Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

«Telenënat» sigurojnë ushqim më të mirë

Në Madrid të Spanjës të rinjtë beqarë që janë shumë të zënë me punë dhe që kanë qejf të hanë ushqime të shëndetshme, por që as nuk kanë kohë dhe as nuk janë të prirur për të gatuar, kanë gjetur një zgjidhje të re. Sipas gazetës spanjolle El País ata pajtojnë një «telenënë» me anë të Internetit. Dy herë në javë nënat e tyre adoptuese u dërgojnë me taksi ushqim të shëndetshëm të bërë në shtëpi që mund t’i hanë për disa ditë. Ushqimet përfshijnë: peshk, makarona, perime, bishtaja, mish, fruta dhe bulmetra. «Telenënat» ruajnë lidhjet me anë të telefonit me secilin nga «bijtë» e rinj të adoptuar, që të marrin vesh se sa i furnizuar është frigoriferi, cilat janë shijet dhe nevojat e tyre. Shpërndarja e përditshme nëpër zyra është në dispozicion për katër ose më shumë njerëz dhe gjithashtu ka një menu për fundjavën.

Një tunel për thithëlopat

Inxhinierët që po punonin për ndërtimin e autostradës në ishullin Vankuver të Kanadasë mbetën të habitur kur zbuluan se autostrada kryqëzohej me një rrugë tjetër të rëndësishme, «rrugën e thithëlopave». Revista Beautiful British Columbia thotë se «qindra mijë thithëlopa perëndimore, tre centimetra të gjata», u panë të kalonin autostradën e pambaruar ndërsa shpërnguleshin në masë nga moçali i tyre i shumimit drejt vendeve të thata të banimit. Dëmi i madh që mund t’u shkaktonte thithëlopave autostrada «i vuri në mendime inxhinierët e projektit». Si ta zgjidhnin problemin? Kreig Barlou, koordinatori i projektit për çështjet e mjedisit, tha se inxhinierët krijuan një «seri gardhesh që i drejton thithëlopat migruese në disa kanale të thata të ndërtuara posaçërisht poshtë autostradës». Në revistë thuhet se thithëlopa perëndimore është «tepër e ndjeshme ndaj ndotjes së ujit, humbjes së habitatit dhe ndryshimit të klimës».

Matrapazët shfrytëzojnë 11 shtatorin

Më pak se një ditë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, hajdutët dhe matrapazët filluan të përfitonin nga dhembja, si dhe nga bujaria që u tregua. Disa bënë sikur ishin punëtorë të ndihmës së shpejtë dhe vodhën atë që gjetën në vend. Madje një natë u vodh një buldozer që mund të hiqte tre ton dhé. Batakçinjtë ishin kudo. Disa veta shitën pajisje të rreme për mbrotjen kundër bioterrorizmit dhe kura për antraksin. Të tjerë shitën si suvenirë dheun që e kishin marrë gjoja nga vendi ku kishte ndodhur katastrofa. Disa të tjerë nxorën dokumente të rreme që siguronin jetën dhe pronën nga dëmtimet. Një çift u përpoq të mblidhte para duke thënë se apartamenti i tyre, që në të vërtetë ishte gjashtë kilometra larg nga vendi i ngjarjes, ishte dëmtuar për shkak të katastrofës. Shumë morën pagesa për të afërm «të vdekur» të cilët ishin ende gjallë ose që nuk kishin ekzistuar kurrë. Disa shitës ambulantë shitën sende të tilla, si flamuj dhe stema, duke thënë se fitimet do të kalonin në agjencitë e ndihmave, por kurrë nuk ua dhanë paratë këtyre agjencive. Një numër matrapazësh përdorën vendndodhje në Internet për të kërkuar para, duke pohuar se do të shkonin për viktimat. Disa merrnin emrat e të humburve nga listat dhe u telefononin familjeve të tyre për të marrë informacione personale që më vonë i përdornin për të vjedhur identitetin e viktimave. Hetimet për krime të tilla vazhdojnë.

Këmbëngulja e tuberkulozit

Tuberkulozi (TBC) nuk është zhdukur aspak sipas gazetës së Buenos Ajresit Clarín. Veçanërisht kjo është e vërtetë në vendet ku ka një varfëri të konsiderueshme. Në Argjentinë «ka 14.000 raste të reja çdo vit»,​—thotë artikulli. «Sipas një raporti nga Organizata Botërore e Shëndetësisë . . . , kjo sëmundje vazhdon të vrasë rreth dy milionë njerëz çdo vit.» Shpesh TBC-ja është e lidhur me kequshqyerjen dhe varfërinë, por duke qenë mjaft ngjitëse i vë të gjithë njerëzit në rrezik. «Tuberkulozi është sëmundje shumë ngjitëse dhe kap të gjitha shtresat e shoqërisë»,​—thotë dr. Hulio Gonzales Montaneri, një pionier në përdorimin e ilaçeve për të luftuar TBC-në. Ai shpjegon se dikush mund të infektohet në një avion, në zonën ku banon ose në vendin e punës.

Ligji i parë kundër ndotjes nga ndriçimi

Republika Çeke është shteti i parë që ka një ligj që ndalon ndotjen për shkak të ndriçimit, vëren gazeta Berliner Morgenpost. Ligji i njohur si Akti i Mbrotjes së Atmosferës hyri në fuqi më 1 qershor 2002. Ky ligj ka gjetur përkrahje të madhe nga astronomët dhe nga njerëzit në përgjithësi. Ligji përcakton si ndotje nga ndriçimi «çdo lloj ndriçimi nga dritat artificiale e cila shpërndahet jashtë kufijve të zonës që duhet, veçanërisht nëse drejtohet mbi vijën e horizontit». Shtetasit dhe organizatat janë të detyruara ta pakësojnë shpërdorimin e dritave, gjë që pengon vëzhgimin e qiellit natën. Për këtë përdoren pajisje që e pengojnë dritën të kalojë sipër vijës së horizontit. Edhe para 1 qershorit, përdorimi i pajisjeve të tilla e kishte pakësuar ndjeshëm shpërdorimin e dritës në qendër të qytetit të Bërnos. «Përmirësimi është mbresëlënës»,​—tha astronomi çek Jan Holani.

Probleme arsimimi në gjithë botën

Sa mirë arsimohen nxënësit sot? Organizata për Zhvillimin dhe Bashkëpunimin në Ekonomi bëri një studim të bazuar në provime që përfshinin 265.000 nxënës të shkollës së mesme të moshës 15-vjeçare të 32 vendeve. Kjo u bë për të përcaktuar se «deri në ç’masë nxënësit që po përfundonin arsimin e detyruar kishin njohuri dhe aftësi që u nevojiteshin për të qenë plotësisht pjesë e shoqërisë». Ata zbuluan se 6 për qind e nxënësve ishin poshtë «nivelit më të ulët, për sa i përket aftësisë për të lexuar». Kurse 12 për qind mund të bënin vetëm «detyrat më elementare të të lexuarit, si të gjenin ku ndodhej një informacion i thjeshtë ose të identifikonin temën kryesore të një teksti». Për sa i përket leximit dhe shkrimit, në përgjithësi vajzat e të gjitha vendeve dolën më mirë se djemtë. Nxënësit finlandezë dolën më të mirët në lexim, kurse nxënësit japonezë dhe koreanë ishin më të mirët në lëndët shkencore dhe në matematikë. Në këtë studim thuhet: «Në 20 prej 28 shteteve, më shumë se një në katër nxënës e konsiderojnë shkollën si një vend ku nuk duan të shkojnë.»

Artikujt e hequr të faqes së parë

Në revistën franceze Médias bëhej kjo pyetje: «Cilat lajme u hoqën nga mediat për shkak të ‘apokalipsit’ [të 11 shtatorit 2001]?» Kryeartikujt që nuk dolën në 12 gazeta kombëtare dhe rajonale të Francës përfshinin lajme rreth një avioni luftarak amerikan që ishte goditur në Irak, për tërmetin që goditi Tajvanin, rreth një tajfuni që vrau pesë veta në Japoni dhe për dhunën fetare që vrau të paktën 165 njerëz në Nigeri. Lajme të tjera që ishin anashkaluar për shkak të katastrofës në Qendrën Tregtare Botërore ishin një skandal sportiv dhe rasti i një vajze 15-vjeçare që kishte goditur për vdekje me thikë një djalë 14-vjeçar. E vetmja gazetë e përditshme franceze që botoi në faqen e parë ata artikuj që kishte planifikuar ishte një gazetë sportive. Por, sipas Médias, kjo ndodhi sepse nuk arriti të vendoste në kohë në faqe të parë një fotografi në të cilën lojtarët e futbollit po mbanin një minutë heshtje para se të gjuhej topi për të nisur loja.

Trashëgimia 40-vjeçare e pirjes së duhanit

Në vitin 1962, Kolegji Mbretëror i Mjekëve në Angli botoi Smoking and Health (Pirja e duhanit dhe shëndeti), i cili është «paralajmërimi i parë i thënë qartë nga një trup zyrtar në Britani rreth rreziqeve të duhanit»,​—thuhet në The Independent e Londrës. Në atë kohë pinin duhan 70 për qind e burrave dhe 43 për qind e grave. Gjatë 40 vjetëve pasues, «pesë milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar kanë vdekur nga duhani, 12 herë më shumë sesa numri i të vrarëve në Luftën II Botërore». Megjithëse tani pinë duhan vetëm 29 për qind e burrave dhe 25 për qind e grave, cigaret «ende reklamohen, paraqiten si diçka tërheqëse dhe u shiten të rinjve»,​—thotë The Independent. Sipas një raporti të kohëve të fundit të Kolegjit Mbretëror, konsumimi i duhanit përsëri është në rritje dhe ende është kërcënimi kryesor për shëndetin publik. Në vitin 1950, në një studim novator për atë kohë, sër Riçard Dolli bëri një lidhje midis pirjes së duhanit dhe kancerit të mushkërive. Ai tha se nuk është kurrë shumë vonë për të hequr dorë nga ky ves. Ai shton: «Mesazhi im është: mos pini më duhan, shijoheni jetën më shumë dhe bëni një jetë më të gjatë.»