Fuqia e një buzëqeshjeje
Fuqia e një buzëqeshjeje
NDONËSE zgjat veçse një çast, kujtimi që ajo lë mund të qëndrojë me ju gjithë jetën. Vlera e saj është e jashtëzakonshme, por askush nuk është aq i varfër, sa nuk mund t’ia japë dikujt. Askush nuk është aq i pasur, sa të mos ketë nevojë për të. Për çfarë e kemi fjalën? Për buzëqeshjen.
Një buzëqeshje formohet nga një tkurrje muskulore, nga e cila sytë shkëlqejnë dhe cepat e buzëve përkulen lehtë lart duke shprehur kënaqësi. Gjatë javëve të para pas lindjes, një foshnjë buzëqesh, dhe kjo, pa dyshim, i kënaq prindërit e rinj që ndihen të ngazëllyer. Këto buzëqeshje të para njihen si buzëqeshje spontane ose të pavullnetshme. Specialistët shpjegojnë se kjo lloj buzëqeshjeje shfaqet shpesh gjatë gjumit kur dikush ëndërron e, me sa duket, ka lidhje me ndjenjat e brendshme dhe aktivitetin e sistemit nervor qendror. Edhe kur jemi në moshë të rritur, kjo buzëqeshje e pavullnetshme mund të ndodhë ende pas një vakti ose ndërsa dëgjojmë muzikë.
Megjithatë, kur bëhet rreth gjashtëjavëshe, një foshnjë buzëqesh kur sheh një fytyrë ose dëgjon një zë. Një ‘buzëqeshje shoqërore’ pra, që është e vullnetshme, e ndërgjegjshme, na gëzon qofshim foshnja ose të rritur. Thuhet se një buzëqeshje e tillë ka një ndikim pozitiv madje edhe në shëndetin tonë fizik. Specialistët Mirta Mano dhe Ruben Delauro drejtojnë një klinikë të quajtur «Buzëqeshja dhe Shëndeti», ku njerëzit mund të mësojnë si të përmirësojnë shëndetin e tyre. Sipas këtyre specialistëve në terapinë për të shprehurit e të folurit, thjesht gjesti i buzëqeshjes prodhon një stimul elektrik që ndikon te gjëndra e hipofizës. Kjo gjëndër nga ana e saj prodhon endorfina, substanca kimike në tru që na bëjnë të ndihemi mirë.
Një arsye tjetër e rëndësishme që të buzëqeshim është ndikimi pozitiv që ka ajo te të tjerët. Një buzëqeshje e sinqertë shpreh ndjenjat tona, pa pasur nevojë për fjalë, edhe nëse kjo është një buzëqeshje përshëndetjeje, simpatie ose inkurajimi. Ngadonjëherë, thjesht kur shohim një fëmijë në fotografi duke buzëqeshur këndshëm mund të na sjellë edhe ne buzëqeshjen në buzë.
Kur marrim një buzëqeshje të ngrohtë nga të tjerët mund të na ndihmojë të ndihemi më të lehtësuar dhe të përballojmë më mirë shqetësimet dhe sfidat. Bibla këshillon: «Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh.» (Fjalët e urta 3:27) Vërtet, nga ky gjest i thjeshtë mund të nxjerrim dobi ne vetë dhe të tjerët. Pse mos të bëjmë një përpjekje për të ndarë me të tjerët këtë dhuratë shumë të çmuar, pra buzëqeshjen e ngrohtë?