Kemi nevojë të flemë sa duhet!
Kemi nevojë të flemë sa duhet!
A do të kishte ndonjë që nuk do të ishte në një mendje me pohimin se një gjumë i mirë natën është një faktor themelor për të pasur një shëndet të mirë? Ndoshta jo. Megjithatë për shumë njerëz gjumi ka pak rëndësi. «Por për këtë vuan ditën tjetër»,—thotë Shon Keri, një psikolog dhe ndihmës profesor në Universitetin e Kalgarit në Kanada. Kur nuk flini aq sa duhet, ka të ngjarë që të bëheni më të prirur për t’u acaruar dhe ndonjëherë edhe të bini në dëshpërim.
«Shkencëtarët hedhin idenë se gjumi kryen një funksion ripërtëritës për trurin dhe se procesi i të mësuarit vazhdon gjatë gjumit»,—thotë gazeta Calgary Herald. Profesor Keri vëren: «Gjatë natës ju i forconi kujtimet tuaja dhe çdo gjë që keni mësuar gjatë ditës sistemohet më mirë në kujtesë gjatë natës. Pa këtë periudhë pushimi procesi i të mësuarit dëmtohet.» Për më tepër ai thotë se «kur flini aq sa duhet, kjo ka të ngjarë të shërbejë në ndonjë mënyrë për të stabilizuar emocionet tuaja».
Pra, sa gjumë ju mjafton? Shumë specialistë sugjerojnë tetë orë si një rregull të përgjithshëm. Por Keri thotë: «Njerëzit kanë nevoja të ndryshme për gjumë.» Për këtë arsye ai sugjeron që të përpiqeni të bëni një gjumë të thellë dhe të qetë. Por, si mund të arrihet kjo sidomos për ata që vuajnë nga pagjumësia? Ja disa sugjerime:
▪ Bëni një banjë ose dush të ngrohtë para se të shkoni në krevat.
▪ Bëni ushtrime të ekuilibruara disa herë në javë; por mos bëni ushtrime të lodhshme para se të flini.
▪ Mbajeni dhomën e gjumit të qetë, të errët dhe pak të freskët.
▪ Përpiquni të çoheni në të njëjtën kohë çdo mëngjes kështu që të vendosni një ritëm të rregullt për gjumin.
Duke pasur parasysh dobitë e dukshme të shëndetit, jini të kujdesshëm dhe vendoseni gjumin në një vend kryesor në listën e përparësive tuaja.