Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Siria: Jehona nga një e kaluar interesante

Siria: Jehona nga një e kaluar interesante

Siria: Jehona nga një e kaluar interesante

NDODHEJ në një nga udhëkryqet e botës së lashtë, vendi ku një herë e një kohë takoheshin rrugët e karvanëve që vinin nga Mesdheu për në Kinë dhe nga Egjipti për në Anadoll. Dikur ushtritë e Akadit, Babilonisë, Egjiptit, Persisë, Greqisë dhe të Romës kalonin nëpër tokat e saj. Shekuj më vonë, turqit dhe kryqëzatësit kaluan përmes saj. Në kohët tona, ushtritë e Francës dhe të Britanisë luftuan për të pasur kontroll mbi të.

Sot, një pjesë e atij rajoni mban ende emrin me të cilin njihej mijëra vjet më parë: Siri. Megjithëse kjo zonë ka pësuar shumë ndryshime, përsëri atje ndihet kumbimi i jehonës të së kaluarës. Është një vend që paraqet interes të veçantë për studentët e Biblës, pasi Siria ka luajtur një rol në historinë biblike.

Damasku​—një qytet i lashtë

Për shembull, le të marrim kryeqytetin e Sirisë, Damaskun. Thuhet se është një nga qytetet më të vjetra në botë, që ka qenë vazhdimisht i banuar që nga koha e themelimit të tij. I ngritur në rrëzë të vargmalit të Amanës, me lumin Barada që rrjedh përmes tij, Damasku ka shërbyer për shekuj si një oazë mikpritëse në skaj të shkretëtirës së madhe të Sirisë. Ka të ngjarë që patriarku Abraham të ketë kaluar nëpër këtë qytet gjatë rrugës për në jug të Kanaanit. Gjithashtu, ai mori Eliezerin, «një njeri nga Damasku», si shërbëtor në shtëpinë e tij.​—Zanafilla 15:2, BR.

Rreth një mijë vjet më vonë, mbretërit sirianë të Zobahut luftuan kundër mbretit të parë të Izraelit, Saulit. (1 Samuelit 14:47) Edhe mbreti i dytë i Izraelit, Davidi, luftoi kundër mbretërve të Aramit (emri i Sirisë në hebraisht), i mundi ata dhe «vendosi garnizone në Sirinë e Damaskut». (2 Samuelit 8:3-8) Kështu Izraeli dhe Siria mbetën armiq të vjetër.​—1 Mbretërve 11:23-25.

Me sa duket, rreth shekullit të parë të e.s., armiqësia midis sirianëve dhe judenjve ishte zbutur. Madje në atë kohë kishte disa sinagoga judaike në Damask. Ndoshta ju kujtohet që Sauli nga Tarsi (më vonë Pavël) ishte në rrugën që shkonte nga Jerusalemi për në Damask kur u kthye në besimin e krishterë.​—Veprat 9:1-8.

Në Damaskun e ditëve tona nuk ka dëshmi të udhëtimit të Abrahamit ose të pushtimit nga Davidi. Por, megjithatë, atje gjenden rrënoja të qytetit të vjetër romak si dhe një rrugëkalim kryesor përmes qytetit të lashtë, që ndjek drejtimin e rrugës së vjetër romake «Via Recta» (rruga E Drejtë). Në njërën nga shtëpitë e kësaj rruge, Anania takoi Saulin pas kthimit të mrekullueshëm të tij në besimin e krishterë, pikërisht jashtë Damaskut. (Veprat 9:10-19) Megjithëse sot kjo rrugë ndryshon shumë nga ç’ishte në kohën e Romës, pikërisht këtu, apostulli Pavël nisi shërbimin e tij të shquar. Rruga «E Drejtë» mbaron në portën romake Bab-Sharki. Muret e qytetit, me shtëpitë e ndërtuara sipër tyre na ndihmojnë të kuptojmë se si mundi të ikte Pavli, duke e zbritur poshtë me anë të një koshi përmes një të çare në mur.​—Veprat 9:23-25; 2 Korintasve 11:32, 33.

Palmira​—një oazë historike

Rreth tri orë larg me makinë, në verilindje të Damaskut ndodhet një vend i njohur arkeologjik: Palmira, e cila në Bibël quhet Tadmor. (2 Kronikave 8:4) E vendosur në mes të rrugës që lidh detin Mesdhe me lumin Eufrat, kjo oazë ujitet nga burime uji të nëndheshme që dalin nga malet në veri. Rruga e lashtë tregtare midis Mesopotamisë dhe vendeve në perëndim ndiqte drejtimin e Limanit Pjellor pra, zgjatej shumë më në veri të Palmirës. Megjithatë, në shekullin e parë p.e.s., situata e paqëndrueshme politike në veri bëri që një rrugë më e shkurtër, më në jug, të pëlqehej më tepër. Kështu Palmira arriti kulmin e lulëzimit të saj.

Meqë i shërbente Romës si zonë neutrale për pjesën më lindore të perandorisë, Palmira bënte pjesë në provincën romake të Sirisë, por më në fund u shpall një qytet i pavarur. Tempuj të mëdhenj, harqe madhështore, banja dhe një teatër ishin ndërtuar përgjatë një rruge të mrekullueshme me kolona. Në secilën anë, portikët ishin shtruar për këmbësorët, kurse rruga kryesore në mes ishte lënë e pashtruar që karvanët e deveve ta kishin më të lehtë për të kaluar. Karvanët që udhëtonin në rrugën tregtare midis Kinës dhe Indisë në lindje dhe botës greko-romake në perëndim ndalonin për të pushuar në Palmirë. Atje, ata ishin të detyruar të paguanin taksa për mëndafshrat, erëzat dhe për mallrat e tjera që transportonin.

Në kulmin e zhvillimi të saj, në shekullin e tretë të e.s., popullsia e Palmirës ishte rreth 200.000 banorë. Në këtë kohë, mbretëresha ambicioze, Zenobia, luftoi kundër Romës dhe përfundimisht u mund më 272 të e.s. Kështu, Zenobia pa e ditur përmbushi një pjesë të një profecie të dokumentuar nga profeti Daniel rreth 800 vjet para se të ndodhte. * (Danieli, kapitulli 11) Pas disfatës së Zenobisë, Palmira mbijetoi për njëfarë kohe si një pikë e përparuar strategjike në lindje të Perandorisë Romake, por kurrë nuk e fitoi përsëri fuqinë dhe shkëlqimin e saj të mëparshëm.

Duke vazhduar për në Eufrat

Në verilindje të Palmirës, tri orë larg me makinë nëpër shkretëtirë ndodhet qyteti i Der-ez-Zorit ku mund të shihet lumi madhështor i Eufratit. Ky lumë me famë historike buron nga malet e Anatolit Lindor (Turqia aziatike), hyn në Siri pak më në veri të Karkemishit dhe rrjedh drejt juglindjes nëpër Siri në drejtim të Irakut. Jo larg nga kufiri i Irakut gjenden rrënojat e dy qyteteve të lashta të Sirisë.

Njëqind kilometra më në juglindje, aty ku Eufrati bën një kthesë, gjenden rrënojat e qytetit-kështjellë të Dura-Europosit. Edhe 25 kilometra më në juglindje gjendet vendndodhja e qytetit të Marit. Dikur ishte një qytet i begatë tregtar, por u shkatërrua në shekullin e 18-të p.e.s. nga mbreti babilonas Hamurabi. Në arkivat e pallatit mbretëror të tij janë zbuluar të paktën 15.000 pllaka argjile të gdhendura, dokumente që kanë hedhur mjaft dritë në histori.

Kur trupat e Hamurabit shkatërruan qytetin, ata shembën muret e sipërme, duke i mbushur dhomat e poshtme me tulla e me dhé. Kjo bëri që pikturat në mur, statujat, punimet në qeramikë dhe punime të tjera të panumërta të mbeteshin të mbrojtura derisa një grup arkeologësh francezë ta zbulonin këtë vend më 1933. Këto objekte mund të shihen në muzeun e Damaskut dhe të Halebit, si edhe në atë të Luvrit, në Paris.

Qytete të lashta në Sirinë veriperëndimore

Po të ndjekim rrjedhën e Eufratit drejt veriperëndimit mbërrijmë në Haleb. Ngjashëm Damaskut, thuhet se Halebi është një nga qytetet më të lashta në botë i banuar në mënyrë të vazhdueshme. Pazaret e mbuluara të Halebit, ose siç quhen souk, janë nga më piktoresket në Lindjen e Mesme.

Pikërisht në jug të Halebit ndodhet Tel-Mardiku, vendndodhja e qytet-shtetit të lashtë të Eblës. Ebla ishte një qytet tregtar i fuqishëm që mbizotëroi Sirinë Veriore në gjysmën e dytë të mijëvjeçarit të tretë p.e.s. Gërmimet e bëra atje kanë zbuluar rrënojat e një tempulli kushtuar perëndeshës babilonase, Ishtarit. Po kështu, është zbuluar një pallat mbretëror, dhomat me arkiva të të cilit kishin më shumë se 17.000 pllaka argjile. Punime nga Ebla shfaqen në muzeun e Idlibit, një qytet i vogël, 25 kilometra larg vendndodhjes së Eblës.

Në jug të rrugës për në Damask ndodhet Hama, Hamathi që përmendet në Bibël. (Numrat 13:21) Lumi Orontes gjarpëron përmes Hamës, duke e bërë atë një nga qytetet më të bukura të Sirisë. Më tej vjen Ras-Shamra, vendndodhja e qytetit të lashtë të Ugaritit. Në mijëvjeçarin e tretë dhe të dytë p.e.s., Ugariti ishte një port tregtar i begatë, i zhytur në adhurimin e Baalit dhe të Dagonit. Që nga viti 1929 arkeologët francezë kanë zbuluar shumë pllaka prej argjile dhe punime të gdhendura prej bronxi, të cilat kanë dhënë një ndihmë të madhe për të zbuluar karakterin zvetënues të adhurimit të Baalit. Kjo na ndihmon të kuptojmë më mirë përse Perëndia urdhëroi shfarosjen e kananejve që adhuronin Baalin.​—Ligji i përtërirë 7:1-4.

Po, në Sirinë e sotme mund të ndihet ende kumbimi i jehonave të një të kaluare interesante.

[Shënimi]

^ par. 12 Shih artikullin «Padronia flokëzezë e shkretëtirës siriane», në revistën Kulla e Rojës, 15 janar 1999, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Harta në faqet 24, 25]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

DETI MESDHE

‐‐ Kufij që kanë shkaktuar debate

EGJIPTI

IZRAELI

JORDANI

LIBANI

SIRIA

DAMASKU

Barada

Orontesi

Hama (Hamathi)

Ugariti (Ras-Shamra)

Ebla (Tel-Mardiku)

Halebi

Karkemishi (Jerablusi)

Eufrati

Zenobia

Der-ez-Zori

Dura-Europosi

Mari

Palmira (Tadmori)

IRAKU

TURQIA

[Figurat në faqen 24]

(Poshtë) Damasku dhe (sipër) rruga e Drejtë

[Figura në faqen 25]

Shtëpitë ngjashëm koshereve

[Figura në faqen 25]

Ugariti

[Figura në faqen 25]

Hama

[Figura në faqen 26]

Mari

[Figura në faqen 26]

Halebi

[Burimi]

© Jean-Leo Dugast/Panos Pictures

[Figura në faqen 26]

Pallati mbretëror në Ebla

[Figura në faqen 26]

Barinj në Zenobi

[Figurat në faqen 26]

Palmira

[Figura në faqen 26]

Eufrati, i parë nga Dura-Europosi

[Burimet e figurave në faqen 25]

Fëmijë: © Jean-Leo Dugast/Panos Pictures; shtëpitë si koshere: © Nik Wheeler