Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shfaqin dashuri në kohë vështirësish

Shfaqin dashuri në kohë vështirësish

Shfaqin dashuri në kohë vështirësish

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË NIGERI

E DIELA e 27 janarit të vitit 2002 u quajt në Lagos, Nigeri, E Diela e Zezë. Shpërthimi në një depo të nëndheshme armësh shkaktoi dridhje të forta në gjithë qytetin dhe ndriçoi qiellin e mbrëmjes. Për orë të tëra, shpërthimet lëshonin breshëri predhash dhe mbetjesh të tjera në një rreze prej 3 kilometrash, duke shkaktuar panik në qytet.

Thashetheme nga më të çuditshmet të ngjallnin frikë. Turma të mëdha njerëzish të tmerruar vërshonin nëpër rrugë, duke mos ditur nga çfarë po ia mbathnin ose ku po shkonin. Në muzgun e mbrëmjes, qindra njerëz, duke përfshirë edhe shumë fëmijë që i kishte zënë paniku, u futën në ujërat e turbullta të një kanali dhe u mbytën. Shtëpi, shkolla dhe institucione biznesi u shkatërruan ose u dëmtuan rëndë, duke lënë mijëra të pastrehë dhe të papunë. U llogarit se në këtë tragjedi humbën jetën rreth 1.000 vetë. Shifrat e mëvonshme ishin edhe më të larta.

Më vonë, në zonat e banuara që ndodheshin afër bazës ushtarake ku ndodhën shpërthimet, u gjetën afro 1.350 bomba, raketa dhe granata dore të pashpërthyera. Një burrë gjeti një objekt prej metali në dhomën e ndenjes. Pa e ditur se ishte bombë, ai e ngriti, e vendosi në bagazhin e makinës dhe ua ktheu autoriteteve përkatëse.

Kur dëgjoi lajmet për shpërthimin, zyra e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Nigeri u lidh menjëherë me një plak në Lagos. Ajo i udhëzoi 16 mbikëqyrësit udhëtues në këtë zonë që të shqyrtonin gjendjen e të 36.000 Dëshmitarëve në Lagos. Dega dërgoi një milion naira (rreth 10.000 dollarë), si dhe udhëzime se si të formohej një komitet për të dhënë ndihmë.

Edhe Dëshmitarët patën pasoja. Një burrë u plagos rëndë nga një shrapnel dhe mjerisht dy të reja humbën jetën. Gjithashtu u dëmtuan dy Salla Mbretërie dhe shtëpitë e 45 familjeve.

Më 2 shkurt 2002, gjashtë ditë pas shpërthimeve të municioneve, në një zonë tjetër të qytetit, shpërtheu një përleshje etnike. Sipas Kryqit të Kuq, luftimet lanë 100 të vdekur, 430 të plagosur, 3.000 të pastrehë, si dhe 50 shtëpi të djegura. Komiteti i ndihmës që po kujdesej për nevojat e viktimave të «Së Dielës së Zezë» filloi të kërkonte vëllezërit e krishterë në këtë zonë.

Asnjë prej Dëshmitarëve nuk humbi jetën kësaj here, pasi kur filloi lufta, shumica e tyre ishin larg në një asamble qarkore. Sidoqoftë, shumë nga pjesëtarët e pesë kongregacioneve të asaj zone nuk kishin më shtëpi ku të futnin kokën. Vëllezërit e tyre të krishterë me gatishmëri i strehuan në shtëpitë e tyre. Një Dëshmitar që është mjek dhe gruaja e tij siguruan strehim për 27 të pastrehë.

Në Lagos, Dëshmitarët që nuk ishin dëmtuar nga shpërthimet dhe luftimet etnike dhanë me bujari kontribute në ushqime, në veshje dhe në pajisje shtëpiake. Mbikëqyrësi i qytetit raportoi: «Kontributet e vëllezërve në zonën e Lagosit e tejkalojnë nevojën e vëllezërve të dëmtuar.» Zyrës së degës iu desh t’u shkruante kongregacioneve që të mos jepnin më kontribute. Tre kamionë me ndihmat që tepruan iu dërguan zyrës së degës për t’u magazinuar.

Pleqtë e kongregacionit vizituan shumë viktima dhe pjesëtarë të familjeve të atyre që kishin vdekur. Ata u përpoqën t’u jepnin ngushëllim nga Shkrimet. Komiteti i ndihmës organizoi riparimin e shtëpive që ishin dëmtuar. Ata i furnizuan viktimat e të dyja katastrofave me pajisje shtëpiake, veshje, ushqime dhe i ndihmuan të pastrehët që të strehoheshin. Komiteti ndihmoi gjithsej 90 familje dhe shumë individë.

Shumë viktima u prekën thellë nga ndihma që morën. Një Dëshmitar i tha komitetit të ndihmës: «Sa të jem gjallë, do ta bëj Jehovain ‘strehën dhe forcën’ time!»​—Psalmi 46:1, 2.

Njerëzit që nuk ishin Dëshmitarë e vunë re mënyrën se si Dëshmitarët e Jehovait u kujdesën për njëri-tjetrin gjatë këtyre krizave. Xhaxhai i njërës nga Dëshmitaret që kishin vdekur u tha pleqve të kongregacionit ku kishte qenë ajo: «Do të kthehem përsëri që t’ju falënderoj siç duhet dhe që të mësoj më shumë.» Familjes së tij i tha: «Ajo që pashë në Lagos ishte e mrekullueshme. As të afërmit nuk bënë atë që bënë këta njerëz.»

[Figura në faqen 13]

Kamion i ngarkuar me ndihma

[Figura në faqen 13]

Disa që u ndihmuan

[Figura në faqen 14]

Ky çift siguroi strehim për 27 të pastrehë

[Figura në faqen 14]

Dëshmitarë duke punuar në një shtëpi të dëmtuar

[Diçitura e figurës në faqen 13]

Sipër: Sam Olusegun-The Guardian