Ç’të keqe ka të kopjosh?
Të rinjtë pyesin . . .
Ç’të keqe ka të kopjosh?
«Kushdo e di që kopjimi është i gabuar, por është rruga më e lehtë.»—Xhimi, një 17-vjeçar.
A KE qenë ndonjëherë i tunduar që në një provim në shkollë t’i hedhësh një sy si me marifet fletës së ndonjë shoku në klasë? Nëse po, nuk je i vetmi. Xhena, e cila është në shkollën e mesme shpjegon prirjen e paturpshme që kanë shokët e saj të klasës për të kopjuar: «Ata mbahen me të madh kur tregojnë se si e bëjnë këtë,—thotë ajo.—Të shikojnë si të çuditshëm në rast se nuk kopjon.»
Në një anketë në SHBA, 80 për qind e adoleshentëve që ishin me rezultatet më të mira në klasën e tyre pranonin se kishin kopjuar dhe 95 për qind e këtyre «nxënësve të shkëlqyer» nuk ishin kapur asnjëherë për një veprim të tillë. Pasi kishte bërë një anketim me më shumë se 20.000 nxënës të shkollës tetëvjeçare dhe të mesme, Instituti Xhosefson i Etikës nxori përfundimin: «Në lidhje me ndershmërinë dhe moralin, gjërat po shkojnë keq e më keq.» Mësuesit janë të çuditur se sa e zakonshme është bërë tani të kopjosh. Një drejtor shkolle, Geri Xh. Nils, arriti deri atje sa tha: «Ata që nuk kopjojnë janë pakica.»
Shumica e prindërve presin që fëmijët e tyre të sillen me ndershmëri kur bëhet fjalë për detyrat e shkollës. Sidoqoftë, mjerisht shumë të rinj tregohen të pandershëm duke kopjuar. Cilat metoda të reja po përdorin ata? Pse disa të rinj kopjojnë? Pse duhet ta shmangni këtë praktikë?
Kopjim me anë të teknologjisë së lartë
Kopjuesi modern përdor çdo lloj metode të pandershme. Në fakt të kopjosh detyrat e shtëpisë ose të përdorësh letra me kopje në provime duken gjëra të vogla në krahasim me taktikat e sotme ku përdoren mjete të teknologjisë së lartë. Këto mjete janë aparate sinjalizuese që marrin përgjigjet e pyetjeve të provimit nga dikush që ndodhet larg; makina llogaritëse të programuara që më parë me informacion «shtesë»; kamera të vockla të fshehura poshtë rrobave, të cilat përdoren për të dërguar pyetjet te një person diku që mund të ndihmojë; pajisje që transmetojnë mesazhe me rreze infra të kuqe brendapërbrenda klasës me nxënësit e tjerë; madje dhe vendndodhje në Internet që përmbajnë provime me përgjigje të gjetura nga pothuajse çdo lëndë.
Mësuesit po përpiqen të ndryshojnë prirjen alarmuese për të kopjuar, por kjo nuk është e lehtë. Fundja jo çdo student ose mësues bie në një mendje se çfarë quhet kopjim. Për shembull, kur grupe nxënësish punojnë së bashku për një projekt, dallimi midis bashkëpunimit të ndershëm dhe ndonjë marrëveshjeje të pandershme midis
tyre mund të mos jetë kaq i qartë. Pastaj ka nga ata të cilët mund të përfitojnë nga puna në grup për t’ua lënë gjithë punën të tjerëve. «Disa nxënës janë shumë dembelë, nuk bëjnë asnjë gjë!—thotë Juxhi, i cili po ndjek një kolegj shtetëror.—Pastaj, marrin të njëjtën notë si të tjerët. Mendoj se edhe ky është një lloj kopjimi.»Pse kopjojnë?
Sipas një ankete, mungesa e përgatitjes ishte arsyeja kryesore përse shumë nxënës kopjonin. Të tjerë, të detyruar nga një atmosferë konkurruese në shkollë ose sepse prindërit presin shumë prej tyre, nxirrnin përfundimin se nuk kishin asnjë rrugëdalje tjetër. «Notat janë gjithçka për prindërit e mi,—thotë Semi 13-vjeçar.—Më pyesin: ‘Ç’notë more në provimin e matematikës? Ç’notë more në provimin e anglishtes?’ E urrej një gjë të tillë!»
Disa kopjojnë për shkak të presionit të vazhdueshëm për të marrë nota të mira. Një libër, The Private Life of the American Teenager (Jeta private e një adoleshenti amerikan), thotë: «Ka diçka të paekuilibruar në një sistem në të cilin presioni është kaq i madh, sa kënaqësia që të jep mësimi shpesh zëvendësohet me presionin për të arritur nota të mira, ndonjëherë në kurriz të ndershmërisë.» Shumë studentë janë po të këtij mendimi. Në fund të fundit askush nuk do që të mbetet në ndonjë provim e aq më pak në gjithë lëndën. «Disa njerëz janë me të vërtetë të tmerruar nga ideja se mos nuk ia dalin mbanë,—vëren Xhimi, një nxënës në shkollë të mesme. —Edhe nëse i dinë përgjigjet do të kopjojnë vetëm sa për t’u siguruar që e kanë mirë.»
Numri shumë i madh i atyre që janë të gatshëm të shkelin normat e ndershmërisë mund të bëjë që kopjimi të duket i padëmshëm. Madje ndonjëherë mund të duket plotësisht dobiprurës. «Dje më zuri syri një nxënës që po kopjonte në një lëndë, —thotë Gregu, një 17-vjeçar.—Sot, kur morëm rezultatet e provimit ai kishte marrë një notë më të lartë se unë.» Shumë veta ndikohen ngaqë shohin se kopjimi mbizotëron mes bashkëmoshatarëve të tyre. «Disa nxënës mendojnë se ‘nëse të tjerët po kopjojnë duhet që dhe unë të bëj të njëjtën gjë’.»—thotë Juxhi. Por, a është e vërtetë kjo?
Një zakon mashtrues
Krahasoje kopjimin me vjedhjen. A e bën të pranueshme vjedhjen fakti që shumë njerëz bëjnë një veprim të tillë? «Patjetër që jo»,—mund të thuash,veçanërisht nëse ato që janë vjedhur janë paratë e tua. Duke kopjuar po marrim meritën për diçka që nuk na përket, madje ndoshta po përfitojmë nga ata që veprojnë me ndershmëri. (Efesianëve 4:28) «Nuk është aspak e drejtë,—thotë Tomi, i cili kohët e fundit mbaroi shkollën e mesme.—Është sikur thua, ‘i di këto gjëra’ kur në fakt nuk është e vërtetë. Pra po gënjen.» Pikëpamja e Biblës në lidhje me këtë tregohet fare qartë te Kolosianëve 3:9: «Mos e gënjeni njëri-tjetrin.»
Kopjimi mund të bëhet si një zakon që është vështirë për t’u hequr. «Ata që kopjojnë mësojnë se për të kaluar klasën as nuk duhet të studiojnë fare,—thotë Xhena.—Kështu thjesht i varin shpresat te kopjimi. Dhe pastaj kur nuk kanë mundësi për t’u mbështetur te të tjerët nuk e dinë si të bëjnë një jetë të sukseshme.»
Parimi që gjendet te Galatasve 6:7 të bën të mendohesh: «Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.» Pasojat e kopjimit në shkollë mund të jetë një ndërgjegje e trazuar, humbja e besimit të shokëve, si dhe zhvillimi arsimor i mangët për shkak të shmangies nga procesi i të mësuarit. Si një kancer që bëhet vdekjeprurës, kjo praktikë mashtrimi mund të përhapet për të ndikuar fusha të tjera të jetës dhe mund të helmojë shoqëritë e tua më të çmuara. Patjetër që do të ndikojë në marrëdhënien tënde me Perëndinë, i cili nuk e pëlqen fare mashtrimin.—Fjalët e urta 11:1
Ata që mbështeten te kopjimi vetëm po gënjejnë veten. (Fjalët e urta 12:19) Me anë të veprimeve të tyre marrin një qëndrim të ngjashëm me atë të udhëheqësve të korruptuar në qytetin e lashtë të Jerusalemit: «Gënjeshtrën e kemi bërë strehën tonë dhe jemi fshehur prapa falsitetit.» (Isaia 28:15) Por në fakt, ai që kopjon nuk mund t’ia fshehë veprimet e tij Perëndisë.—Hebrenjve 4:13.
Mos kopjoni!
Shpeshherë për të kopjuar të rinjtë përpiqen shumë dhe përdorin aftësitë e tyre. Do të ishte më mirë që këtë ta bënin për të marrë një arsimim në rrugë të ndershme. Abi 18-vjeçare shprehet: «Nëse do ta ulnin kokën të mësonin siç i futen kopjimit, ka të ngjarë që të dilnin shumë mirë.»
Kuptohet, tundimi për të kopjuar mund të jetë i madh. Por duhet ta shmangësh këtë grackë të rrezikshme morale. (Fjalët e urta 2:10-15) Si mund ta bësh një gjë të tillë? Së pari kujto arsyen përse je në shkollë, pra për të mësuar. Vërtet mund të duket se nuk të sjell shumë dobi të mësosh informacione që ndoshta nuk do të të hyjnë kurrë në punë. Por duke kopjuar, një individ pengon aftësinë e tij për të mësuar gjëra të reja dhe për ta vënë në praktikë njohurinë. Kuptueshmëria e vërtetë kurrë nuk fitohet pa përpjekje; kushton diçka. Bibla thotë: «Bli të vërtetën dhe mos e shit, fito dituri, njohuri dhe gjykim.» (Fjalët e urta 23:23) Po, duhet ta marrësh seriozisht studimin dhe përgatitjen. «Duhet të bësh punën që të takon të bësh,—këshillon Xhimi. —Kjo do të të japë sigurinë që i di përgjigjet.»
Vërtet ndonjëherë ndoshta nuk i di të gjitha përgjigjet dhe kjo mund të bëjë që të marrësh një notë më të ulët. Por nëse nuk bën kompromis me parimet e tua mund të kuptosh se çfarë duhet të bësh për t’u përmirësuar.—Fjalët e urta 21:5.
Juxhi, i përmendur më parë, është një Dëshmitar i Jehovait. Ai shpjegon se çfarë bën kur shokët e tij të klasës i bëjnë presion që t’i ndihmojë të kopjojnë nga ai: «E para, u bëj të ditur se jam një Dëshmitar,—thotë ai.—Kjo më ka ndihmuar shumë, sepse e dinë se Dëshmitarët e Jehovait janë njerëz të ndershëm. Nëse gjatë një provimi dikush kërkon që t’i tregoj ndonjë përgjigje, thjesht i them ‘Jo’. Më vonë pastaj mund t’i shpjegoj përse nuk i tregoj.»
Juxhi është në një mendje me pohimin e apostullit Pavël drejtuar hebrenjve: «Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.» (Hebrenjve 13:18) Duke mbajtur normat e larta të ndershmërisë dhe duke refuzuar që të bëjmë kompromis me anë të kopjimit i jep vlerë të vërtetë notave të mira që merr. Sjell në shtëpi një nga dhuratat më të mira që mund t’u bësh prindërve—një dëshmi për ndershmërinë tënde të krishterë. (3 Gjoni 4) Për më tepër e ruan ndërgjegjen të pastër dhe provon gëzim, sepse e di që po ia gëzon zemrën Perëndisë Jehova.—Fjalët e urta 27:11.
Prandaj, pavarësisht se sa e përhapur mund të jetë si praktikë, shmange kopjimin! Duke bërë kështu do të mbash një marrëdhënie të mirë me të tjerët dhe ç’është më e rëndësishmja me Perëndinë e së vërtetës, Jehovain.—Psalmi 11:7; 31:5.
[Diçitura në faqen 14]
Një person që kopjon shpesh nuk e kupton se në të vërtetë është duke vjedhur
[Diçitura në faqen 14]
Shpesh kopjimi çon në vepra më të rënda të pandershmërisë
[Diçitura në faqen 15]
Ai që kopjon nuk mund t’ia fshehë veprimet e tij Perëndisë
[Figura në faqen 15]
Studimi i mjaftueshëm para provimit do të të japë siguri