varësia» nga celularët

«Varësia» nga celularët

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË JAPONI

«TËRHEQJA pas celularëve është kthyer në një varësi»,​—thuhej në një kryeartikull të gazetës The Daily Yomiuri të Japonisë. Pse mund të quhet varësi? «Duket se të rinjtë i konsiderojnë celularët si pjesë të trupit të tyre dhe madje mund t’i zërë paniku nëse nuk i kanë me vete»,​—shpjegohej në gazetë. Nga frika se mos veçohen nga të tjerët shumë veta i mbajnë të ndezur celularët gjatë gjithë kohës në çdo vend. Në rast se «nuk marrin ndonjë mesazh në celular, ndihen në ankth e të acaruar dhe fillojnë të mendojnë se askush nuk ka nevojë për ta». Ky ankth i shtyn që t’u përgjigjen menjëherë të gjitha mesazheve që u vijnë, edhe pse shpesh kjo nuk është e nevojshme.

Natyrisht, celularët mund të kenë avantazhet e tyre. Në të vërtetë, shpesh ata kanë qenë tepër të vlefshëm në situata të ngutshme. Edhe përdorimi i herëpashershëm i celularit nuk është medoemos i gabuar, për sa kohë që atë e përdorim në mënyrë të ekuilibruar. Por disa autoritete thonë se «varësia» nga celularët mund të dëmtojë aftësitë për të komunikuar normalisht. Gazeta shkruante se një mësuese në një shkollë të mesme në Osaka shqetësohet, pasi për shkak të celularëve «fëmijët po humbin aftësinë për të kuptuar shprehjet e fytyrës, sjelljen dhe tonin e zërit të të tjerëve. Një nga pasojat e kësaj është rritja e agresivitetit mes fëmijëve, e shoqëruar me një shpërfillje të ndjenjave të të tjerëve».

Artikulli përfundonte: «Duket e pashmangshme që varësia e fëmijëve nga telefonat celularë të rritet në të ardhmen. E vetmja mënyrë për të zvogëluar ndikimet negative të kësaj prirjeje është të sigurohemi që të rriturit t’u lënë fëmijëve një shembull të mirë për sa i përket përdorimit të telefonave celularë.»