Pse po rritet ky problem?
Pse po rritet ky problem?
A E DINI se trafiku i njerëzve është aktiviteti kriminal që zë vendin e tretë në botë dhe radhitet menjëherë pas trafikut të drogës dhe të armëve? Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, ka një rritje të vazhdueshme të të gjitha formave të prostitucionit.
Një komision hetimor i Kongresit në një vend të Amerikës Latine raportoi se, ndonëse prostitucioni është i paligjshëm, ka më shumë se 500.000 të mitura që janë prostituta.
Në një vend tjetër ka rreth 300.000 fëmijë që merren me prostitucion në rrugë, sidomos në zonat ku ka trafik droge.
Thuhet se në vendet aziatike rreth një milion vajza në moshë të njomë përdoren si prostituta, duke jetuar në kushte të ngjashme me skllavërinë. Disa vende kanë një nam si qendra të prostitucionit të fëmijëve dhe të turizmit për seks.
Për shkak të përhapjes së madhe të sëmundjeve të transmetuara seksualisht, siç është SIDA, klientët janë të gatshëm të paguajnë çmime shumë më të larta për fëmijët që mendohet se ka më shumë të ngjarë të jenë të virgjër dhe kështu ka më pak mundësi të jenë të infektuar. «Frika nga SIDA ka bërë që shumë burra të kërkojnë vajza dhe djem gjithnjë e më të rinj dhe ky fakt e rëndon edhe më tepër problemin»,—shpjegon Luiza Nazhib-Elufi në Ministrinë e Drejtësisë në Brazil. Ajo tha: «Shfrytëzimi seksual i vajzave dhe i adoleshenteve është problemi social më i rëndë që ndeshet te gratë e varfra në Brazil.»
Varfëria dhe prostitucioni i fëmijëve
Prostitucioni i fëmijëve lulëzon në një mjedis të karakterizuar nga mjerimi dhe varfëria. Sipas një zyrtareje të qeverisë, shfrytëzimi dhe prostitucioni i fëmijëve në vendin e saj «lidhet qartë me shpërbërjen e familjes dhe është fryt i mjerimit dhe i urisë». Disa prindër thonë se varfëria i detyroi t’i shitnin fëmijët e tyre për prostitucion. Fëmijët e rrugëve i drejtohen prostitucionit, sepse e shohin si mjetin e vetëm për të mbijetuar.
Gazeta O Estado de S. Paulo shpjegon se një vajzë mund të përfundojë si prostitutë duke u lidhur me një bandë rrugësh. Për të fituar bukën e gojës, ajo mund të vjedhë dhe vetëm me raste mund të shesë edhe trupin. Më pas bëhet një prostitutë profesioniste.
Ndonjëherë, adoleshentet dërgohen në vende të tjera për të punuar si prostituta. «Paratë që prostitutat emigrante u dërgojnë familjeve të tyre shpesh janë shuma mjaft të mëdha, duke mbajtur parasysh varfërinë e disa vendeve aziatike dhe afrikane,—raporton UNESCO Sources.—Gjithashtu, prostitucioni brenda këtyre vendeve nxitet nga turistët e vendeve të pasura që vijnë qëllimisht për të përfituar nga ‘shërbimet’ që kryhen nga të rinjtë dhe fëmijët.»
Duke përshkruar rreziqet ndaj të cilave ekspozohen fëmijët e rrugëve që merren me prostitucion në një qytet amerikano-latin, revista
Time shkruan: «Disa nga prostitutat janë vetëm 12 vjeçe. Meqë shpesh janë fryte të familjeve të prishura, gjatë ditës ato flenë ku të munden, kurse natën sillen lart e poshtë nëpër diskotekat ku kalojnë kohën marinarët.»Nën ndikimin e drogës, një fëmijë-prostitutë mund t’iu nënshtrohet keqtrajtimeve poshtëruese që normalisht nuk do t’i kishte lejuar kurrë. Për shembull, sipas revistës Veja, policia gjeti 92 videokaseta, në të cilat një mjek kishte regjistruar seanca torturash barbare të kryera te më shumë se 50 femra, disa prej të cilave ishin të mitura.
Pavarësisht nga realiteti rrëqethës, një prostitutë në moshë të re tha: «Nëse do të kërkoja
punë, ajo që do të fitoja nuk do të më mjaftonte për t’u ushqyer, sepse nuk kam asnjë zanat. Familja di gjithçka dhe nuk dua të heq dorë nga kjo lloj jete. Trupi është imi dhe bëj ç’të dua me të.»Gjithsesi, këto vajza kurrë nuk e kishin pasur si synim prostitucionin. Sipas një punonjëseje sociale, shumë prostituta të reja «dëshirojnë të martohen» dhe ëndërrojnë një «princ të kaltër». Megjithëse ka rrethana të ndërlikuara që i çojnë ato drejt rrugës së prostitucionit, një studiuese thotë: «Gjëja më tronditëse është se shumicën prej tyre i kanë përdhunuar vetë familjarët e tyre.»
A do të marrë fund prostitucioni i fëmijëve?
Megjithatë ka shpresë për këta fëmijë të gjorë. Prostituta nga të gjitha moshat kanë ndryshuar rrjedhën e jetës së tyre. (Shih kutinë në faqen 7: «Njerëzit mund të ndryshojnë.») Fjala e Perëndisë, Bibla, ka ndihmuar miliona njerëz në mbarë botën që të bëhen fqinj të mirë dhe familjarë të besueshëm. Për njerëzit që më parë ishin kurvarë, kurorëshkelës, hajdutë, lakmitarë, pijanecë, lexojmë: «Të tillë ishit disa prej jush. Mirëpo jeni larë, jeni shenjtëruar, jeni shpallur të drejtë në emër të Zotërisë tonë Jezu Krisht dhe me frymën e Perëndisë tonë.»—1 Korintasve 6:9-11.
Sot, ashtu si edhe në kohët biblike, ka individë që po e ndryshojnë për mirë jetën e tyre. Por duhet bërë edhe më shumë për t’i vënë fre shfrytëzimit seksual. Disa qeveri dhe organizata të tjera po luftojnë kundër turizmit të seksit dhe prostitucionit të fëmijëve. Por, të jemi realistë, njeriu mund të bëjë fare pak për të zhdukur mjerimin dhe varfërinë. Ligjvënësit nuk mund të ndalojnë mendimet dhe qëndrimet që janë në rrënjë të imoralitetit.
Megjithatë, nuk janë përpjekjet e njeriut ato që do t’i zgjidhin të gjitha këto probleme, por një mjet tjetër—Mbretëria e Perëndisë. Artikulli vijues do të shpjegojë se në ç’mënyrë.
[Diçitura në faqen 6]
Shpesh varfëria nxit prostitucionin e fëmijëve
[Kutia në faqen 6]
Një çmim i lartë
Kur ishte vetëm gjashtë vjeçe njëri prej vëllezërve të Dejzit abuzoi me të seksualisht. Si pasojë, ajo ndenji me vëllanë e saj më të madh, derisa në moshën 14-vjeçare filloi të punonte në një klub nate. Pas disa ditësh, Dejzi u sëmur. Kur u shërua, pronarët e klubit i thanë se ajo u kishte para borxh, dhe e detyruan të punonte si prostitutë. Pas afro një viti, ajo nuk e kishte shlyer ende borxhin dhe dukej se nuk do të çlirohej kurrë prej tij. Megjithatë, një marinar pagoi pjesën e mbetur të borxhit dhe e çoi atë në një qytet tjetër ku e trajtonte si skllave. Dejzi iku prej tij dhe më pas jetoi për tre vjet me një burrë, me të cilin më vonë u martua. Për shkak të shumë problemeve serioze në martesë, tri herë tentoi të kryente vetëvrasje.
Më në fund, ajo dhe burri i saj filluan të studionin Biblën. Por Dejzi ndihej e padenjë për t’u bërë një Dëshmitare e Jehovait. Kur i treguan nga Bibla se Perëndia Jehova i pranon njerëzit që bëjnë ndryshimet e nevojshme, ajo i kushtoi jetën Perëndisë. Dejzi bëri përpjekje të mëdha që të bënte atë që është e drejtë. Por mendonte se këto përpjekje nuk ishin të mjaftueshme dhe, për pasojë, kishte periudha depresioni. Lumturisht, ajo e ka pranuar ndihmën për të mposhtur traumat e shkaktuara nga abuzimi seksual dhe nga jeta si një fëmijë-prostitutë, si edhe për të arritur e për të ruajtur një ekuilibër emocional.
[Kutia në faqen 6]
Njerëzit mund të ndryshojnë
Kur ishte në tokë, Jezu Krishti ndiente keqardhje për njerëzit e munduar dhe për mëkatarët. Ai e kuptonte se prostitutat, pavarësisht nga mosha që kishin, mund ta ndryshonin mënyrën e tyre të jetesës. Madje Jezui u tha krerëve fetarë: «Vërtet po ju them se taksambledhësit dhe prostitutat po shkojnë përpara jush në mbretërinë e Perëndisë.» (Mateu 21:31) Edhe pse përbuzeshin për shkak të jetës që kishin bërë, njerëz të tillë me zemër të drejtë u falën, sepse treguan besim te Biri i Perëndisë. Mëkataret e penduara ishin të gatshme ta braktisnin jetën e tyre si prostituta, me qëllim që të merrnin bekimet e Mbretërisë së Perëndisë. Pas kësaj, jetonin në përputhje me normat e drejta të Perëndisë. Edhe sot, njerëz të të gjitha llojeve e pranojnë të vërtetën nga Fjala e Perëndisë dhe e ndryshojnë mënyrën e jetesës.
Mendoni për atë që i ndodhi Marisë, Karinës dhe Estelës, të përmendura në artikullin e parë. Përveçse duhej t’i bënte ballë presionit të së ëmës për të vazhduar si prostitutë, Maria duhej të bënte një luftë të fortë për t’i dhënë fund abuzimit me drogën. Ajo shpjegon: «Merrja drogë për të mbytur ndjenjat e pavlefshmërisë që vinin nga jeta si prostitutë.» Maria tregon se si e pritën në kongregacionin e krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait: «Më bëri përshtypje dashuria që treguan pjesëtarët e kongregacionit. Që të gjithë, fëmijë e të rritur, më trajtuan me respekt. Pashë se burrat e martuar u qëndronin besnikë grave të tyre. Jam shumë e lumtur që në kongregacion më pranuan si shoqen e tyre.»
Kur ishte 17 vjeçe, Karinën e vizituan Dëshmitarët e Jehovait. Ajo nisi të studionte Biblën, ndonëse për njëfarë kohe e vazhdoi punën si prostitutë. Pak nga pak filloi t’i çmonte të vërtetat biblike. Kështu që vendosi të transferohej në një qytet të largët dhe atje u bë Dëshmitare e Jehovait.
Estela, e cila që në moshë të re u përfshi në prostitucion, në ahengje të shfrenuara dhe në të pirët e tepërt, filloi të kishte interes për Biblën. Megjithatë, ajo nxori përfundimin se Perëndia nuk do ta falte kurrë. Por, me kalimin e kohës, arriti të kuptonte se Perëndia Jehova vërtet i fal të penduarit. Tani, që është pjesëtare e kongregacionit të krishterë, që është martuar dhe që po rrit tre fëmijë, Estela thotë: «Jam shumë e lumtur dhe mirënjohëse ndaj Jehovait, sepse më nxori nga llumi dhe më pranoi në organizatën e tij të pastër.»
Këto tregime mbështetin pohimin e Biblës që vullneti i Perëndisë është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës».—1 Timoteut 2:4.
[Figura në faqen 7]
Fëmijët-prostituta shpesh përfshihen në abuzimin me drogën
[Burimi i figurës në faqen 5]
© Jan Banning /Panos Pictures, 1997