Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Imitues të zotë

Është thënë se shturat mund të imitojnë këngët e më shumë se 40 zogjve të ndryshëm. Por jo vetëm kaq. Është vërejtur se shtura e zakonshme imiton autobusët, sirenat, sharrat elektrike, alarmet e makinave, delet, madje edhe hingëllimën e kuajve. Por tani ato i kanë shtuar edhe një tingull të ri repertorit të tyre: zilen e telefonave celularë. Kështu, revista National Geographic raporton se «nëse jashtë dëgjoni se bie një zile celulari, mund të befasoheni kur të zbuloni se ‘celulari’ ka pupla». Revista thotë: «Ndërkohë që telefonat celularë përhapen me shpejtësi, zogjtë përqeshës, shturat dhe imitues të tjerë janë gati ta shtojnë repertorin e tyre.»

«Gënjeshtra është punë e vështirë për trurin»

Studiuesit e universitetit të Pensilvanisë kanë zbuluar se trurit i duhet më shumë punë për të thënë një gënjeshtër, sesa për të thënë të vërtetën. Dr. Daniel Langlebeni e ka studiuar këtë fenomen duke përdorur një aparat me rezonancë magnetike (fMRI), me qëllim që të identifikonte se cilat pjesë të trurit aktivizohen kur një njeri gënjen. Kur ballafaqohet me një pyetje, në fillim truri ynë e përpunon atë. Pastaj ‘pothuajse instinktivisht, gënjeshtari përpara se të mashtrojë ose të japë [një] përgjigje të rreme, në fillim mendon për përgjigjen e vërtetë’,​—raporton The News e qytetit të Meksikos. Langlebeni thotë: «Në tru asgjë nuk arrihet pa përpjekje. Procesi i thënies së gënjeshtrës është më i ndërlikuar sesa thënia e së vërtetës dhe, si rrjedhim, neuronet aktivizohen më shumë.» Ky aktivizim në rritje i neuroneve në fMRI shfaqet si një llambë e ndritshme. Gazeta thotë: «Edhe për folësin më të rrjedhshëm, gënjeshtra është punë e vështirë për trurin.»

Rritja e rezervave botërore të armëve

Small Arms Survey 2002, një studim i përkrahur nga Kombet e Bashkuara, tregon se në vitin 2001 policia, ushtria, forcat rebele, si dhe personat anembanë botës zotëronin rreth 639 milionë armë të lehta zjarri. «Kjo është të paktën 16 për qind më e madhe se llogaritjet e mëparshme»,​—vëren Survey. Për më tepër, rezerva botërore e armëve të lehta rritet afërsisht 1 për qind çdo vit, për shkak të prodhimeve të reja. Tani pistoletat, pushkët, mortajat dhe raketahedhësit e lehtë prodhohen nga të paktën 1.000 kompani, në më shumë se 98 vende të botës. Raporti thotë se «në vitin 2000 . . . vlera [e përgjithshme] e prodhimit botëror të armëve të lehta, duke përfshirë edhe municionin, u përllogarit se ishte të paktën 7 miliardë euro». Nga 80 deri në 90 për qind e tregtisë së armëve të lehta është e ligjshme dhe numrin më të madh të armëve të zjarrit (59 për qind) e zotërojnë civilët.

Smogu vrasës

«Gati 20 për qind e të gjitha vdekjeve nëpër qytete, si pasojë e kancerit në mushkëri, shkaktohen nga grimcat e vockla të ndotjes, shumë prej të cilave dalin nga marmita e automjeteve»,​—raporton revista New Scientist. Studiues në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada vëzhguan për 16 vjet jetën e afro gjysmë milioni amerikanëve, duke marrë parasysh faktorë që e shtojnë rrezikun, si: mosha, seksi, raca, pirja e duhanit, dieta, konsumimi i alkoolit dhe ekspozimi ndaj ndotjes në punë. New Scientist thotë se «studimi u përqendrua te grimcat me diameter më të vogël se 2,5 mikron», sepse «mendohet që këto grimca mikroskopike vrasin pasi ngecin thellë në mushkëri». Siç thotë revista, studimi zbuloi se rreziku i ekspozimit ndaj smogut në disa qytete është «i ngjashëm me rrezikun e atyre personave që edhe pse vetë nuk janë duhanpirës, janë megjithatë të ekspozuar për një kohë të gjatë ndaj tymit të cigareve të të tjerëve».

Lindje të paregjistruara

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) raporton: «Çdo vit nuk regjistrohen më shumë se 50 milionë lindje fëmijësh, më shumë se 40 për qind e të gjitha lindjeve në mbarë botën.» Ai shton: «Në 39 vende, të paktën 30 për qind e të gjithë fëmijëve nuk janë regjistruar kur kanë lindur dhe në 19 vende raporti ishte të paktën 60 për qind.» Ç’do të thotë kjo? Pa certifikatën e lindjes fëmijët nuk njihen ligjërisht, dhe kjo mund t’ua kufizojë të drejtën e shërbimeve kryesore njerëzore. «Regjistrimi i lindjes është një nga të drejtat themelore të njeriut, e cila u hap rrugë të drejtave të tjera, si: arsimimit, kujdesit shëndetësor, . . . dhe mbrojtjes nga diskriminimi, abuzimi e shfrytëzimi»,​—thotë UNICEF-i. Problemet që vijnë nga lindjet e paregjistruara nuk kufizohen vetëm tek fëmijët. Raporti thotë: «Në moshën madhore i rrituri i paregjistruar mund të mos jetë në gjendje të . . . marrë certifikatën e martesës.»

Kërcënimi i «shterimit ekologjik»

Shkencëtarët llogaritin se nëse harxhimi i burimeve natyrore të tokës vazhdon me shpejtësinë e tanishme, «po përgatitemi për një shterim ekologjik»,​—raporton gazeta Globe and Mail e Kanadasë. Sipas një studimi, të botuar për herë të parë në revistën Proceedings of the National Academy of Sciences, është llogaritur se në vitin 1961 «njerëzit shfrytëzonin 70 për qind të potencialit vjetor të planetit për prodhimet biologjike. Në vitin 1999, ai ishte 120 për qind. Sot është rreth 125 për qind». Kjo do të thotë që tokës do t’i duheshin 15 muaj «për të ripërtërirë burimet natyrore që shfrytëzon njerëzimi» çdo vit nëpërmjet peshkimit, bujqësisë, punimeve minerare dhe djegies së mbetjeve të naftës. «Një nga arsyet e këtij keqësimi të përshpejtuar është se kapaciteti biologjik i planetit po pakësohet, sepse një pjesë e tokës është shumë e dëmtuar për të rritur prodhime. Ç’është më e keqja, ndërsa popullsia e botës rritet, kërkesat për shfrytëzimin e kapacitetit biologjik janë gjithnjë e në rritje»,​—thotë gazeta.

Shndërrimi i kishave

«Në vitin 1881, kur Mark Tueini vizitoi Montrealin, vërejti se ‘nuk mund të hidhje një tullë pa thyer xhamin e dritares së një kishe’. Në ditët tona mund të thyesh xhamin e dritares së një apartamenti të sistemuar në ndërtesën e një ish-kishe»,–thotë gazeta The Gazette e Montrealit. Edhe pse qyteti ka ende rreth 600 vende adhurimi, gazeta pohon se gati 100 prej tyre, shumica katolike, mund të nxirren në shitje dhjetëvjeçarin e ardhshëm. «Sipas kryedioqezës së Montrealit, që nga viti 1960, janë mbyllur më shumë se 25 famulli katolike.» Popullsia katolike e Kanadasë, me rreth 1,5 milionë në vitin 1871 u rrit në afërsisht 10 milionë në vitin 1971, por ende «pjesëmarrja në kishë ka rënë ndjeshëm, veçanërisht në Kuebek»,–thotë The Gazette. Bernard Fortini, i ngarkuar për programin baritor të kryedioqezës së Montrealit, tha për gazetën se pjesëmarrja në kishat e asaj zone sot ka rënë në 8 për qind, nga 75 për qind që ishte në vitin 1970.

Televizori shkakton çrregullime në ngrënie

Një raport në The Independent e Londrës thotë se «ka një lidhje domethënëse midis televizorit dhe simptomave të çrregullimit në të ngrënë tek të rejat». Dr. Ana Bekëri, e Shkollës Mjekësore të Harvardit, në Shtetet e Bashkuara, bëri intervista me adoleshentet në Fixhi në vitin 1995, pak kohë pasi kishte hyrë televizori. Ajo zbuloi se televizori «u duk se kishte patur një ndikim të fuqishëm negativ në paraqitjen fizike dhe në zakonet e këqija në të ngrënë». Në ç’mënyrë? Kultura tradicionale e Fixhit inkurajon oreks të mirë dhe trup sa më të shëndoshë. Por, kur panë se personazhet televizive ishin të dobëta, shumë vajza shkolle ishin të gatshme t’i imitonin. Për shembull, përpara se televizori të hynte në Fixhi, asnjë nga vajzat e përfshira në këtë studim nuk e kishte detyruar veten të villte që të dobësohej. Mirëpo, tri vjet më vonë 11,3 për qind e tyre treguan se bënin kështu. Kërkuesit zbuluan edhe se 69 për qind e nxënëseve thanë se kishin mbajtur dietë që të dobësoheshin dhe se gati 75 për qind thanë që ndiheshin «shumë të fryra ose të shëndosha».