Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Mënyrat e sjelljes po prishen

«Mënyrat e sjelljes dhe qëndrimet e japonezëve janë keqësuar.» Kështu iu përgjigjën një ankete të kohëve të fundit që bëri gazeta The Yomiuri Shimbun rreth 90 për qind e pothuajse 2.000 vetave. Çfarë i shqetësonte ata? Për 68 për qind të këtyre individëve ishte shqetësuese që «të tjerët nuk i hidhnin cigaret, çamçakëzat dhe kanaçet e pijeve në vendin e duhur». Më shumë se gjysma e tyre përmendi si shkak të kësaj dështimin e prindërve për të disiplinuar fëmijët e zhurmshëm. Të anketuarit e tjerë përfshinë edhe përdorimin e celularëve në vendet publike, mospastrimin e jashtëqitjeve të kafshëve shtëpiake dhe parkimin e pavend të makinës dhe të biçikletës. Kritikat më të ashpra iu bënë të rinjve. «Ndër të anketuarit e moshës 20 deri 40 vjeç, 66 për qind e tyre shprehën shqetësimin për mënyrat e këqija të sjelljes së nxënësve të shkollave të ciklit të ulët dhe të mesëm.»

Aligatorë artificialë

Gazeta Calgary Herald e Kanadasë thotë se karabullakët me dy krifa, zogj që mund të hanë me lehtësi rreth një kilogram peshk në ditë, «shpeshherë janë të bezdisshëm për peshkatarët amatorë». Sipas gazetës për të larguar karabullakët me dy krifa dhe zogjtë e tjerë peshqngrënës, fermerët e Amerikës së Veriut dhe administruesit e ndërmarrjeve të rritjes së peshkut po përdorin një mjet të ri: aligatorët plastikë. Aligatorët me gjatësi 4 metra «në vend të syve kanë dy reflektorë të mëdhenj vezullues, kështu që u ngjajnë aligatorëve të vërtetë»,​—shpjegon gazeta. Një biolog zbuloi se një aligator plastik që qëndronte mbi sipërfaqen e ujit ishte i efektshëm për afro një muaj. Pas kësaj, zogjtë e kuptuan mashtrimin dhe në fakt «mbi aligatorin artificial qëndronte» një çafkë blu e madhe. Por, kur aligatorin artificial e vendosën në një vend tjetër, i frikësoi përsëri zogjtë peshkngrënës.

«Ngacmimet» në punë

Në Spanjë, arsyeja kryesore pse njerëzit mungojnë në punë është «shqetësimi psikologjik»,​—raporton revista El País Semanal. Më shumë se dy milionë spanjollë vuajnë nga ngacmimet e vazhdueshme në punë. Sipas psikologut Injaki Pinjuel, viktimat zakonisht janë punëtorë të zellshëm, të cilët ngjallin tek të tjerët xhelozi për shkak të aftësive profesionale. Shokët e punës mund ta turpërojnë individin, duke mos i dhënë disa caktime në punë, duke mos e përfshirë në biseda, duke bërë sikur s’e shohin, duke e kritikuar vazhdimisht ose duke përhapur fjalë, me qëllim që t’ia ulin respektin për veten. «Është llogaritur se në Evropë 1 në çdo 5 vetëvrasje ka të bëjë me këtë dukuri»,​—pohon raporti. Çfarë mund të bëhet? Revista sugjeron: «Mos rri në heshtje. Gjej dëshmitarë okularë. Njoftoji drejtuesit e firmës për këtë situatë. Mos ia vër fajin vetes. Në raste ekstreme, ndrysho repartin [ose punën].

Problemet mendore te fëmijët

«Më shumë se 20 për qind e fëmijëve të botës vuajnë nga problemet mendore dhe ato të sjelljes, të cilat mund t’i dëmtojnë për gjithë jetën»,​—pohon The Independent e Londrës. Në një raport të përbashkët, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët paralajmëruan se përqindjet e depresionit, të vetëvrasjeve dhe të dëmtimit me dashje janë rritur «në mënyrë tronditëse» midis të rinjve. Më shumë janë të ndikuar ata që jetojnë në zona të prekura nga lufta dhe në vende që po përjetojnë ndryshime të shpejta shoqërore dhe ekonomike. Sipas The Independent, raporti tregonte se fëmijët me depresion «ishin të prirur të merrnin sëmundje të tjera e zakone të rrezikshme, të cilat mund të shkurtonin jetën». Gjithashtu aty thuhej se «te të rriturit, afro 70 për qind e vdekjeve të parakohshme lidheshin me sjellje të zhvilluara në adoleshencë të tilla, si: pirja e duhanit, dehja dhe abuzimi me drogat».

Rrugët detare

«Është rrugëkalimi më i madh detar,​—raporton The Sunday Times e Londrës.​—Nën ujërat e Paqësorit ndodhet një kalim detar që shtrihet që nga plazhet plot diell të Kalifornisë, vazhdon përmes Havait, deri në brigjet shkëmbore të Japonisë.» Xhef Polovina, biolog detar në Havai, para pak kohësh zbuloi këtë rrugë dhe bëri itinerarin e saj duke vënë një shenjë mbi disa balena, breshka uji, peshq ton, delfinë dhe peshkaqenë. Rruga është e pasur me planktone, të cilat shërbejnë si ushqim për gaforret, kandilët e detit dhe kallamarët. Këta, nga ana tjetër, shërbejnë si ushqim i bollshëm për udhëtarët që përshkojnë largësi më të mëdha. Breshka kokëmadhe e ujit, të cilën gazeta e përshkruan si «një udhëtare ndërkombëtare e etur dhe e shpejtë e botës së zvarranikëve», i lëshon vezët në Japoni, rritet në bregun e Kalifornisë dhe udhëton midis këtyre dy vendeve. Në dimër, rruga zhvendoset rreth 1.000 kilometra drejt jugut, duke kaluar nga Kalifornia Jugore deri në Detin e Kinës Jugore.

Të qëndrosh në formë

«Aktiviteti fizik ndihmon që të kontrollosh peshën, të mbron nga problemet shëndetësore si diabeti dhe osteoporoza, të përmirëson humorin dhe të sjell gjumë të rehatshëm gjatë natës»,​—thekson buletini Tufts University Health and Nutrition Letter. Por para së gjithash, «gjendja e shëndetit tënd është një faktor që përcakton se sa do të jetosh». Studiuesit e Universitetit të Stanfordit dhe të Departamentit të Kujdesit Shëndetësor dhe të Çështjeve të Veteranëve të SHBA-së, gjatë një studimi 13-vjeçar me më shumë se 6.000 burra të moshës mesatare, zbuluan se sasia e ushtrimeve që personi bën pa arritur në sfilitje ishte një përcaktues i madh i jetëgjatësisë. Megjithëse kërkime të tjera tregojnë se gjenetika ndikon në aftësinë për të bërë ushtrime, edhe një ushtrim i përditshëm me «intensitet të ulët», si vrapimi i shpejtë, të ndihmon të qëndrosh në formë.

Alkool i reklamuar për të rinjtë

Gazeta Sunday Telegraph e Australisë raporton: «Pothuajse 1 në çdo 10 të rinj australianë është në varësinë e alkoolit.» Profesori Jan Uebster, president i Këshillit Australian të Alkoolit dhe të Drogave thotë se është zhvilluar një qëndrim i veçantë midis të rinjve, të cilët quajnë një fundjavë të mirë atë që kalohet «duke pirë deri në dehje». The Sydney Morning Herald njofton se disa specialistë janë të shqetësuar sepse «industria mbarëbotërore gjithnjë e në rritje» e reklamon alkoolin për të rinjtë. Studiuesit zbuluan se shumë firma të pijeve alkoolike kishin site Web që tërhiqnin të rinjtë. «Këto site ofronin bileta për shfaqje muzikore të drejtpërdrejta, përfshinin përmbledhje filmash dhe, natyrisht, informacione për pijet alkoolike që prodhonin këto firma.» Sipas raportit, Organizata Botërore e Shëndetësisë është e shqetësuar se gjithë ky reklamim «ka si synim që alkooli të bëhet pjesë thelbësore e jetës së të rinjve».

Veçimi nga shoqëria

Në Japoni ka dalë në pah një dukuri e re, që prek kryesisht adoleshentët dhe të rinjtë pak më të rritur. E njohur si hikikomori (veçim i theksuar nga shoqëria), ajo u bë e njohur për publikun gjatë hetimeve të një numri të madh krimesh të kryera nga të rinj të vetmuar. Revista mjekësore The Lancet pohon: «Kërkimet për mënyrën e jetesës së kriminelëve tregojnë se mënyra e tyre e mbyllur e jetesës​—të veçuar për muaj me radhë në dhomat e tyre, vetëm në shoqërinë e kompjuterit ose të lojërave në video​—nuk ishte diçka e rrallë.» Dëshmi të tjera tregojnë se hikikomori shfaqet më shpesh nëpërmjet plogështisë sesa nëpërmjet dhunës. Sidoqoftë, The Lancet pohon se «ekziston një mendim i përgjithshëm që kjo sëmundje është pasojë e pasurisë, e teknologjisë dhe e rehatisë së jetesës moderne japoneze. Shumë hikikomori pjesën më të madhe të kohës që janë zgjuar e kalojnë në Internet ose duke luajtur me videolojëra, ndërkohë që hanë ose pinë diçka të lehtë që ua çojnë në shtëpi.» Disa llogaritje tregojnë se numri i të rinjve të vetmuar në Japoni është një milion.