Kërcimtarët me pupla të shndritshme
Kërcimtarët me pupla të shndritshme
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KENIA
MIJËRA zëra. Shumë cicërima të hareshme e të pareshtura kumbojnë në sipërfaqen e liqenit të largët. Mijëra zogj ngjyrë rozë po ecin përmes ujërave vezulluese me ngjyrë të gjelbër si të smeraldit. Lart, qielli mbushet nga fluturimi i tyre i hijshëm. Duke u kthyer dhe duke fluturuar në formë rrethi mbi ujëra, ata e rrahin ajrin me krahët e hollë e të gjatë, dhe kështu dallohen pjesë të ndritshme me ngjyrë të kuqe të thellë. Tufa e madhe me zogj që shkëlqen nga ngjyrat e shndritshme të mahnit. Flamingot ngjyrë rozë të Luginës Grejt Rift të Afrikës ndoshta janë zogjtë më të mrekullueshëm në tokë.
Elegancë me këmbë të gjata
Që nga kohët më të hershme flamingot janë admiruar për pamjen e hijshme e të këndshme. Pamja e tyre me qafë të gjatë është gdhendur në gur dhe mund të shihet në hieroglifët egjiptianë. Kaq e veçantë ishte dhe kaq shumë admirohej pamja e këtij shpendi, saqë egjiptianët e nderonin si mishërim të perëndisë Ra. Qafa e hollë dhe e harkuar, si edhe këmbët e holla e të hijshme të flamingove shfaqen në vizatimet primitive nëpër shpella.
Sot mund të gjenden katër lloje flamingosh në zonat e Afrikës, në Karaibe, në Evropë, në Azi dhe në Amerikën e Jugut. Flamingot e vegjël janë
lloji më trupvogël i flamingove. Ata kanë ngjyra të bukura, pendë me ngjyrë rozë të mbyllur dhe këmbë me ngjyrë të kuqe të shndritshme. Flamingot e mëdhenj janë sa dyfishi i atyre të vegjëlve dhe janë të gjatë 140 centimetra. Të gjithë flamingot kanë një veçori të përbashkët: një sqep që harkohet lehtë në mes dhe përkulet poshtë, duke krijuar një formë të këndshme për sytë.Kur nis të fluturojë, zogu rreh krahët me hijeshi dhe vrapon përmes ujit me këmbët e shkathëta, duke fituar vrullin që i nevojitet për t’u ngritur në qiell. Me qafën e gjatë, me kokën të drejtuar para dhe me këmbët që i tërheq si të ngrira nga pas, ai fluturon me elegancë nëpër qiell. Rreth katër milionë flamingo jetojnë në Luginën Grejt Rift të Afrikës.
Zog delikat, mjedis i ashpër
Flamingot e shumtë të Luginës Rift lulëzojnë në një sërë liqenesh të kripura që janë vërtet të pashoqe. Uji është kaq i pasur me karbonat natriumi, saqë po ta prekësh të duket si vaj dhe ta djeg pak lëkurën. Temperaturat përreth liqeneve të kripura të Luginës Rift mund të shkojnë deri në 65 gradë celsius. Era e fortë e squfurit dhe e kripës ngrihet nga ujërat me gaz të liqeneve dhe e ngop ajrin e nxehtë. Përbërjet alkaline dhe kripërat që gjenden në ujë kanë një përqendrim kaq të lartë, saqë kristalizohen dhe formojnë shtresa të forta e të bardha përgjatë bregut.
Pak krijesa mund të jetojnë në ujëra kaq gërryese. Megjithatë, disa krijesa shumë të vockla arrijnë të mbijetojnë atje—algat blu të gjelbra. Dielli i nxehtë tropikal ngroh ujërat alkaline, duke krijuar kushte ideale që algat të rriten me shumicë. Algat janë kaq me shumicë, sa bëjnë që ujërat e liqeneve të duken të gjelbra. Si smeraldet e radhitura në një varëse elegante, ky zinxhir liqenesh me ujëra të kripura i stolis bukur luginat dhe malet që shtrihen përgjatë Luginës Grejt Rift.
Është e çuditshme që mund të jetojë në një mjedis kaq të ashpër dhe të pafavorshëm një krijesë e tillë e brishtë si flamingoja. Megjithatë flamingot rriten më së miri këtu. Këmbët e tyre të holla janë rezistente ndaj ujërave gërryese dhe membrana në mes të gishtave i pengon që të fundosen në baltën e butë dhe veshtullore. Lloji i flamingove trupvegjël është i pajisur në mënyrë të veçantë për të përballuar jetën në këtë mjedis të pafavorshëm. Sqepat e tyre kanë fijeza shumë të vogla, të cilat janë në gjendje të thithin e të veçojnë nga uji mikroorganizmat që janë kryesisht në pesë deri në shtatë centimetrat e pjesës së sipërme të liqenit. Kur ushqehen, flamingot e mbajnë sqepin paksa nën sipërfaqen e ujit, të kthyer përmbys. Gjuha e flamingove, ngjashëm një pistoni, e thith ujin brenda dhe e nxjerr jashtë me forcë përmes fijezave të vogla që e filtrojnë ujin dhe mbajnë organizmat mikroskopikë.
Ceremoni me ngjyra të ndezura për të gjetur partnerin
Kur dielli i mëngjesit ngrihet mbi ujërat e gjelbra si nefrit të liqenit duket sikur ngrihet një perde e stërmadhe. Drita e praruar bën që të zbulohet një tufë
e madhe flamingosh që shkëlqejnë si të ishin flakët e një zjarri mbi sipërfaqen e liqenit. Zogjtë janë ngjeshur pranë njëri-tjetrin. Me qafat e zgjatura lart, grupet e zogjve marshojnë në paradë, duke i tundur sqepat nga njëra anë në tjetrën.Ndërkohë që grupet me zogj marshojnë njëri pas tjetrit në drejtime të kundërta, drita e diellit reflekton mbi pendët e tyre të hijshme, dhe formon një mozaik me nuanca të së kuqes së ndezur dhe ngjyrës rozë, nuanca këto që krijojnë kontrast. Zogjtë hidhen dhe kërcejnë, e i hapin plotësisht krahët që të nxjerrin në pah të kuqen e thellë të pendëve në krahët e tyre. Duke u krekosur me ngjyrat e shndritshme, ata vrapojnë përmes ujit dhe nisin fluturimin, por shpejt ulen dhe përsëritin ritualin. Flamingot janë ngjeshur kaq shumë pranë njëri-tjetrit, saqë nuk mund të nisin fluturimin veç e veç, por duhet të presin derisa ata që janë në anë të tufës të nisen të parët. Ndërsa gagaritin e gugasin me gjallëri, ata krijojnë një britmë që të shurdhon.
Pastaj papritur, nën velin e errësirës, zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë tutje. Bëjnë me qindra kilometra, ndërsa fluturojnë duke formuar radhë të gjata ose në formë v-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre—një liqen me ujë të kripur që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit. Është për t’u habitur që ky shtegtim ndodh njëkohësisht me shtegtimin e flamingove të liqeneve të tjera të kripura në Luginën Rift.
Nga të shëmtuar bëhen të bukur
Flamingot zgjedhin t’i ngrenë foletë e tyre në liqene të veçuara ku është vështirë të shkosh. Veçimi është i rëndësishëm, pasi kolonia që do të ndërtojë çerdhet është shumë e ndjeshme. Nëse shqetësohen, zogjtë prindër mund t’i braktisin vezët plotësisht dhe të mos kthehen më kurrë.
Kolonia e zogjve që bëjnë foletë gëlon nga aktiviteti. Prindërit nisin të ndërtojnë gjithë hare. Duke përkulur qafat e gjata, ata mbledhin baltë, pleh zogjsh dhe pak pupla për të formuar një pirg në formë koni të lartë rreth 40 centimetra. Në majë ka një zgavër të vogël që e ruan vezën e vetme nga ujërat e cekëta alkaline. Shpejt, qindra mijë zogj të vegjël fillojnë të dalin. Shumë zogj prindër hyjnë e dalin fluturim nga vendi i foleve, të zënë me punën e lodhshme të ushqyerjes dhe të kujdesit për të vegjlit që kërkojnë ushqim.
Pastaj, kur të vegjlit janë mjaft të rritur aq sa të ecin, papritur prindërit i lënë dhe fluturojnë në një anë tjetër të liqenit ku algat blu të gjelbra janë më të ushqyeshme e më me bollëk. Atje, larg nga kërkesat e të vegjëlve të tyre, ata do të jenë në gjendje të ushqehen dhe të rifitojnë energjitë e humbura. Pastaj disa nga të rriturit që mbeten e mbledhin së bashku si në një çerdhe grupin e madh të zogjve të vegjël. Nën kujdesin e vëmendshëm të këtyre zogjve të rritur edukatorë, të vegjlit e zhurmshëm drejtohen nëpër toka të kripura, derisa të bashkohen përsëri me prindërit. Është e habitshme që në gjithë atë rrëmujë prindërit janë në gjendje t’i njohin të vegjlit e tyre, dhe vazhdojnë të kujdesen për ta.
Zogjtë e vegjël janë të ngathët dhe ngjasojnë pak me prindërit e tyre të mrekullueshëm. Këmbët dhe qafat e tyre janë të shkurtra, sqepat janë të drejtë dhe pendët janë krejt të bardha. Pas njëfarë kohe, këmbët e tyre të shkurtra fillojnë të zgjaten, qafa nis të zgjatet e të lakohet dhe sqepat fillojnë të kthehen për nga poshtë, duke marrë një formë paksa të përkulur që është diçka karakteristike vetëm për flamingot. Duhen rreth dy deri në tre vjet që zogu i vogël e i ngathët të shndërrohet në një flamingo të bukur me pendë të ndritshme. Atëherë ai do të çiftohet me një partner dhe do të bashkohet me tufat e mëdha të flamingove rozë që janë një element kaq i hijshëm e që ia shton bukurinë liqeneve të kripura të Luginës Rift.
Hijeshia dhe bukuria e flamingove janë një shembull mahnitës i një projekti inteligjent. Soditja në natyrë e këtyre krijesave tërheqëse na kënaq sytë dhe veshët. Por, më tepër se kaq, ajo na shton mirënjohjen dhe dashurinë për Krijuesin e tyre të mrekullueshëm, Perëndinë Jehova.
[Figura në faqen 17]
Lloji i flamingove të mëdhenj
[Figura në faqen 17]
Lloji i flamingove të vegjël
[Figurat në faqen 18]
Zogjtë e vegjël ngjasojnë pak me prindërit e tyre të mahnitshëm