Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Së shpejti do të marrë fund «urgjenca e heshtur»!

Së shpejti do të marrë fund «urgjenca e heshtur»!

Së shpejti do të marrë fund «urgjenca e heshtur»!

«NË KRAHASIM me të kaluarën pak a shumë të afërt, sot jetojmë në një botë ku ka bollëk. . . . Teorikisht, . . . ushqimi është më se i mjaftueshëm për të gjithë.» Kështu thotë një studim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Nëse kjo është e vërtetë, atëherë, cila është arsyeja e vërtetë që shkakton të ushqyerit e keq?

«Arsyeja është se ushqimi as nuk prodhohet dhe as nuk shpërndahet në mënyrë të barabartë,​—thotë OBSH-ja.​—Është për të ardhur keq që shumë shpesh të varfërit në vendet pjellore në zhvillim janë spektatorë që shohin duarbosh dhe me barkun bosh, ndërkohë që prodhimet e bollshme dhe të korrat jashtëzakonisht të mëdha eksportohen për para. Dobi afatshkurtra për pak njerëz, humbje afatgjata për shumë njerëz.» Një studim i kohëve të fundit, bërë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), tregon se ‘më të pasurit, një e pesta e njerëzve’ në planet, ‘hanë 45 për qind të të gjithë mishit dhe peshkut; një e pesta, e përbërë nga njerëzit më të varfër, harxhon vetëm 5 për qind’.

Nga ana tjetër, sipas Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, «edhe mungesa e mundësive për të marrë një arsimim të mirë dhe informacione të sakta është një nga shkaktarët e të ushqyerit të keq». Gjithashtu, ai shton: «Ndërgjegjësimi, aftësitë dhe qëndrimi që nevojiten për të luftuar të ushqyerit e keq nuk mund të zhvillohen pa strategjitë për shpërndarjen e informacionit dhe pa programe arsimimi më të mira dhe më të hapura për publikun.» Por, nga ana tjetër, mungesa e ushqimit e dobëson shëndetin dhe aftësitë e njeriut për të marrë një arsimim më të mirë. Pra kemi një rreth tjetër vicioz.

Drejtësi dhe interes altruist ndaj të tjerëve

Pavarësisht nga këto pengesa shkurajuese, disa ekspertë në këtë fushë janë ende optimistë. Për shembull, drejtori i përgjithshëm i FAO-s, Zhak Djufi, u shpreh me optimizëm: «Përfytyroj një botë ku për çdo burrë, grua dhe fëmijë do të ketë ushqim të mjaftueshëm, me vlera ushqyese e të sigurt, çdo ditë. Sipas përfytyrimit tim, ekstremet tronditëse të pasurisë dhe të varfërisë do të zvogëlohen. Shoh tolerancë dhe jo diskriminim; paqe dhe jo konflikte civile; habitate që shfrytëzohen pa u dëmtuar dhe jo prishje të mjedisit; begati të përgjithshme dhe jo një mungesë shprese që të ligështon.»

Megjithatë, siç e pamë, për të plotësuar këto shpresa, nevojitet më shumë sesa shtimi i prodhimit dhe shpërndarja më e mirë e ushqimeve. Është e nevojshme edhe që të mbizotërojë drejtësia e të tregohet interes për të tjerët. Por këto tipare fisnike nuk janë tipike për frymën që përshkon tregtinë moderne.

A është e mundur të zhduken pengesa të tilla të mëdha, siç janë lakmia, varfëria, konkurrenca dhe egoizmi, që bota të shpëtojë nga të ushqyerit e keq? Apo kjo është një ëndërr e parealizueshme?

Zgjidhja e vetme e vërtetë

Sipas Biblës nuk duhet të çuditemi me problemet që janë shkaqet thelbësore të të ushqyerit të keq. Fjala e Perëndisë thotë: «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Sepse njerëzit do të jenë të dashuruar pas vetes, të dashuruar pas parave, . . . pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, . . . pa dashuri për mirësinë, . . . që duket se kanë një formë të devocionit hyjnor, por që në jetën e tyre nuk ndikohen prej fuqisë së tij.»​—2 Timoteut 3:1-5.

A mundet njeriu pa ndihmën e Perëndisë të shkulë qëndrime të tilla të rrënjosura kaq thellë? Duket se kjo është e pamundur, apo jo? Ndoshta e keni vënë re se ndonjëherë njerëzit në pozita autoriteti kanë qëllime të mira lidhur me problemet sociale të njerëzimit. Por egoizmi, dashuria për para dhe papërsosmëria e treguar nga ana e të tjerëve i pengojnë dhe i bëjnë të pafrytshme edhe përpjekjet më të sinqerta.​—Jeremia 10:23.

Megjithatë, zgjidhja nuk është një ëndërr e parealizueshme. Bibla premton se Mbretëria e Perëndisë do t’i japë fund padrejtësisë, si edhe të gjitha vuajtjeve që mundojnë sot njerëzimin.

Isaia 9:5-7 na jep këtë shpresë të mrekullueshme: «Na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes. Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij, për ta vendosur pa u tundur dhe për ta përforcuar me anë të mençurisë dhe të drejtësisë, tani dhe përjetë. Këtë ka për të bërë zelli i Zotit të ushtrive.»

Është e njëjta Mbretëri, për të cilën luten njerëzit kur bëjnë lutjen ‘Ati ynë’ dhe i thonë Perëndisë: «Ardhtë mbretëria jote». (Mateu 6: 9, 10) Vini re se Isaia përmend se «këtë ka për të bërë zelli i Zotit të ushtrive». Po, Perëndia Jehova ka qenë gjithnjë shumë i interesuar për të plotësuar nevojat e njerëzve. Ai e ka projektuar tokën që të japë ushqim me bollëk për të gjithë.

Psalmi 65:9-13 thotë për të: «Ti e viziton tokën dhe bën që ajo të prodhojë më tepër [bollëk, BR], e pasuron në një masë të madhe; lumi i Perëndisë është plot ujë; ti u siguron njerëzve grurin e tyre, mbasi e ke përgatitur tokën. Ti i mbush me ujë brazdat e saj, sheshon plisat, e zbut me shirat dhe bekon filizat. . . . Kullotat mbulohen me kope dhe luginat mbulohen me grurë.»

Po, Krijuesi, Jehovai, është ai që i plotëson më mirë nga të gjithë nevojat e njerëzimit. Është Ai që «i jep ushqim çdo krijese, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë».​—Psalmi 136:25

Mund të jemi të sigurt që Mbretëria e Perëndisë nën drejtimin e Krishtit do të kujdeset për të gjithë njerëzit. «Në tokë do të ketë bollëk drithi, në majat e maleve [do të ketë vërshim, BR]»,​—thuhet në Bibël. Por gjithashtu do të ketë një shpërndarje të barabartë, sepse «[Jezu Krishti] do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. . . . do të shpëtojë jetën e nevojtarëve». (Psalmi 72:12, 13, 16) Pra merrni zemër! Së shpejti, kjo «urgjencë e heshtur» do të marrë fund një herë e përgjithmonë.

[Diçitura në faqen 11]

«Zhdukja e urisë dhe e të ushqyerit të keq është teorikisht e realizueshme. Mundësitë ekzistojnë. Sfidë është të . . . kryesh veprime të bashkërenduara në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare.»​—Organizata Botërore e Shëndetësisë

[Figura që zë gjithë faqen 10]