Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fruta e artë me një të kaluar interesante

Fruta e artë me një të kaluar interesante

Fruta e artë me një të kaluar interesante

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FIXHI

VITI 1789. Barka e pambuluar, e gjatë 7 metra, e mbushur me njerëz, duket fare e vockël në oqeanin e paanë. Njerëzit janë dobësuar nga të pangrënët dhe ndihen të sfilitur pasi për ditë me radhë kanë hequr ujin nga varka, ndërkohë që luftonin me dallgët gjigante dhe me erën e fortë. Përpara shtrihen më shumë se 5.000 kilometra rrugë e panjohur nëpër oqean, ku vende-vende ka shkëmbinj koralorë nënujorë të rrezikshëm. Rezervat me ushqime janë me pakicë​—racioni i ditës për çdo njeri përbëhet vetëm nga 30 gramë bukë (galetat që ka në anije) dhe pak ujë. Mundësitë që këta njerëz të mbijetojnë duken vërtet shumë të pakta.

Brenda një harku kohor pak më shumë se një javë kishin përjetuar një revoltë nga ekuipazhi i anijes e pastaj rebelët i kishin futur në një nga barkat e shpëtimit dhe i kishin lënë në oqean në mëshirë të fatit. Njëri prej tyre ishte vrarë gjatë një sulmi të bërë nga vendësit. Gjithashtu, ata kishin përballuar shtrëngata të furishme dhe mezi ia kishin dalë t’u shpëtonin kaikeve, të cilat u ishin vënë pas që nga ishujt që në atë kohë njiheshin si Ishujt e Kanibalëve.

Ç’gjë i kishte sjellë këta burra në këtë vend të largët e të rrezikshëm në jug të Paqësorit, kaq larg nga shtëpitë e tyre në Angli, një vend me pemishte dhe kopshte të sistemuara mirë? Objekti i kërkimit të tyre ishte druri i mrekullueshëm i bukës. Le të shpjegojmë se në ç’mënyrë kjo pemë e bukur dhe frutat e saj të ushqyeshme luajtën një rol kyç në këtë histori dhe në udhëtimet më të hershme heroike për zbulime.

Ndoshta e keni kuptuar se burrat në barkë në tregimin e mësipërm janë të mbijetuarit që shpëtuan nga revolta famëkeqe, e cila ndodhi në anijen Bounty. Anija 215-tonëshe e flotës britanike, Bounty, ishte nisur nga Anglia për në Tahiti nën komandën e kapitenit Uilliam Blaj. Kur mbërriti në Tahiti, ai mori në anije një grup «pasagjerësh» shumë të çuditshëm​—afërsisht 1.000 fidanë të pemës së bukës. Kjo gjë ia vlente, sepse kur vendoseshin në shtëpinë e tyre të re në kolonitë britanike të ishujve Karaibe, këto bimë të mbjella në vazo mund të prodhonin fruta ushqyese me tul ngjyrë ari.

Ky projekt për të sjellë pemë të bukës u ndërmor sipas këshillës që sër Xhozef Benksi i kishte dhënë qeverisë britanike. Në atë kohë, ajo po kërkonte me urgjencë ndonjë burim të ri për furnizimin me ushqim të skllevërve që punonin në fushat e kallamsheqerit. Benksi atëherë punonte si këshilltar në Kopshtet Botanike të Kjusë afër Londrës, në Angli. Më parë kishte lundruar si botanist me kapitenin Xhejms Kuk gjatë udhëtimit të tij më të hershëm për të eksploruar Paqësorin. * Si ai, po ashtu edhe Kuku, kishin parashikuar se druri i bukës do të ishte me shumë perspektivë.

Megjithëse ai vetë nuk e shoqëroi Blajin, Benksi mori masa që të tregohej kujdes për bimët në anije gjatë udhëtimit të gjatë nëpër oqean, duke i dhënë rëndësi të veçantë nevojës së bimëve për ujë. Disa shkrimtarë mendojnë se kujdesi që u tregohej dhe uji që u jepej pemëve pa kursim​—në kurriz të ekuipazhit​—mund të kenë qenë ndër faktorët e revoltës së ekuipazhit tashmë të pakënaqur. Pranë bregut të Tongës, më 28 prill 1789, herët në mëngjes, Blajin dhe 18 besnikë të tij, nën kërcënimin e shpatës, i zbritën nga anija në një barkë shpëtimi dhe i lanë në mes të oqeanit. Ka shumë mundësi që kryengritësit e gëzuar t’i kenë flakur nga anija «pasagjerët», drurin e bukës, duke i lënë të kalbeshin në ujin e kripur.

Megjithatë Blaji nuk ishte njeri që sprapsej lehtë. Ai nisi atë që quhet «udhëtimi më i famshëm me barkë të pambuluar në historinë e deteve». Për shtatë javë të mundimshme, ai bëri me këtë varkë të vogël më shumë se 5.800 kilometra drejt veriperëndimit, duke kaluar midis ishujve që tani njihen si Fixhi. Kaloi bregdetin lindor të Holandës së Re (Australia e sotme) dhe duke u ngjitur në veri mbërriti së fundi në një vend të sigurt, në ishullin e Timorit.

Kur u kthye në Angli, Blajtit i dhanë drejtimin e dy anijeve të tjera, me të cilat u kthye në Tahiti për të mbledhur pemë të bukës. Kësaj radhe, më 1792, ai arriti të transportonte me sukses rreth 700 «pasagjerë» të mbjellë në vazo në ishujt e Shën Vinsentit dhe të Xhamajkës në Inditë Perëndimore. Pemët e bukës lulëzojnë atje edhe sot e kësaj dite dhe japin, si të thuash, një prodhim të artë nën kurorën e tyre të gjelbër.

Ndonëse udhëtimi i Blajtit është me siguri një tregim heroik i mbijetesës dhe i zbulimeve, ai s’është veçse një kapitull relativisht i ri në historinë e drurit të bukës. Sikur pema e bukës të kishte gojë, çfarë historish s’do të tregonte nga ajo kohë para mijëra vjetësh, kur i shoqëronte marinarët e lashtësisë nëpër lundrimet e jashtëzakonshme të zbulimit!

Udhëtimet e hershme të pemës së bukës

Arkeologët besojnë se pati disa valë emigrimi në perëndim të Paqësorit. Nga këto lëvizje për emigrim, më të fundit nisën rreth vitit 1.500 p.e.s. * Duke u nisur nga Azia Juglindore, lapitasit përdornin kaike të mëdha me shtrat të dyfishtë për të lundruar nëpër vende që sot njihen me emrat Indonezi, Guineja e Re, Kaledonia e Re, Vanuatu, Fixhi e më tej deri në qendër të Paqësorit. Këto udhëtime ishin arritje vërtet mahnitëse në lundrim, po të marrim parasysh që disa udhëtime midis ishujve nënkuptonin qindra kilometra në oqean të hapur.

Kaiket me shtrat të dyfishtë të lapitasve, të cilat lundronin nëpër oqean mund të mbanin shumë njerëz përveç kafshëve shtëpiake, rezervave ushqimore, si dhe shumëllojshmërisë së farave, të kalemave dhe të bimëve në vazo. Ndërkohë që lapitasit u shpërndanë nëpër Paqësor, ata zbuluan dhe populluan ishujt e Melanezisë, Polinezisë dhe Mikronezisë në veri dhe Zelandën e Re në jug. Ata u përhapën si dallgët e një batice dhe si përfundim arritën të shkonin shumë larg shtëpisë deri në Ishullin e Pashkës dhe në Havai. * Kudo që lundronin, midis «pasagjerëve» të tyre më të famshëm ishte pema rezistente e bukës.

Një ushqim me vlera dhe me shumë përdorime

Sot në Fixhi, ashtu si edhe në shumë pjesë të tjera të botës, fruta e pemës së bukës çmohet shumë si një ushqim me vlera ushqyese dhe që kushton lirë. Disa varietete të drurit të bukës janë rezistente dhe mjaft prodhimtare dhe deri në 50 vjet japin fruta tri herë në vit, madje edhe kur moti nuk është edhe aq i përshtatshëm. Fruta ngjan me bukën dhe varietetet e shumëllojshme kanë shije të ndryshme. Zakonisht shija përshkruhet se është disi midis bukës dhe patates. Frutat mund të zihen, mund të gatuhen me avull, të piqen ose të skuqen dhe përdoren shpesh për ëmbëlsira. Mund të thahen e të shtypen për t’u bërë miell dhe mund të ruhen për vite nëse u hiqet tuli e lihen të fermentohen.

Me gjethet mund të mbështillen ushqime si peshku ose pula që t’u ruhet shija dhe të mbeten të buta gjatë gatimit. Edhe fara që i është hequr lëvozhga është e ngrënshme dhe ka shijen e arrës. Ndonjëherë lëngu mblidhet dhe fëmijët kënaqen me të, sepse e përdorin si çamçakëz. Sa shumë përdorime! Nuk është e vështirë për të kuptuar se përse disa banorë të ishujve të Paqësorit e pëlqejnë në mënyrë të veçantë pemën e bukës.

Ledua, e cila jeton në Fixhi, na thotë se kur përmendet druri i bukës asaj i vijnë ndër mend kujtime të bukura, por edhe kujtime jo të këndshme të fëmijërisë. Familja e saj kishte pesë pemë të mëdha buke. Ledua kishte për detyrë të pastronte kopshtin nga gjethet, punë të cilën e kishte shumë inat. Nga ana tjetër, shpesh pas shkollës, ajo dhe vëllezërit e motrat e saj këputnin frutat e pemëve dhe shitnin sa më shumë që të mundeshin, duke shkuar derë më derë. Pastaj prindërit i përdornin fitimet për t’u blerë atyre gjëra, si ushqimet, biletat e autobusit ose këpucë të reja, që u nevojiteshin për të ndjekur asambletë e krishtere.

Ndoshta jetoni në një nga vendet e shumta të botës ku tani kultivohet ky «pasagjer» që ka udhëtuar gjithandej dhe që njihet me emrin pompoz Artocarpus altilis. Ndoshta më parë nuk e keni konsideruar këtë bimë të mrekullueshme një thesar, madje as si diçka me vlerë ose të bukur. Megjithatë, shumë nga ata që jetojnë në ishujt e Paqësorit thonë se emri i drurit të bukës u sjell ndër mend lundrimet heroike dhe udhëtimet e zbulimeve që bënë lapitasit dhe kapiteni Blaj.

[Shënimet]

^ par. 7 Shih artikullin me titull «Kopshtet e Kjusë​—Qendër botërore për artisje» në Zgjohuni! 8 janar 1989, anglisht.

^ par. 13 Sigurisht që kjo datë është mbështetur vetëm tek arkeologjia, pa mbajtur parasysh kronologjinë biblike.

^ par. 14 Disa historianë besojnë se disa nga këta udhëtarë të lashtë të Paqësorit arritën të shkonin deri në bregdetin e Perusë në Amerikën e Jugut dhe në kthim ata sollën në ishujt e Paqësorit pataten e ëmbël të Amerikës së Jugut. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë do të thotë që patatja e ëmbël udhëtoi nga ishulli në ishull në drejtim të kundërt të drurit të bukës, duke arritur më në fund në Azinë Juglindore nga erdhi druri i bukës.

[Kutia dhe figura në faqen 25]

Një pemë me shumë dhunti

Pema e rritur e bukës është një pemë madhështore me gjelbërim të përhershëm. Ajo e ka origjinën nga pyjet e Malajzisë. Si pjesëtare e familjes Moraceae, ajo është e afërme e fikut, e manit dhe e jackfruitit. Kur është e rritur, ajo mund të arrijë deri në lartësinë 12 metra dhe nxjerr trishkuj që mund të priten dhe të mbillen. Pema e bukës i nxjerr në lulesa të ndara nga njëra-tjetra lulet femërore dhe mashkullore, të cilat dallohen midis tyre. Në kushte natyrore pjalmimi i luleve dhe përhapja e farërave varet nga lakuriqët e vegjël të natës që ushqehen me fruta. Lulet e drurit të bukës zhvillohen dhe japin fruta të mëdha në formë të rrumbullakët ose vezake, afërsisht sa madhësia e një pjepri të vogël. Fruta ka ngjyrë të gjelbër nga jashtë dhe tuli ka ngjyrë kremi në të verdhë të artë.

Gjithashtu, pema e bukës ka gjethe shumë të mëdha e të shndritshme me ngjyrë të gjelbër të errët, të cilat formojnë një hije që të fton të gjesh çlodhje nga dielli i nxehtë i tropikut. Druri i saj i butë dhe me peshë të lehtë përdoret për mobilje dhe kaike, kurse ana e brendshme e lëvores së drurit ndonjëherë përdoret për të bërë një lloj veshjeje që anembanë Paqësorit njihet me emrin tapa. Lëngu qumështor përdoret si lëndë që nuk përshkohet nga uji dhe në disa vende ky lëng e kanë përdorur si allçi për ngjitjen e kockave, e madje edhe si ngjitës për të zënë zogj.

[Figura në faqen 24]

Pikturë nga Robert Dodd për revoltën në anijen «Bounty»

[Burimi]

National Library of Australia, Canberra, Australia/Bridgeman Art Library

[Figurat në faqen 26]

Fruta e pemës së bukës mund të gatuhet në shumë mënyra