Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shkaqe me rrënjë të thella, pasoja me shtrirje të gjerë

Shkaqe me rrënjë të thella, pasoja me shtrirje të gjerë

Shkaqe me rrënjë të thella, pasoja me shtrirje të gjerë

«Isha i uritur dhe ju formuat një komitet për të shqyrtuar shkaqet e urisë sime. Isha i pastrehë dhe parashtruat një raport për hallin tim. Isha i sëmurë dhe mbajtët një seminar për gjendjen e atyre që janë lënë pas dore. E analizuat gjendjen time të mjerë nga të gjitha anët, e megjithatë, unë jam ende i uritur, i pastrehë dhe i sëmurë.»​—Autori nuk dihet.

NDONËSE agjencitë botërore kanë bërë shumë përpjekje për t’i dhënë fund të ushqyerit të keq, arritjet janë larg nga ajo që shpresohej. Për shembull, më 1996, Samiti Botëror për Ushqimin i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) vuri si synim që deri në vitin 2015 ta përgjysmonte numrin e njerëzve në botë që vuajnë nga të ushqyerit e pamjaftueshëm​—rreth 400 milionë njerëz. *

Është për t’u lavdëruar që njëfarë progresi është bërë. Por mjerisht, një raport i FAO-s, i bërë kohët e fundit, The State of Food Insecurity in the World 2001, pranon: «Është e qartë se ritmi me të cilin po zvogëlohet numri i njerëzve në botë që vuajnë nga të ushqyerit e keq është ngadalësuar.» Pra, synimi i samitit duket ende i paarritshëm. Në fakt, raporti pranon se «numri i atyre që vuajnë nga të ushqyerit e keq është rritur ndjeshëm në shumicën e vendeve në zhvillim».

Pse është kaq e vështirë për ta mposhtur këtë armik? Për të marrë një përgjigje, së pari le të shpjegojmë se ç’është të ushqyerit e keq dhe pastaj të shqyrtojmë pasojat e tij me shtrirje të gjerë dhe shkaqet me rrënjë të thella.

Çfarë e shkakton të ushqyerin e keq?

Të ushqyerit e keq shkaktohet kur qelizat e trupit nuk marrin sasinë e duhur të lëndëve ushqyese dhe zakonisht kjo vjen nga kombinimi i dy faktorëve: (1) kur nuk merret sasia e mjaftueshme e proteinave, kalorive, vitaminave dhe e kripërave minerale dhe (2) infeksionet e shpeshta.

Sëmundje të tilla, si diarreja, fruthi, malarja dhe sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, e rraskapitin trupin dhe bëjnë që ai të humbasë lëndë ushqyese. Ato shkaktojnë rënie oreksi dhe si pasojë zvogëlohet sasia e ushqimit që merret. Në këtë mënyrë ato çojnë drejt të ushqyerit të keq. Nga ana tjetër, fëmija që vuan nga të ushqyerit e pamjaftueshëm është më i prirur ndaj infeksioneve. Kështu formohet një rreth vicioz, i cili e rrit shkallën e vdekshmërisë nga të ushqyerit e varfër në proteina dhe kalori.

Pse rreziku i të ushqyerit të keq është më i madh te fëmijët? Ata janë në një periudhë kur rritja bëhet me ritme të shpejta, dhe kjo e shton nevojën për kalori dhe proteina. Për arsye të ngjashme, gratë shtatzëna dhe ato me fëmijë në gji mund të preken më lehtë nga të ushqyerit e keq.

Madje shpesh, problemi te foshnjat fillon që përpara lindjes. Nëse nëna vuan nga të ushqyerit e pamjaftueshëm ose nga të ushqyerit e keq para dhe gjatë shtatzënisë, foshnja do të peshojë pak kur të lindë. Më pas, heqja e shpejtë e gjirit, zakonet e këqija të të ushqyerit dhe mungesa e higjienës mund të shkaktojnë të ushqyerit e keq.

Mungesa e lëndëve ushqyese të nevojshme bën që fëmija të mos rritet e të mos zhvillohet siç duhet. Ai qan shumë dhe është i prirur të sëmuret. Ndërkohë që gjendja keqësohet, humbja në peshë bëhet më e dukshme, sytë dhe buti i kokës (pjesa e butë në majën e kokës) futen brenda, lëkura dhe indet humbasin elasticitetin dhe bie aftësia për ta mbajtur të pandryshueshme temperaturën e trupit.

Të ushqyerit e pamjaftueshëm mund të shfaqet edhe në forma të tjera. Edhe këto mund ta ngadalësojnë rritjen te fëmijët. Për shembull, kjo pasojë mund të vijë nëse nuk marrim sasinë e mjaftueshme të lëndëve minerale​—sidomos hekur, jod dhe zink​—dhe vitaminave​—kryesisht vitaminë A. Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) thotë se në botë afro 100 milionë fëmijë të vegjël vuajnë nga mungesa e vitaminës A, dhe mungesa e saj shkakton verbërinë. Gjithashtu, kjo dobëson sistemin imunitar, duke e ulur rezistencën e fëmijës ndaj infeksioneve.

Pasoja me shtrirje të gjerë

Të ushqyerit e keq bën kërdinë në trup, sidomos në trupin e fëmijëve. Pasoja mund të ketë çdo sistem dhe organ i trupit, duke përfshirë zemrën, veshkat, stomakun, zorrët, mushkëritë dhe trurin.

Studime të ndryshme kanë treguar se rritja e ngadaltë te fëmijët shoqërohet me një zhvillim mendor të dobët, intelekt të dobët dhe rezultate të dobëta në mësime. Një raport i Kombeve të Bashkuara i quan këto «pasojat më të rënda afatgjata të të ushqyerit të keq».

Fëmijët që arrijnë të mbeten gjallë nga të ushqyerit e keq mund t’i vuajnë pasojat edhe kur rriten. Ja pse UNICEF-i shprehej me keqardhje: «Kur intelekti njerëzor shteron në një masë kaq të madhe, për arsye që janë pothuajse plotësisht të parandalueshme, ky është një shpërdorim i tmerrshëm, madje kriminal.» Pra, pasojat afatgjata të të ushqyerit të keq janë shumë shqetësuese. Studimet e kohëve të fundit e lidhin prirjen për të vuajtur nga sëmundje kronike në moshë të rritur të tilla, si: sëmundjet e zemrës, diabeti dhe tensioni i lartë i gjakut, me të ushqyerit e pamjaftueshëm në foshnjëri.

Megjithatë, të ushqyerit e keq i formës së rëndë nuk është problemi më i përhapur, siç pohon edhe UNICEF-i: «Më shumë se tre të katërtat e të gjitha vdekjeve, për të cilat një ndër faktorët ka qenë të ushqyerit e keq, nuk lidhen me formën e rëndë të të ushqyerit të keq, por me format e tij të lehta dhe ato jo shumë të rënda.» (Kursivi është yni) Fëmijët që vuajnë nga format e lehta ose jo shumë të rënda të të ushqyerit të keq mund të vuajnë për një kohë të gjatë pasoja shëndetësore. Prandaj është jetësore të njihen simptomat e të ushqyerit të pamjaftueshëm te fëmijët me qëllim që ata të kurohen siç duhet.​—Shih kutinë në faqen 7.

Shkaqe me rrënjë të thella

Siç u tha më sipër, shkaku i drejtpërdrejtë i të ushqyerit të keq është mungesa e ushqimit. Por ka edhe shkaqe më të thella sociale, ekonomike, kulturore dhe të mjedisit. Kryesorja midis tyre është varfëria, nga e cila vuajnë miliona njerëz, sidomos në vendet në zhvillim. Megjithatë, përveçse është një ndër shkaqet, varfëria është edhe një pasojë, pasi të ushqyerit e pamjaftueshëm e ul rendimentin në punë, dhe kjo e shton edhe më shumë varfërinë.

Ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë. Mungesa e njohurisë krijon zakone jo të shëndetshme ngrënieje. Infeksionet, siç e pamë, luajnë rolin e tyre. Përveç këtyre ka edhe shkaqe sociale dhe kulturore të tilla, si shpërndarja e pabarabartë e ushqimit dhe diskriminimi i grave. Shpesh gratë hanë «të fundit dhe më pak». Kjo do të thotë se hanë pas burrave dhe më pak se ata. Gjithashtu gratë janë të privuara nga mundësitë për t’u arsimuar, gjë që do t’i ndihmonte ato të kujdeseshin më mirë për fëmijët e tyre.

Krahas kësaj, faktorët që lidhen me mjedisin shkaktojnë rënie të prodhimit. Këtu futen katastrofat natyrore dhe luftërat. Sipas The State of Food Insecurity in the World 2001, vetëm në periudhën nga tetori i vitit 1999 deri në qershor të vitit 2001, 22 vende u prekën nga thatësira, 17 nga uraganet ose përmbytjet, 14 nga luftërat ose konfliktet civile, 3 nga dimrat tej mase të ashpër dhe 2 nga tërmetet.

Kurimi dhe parandalimi

Si mund të kurohet fëmija nga të ushqyerit e keq? Nëse një fëmijë vuan nga të kequshqyerit e rëndë, shtrimi në spital mund të jetë gjëja më e mirë për të nisur kurimin. Sipas një udhëzuesi për mjekët, i botuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, mjekët do të japin vlerësimin për gjendjen e fëmijës dhe do ta mjekojnë nga ndonjë infeksion ose nga çhidratimi. Dhënia e ushqimit mund të fillojë gradualisht. Shpesh si fillim, ai bëhet me anë të një tubi. Kjo fazë fillestare mund të zgjasë deri në një javë.

Pas kësaj, nis faza e riaftësimit. Fëmijës i jepet përsëri qumështi i nënës dhe nxitet të hajë sa më shumë të jetë e mundur. Nxitja emocionale dhe fizike janë të rëndësishme gjatë kësaj faze. Kujdesi dhe dashuria mund të kenë një ndikim kaq të mirë në zhvillimin e fëmijës, saqë të habit. Ky është çasti kur nënës mund t’i jepen udhëzime se si të kujdeset për fëmijën me anë të një diete dhe të higjienës së duhur, në mënyrë që të shmangë rikthimin e sëmundjes. Pas kësaj, fëmijën e nxjerrin nga spitali. Është e rëndësishme që ai të çohet në spital ose në klinikë për vizita të mëtejshme.

Gjithsesi është e qartë se parandalimi është rruga më e mirë. Ja përse në shumë vende organizatat shtetërore dhe private kanë ngritur programe për plotësimin e ushqimit ose programe për të përmirësuar cilësinë e ushqimeve për konsumin e përgjithshëm. Edhe shoqëria ndihmon në shumë mënyra për parandalimin e të ushqyerit të keq. Ndër to përfshihen organizimi i programeve udhëzuese në fushën e të ushqyerit, mbrojtja e rezervave të ujit të pijshëm, ndërtimi i banjave, mbajtja pastër e mjedisit përreth, financimi i fushatave të vaksinimit dhe kujdesi për rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve.

Por, ç’mund të bëjë secili individualisht për të parandaluar të ushqyerit e keq? Kutia në faqen 8 jep disa këshilla të dobishme. Së bashku me ndjekjen e këtyre këshillave, dietologia pediatre Xhorxhina Tusaint këshillon që nëna të shkojë te pediatri ose në klinikë shtatë ditë pas lindjes së fëmijës, të kthehet kur ai është një muajsh dhe çdo muaj gjatë kohës në vazhdim. Gjithashtu, nëna duhet të kërkojë ndihmën e një profesionisti në fushën e shëndetit, po qe se fëmija shfaq simptoma të çhidratimit, diarre të fortë ose ethe.

Megjithëse këto këshilla ndihmojnë për të përmirësuar ushqimin e fëmijëve, duhet pranuar se të ushqyerit e keq është një problem shumë i përhapur, aq i përhapur, saqë zgjidhja e tij është përtej aftësive të njerëzve. Encyclopædia Britannica pranon: «Sidoqoftë, furnizimi me ushqim të mjaftueshëm dhe edukimi i të gjithë njerëzve në lidhje me mënyrën e të ushqyerit mbetet një problem kyç.» Atëherë, a ka shpresë që të mbarojë ndonjëherë kjo «urgjencë e heshtur»?

[Shënimi]

^ par. 3 Për më shumë informacion rreth Samitit Botëror për Ushqimin, shih revistën Zgjohuni! të 8 gushtit 1997, faqet 12-14, anglisht.

[Kutia në faqen 7]

A ËSHTË I KEQUSHQYER FËMIJA JUAJ?

Si e përcaktojnë specialistët e shëndetësisë se sa i ushqyer është fëmija? Ata mund të analizojnë shenja dhe simptoma të ndryshme, mund të bëjnë pyetje për zakonet e të ngrënit dhe të kërkojnë që fëmijës t’i bëhet një analizë në laborator. Megjithatë, në të shumtën e rasteve bazohen në matje mjaft të thjeshta. Bëhen matje në trupin e fëmijës dhe krahasohen këto me vlerat që duhet të ketë fëmija sipas normës. Kjo i ndihmon të përcaktojnë llojin e të ushqyerit të keq që po vuan fëmija dhe sa e rëndë është gjendja e tij.

Matjet më të rëndësishme janë pesha, gjatësia e përgjithshme dhe perimetri i krahut. Krahasimi i peshës me moshën zbulon shkallën e të kequshqyerit; në rast se gjendja është e rëndë, fëmija ka humbur shumë në peshë dhe duket kockë e lëkurë. Sëmundja quhet e rëndë, nëse pesha e fëmijës është më shumë se 40 për qind nën normë; jo shumë e rëndë, nëse është 25 deri në 40 për qind nën normë dhe e lehtë, nëse është 10 deri në 25 për qind nën normë. Një gjatësi shumë më e vogël se gjatësia normale, që duhet të ketë fëmija në përputhje me moshën, mund të zbulojë të ushqyerin e keq kronik. Në këtë rast, zhvillimi i fëmijës është i vonuar.

Format më të rënda të ushqyerjes së varfër në proteina dhe në kalori janë marazma, kvashiorkori dhe kombinimi i të dyjave. Marazma (dobësimi i vazhdueshëm) shfaqet te foshnjat nga 6 deri në 18-muajshe që ushqehen me gji. Kjo sëmundje zhvillohet ngadalë në formën e një mungese kronike të kalorive dhe të lëndëve ushqyese. Ajo zhvillohet si rezultat i të ushqyerit të pamjaftueshëm me gji ose kur qumështi i nënës zëvendësohet nga lëngje shumë të holluara. Është e dukshme që foshnja ka rënë shumë në peshë, muskujt janë kaq të dobët, saqë lëkura ngjitet pas kockave dhe rritja është e prapambetur. Gjithashtu, fëmija ka «fytyrën e një plaku». Është nervoz dhe qan shumë.

Termi kvashiorkor vjen nga një dialekt afrikan dhe do të thotë «fëmijë i hequr nga pozita». Ky term përdoret për një fëmijë, të cilit i ndërpritet ushqimi me gji, pasi vendin e tij e zë vëllai ose motra e sapolindur. Kjo sëmundje shfaqet pas heqjes së gjirit dhe, ndonëse përfshin edhe sasinë e pamjaftueshme të kalorive, zhvillohet nga një mungesë akute proteinash. Ajo bën që trupi t’i ruajë lëngjet dhe në këtë mënyrë këmbët, duart e fëmijës dhe barku duken të fryra. Ndonjëherë, pasojat shfaqen edhe në fytyrë, duke bërë që ajo të ngjajë si hëna e plotë. Dallohen dëmtime në lëkurë dhe ndryshime në ngjyrën e në përbërjen e flokëve. Mëlçia duket e fryrë dhe ata janë të plogësht dhe të trishtuar. Ky ishte edhe rasti i Erikut që u përmend më sipër. Nëna e ushqeu atë me gji vetëm muajin e parë të jetës së tij, pastaj i dha qumësht lope shumë të holluar. Kur ishte tre muajsh i jepnin supë me perime e ujë me sheqer dhe e lanë në kujdesin e një fqinje.

Forma e tretë e të ushqyerit të varfër në proteina dhe në kalori përfshin karakteristika si të marazmës, ashtu edhe të kvashiorkorit. Të gjitha këto sëmundje mund të jenë vdekjeprurëse, nëse nuk kurohen në kohë.

[Kutia dhe figura në faqen 8]

MBROJENI FËMIJËN TUAJ NGA TË USHQYERIT E KEQ!

▪ Është thelbësore që nëna të ushqehet më mirë. Gratë shtatzëna dhe ato me fëmijë në gji duhet të marrin më shumë kalori dhe proteina. Në veçanti, proteinat ndihmojnë në formimin e qumështit te nënat. Pra, kur ushqimi është me pakicë, duhet t’u jepet përparësi grave që janë në moshën kur mund të lindin fëmijë si edhe fëmijëve të vegjël.

▪ Pothuajse në të gjitha rastet, ushqimi më i mirë për një foshnjë është qumështi i nënës. Kjo, sidomos në ditët e para të jetës, pasi qumështi i nënës përmban antitrupa që e mbrojnë foshnjën nga infeksionet. Gjatë katër muajve të parë pak a shumë, qumështi i gjirit i jep foshnjës të gjitha lëndët ushqyese që i nevojiten për t’u rritur dhe për t’u zhvilluar siç duhet.

▪ Megjithëse qumështi i nënës mbetet ushqimi kryesor, në periudhën midis muajit të katërt dhe të gjashtë, foshnja është gati edhe për ushqime të tjera. Pak nga pak, filloni t’i jepni puretë me fruta dhe ato me perime. Filloni vetëm me një ushqim të ri. Dy ose tri ditë më vonë, pasi ai të jetë mësuar me të, jepini të provojë një tjetër. Sigurisht, para se foshnja të mësohet me një ushqim të ri, shpesh nevojitet durim dhe shumë përpjekje. Kur përgatitni këto lloj ushqimesh, mbani parasysh se çdo gjë duhet të jetë e pastër, e pastër dhe krejt e pastër. Lajini mirë ushqimet dhe enët e kuzhinës.

▪ Në periudhën midis muajit të pestë dhe muajit të nëntë, zakonisht bebet fillojnë të kenë më shumë nevojë për kalori dhe proteina, në krahasim me ato që marrin nga qumështi. Vazhdimisht dhe me këmbëngulje jepuni ushqime të reja. Si fillim mund t’i jepni ushqime për foshnjat që bëhen me drithëra dhe perime, kurse më vonë produkte të mishit dhe të qumështit. Ndonëse në fillim ushqimet mund të kullohen dhe t’u merret vetëm lëngu, nga muaji i gjashtë e në vazhdim ato mund të priten në copa të vockla. Nuk është e nevojshme dhe as e këshillueshme që t’u hidhet kripë ose sheqer.

▪ Pas tetë muajve, qumështi i nënës nuk është më ushqimi kryesor për foshnjën, por përkundrazi, një plotësues. Foshnja fillon të hajë ushqimin që ha e gjithë familja. Me shumë kujdes, ushqimi duhet të mbahet pastër dhe duhet të pritet në copa të vockla që të përtypet më me lehtësi. Dieta ideale duhet të përmbajë fruta dhe perime, drithëra e bishtajore, si edhe mish dhe produkte të qumështit. * Në veçanti, fëmijët kanë nevojë për ushqime të pasura me vitaminë A. Disa prej këtyre janë qumështi i gjirit, perimet me gjethe me ngjyrë të gjelbër të errët dhe frutat e perimet me ngjyrë të verdhë ose të portokalltë të tilla, si mangoja, karrota dhe papaja. Fëmijët nën moshën trevjeçare kanë nevojë të hanë pesë ose gjashtë herë në ditë.

▪ Në rast se përdorni sa më shumë që të jetë e mundur ushqime të shumëllojshme, të kombinuara në mënyra të ndryshme, kjo do të sigurojë lëndët ushqyese që mbrojnë fëmijën tuaj. Nëna duhet të ketë si qëllim që t’i japë fëmijës ushqim me vlera të larta ushqyese dhe të mos e detyrojë të hajë kur ai është i ngopur ose t’ia kursejë ushqimin kur është e qartë që ai po kërkon të hajë edhe më.

[Shënimi]

^ par. 43 Do të gjeni më shumë informacion në artikullin «Ushqimet me vlera janë brenda mundësive tuaja», në revistën Zgjohuni!, maj 2002.

[Figura]

Ekspertët janë të mendimit se pothuajse gjithmonë qumështi i nënës është ushqimi më i mirë për një të sapolindur

[Burimi]

© Caroline Penn/Panos Pictures

[Figura në faqen 7]

Fëmijë duke ngrënë bollgur dhe perime në një shkollë në Bhutan

[Burimi]

Fotografi nga FAO/Fotografi nga WFP: F. Mattioli

[Figura në faqen 9]

Mund të merrni masa për ta ushqyer më mirë fëmijën tuaj

[Burimi]

Fotografi nga FAO