Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një gardh që ndikon te moti

Një gardh që ndikon te moti

Një gardh që ndikon te moti

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

DIKUR ai ndante shtetin e Australisë Perëndimore nga veriu në jug. Kur përfundoi më 1907, kjo pengesë 1.830 kilometra, e bërë me dru dhe tel, ishte ndërtimi më i gjatë i këtij lloji në botë. Emri zyrtar ishte Gardhi Nr.1 Kundër Lepujve.

Siç mund të kuptohet edhe nga emri, në fillim gardhi u ndërtua si mbrojtje nga mizëria e lepujve që, gjatë fundit të shekullit të 19-të, gëluan përmes Australisë, drejt perëndimit. Sot pjesa më e madhe e kësaj pengese 100-vjeçare ekziston ende. Megjithatë, vitet e fundit, për një arsye të çuditshme, është bërë qendër e interesave shkencore. Me sa duket, kjo barrierë e bërë nga njeriu po ndikon në mënyrë të tërthortë në veçoritë e motit në vend.

Para se të zbulojmë se si mund të ketë një ndikim të tillë një gardh me lartësi pak më shumë se një metër, le të mësojmë diçka për historinë e këtij ndërtimi të çuditshëm.

Luftojnë për një betejë të humbur

Në luftën kundër vërshimit të lepujve, nga viti 1901 deri në vitin 1907, afërsisht 400 punëtorë bënë një punë të lodhshme për të ndërtuar Gardhin Nr.1 Kundër Lepujve. Sipas Sektorit Bujqësor të Australisë Perëndimore, «rreth 8.000 tonë materiale u transportuan me anije dhe pastaj u çuan me tren për në depo, para se të barteshin nga kuaj, deve dhe gomarë drejt vendeve të largëta ku do të ndërtohej gardhi».

Në të dyja anët e gardhit, punëtorët e hoqën bimësinë në një zonë me gjerësi tre metra. Një pjesë e drurëve të prerë u përdorën për hunj gardhi dhe aty ku nuk kishte pemë, sollën shtylla metali. Në përfundim, gardhi dhe pjesët anash tij nuk shërbyen vetëm për të penguar lepujt, por edhe si një rrugë e pashtruar që shtrihej përmes kontinentit.

Gardhi luante rolin e një rrjete gjigante, duke i drejtuar lepujt që dyndeshin drejt perëndimit brenda rrethimeve ku kapeshin rob e më pas ngordhnin. Megjithatë, lepujt ngjiteshin në disa pjesë të gardhit. Si? Ndërkohë që lëviznin pa pushim drejt perëndimit, ata ngjiteshin mbi pirgjet e larta pranë gardhit, të formuara nga trupat e ngordhur të lepujve të tjerë, dhe kështu vërshonin përtej gardhit. U ndërtuan edhe dy gardhe të tjera që zinin fill nga i pari. I gjithë rrjeti i gardheve shtrihej për 3.256 kilometra.

Dëshmi e qëndresës njerëzore

Një grusht kufitarësh, njëri prej të cilëve ishte edhe F. H. Brumholl, të hipur mbi kafshë ose biçikleta, patrullonin përgjatë kësaj pengese të madhe. Në librin e tij The Longest Fence in the World (Gardhi më i gjatë në botë), Brumholli thotë: «Detyrat e një patrulluesi . . . ishin ta mbante në gjendje të mirë gardhin dhe rrugët anash tij . . . , të priste shkurret dhe drurët në të dyja anët e gardhit deri në një largësi të caktuar, [dhe] t’i mirëmbante dyert, të cilat gjendeshin pothuajse në çdo 20 milje [32 kilometra] përgjatë gardhit, si edhe të boshatiste rrethimet që shërbenin si kurthe [për lepujt].»

Puna e këtyre njerëzve duhet të ketë qenë një nga punët më vetmitare në botë. Vetëm me devetë e tij që i bënin shoqëri, çdo patrulluesi i ngarkohej të kujdesej për kilometra të tëra të gardhit dhe të rrugëve anash tij që dukeshin sikur zgjateshin pa mbarim drejt horizontit. Disa patrullues nuk kishin madje as shoqërinë e deveve, meqenëse duhej të bënin me biçikletë rrugën e keqe përgjatë pjesës që u ishte caktuar. Sot ajo që ka mbetur nga gardhi patrullohet në kushte pak a shumë të rehatshme, me anë të një automjeti.

Një dështim jo i plotë

Megjithëse gardhi mund të mos e ketë ndalur dot mizërinë e lepujve, ai ka dhënë prova se është një pengesë e efektshme kundër një ngatërrestari tjetër​—emusë, njërit prej shpendëve vendës të Australisë. Në vitin 1976, më shumë se 100.000 nga këta shpendë gjigantë që nuk fluturojnë donin të shkonin në perëndim të gardhit, drejt tokave pjellore me të mbjella. Gardhi e ndali përparimin e tyre, dhe ndonëse u desh të vriteshin 90.000 prej tyre, pjesa më e madhe e të mbjellave të atij viti shpëtoi nga shkatërrimi.

Që prej asaj krize, 1.170 kilometra gardh janë përforcuar ose lëvizur për të mbrojtur tokat bujqësore të Australisë Perëndimore që rrezikohen nga emutë shtegtarë dhe tufat e qenve të egër bredharakë. * Si pasojë, gardhi është kthyer në një vijë ndarëse. Në lindje të tij shtrihet shkretëtira djerre në zemër të Australisë. Në perëndim shtrihen tokat bujqësore të kultivuara nga njeriu.

Një pengesë që nuk pritej të ndikonte te moti

Ky kontrast i madh i bimësisë mund të shpjegojë ndikimin e qartë të gardhit te moti. Revista shkencore The Helix thotë: «Edhe pse mund të duket e pabesueshme, reshjet e shiut janë shtuar në lindje të gardhit dhe janë pakësuar në perëndim të tij.» Kjo gjë bën që bimësia vendëse në lindje në mënyrë natyrore të furnizohet vazhdimisht me ujë, kurse bujqit në perëndim duhet që gjithnjë e më shumë të mbështeten tek ujitja. Duke dhënë një arsye të mundshme për këto ndryshime, revista shpjegon: «Nga të lashtat me rrënjë të cekëta në zonat e mbjella në perëndim nuk avullon aq ujë sa bimësia vendëse e lindjes që ka rrënjë më të thella.»

Duke komentuar për një faktor tjetër, Tom Lajënsi, një profesor në shkencën që studion atmosferën thotë: «Teza jonë është se meqenëse bimësia vendëse ka ngjyrë shumë më të errët sesa ajo e fushave të kultivuara, lëshon më tepër nxehtësi në atmosferë, duke shkaktuar . . . një shtjellë ajri, e cila nga ana e saj ndihmon në formimin e reve.»

Ndoshta Gardhi Kundër Lepujve mund të mos i ketë shpëtuar bujqit e Australisë Perëndimore nga dyndja e lepujve. Por ndikimi i tij i dukshëm te moti dhe mësimet që nxjerrim rreth nevojës për të qenë largpamës kur administrojmë tokën mund të jenë ende të vlefshme.

[Shënimi]

^ par. 15 Sot ky gardh njihet si Gardhi Shtetëror Pengues.

[Harta në faqet 14, 15]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Gardhi Nr. 1 Kundër Lepujve

[Figura në faqen 15]

Lepuj

[Figura në faqen 15]

Duke patrulluar gardhin në fillim të shekullit të 20-të

[Figura në faqen 15]

Emutë

[Figura në faqen 15]

Me një gjatësi 1.833 kilometra, Gardhi Nr. 1 Kundër Lepujve, ishte dikur gardhi më i gjatë i pandërprerë në botë. Ai ndan shkretëtirën nga tokat bujqësore, duke krijuar kështu një pengesë që ndikon te moti

[Burimet e figurave në faqen 15]

Të gjitha fotot me ngjyra: Ministria e Bujqësisë, Australia Perëndimore; sipër në qendër: Me mirësjelljen e Battye Library Image numër 003582D