Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lundrim në oqeanin blu mbi kallama!

Lundrim në oqeanin blu mbi kallama!

Lundrim në oqeanin blu mbi kallama!

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BOLIVI

PËRFYTYRONI sikur po niseni në një udhëtim disa mijëra kilometra të gjatë në oqean. Por, në vend që të hipni në një anije të fortë pasagjerësh, të pajisur me të gjitha komoditetet e një hoteli modern, hipni në një anije që, me sa duket, është një mjet lundrues i brishtë i bërë me kallama të lidhur me njëri-tjetrin me litar. Është e vërtetë që anija mund të peshojë deri në 50 tonë, por, sa siguri ju jep ky fakt nëse lundroni, për shembull, në mes të oqeanit Paqësor, ku anijen e rrahin dallgë shumë të mëdha?

Ndonëse mund të duket e habitshme, tashmë njerëzit janë orvatur të bëjnë shumë udhëtime të tilla. Megjithëse shumë prej tyre kanë dështuar, këto udhëtime kanë provuar të paktën një gjë:që, po të mbajmë parasysh se prej çfarë janë bërë, anijet me kallama janë jashtëzakonisht të forta. A do t’ju pëlqente të shihnit se si ndërtohen këto mjete lundrimi? Nëse po, atëherë ejani të vizitojmë së bashku një kantier detar me famë botërore për anijet që ndërton.

Vizitë në liqenin Titikaka

Udhëtimi na çon lart në vargmalet e Andeve, në Amerikën e Jugut, në liqenin Titikaka. Nga liqenet e botës, Titikaka, në lartësinë 3.810 metra, është liqeni i lundrueshëm që ndodhet në lartësinë më të madhe. Ndërkohë që udhëtojmë buzë liqenit, na zënë sytë shtëpizat me qerpiç dhe me çati kashte të banorëve vendës aimarë, disa prej të cilëve janë mjeshtra në ndërtimin e anijeve me kallama. Kur u afrohemi shtëpizave na përshëndetin dy gra, të cilat po thurin rroba të bukura, të leshta e të trasha, të bëra enkas për të përballuar të ftohtit në Altiplano. Gratë e ndërpresin punën dhe na prezantojnë me burrat e tyre.

Pasi na urojnë një mirëseardhje të ngrohtë, burrat na ftojnë të lundrojmë në liqen në motobarkën e tyre. Ndërkohë që lundrojmë pranë bregut, vëmë re zona të dendura me sitka. Këta kallama, që rriten deri në lartësinë dy metra, janë pak më të trashë se një laps, përkulen lehtë dhe, sipas udhërrëfyesve tanë, janë shumë rezistente ndaj ujit. Të gjitha këto cilësi bëjnë që sitkat të jenë të shkëlqyera për të ndërtuar anijet me kallama dhe për këtë arsye liqeni Titikaka i tërheq si me magnet ata që duan të ndërtojnë anije të tilla.

«Disa nga anijet tona kanë lundruar me mijëra kilometra përmes oqeaneve»,​—thonë duke buzëqeshur me krenari mikpritësit aimarë, ndërkohë që na tregojnë modele dhe fotografi nga puna e tyre. Si i çojnë anijet në oqean? Kur madhësia e anijes e lejon, ata e transportojnë të tërën me kamion deri në bregun e Paqësorit. Përndryshe, ata e çojnë lëndën e parë në breg dhe e ndërtojnë atje anijen. Për shkak të zotësisë së tyre, ndërtuesit aimarë të anijeve janë ftuar për të ndërtuar anije me kallama edhe jashtë vendit, deri në Marok, Irak dhe në Ishullin e Pashkës, por me kallama të atyre vendeve.

Mësojmë se një anije e vetme mund të formohet nga shumë tonë kallama, sidomos nëse është për udhëtim të gjatë. Pse? Sepse dalëngadalë kallamat ngopen me ujë. Kështu që sa më i gjatë të jetë udhëtimi i planifikuar, aq më shumë kallama nevojiten dhe aq më e madhe duhet të jetë anija. Për shembull, një anije që peshon rreth shtatë tonë duhet të jetë në gjendje të lundrojë për afro dy vjet. «Por, si ka mundësi,​—pyesim ne,​—që anijet që bëhen kryesisht nga kërcej të thatë të përballojnë forcat shtypëse të pamëshirshme të oqeanit?»

Një mrekulli me kallama, litarë dhe bambu

Qëndrueshmëria e anijeve me kallama nuk varet vetëm nga forca e padukshme e lëndës së parë, por edhe nga mënyra mjeshtërore me të cilën janë bashkuar për të dhënë së fundi anijen; art ky që është trashëguar nga brezi në brez. Udhërrëfyesi ynë, i veshur me një gunë dhe një kësulë leshi me llapa, për të mbrojtur veshët nga të ftohtët, na tregoi disa nga këto mjeshtëri të lashta.

Ai na shpjegoi se gjëja e parë që bëjnë ndërtuesit, është të lidhin tufa kallamash, duke bërë dengje të gjata sa anija që do të ndërtohet. (Shih fotografitë 1 dhe 2.) Pas kësaj, ata mbledhin disa prej këtyre për të formuar dy dengje shumë të mëdha që mund ta kenë diametrin nga një deri në disa metra. Pastaj i shtrijnë së bashku këto dengje për të formuar një trup anijeje me dy pjesë simetrike​—një strukturë veçanërisht të përshtatshme për lundrim.

Në të njëjtën kohë, ata vendosin një deng më të hollë midis dy më të mëdhenjve. Dengjet më të mëdhenj më pas lidhen secili me të këtë deng të tretë me anë të një litari të gjatë që mbështillet në gjithë gjatësinë e anijes rreth dy dengjeve me madhësi të ndryshme. (Shih fotografinë 3.) Gati 12 burra shtrëngojnë litarin. Në këtë mënyrë, kallamat ngjeshen dhe formohen dy pjesë të forta e të ngjeshura me njëra-tjetrën që tani janë të lidhura së bashku. (Shih fotografinë 4.) Në të vërtetë, litari është shtrënguar kaq fort, saqë nuk mund të futësh me forcë qoftë edhe një gisht mes tij dhe kallamave. Kjo është një veçori e mënyrës së ndërtimit që e rrit rezistencën ndaj ujit.

Kur trupi i anijes ka përfunduar (shih fotografinë 5), ndërtuesit e pajisin atë me një kallumë, me rrema drejtimi, me direkë dysh (secili në formën e një v-je të ngushtë të kthyer përmbys që qëndron mbi dy pjesët e trupit të anijes), me vela dhe zakonisht me file që, gjithashtu, përbëhen nga kallama. Në fund, ata montojnë pjesën e sipërme prej bambuje dhe gjethe palmash për ta mbrojtur ekuipazhin nga elementët atmosferikë. (Shih fotografinë 6.) Është për t’u habitur që anija e përfunduar nuk ka asnjë pjesë metalike.

Pasi anija lëshohet në ujë, kallamat brenda dredhave tashmë të tendosura të litarit bymehen, duke e bërë trupin e anijes edhe më të fortë. Rezultati përfundimtar është pa dyshim, jo një ngordhësirë, por një anije e fuqishme. Kjo bën që në mendje të na lindë një pyetje e rëndësishme: ‘Çfarë duan të provojnë njerëzit që lundrojnë sot me këto mjete primitive në udhëtime të gjata në oqean?’

Duke eksploruar misteret e emigrimit

Anijet me kallama të liqenit Titikaka kanë një ngjashmëri të habitshme me anijet me kallama në trajtë gjysmëhëne që gjenden të paraqitura në vizatimet e lashta egjiptiane. Disa nga këto të fundit, madje duket se ishin kaq të forta, sa i kanë rënë oqeanit kryq e tërthor. A janë të rastësishme këto ngjashmëri apo ka patur ndonjë lidhje mes këtyre dy popujve në kohët e hershme? Ndërkohë që është e vështirë të përcaktohet se kur u shfaqën për herë të parë anijet me kallama në Amerikën e Jugut, dëshmitë të lënë të mendosh se ato ka mundësi të datojnë më herët se ardhja e pushtuesve spanjollë.

Kuptohet që teoritë e emigrimit kanë ngjallur debate rreth marrëdhënies midis kulturave të Amerikës së Jugut, Mesdheut dhe Polinezisë, sidomos duke pasur parasysh largësinë e madhe gjeografike mes tyre. Një eksplorues modern tha: «Ka patur një tregti të rregullt ndërmjet Perusë dhe Panamasë. Atëherë, përse të mos ketë patur edhe ndërmjet Amerikës së Jugut dhe Polinezisë?»

Teoritë e eksploruesit norvegjez Thor Hejerdalit kanë gjetur pak mbështetje. Edhe në qoftë se detarët e ditëve tona e tregojnë me prova se në lashtësi njerëzit mund të kenë përshkuar largësi të mëdha me anijet me kallama, siç bëri Hejerdali me anijen Ra II, të ndërtuar nga aimarët, është e arsyeshme që të mbetet përsëri pezull pyetja, a i përshkuan vërtet ? Koha mund të hedhë më shumë dritë mbi këtë mister që ngjall kureshtje. Sido që të jetë, anija modeste me kallama tregon se edhe me materialet më të thjeshta mund të ndërtohen mjete lundrimi vërtet të forta.

[Figurat në faqen 22]

Prerje tërthore e trupit të anijes

Para ngjeshjes

Pas ngjeshjes

Vendosen filet dhe kuverta

[Burimi]

Burimet e skicave nga Dominique Görlitz, www.abora2.com

[Figurat në faqen 23]

NDËRTIMI I ANIJES ME KALLAMA

[Burimet]

Fotografi nga Carmelo Corazon, Coleccion Producciones CIMA

Fazat 1, 2, 5, dhe 6: Tetsuo Mizutani (UNESCO); Faza 4: Christian Maury/GAMMA

[Burimi e figurës në faqen 21]

Sipër: Tetsuo Mizutani (UNESCO)

[Burimi e figurës në faqen 22]

Fotografi nga Carmelo Corazon, Coleccion Producciones CIMA