Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ka ndonjë mëkat të pafalshëm?

A ka ndonjë mëkat të pafalshëm?

Pikëpamja e Biblës

A ka ndonjë mëkat të pafalshëm?

A KA ndonjë ndëshkim më të keq se vdekja? Po, është vdekja pa shpresën për t’u ringjallur, kur dikush ka bërë një mëkat të pafalshëm. Jezui tha se ekziston një lloj mëkati që «nuk do të falet»​—Mateu 12:31.

Megjithatë, Bibla e përshkruan Perëndinë si një person që fal. Edhe pse njerëzit mund të jenë të prirur të mbajnë mëri e të mos falin, Perëndia «fal bujarisht». (Isaia 55:7-9) Në fakt, megjithëse i kushtoi shumë shtrenjtë, Perëndia dërgoi në tokë Birin e tij të dashur si një flijim pajtues kaq të çmuar, saqë mund të fshinte mëkatet tona.​—Gjoni 3:16, 17; Veprat 3:19; 1 Gjonit 2:1, 2.

Në kohën e duhur, Perëndia do të ringjallë shumë njerëz që kanë qenë fajtorë për mëkate të rënda, por që nuk do t’u kërkohet llogari për atë që kanë kryer në të kaluarën. (Veprat 24:15; Romakëve 6:23) Në të vërtetë, Jezui tha se me përjashtim të mëkatit të pafalshëm, «çdo lloj mëkati dhe blasfemie do t’u falet». (Mateu 12:31) Pra, ju mund të pyesni: ‘Ç’gjë mund të jetë kaq e rëndë, saqë Perëndia të mos e falë?’

Kur pendimi nuk është më i mundur

Paralajmërimi i Jezuit fliste për ‘blasfeminë kundër frymës’ që kryhet me dashje dhe me qëllim. Për këtë lloj mëkati nuk ka asnjë shfajësim. «Jo, as në këtë sistem, as në atë që do të vijë»,​—shtoi ai. (Mateu 12:31, 32) Ata që kanë kryer një mëkat të tillë nuk do të ringjallen.

Çfarë është blasfemia kundër frymës? Ajo buron nga zemra dhe nxjerr në pah një qëndrim dhe një qëllim keqdashës. Synimi për t’iu kundërvënë me qëllim frymës së shenjtë të Perëndisë e bën edhe më të rëndë këtë mëkat. Le ta ilustrojmë: në disa vende të botës, duke u bazuar në faktin nëse vrasja është bërë ose jo me dashje si edhe në mënyrën e kryerjes së saj, ligji bën dallimin midis vrasjes së gradës së parë dhe asaj të gradës së dytë. Dënimi kapital (me vdekje) jepet vetëm në rastin e vrasjes me qëllim ose me paramendim.

Apostulli Pavël, që më parë ishte një blasfemues, tha: «M’u tregua mëshirë, sepse isha në padije.» (1 Timoteut 1:13) Të mëkatosh kundër frymës së shenjtë do të thotë ta kundërshtosh atë me dashje. Kjo ka të bëjë me një gjendje të ligë të zemrës, e cila arrin deri në atë pikë ku nuk ka kthim.

Me sa duket, Pavli po fliste për këtë lloj mëkati kur shkroi: «Është e pamundur që ata, të cilët janë ndriçuar një herë e mirë, që kanë shijuar dhuratën qiellore falas, që janë bërë pjesëmarrës të frymës së shenjtë, që kanë shijuar fjalën e shkëlqyer të Perëndisë dhe fuqitë e sistemit që po vjen, por që janë larguar, t’i përtërish përsëri për pendim.» (Hebrenjve 6:4-6) Gjithashtu, apostulli tha: «Po të praktikojmë me dashje mëkatin, pasi kemi marrë njohurinë e saktë të së vërtetës, nuk mbetet më asnjë flijim për mëkatet.»​—Hebrenjve 10:26.

Ajo që e nxiti Jezuin të bënte një paralajmërim kundër mëkatit të pafalshëm ishte sjellja e disa krerëve fetarë të kohës së tij. Por ata nuk ia vunë veshin paralajmërimit të tij. Në fakt krerët fetarë bënë që Jezui të vritej. Më vonë, dëgjuan dëshmi të pamohueshme se fryma e shenjtë kishte bërë diçka të mrekullueshme. Atyre u thanë se Jezui ishte ngritur nga të vdekurit! Ishte e qartë se Jezui ishte Krishti. Prapëseprapë vepruan me ligësi kundër frymës së shenjtë, duke i paguar ushtarët romakë që të thoshin gënjeshtra rreth ringjalljes së Jezuit.​—Mateu 28:11-15.

Paralajmërim për të krishterët e vërtetë

Pse të krishterët e vërtetë e marrin për zemër paralajmërimin për mëkatin e pafalshëm? Sepse, ndonëse kemi njohuri të saktë për Perëndinë dhe për veprimin e frymës së tij, një zemër e ligë mund të zhvillohet. (Hebrenjve 3:12) Duhet të kemi kujdes që të mos mendojmë se neve nuk mund të na ndodhë kurrë kjo gjë. Mendoni për Judë Iskariotin. Njëherë e një kohë, ai ishte ithtar besnik i Jezuit. U zgjodh si një nga 12 apostujt, pra duhet të ketë pasur cilësi të mira. Por, pas njëfarë kohe, nisi t’i lejonte mendimet e dëshirat e liga që të rriteshin dhe, si përfundim, ato e mposhtën. Gjatë kohës që ishte dëshmitar okular i mrekullive të jashtëzakonshme të Jezuit, ai vidhte para. Pastaj për para e tradhtoi me vetëdije Birin e Perëndisë.

Disa njerëz, që dikur ishin të krishterë besnikë, janë larguar qëllimisht nga Perëndia, ndoshta për arsye të inatit, të krenarisë ose të lakmisë dhe sot janë kundërshtarë apostatë të frymës së Perëndisë. E kundërshtojnë me dashje atë që fryma po përmbush qartësisht. A e kanë kryer mëkatin e pafalshëm këta individë? Jehovai është Gjykatësi përfundimtar.​—Romakëve 14:12.

Në vend që të gjykojmë të tjerët, bëjmë mirë që të jemi vigjilentë se mos kryejmë ne vetë mëkate të fshehta që pak nga pak mund të na e bëjnë zemrën të pandjeshme. (Efesianëve 4:30) Përveç kësaj, ngushëllohemi me faktin që Jehovai do të na falë në një masë të madhe, madje edhe për ato mëkate të rënda që kemi bërë, në qoftë se pendohemi.​—Isaia 1:18, 19.

[Figura në faqet 12, 13]

Disa farisenj kryen mëkatin e pafalshëm