A jeni nën vëzhgim?
A jeni nën vëzhgim?
ÇDO ditë, kur Elizabeta mbërrin në punë, një kamerë regjistron lëvizjet e saj. Kur ajo hyn në ndërtesë, një kamerë e përqendron objektivin te fytyra e saj. Gjatë ditës, shumë kamera të tjera e mbajnë nën vëzhgim të vazhdueshëm. Një mbikëqyrje e tillë është e kuptueshme, pasi ajo punon në një kompani ku qarkullojnë nëpër duar miliona dollarë çdo ditë.
Elizabeta e di që në vendin e punës do të jetë nën vëzhgim të rreptë; këtë gjë ia shpjeguan qartë kur pranoi të punonte atje. Megjithatë, miliona njerëz të tjerë nuk e kanë kaq të qartë se deri në ç’shkallë po vrojtohen çdo ditë.
Të jetosh në një shoqëri që të vëzhgon
A jeni nën vëzhgim kur ndodheni në punë? Anembanë botës, kur janë në punë, miliona punonjësve, u kontrollohet përdorimi i Internetit dhe posta elektronike. Sondazhi vjetor i Shoqërisë Amerikane të Administrimit për vitin 2001 tregoi se «thuajse tri të katërtat (73,5%) e kompanive më të mëdha të SHBA-së . . . regjistrojnë dhe analizojnë bisedat dhe veprimtaritë e punonjësve të tyre gjatë punës, duke përfshirë telefonatat, postën elektronike, lidhjet me Internetin dhe dokumentet në kompjuter».
Qeveritë shpenzojnë miliona dollarë për pajisje vrojtimi. Një raport, që iu paraqit Parlamentit Evropian më 11 korrik 2001, nxirrte si përfundim se «ekziston një sistem botëror që bën të mundur përgjimin e komunikimit dhe që funksionon në saje të bashkëpunimit . . . të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Kanadasë, Australisë dhe të Zelandës së Re». Thuhet se nëpërmjet një rrjeti stacionesh në mbarë botën që marrin sinjale nga satelitët, një sistem i njohur si ECHELON, këto qeveri janë të afta të ndërhyjnë dhe të kontrollojnë telefonat me lidhje satelitore, fakset, Internetin dhe mesazhet e postës elektronike. Gazeta Australian thotë se kur qeveritë përdorin këtë sistem, «fakse dhe mesazhe të veçanta të postës elektronike mund të përzgjidhen për t’u kontrolluar dhe, nëse sistemi është programuar për të njohur zëra të caktuar, mund të veçohen edhe telefonatat e bëra nga këta njerëz».
Edhe organet e rendit mbështeten në teknikat moderne të vrojtimit. Në Shtetet e Bashkuara, revista BusinessWeek raporton se FBI-ja ka një teknologji, të njohur si Carnivore (Mishngrënës) dhe e përdor atë «për të mbikëqyrur postën elektronike, mesazhet që shfaqen papritur në kompjuter dhe telefonatat dixhitale». Ndërkaq, sipas një raporti të BBC-së, legjislacioni i ri në Britani do t’i lejojë organet e rendit që në mënyrë të fshehtë «të vëzhgojnë mijëra njerëz që përdorin telefonat, faksin dhe Internetin».
Kamerat e fshehta dhe mbledhja e të dhënave të hollësishme
Edhe kur dikush nuk është duke përdorur telefonin, faksin ose postën elektronike, ai përsëri mund të jetë nën vëzhgim. Në shtetin australian të Nju-Sauth-Uellsit, njerëzit që udhëtojnë me tren vrojtohen nga më shumë se 5.500 kamera. Po në këtë shtet, rreth 1.900 autobusë shtetërorë janë gjithashtu të pajisur me kamera vrojtuese.
Sipas një studimi, në shkallë botërore, Britania ka, me sa duket, numrin më të madh të kamerave për person—1 për çdo 55 veta. Më 1996, vetëm 74 qytete në Britaninë e Madhe kishin kamera që vrojtonin vendet publike. Deri në vitin 1999, 500 qytete i kishin instaluar këto pajisje. Programe të reja kompjuterike po lidhen me kamerat vrojtuese, duke i dhënë kamerës aftësinë për të dalluar fytyrën e një njeriu të caktuar, madje edhe nëse ai gjendet mes një turme njerëzish në aeroport ose në një shesh publik.
Si kurrë më parë, jeta juaj private mund të vëzhgohet pa dijeninë tuaj. Sajmon Dejvisi, drejtori i një grupi për të drejtat e njeriut me emrin Privacy International, thotë: «Ndoshta kurrë më parë në histori nuk ka pasur ndonjëherë një kohë në të cilën të jetë grumbulluar kaq shumë informacion për popullsinë në përgjithësi. Hollësirat për njerëzit e zakonshëm që janë në marrëdhënie pune gjenden në rreth 400 baza kryesore të dhënash (data base). Këto informacione të përpunuara në kompjuter janë të mjaftueshme për të përpiluar një libër të jashtëzakonshëm referimi për çdo njeri.»
Çfarë masash mund të merrni për të mbrojtur jetën tuaj private?