Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kripa e diellit​—Produkt i diellit, i detit dhe i erës

Kripa e diellit​—Produkt i diellit, i detit dhe i erës

Kripa e diellit​—Produkt i diellit, i detit dhe i erës

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FRANCË

NË KUFIRIN midis detit dhe tokës, pamja e ndryshueshme e qiellit pasqyrohet duke krijuar një mozaik nuancash të ndryshme. Duke qëndruar në një mozaik pellgjesh drejtkëndore, një njeri që në frëngjisht njihet me emrin paludier nxjerr me bollëk nga uji një produkt, duke formuar kështu piramida të vogla e të bardha që shndritin nga drita e diellit. Këtu, në kriporet e Gerondit dhe në ishujt e Nuarmutjesë dhe të Resë, në bregun e Atlantikut, paludierët e Francës vazhdojnë të përdorin metodat tradicionale për nxjerrjen e kripës.

«Ari i bardhë»

Shfrytëzimi i kriporeve në bregun francez të oqeanit Atlantik nisi aty nga shekulli i tretë i e.s. Por vetëm nga fundi i mesjetës, prodhimi i kripës filloi të rritej shumë. Rritja e popullsisë në Evropën mesjetare i shtoi shumë kërkesat për kripë, meqë ajo mund të ruante mishin dhe peshkun. Për shembull, për të ruajtur katër tonë harenga duhej një ton kripë. Duke pasur parasysh që mishi ishte një luks për njerëzit e thjeshtë, peshku i kripur ishte ushqimi bazë. Kështu, anije nga e gjithë Evropa Veriore erdhën në brigjet e Bretanjës për të blerë sasi të mëdha kripe, e cila u duhej peshkatarëve për të ruajtur peshqit që zinin.

Shumat e fituara nga ky «ar i bardhë» nuk kaluan pa u vënë re nga mbretërit e Francës. Në vitin 1340 u vu një taksë për kripën, e cila u bë e njohur si gabelle, që vjen nga fjala arabe qabālah që do të thotë taksë. Kjo taksë u prit kaq keq, saqë çoi deri në revolta të përgjakshme. Por, ajo që shihej si më e padrejtë ishte që blerësi duhej të paguante një çmim të lartë për kripën dhe duhej të blinte të paktën sasinë minimale të përcaktuar, pavarësisht nga nevojat që kishte në të vërtetë. Për më tepër, individë të privilegjuar, si fisnikët dhe klerikët, përjashtoheshin nga pagimi i taksës. Gjithashtu, përjashtoheshin disa provinca, ku përfshihej edhe Bretanja, kurse provinca të tjera paguanin vetëm çerekun e vlerës. Kjo bëri që çmimi i kripës të ndryshonte shumë nga njëra provincë në tjetrën, deri 40 herë më shumë.

Nuk habitemi që kontrabanda lulëzoi në një situatë të tillë. Megjithatë, ata që kapeshin duke bërë kontrabandë ndëshkoheshin rëndë. Ata mund të damkoseshin, të ktheheshin në skllevër që vozitnin galerat, e madje të dënoheshin me vdekje. Në fillim të shekullit të 18-të, afërsisht çereku i gjithë skllevërve të galerave përbëhej nga njerëz që ishin dënuar për kontrabandë kripe. Pjesa tjetër ishin të dënuar për krime të zakonshme, për dezertim nga ushtria ose sepse ishin protestantë që u përndoqën pas shfuqizimit të Dekretit të Nantës. * Kur vala e Revolucionit të vitit 1789 përfshiu Francën, një nga kërkesat kryesore ishte heqja e kësaj takse të urryer.

Të nxjerrësh kripë me ndihmën e diellit

Për shekuj me radhë, metoda e përdorur për të nxjerrë kripë në bregun e Atlantikut në Francë ka mbetur po ajo. Si nxirret kripa? Një paludier kalon periudhën nga vjeshta në pranverë, duke riparuar pritat prej argjile dhe kanalet e kënetave të kripura e duke përgatitur pellgjet ku kristalizohet kripa. Me ardhjen e verës, dielli, era, baticat dhe zbaticat i kthejnë këto këneta në kripore, ku kripa nxirret me ndihmën e diellit. Gjatë baticës, uji futet në pellgun e parë që quhet vasière, qëndron aty dhe nis të avullojë. Pastaj, ngadalë uji me anë të kanaleve futet në një varg pellgjesh ku avullon më tej. Ndërkohë që uji bëhet gjithnjë e më i njelmët, algat mikroskopike riprodhohen, duke i dhënë përkohësisht ujit të kripur një ngjyrë të kuqërremë. Kur vdesin, ato i japin kripës një aromë të lehtë manushaqeje. Kur uji i njelmët arrin në pellgjet e kristalizimit, ai tashmë është i ngopur dhe dendësia e kripës është rritur nga 35 gramë kripë për litër në rreth 260 gramë për litër.

Për shkak të natyrës së brishtë të këtyre kriporeve që varen nga baticat, nuk është e mundur të përdoren makineritë për nxjerrjen e kripës, siç bëhet në kriporet mesdhetare të Salë-dë-Zhirodit dhe të Eg-Mortit. Me anë të një vegle druri në formë krehëri, paludieri e mbledh kripën anash pellgut të cekët, duke u kujdesur që të mos gërryejë argjilën nga fundi i tij. Më pas, kripa, që për shkak të argjilës ka ngjyrë gri të çelët, lihet të thahet. Një paludier, mesatarisht, kujdeset për 60 pellgje me ujë të kripur dhe nxjerr nga çdonjëri prej tyre afërsisht një ton e gjysmë kripë në vit.

Në kushte të caktuara, mbi sipërfaqen e ujit formohet një shtresë e hollë kristalesh kripe që ngjajnë si flokë dëbore. Kjo lloj kripe, e njohur si fleur de sel (lule kripe), megjithëse përbën vetëm një përqindje të vogël të prodhimit vjetor është shumë e kërkuar në kuzhinën franceze.

Sigurisht, e gjithë kjo varet nga tekat e motit. Një ish-tregtar i kripës tha: «Jemi gjithnjë të pambrojtur përballë kushteve të pafavorshme të motit. Për shembull, më 1950, ra shi gjithë verës. Kripa që nxorëm nuk mjaftonte as për të mbushur një kapele kashte.» Paskali, një paludier në Gerond, tha: «Më 1997, nxora 180 tonë kripë të ashpër dhe 11 tonë kripë ‘lule’. Këtë vit [1999] koha nuk ishte po aq e mirë. Nxora vetëm 82 tonë.» Për ironi, edhe moti shumë i nxehtë mund të sjellë dëm, sepse bën që uji i njelmët të tejnxehet e që kripa të mos kristalizohet.

Uljet dhe ngritjet e kërkesës për kripë

Industrializimi i shekullit të 19-të bëri që kërkesat për kripën e kriporeve buzë Atlantikut të pakësoheshin. Përmirësimi i transportit u jepte mundësi prodhuesve mesdhetarë që të mbushnin tregjet me kripë që kushtonte lirë. Për më tepër, klima mesdhetare bën të mundur që sasia vjetore e kripës së nxjerrë t’i tejkalojë 1,5 milionë tonë. Rreth viteve 70, përballë kësaj konkurrence, prodhimi i kripës në kriporet buzë Atlantikut arriti pikën më të ulët dhe dukej se po merrte fund.

Por vitet e fundit, ky «ar i bardhë» e ka fituar përsëri një pjesë të shkëlqimit të dikurshëm. Shtimi i njohurisë për dobitë ekologjike dhe ekonomike të kriporeve e ka përmbysur situatën. Pellgjet e kripës janë pjesë e një ekosistemi që është një strehë për një llojshmëri të madhe bimësh dhe zogjsh shtegtarë, një strehë që tani njihet dhe mbrohet.

Për më tepër këto brigje të padëmtuara, të cilat nxjerrin në pah një veprimtari tradicionale që ka mbetur e pandryshuar nga ndikimet e jetës së sotme, i tërheqin turistët që kërkojnë të çlirohen nga ritmi i ethshëm i jetës. Diçka tjetër që meriton vëmendjen tonë është se jetojmë në një epokë kur shqetësimi për ndotjen dhe cilësinë e ushqimit që hamë sa vjen e rritet. Prandaj, ushqimet që përftohen në rrugë natyrore, pa u trajtuar ose përpunuar me lëndë kimike, shiten më shumë në treg. Ndoshta, pavarësisht nga globalizimi dhe konkurrenca e shfrenuar në këtë botë ka ende vend për paludierët e Francës, për zanatin e tyre disashekullor dhe për kripën që nxjerrin ata.

[Shënimi]

^ par. 7 Shih Kullën e Rojës të 15 gushtit 1998, faqet 25-29, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia në faqen 22]

KRIPA DHE SHËNDETI JUAJ

Ushqimet e pasura me kripë janë quajtur shkaktare të tensionit të lartë të gjakut, një nga faktorët e infarktit të zemrës. Për këtë arsye, specialistët e shëndetit zakonisht këshillojnë që të mos merret më shumë se gjashtë gramë kripë në ditë.

Sidoqoftë, me sa duket, studimet e fundit hedhin idenë se marrja e një sasie më të vogël kripe nuk e ul ndjeshëm tensionin e gjakut te njerëzit që vuajnë nga tensioni i lartë dhe ndikon edhe më pak te njerëzit me tension normal gjaku. Një studim i botuar në revistën mjekësore The Lancet, më 14 mars 1998, tregoi se njerëzit që kanë një dietë më të varfër me kripë vuajnë më shumë nga infarkti i zemrës, sesa ata që marrin një sasi mesatare natriumi. Studimi nxirrte si përfundim se «dëmet që vijnë nga ushqimet e varfra me natrium i tejkalojnë dobitë». Një artikull në Canadian Medical Association Journal (CMAJ), i datës 4 maj 1999, thoshte se «sot, nuk këshillohet kufizimi i sasisë së kripës te njerëzit me tension normal gjaku, sepse provat, që tregojnë se kjo gjë do të zvogëlonte rrezikun e tensionit të lartë të gjakut, janë të pamjaftueshme».

A do të thotë kjo se nuk duhet të keni kujdes se sa kripë konsumoni? Ashtu si për të gjitha ushqimet, parimi është të mos e teprosh. Artikulli i përmendur më sipër, këshillon që njerëzit të mos hanë shumë kripë, të kufizojnë sasinë e kripës që përdorin gjatë gatimit dhe të përpiqen të mos u hedhin më kripë ushqimeve kur janë në tavolinë. Gjithsesi, nëse vuani nga tensioni i lartë i gjakut ose nga probleme të zemrës, ndiqni këshillat e mjekut tuaj.

[Harta në faqen 21]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Gerondi

ISHULLI I NUARMUTJESË

ISHULLI I RESË

[Figura në faqen 22]

«Fleur de sel»

[Figura në faqen 23]

Qyteti i ishullit të Resë

[Figura në faqen 23]

Duke nxjerrë kripën «fleur de sel»

[Figura në faqen 23]

Kripore dhe pellgje me ujë të kripur

[Figura në faqen 23]

Një «paludier» në Nuarmutje

[Burimi i figurës në faqen 21]

© Cliché Bibliothèque nationale de France, Paris

[Burimet e figurave në faqen 23]

Sipër: Index Stock Photography Inc./Diaphor Agency; left: © V. Sarazin/CDT44; në qendër dhe djathtas: © Aquasel, Noirmoutier