Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Skllavëria Nuk gjej fjalë për t’ju shprehur mirënjohjen time për serinë e artikujve: «Kur të gjitha format e skllavërisë do të marrin fund!» (22 qershor 2002, anglisht) Artikujt më ndihmuan të kuptoja se njerëzit mund të bëhen skllevër të gjërave të ndryshme, siç janë droga, pirja e duhanit dhe gënjeshtra. Unë kam qenë skllav i bixhozit. Brenda vetes e dija që kjo ishte e gabuar, por ishte shumë e vështirë ta kontrolloja dëshirën e fortë për të luajtur. Përvoja që fliste për Rikardon më bëri të përlotesha. Më ndihmoi të kuptoja se, nëse dikush bën përpjekje, mund t’ia dalë mbanë që të çlirohet nga forma të tilla të skllavërisë. Faleminderit që botoni artikuj kaq inkurajues që trajtojnë rrethana nga jeta reale.
M. U., Shtetet e Bashkuara
Triniteti Ju falënderoj për artikullin «Një mbretëri tolerante në një epokë jotolerante». (22 qershor 2002, anglisht) Ishte emocionuese të lexoje për Sigismundin që mbrojti ata që kundërshtonin Trinitetin gjatë debateve që bënin, si edhe për njohjen ligjore që iu bë Kishës Unitariane. Më mrekulloi argumentimi bindës që Frensis Davidi bëri kundër Trinitetit. Ai më solli ndër mend guximin e apostullit Pavël. Zakonisht nuk kam interes për artikujt që flasin shumë për historinë, por po përpiqem ta zgjeroj sferën e interesit tim dhe ta shtoj oreksin për gjithçka që «skllavi i besueshëm dhe i matur» na jep nëpërmjet revistave tona. (Mateu 24:45-47) Ishte një artikull i shkruar mirë dhe për të ishin bërë kërkime të kujdesshme. Vërtet që më pëlqeu shumë.
M. K., Shtetet e Bashkuara
E lexova artikullin tuaj interesant, i cili e kundërshtonte me vendosmëri doktrinën e Trinitetit. Gjatë kësaj kohe po diskutojmë për këtë temë në kishën tonë. Prej kohësh kam besuar që doktrina e Trinitetit është e gabuar dhe do të doja të porositja 15 kopje të kësaj reviste për t’i shpërndarë.
A. O., Gjermani
Bari Faleminderit për artikullin «Bari—Jo vetëm diçka e gjelbër nën këmbët tuaja». (Qershor 2002) Ai më bëri të kuptoja më mirë që Perëndia Jehova nëpërmjet bimëve barishtore mbështet gjithë jetën në tokë. Bari është, siç tha edhe një botanist, «si një pritë që e mbron njerëzimin nga uria». Jehovai është Artisti i Madh dhe artikulli më bëri të vetëdijshme për cilësitë e Jehovait, për dashurinë, mençurinë, drejtësinë dhe fuqinë që janë pasqyruar plotësisht në familjen e bimëve barishtore.
K. O., Japoni
Nga një fëmijë Jam nëntë vjeçe dhe vazhdoj klasën e katërt. Dua t’ju falënderoj për artikujt e bukur që botoni në revistat tuaja. Një seri artikujsh që ishin veçanërisht të dobishëm për mua titullohej: «Festimet e përhapura: A ka rreziqe të fshehura?» (Tetor 2001) Kur ia dhashë revistën mësueses së anglishtes, ajo e përdori materialin e nëntitullit «Rivalitet fetar» për të bërë një detyrë në klasë. E vlerësoi shumë saktësinë e përmbajtjes së artikujve. Faleminderit për çdo gjë që shkruani për të na dhënë zemër dhe për të na mbrojtur.
N. R., Itali
Vlerësim Më pëlqen vërtet mënyra se si botoni artikuj që trajtojnë tema të veçanta, sidomos për kafshët. Jam e vetmja Dëshmitare e Jehovait në familje dhe asnjë pjesëtar i familjes sime nuk është i prirur të lexojë ndonjë nga botimet tona që duket se ka karakter fetar. Por këta artikuj janë shumë interesantë për t’u lexuar dhe e përshkruajnë Krijuesin tonë në një mënyrë të këndshme që i tërheq ata që nuk janë Dëshmitarë. Faleminderit për punën e mrekullueshme që po bëni dhe për revistat e bukura që botoni.
T. K., Shtetet e Bashkuara