Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një pikëpamje e arsyeshme për jetën private

Një pikëpamje e arsyeshme për jetën private

Një pikëpamje e arsyeshme për jetën private

«SYTË E JEHOVAIT JANË NË ÇDO VEND, DUKE VROJTUAR TË KËQINJTË DHE TË MIRËT.»​—Fjalët e urta 15:3, BR.

PAK njerëz do të ndiheshin rehat nëse do të mendonin se një tjetër po vrojton çdo lëvizje të tyre, po shqyrton mendimet e fshehta e po zbulon dëshirat e tyre më të thella. Megjithatë, kjo është pikërisht ajo që Bibla thotë se Perëndia mund të bëjë. Te Hebrenjve 4:13, Bibla thotë: «Nuk ka krijesë që të mos jetë e dukshme përpara tij, por të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij, të cilit kemi për t’i dhënë llogari.» A nuk përbën kjo një cenim të jetës private? Aspak. Si ka mundësi?

Le të bëjmë një ilustrim: kur notoni në det, ndoshta jeni nën vëzhgimin e vazhdueshëm të syrit vigjilent të një roje plazhi. Ju nuk e shihni këtë gjë si shkelje të së drejtës së jetës private. Në fakt, prania e tij ju jep një ndjenjë sigurie. E dini se po të jeni në rrezik, ai shpejt do të vijë për t’ju ndihmuar. Po njësoj, një nënë vazhdimisht vëzhgon çdo lëvizje të foshnjës së saj. Nëse nuk do ta bënte këtë, ajo do të quhej e pakujdesshme.

Në mënyrë të ngjashme, Perëndia Jehova i shqyrton mendimet dhe veprimet tona, sepse ka për zemër atë që është më e mira për ne. Një profet i Biblës tha: «Në të vërtetë Zoti me sytë e tij shikon përpara dhe mbrapa tërë dheun për të treguar forcën e tij ndaj atyre që kanë një zemër të ndershme ndaj tij.» (2 Kronikave 16:9) Por, deri në ç’masë i vëren në të vërtetë Jehovai mendimet dhe veprimet tona? Disa raste që kanë të bëjnë me Jezuin, Birin e Perëndisë, na japin njëfarë gjykimi më të thellë.

Aftësia për të lexuar zemrat dhe mendjet

Kur Jezui po hante në shtëpinë e një fariseu, një grua e njohur si mëkatare erdhi dhe u gjunjëzua te këmbët e tij. Filloi të qante dhe pastaj i fshiu me flokët e saj lotët që ranë mbi këmbët e Jezuit. Tregimi thotë: «Kur e pa këtë, fariseu që e ftoi tha me vete: ‘Nëse ky njeri do të ishte profet, do ta dinte se kush dhe se ç’lloj gruaje është kjo që po e prek.’ » Përgjigja e Jezuit tregon se ai jo vetëm e njihte të kaluarën e gruas, por edhe dinte atë që fariseu sapo kishte thënë «me vete».​—Luka 7:36-50.

Në një rast tjetër, Jezui u përball me një grup që kundërshtonte mrekullitë që bënte ai. Tregimi i regjistruar te Mateu 9:4 thotë: «Jezui, duke i ditur mendimet e tyre, tha: ‘Përse po mendoni gjëra të liga në zemrën tuaj?’ » Aftësia e Jezuit për të ditur mendimet e të tjerëve ishte më tepër sesa vetëm një hamendje e mprehtë.

Arsyetimi për tregimin e ringjalljes së Lazarit zbulon se përfshihet shumë më tepër se kaq. Miku i ngushtë i Jezuit, Lazari, kishte katër ditë që kishte vdekur. Mendimet e tij kishin marrë fund dhe ai kishte filluar të kalbej. (Psalmi 146:3, 4) Kur Jezui udhëzoi që të hiqnin gurin në hyrje të varrit të Lazarit, motra e Lazarit, Marta, kundërshtoi: «Zotëri, tanimë duhet të mbajë erë.» Megjithatë, me ndihmën e fuqisë së Perëndisë Jezui e ringjalli Lazarin, me të gjitha kujtimet e tij më të thella, që ishin të nevojshme për ta bërë Lazarin atë individ që kishte qenë para se të vdiste.​—Gjoni 11:38-44; 12:1, 2.

Aftësia e Perëndisë Jehova për të njohur mendimet tona më të thella është vërtetuar nga fjalët e Jezuit lidhur me lutjen. Para se t’u mësonte dishepujve të tij lutjen model, Jezui tha: «Perëndia, Ati juaj, e di se për ç’gjëra keni nevojë, madje përpara se t’ia kërkoni.» Ai tha gjithashtu: «Kur lutesh, shko në dhomën tënde të veçuar dhe pasi të kesh mbyllur derën, lutju Atit tënd që është në fshehtësi; atëherë, Ati yt që shikon në fshehtësi do të të shpërblejë.»​—Mateu 6:6, 8.

Dobitë që vijnë kur dimë se Perëndia po na vrojton

A na pengon të veprojmë ose a e kufizon lirinë tonë fakti që e dimë se Perëndia i heton gjithë zemrat dhe «dallon çdo prirje të mendimeve»? (1 Kronikave 28:9, BR) Përkundrazi, dijenia se Perëndisë nuk mund t’i fshehim asgjë mund të jetë një nxitje e fuqishme për mirë.

Elizabeta, e përmendur në artikullin hyrës, thotë se arsyeja kryesore pse vepron me ndershmëri nuk është se vëzhgohet në punë nga kamerat e vrojtimit. Përkundrazi, ajo thotë: «Fakti që e di se Jehovai po e vëzhgon sjelljen time, më motivon për të qenë e ndershme në gjithçka, madje edhe kur nuk jam në punë.»

Xhimi bën një koment të ngjashëm. Ai punon në një fabrikë ku vjedhja është një problem i zakonshëm. Megjithatë, Xhimi nuk e vjedh punëdhënësin i tij. Ai thotë: «Është e vërtetë se mund t’ia hedh pa u lagur nëse vjedh në firmën ku punoj, por e çmoj marrëdhënien time me Perëndinë, dhe e di se ai sheh çdo gjë që bëj.»

Dijenia se Perëndia i vëren të gjitha veprimet tona, bashkë me dëshirën për të pasur një marrëdhënie të mirë me të, mund ta motivojë dikë që të bëjë ndryshime të mëdha në jetën e tij. Për shembull, Dagu ishte rritur në një familje të krishterë, por kurrë nuk e mori me seriozitet faktin që Perëndia mund të shihte veprimet e tij. Si pasojë ai bënte një jetë të dyfishtë. Ndiqte mbledhjet e krishtere me familjen e tij, por pastaj merrte drogë me shokët. Dashuria e tij për motoçikletat bëri që ai të bashkohej me një bandë të dhunshme motoçiklistësh që kishte nam të keq. Për t’u pranuar nga shokët, Dagu kreu krime të rënda.

Disa vite më vonë, Dagu filloi të studionte Biblën përsëri. Ai filloi ta shihte Jehovain si një person real, i cili i di dhe preket nga veprimet e njerëzve. Dagu u motivua që të fillonte ta jetonte jetën në përputhje me normat e larta morale të Perëndisë. Megjithëse në bandë e kishin zakon që të rrihnin keq çdokënd që largohej nga banda, Dagu në një mbledhje të saj hoqi dorë zyrtarisht para gjithë anëtarëve. Ai kujton: «Kur u ngrita për të folur, zemra më rrihte fort. Ndihesha si Danieli në gropën e luanëve. Por iu luta Jehovait në heshtje dhe pastaj me qetësi shpjegova arsyet për të cilat do ta lija bandën. Kur u largova, përveç njërit, të gjithë më shtrënguan dorën dhe më uruan gjithë të mirat. Përjetova të vërtetën që thuhet te Isaia 41:13: ‘Unë, Zoti, Perëndia yt, të zë nga dora e djathtë dhe të them: “Mos u frikëso, unë të ndihmoj.”’» Dagu mendon se Jehovai i dha forcën e nevojshme për të ndryshuar jetën.

Një pikëpamje e arsyeshme

Është e paarsyeshme të mendojmë se gjërat mund t’ia mbajmë fshehur Perëndisë. Bibla thotë hapur: «I pamendi ka thënë në zemër të tij: ‘Nuk ka Perëndi.’ » (Psalmi 14:1) Siç theksuan edhe artikujt e mësipërm, njerëzit kanë prodhuar kamera vrojtuese të afta për të njohur një fytyrë të veçantë në mes të një turme. Kanë shpikur pajisje përgjimi të afta për të dalluar një zë midis shumë mijërave të tjerë që po flasin në sistemin telefonik. Atëherë, sigurisht që Krijuesi i trurit njerëzor ka aftësinë për të hetuar në brendësi të mendimeve të çdo individi, sa herë që Ai e sheh të përshtatshme.

Ndërkohë që Krijuesi ynë ka të drejtë të dijë të gjitha gjërat private të një njeriu, njerëzit nuk e kanë këtë të drejtë. Apostulli Pjetër i këshillon të gjithë ata që duan të kenë miratimin e Perëndisë: «Askush nga ju le të mos vuajë si . . . keqbërës, a si dikush që fut hundët në punët e të tjerëve.» (1 Pjetrit 4:15) Edhe apostulli Pavël paralajmëron të mos përzihemi «në punët e të tjerëve».​—1 Timoteut 5:13.

Një shembull ekstrem i ‘futjes së hundëve në punët e të tjerëve’ është prirja në rritje e njerëzve në disa vende për të përdorur pajisje shumë të vogla që regjistrojnë pamjen ose zërin, duke përgjuar të tjerët. Për shembull, në Japoni një vrapuese në maratonë, Naoko Takahashi, e cila fitoi një medalje të artë në Lojërat Olimpike të Sidneit, kohët e fundit zbuloi se në banjë i kishin fshehur një kamera shumë të vockël që e kishte filmuar pa dijeninë e saj. Ishte prodhuar një kasetë videoje dhe ishin shitur mijëra kopje në mënyrë të paligjshme.

Gjithashtu, mjaft i përhapur është edhe mashtrimi në lidhje me identitetin ose vjedhja e tij, që nënkupton përdorimin e teknologjisë së përparuar për të vjedhur të dhëna personale. Është krejt e arsyeshme të merrni masa për të mbrojtur jetën tuaj private nga vëzhgimet e paautorizuara. * Bibla thotë: «Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.»​—Fjalët e urta 22:3.

Veprime private​—llogari publike

Ndërkohë që krimi, dhuna dhe terrorizmi shtohen, ka të ngjarë që qeveritë t’i mbajnë nën një vëzhgim edhe më të rreptë shtetasit e tyre. Megjithatë, shpejt nuk do të ketë nevojë për kamera vrojtuese dhe pajisje përgjimi. Bibla premton se në të ardhmen e afërt, Perëndia Jehova do t’i thërrasë të gjithë njerëzit për të dhënë llogari për veprimet e tyre, qofshin këto publike ose private.​—Jobi 34:21, 22.

Që prej asaj kohe e më tutje, toka do të jetë e lirë nga dhuna, nga urrejtja dhe nga veprimet kriminale që e kanë munduar kaq gjatë njerëzimin. Si do të jetë e mundur kjo gjë? Sepse në atë kohë, jo vetëm që Jehovai do t’i njohë nga afër të gjithë ata që do të jetojnë, por edhe të gjithë ata që do të jenë në jetë do ta njohin nga afër Jehovain. Fjalët e profetit Isaia do të dalin të vërteta: «Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.»​—Isaia 11:9

[Shënimi]

^ par. 21 Shih kutinë «Kini kujdes!»

[Diçitura në faqen 12]

Dijenia se Perëndisë nuk mund t’i fshehim asgjë mund të jetë një nxitje e fuqishme për mirë

[Kutia dhe figura në faqen 11]

Kini Kujdes!

JETA PRIVATE DHE SITET KOMPJUTERIKE TË PUNËS: Jeta private e atyre që kërkojnë punë duke i paraqitur CV-në kompjuter rrezikohet shumë. Biografitë personale mund të ruhen në sitet e punës për vite dhe madje mund të bëhen një burim informacioni për vjedhësit e identitetit. Disa site pune kërkojnë që ata, të cilët duan të gjejnë punë, të japin të dhëna personale, si: emrin, adresën, moshën dhe përvojën në punë, dhe pastaj këto site ua kalojnë informacionin palëve të treta tregtare, siç mund të jenë bërësit e reklamave.

JETA PRIVATE DHE KOMUNIKIMI ME TELEFONA LËVIZËS: Aktualisht, nuk gjendet asnjë mënyrë jo e kushtueshme për të garantuar fshehtësinë e bisedave gjatë përdorimit të aparateve telefonikë pa fije ose të celularëve. Nëse po bisedoni për një çështje private, mund të jeni më të sigurt po të përdorni një telefon të zakonshëm me kabllo. Sigurohuni që si ju, ashtu edhe personi me të cilin po flitni, po përdorni telefona të zakonshëm. Sinjalet që lëshohen nga shumë telefona pa fije mund të kapen nga skanerat e radiove, disa madje mund të kapen edhe nga telefona të tjerë pa fije ose nga aparatet që kontrollojnë frymëmarrjen dhe punën e zemrës së foshnjave. Në qoftë se blini diçka nëpërmjet telefonit dhe jepni numrin e kartës suaj të kreditit dhe datën e skadimit të saj, telefonatat me anë të telefonit pa fije ose të celularit mund të regjistrohen dhe ju mund të bëheni pre e mashtrimit. *

[Shënimi]

^ par. 32 Informacioni i përshtatur nga siti i Privacy Watch Clearinghouse.

[Figura në faqen 9]

Vëzhgimi i syve vigjilentë të një roje plazhi nuk shihet si cenim i jetës private

[Figurat në faqen 10]

Dijenia se Jehovai i vëren të gjitha veprimet tona e motivoi Dagun që të bënte ndryshime në jetën e tij