Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Një krim barbar»

«Një krim barbar»

«Një krim barbar»

MARIA * u bë prostitutë kur ishte 14 vjeçe. Ajo e nisi këtë mënyrë të shëmtuar jetese për shkak të këmbënguljes së vetë nënës së saj, e cila i thoshte se ishte e bukur dhe se burrat do ta pëlqenin shumë. Gjithashtu, nëna i thoshte se do të fitonte shumë para. Mbrëmjeve, ajo e çonte Marinë në një motel ku takoheshin me burra. Nëna qëndronte aty afër për të marrë paratë e klientëve. Çdo natë, Maria kryente marrëdhënie seksuale me tre ose katër burra.

Po ashtu, jo larg nga shtëpia e Marisë, një 13-vjeçare, Karinën, e detyruan t’i futej rrugës së prostitucionit. Si shumë familje të tjera të lagjes së saj ku jetonin punëtorët që merreshin me rritjen e kallamit të sheqerit, familja e shiti trupin e Karinës për të plotësuar të ardhurat e pakta. Në një zonë tjetër, Estela braktisi shkollën në moshë të njomë, madje pa ditur as të shkruante e të lexonte dhe filloi të punonte si prostitutë në rrugë. Edhe Dejzi ishte rreth gjashtëvjeçe kur njëri nga vëllezërit e saj abuzoi me të seksualisht. Ky ishte rasti i parë i shumë incesteve të mëtejshme që u kryen me dhunë mbi të. Ajo u bë prostitutë në moshën 14-vjeçare.

Në shumë pjesë të botës, problemi i prostitucionit të fëmijëve është një realitet alarmues. Pasojat janë tragjike. Fëmijët që merren me prostitucion, rregullisht ose me raste, shpesh përfshihen edhe në krime e në abuzimin me drogën. Shumë prej tyre ndihen të pezmatuar e pa vlerë dhe shohin pak ose aspak mundësi për të shpëtuar nga jeta e tyre e mjerueshme.

Personalitete me influencë i pranojnë pasojat shkatërrimtare të prostitucionit të fëmijëve. Ish-presidenti i Brazilit, Fernando-Enrike Kardoso tha me vend: «Prostitucioni i fëmijëve është një krim barbar.» Një gazetë braziliane botoi rreth prostitucionit të fëmijëve këtë koment që të fut në mendime: «Vendet ku një praktikë e tillë është e zakonshme, e tolerueshme, e pranueshme dhe madje nxitet për shkak të [të ardhurave] që sjell, përjetojnë çdo ditë shkatërrimin që shkakton ajo. Padyshim, çdo përfitim financiar që mund të burojë nga ajo kthehet në hiç për shkak të katastrofave individuale, familjare dhe shoqërore që vijnë nga një praktikë e tillë.»

Megjithatë, pavarësisht nga qëllimet fisnike të atyre që duan ta ndalin prostitucionin e fëmijëve, problemi po rritet. Çfarë e shkakton këtë gjendje të tmerrshme? Pse kaq shumë veta i lejojnë, madje i nxitin krime të tilla?

[Shënimi]

^ par. 2 Në këtë seri artikujsh, emrat janë ndryshuar.

[Diçitura në faqen 3]

«Prostitucioni i fëmijëve është një krim barbar.»​—ISH-PRESIDENTI I BRAZILIT FERNANDO-ENRIKE KARDOSO

[Diçitura në faqen 4]

«Të gjitha format e shfrytëzimit seksual janë të papajtueshme me dinjitetin e njeriut dhe prandaj dhunojnë të drejtat themelore njerëzore, pavarësisht nga mosha, gjinia, raca, përkatësia etnike ose pozita shoqërore e viktimës.»​—UNESCO SOURCES.