Shtegtimi i madh
Shtegtimi i madh
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KENIA
TOKA gjëmon nga zhurma e një milion thundrave që e godasin. Trupa të shumtë që gulçojnë, dynden përpara, duke krijuar një re të madhe pluhuri të kuq. Kafshët me këmbët e holla rendin me galop, ndërkohë që tufa kalon nëpër lugina dhe kodra të valëzuara, përshkon lëndinat dhe kapërcen lumenj dhe përrenj. Ato shkojnë mizëri përpara, duke lënë pas rripa të gjerë me bar të shkulur deri në rrënjë. Kjo tufë e madhe me krijesa që pëllasin e ikin nga sytë këmbët krijon një nga spektaklet natyrore më madhështore të kafshëve të egra në tokë. Ky është shtegtimi i madh i antilopave afrikane të llojit Connochaetes taurinus.
Kopshti parajsor i Afrikës
Serengeti është një vend i shkretë. Ai shtrihet mes Tanzanisë dhe Kenias. Është një savanë tejet e madhe me reliev të valëzuar dhe me sipërfaqe rreth 30.000 kilometra katrorë. Këtu toka është e mbuluar nga një shtresë e pasur me lëndë vullkanike, duke krijuar kështu kushte të shkëlqyera për bimësinë e harlisur barishtore që e mbulon tokën si një qilim. Ka zona pyjesh me akacie dhe savana me pemë gjembore që sigurojnë
ushqimin për familjet e elefantëve, të cilët po kullotin me nge. Tufat e gjirafave lëvizin ngadalë, me hapa të mëdhenj e plot hijeshi përmes savanës.Në disa vende, shtresa graniti të lëmuar nga era dhe nga shiu ngrihen mbi sipërfaqen e rrafshnaltave dhe bëhen pika vrojtimi të shkëlqyera ku rrinë luanët dhe leopardët. Lumenj të rrëmbyeshëm që gjarpërojnë në këtë zonë janë të mbushur me hipopotamë dhe krokodilë. Jashtë në rrafshnaltat e gjera mund të shihen duke kullotur tufa me antilopa afrikane, antilopa brilakuar e shumë lloje të tjera antilopash. Zebrat e etura mblidhen në pellgjet me ujë dhe duke i rrethuar ato ngjajnë si gjerdanë me rruaza bardhë e zi. Gazelat dhe impalat pa u munduar kërcejnë në formë harku në distanca të mëdha përmes rrafshnaltave. Tufa të mëdha me buaj afrikanë që kanë brirë të mëdhenj e të lakuar dhe trupa muskulorë, kullotin dalëngadalë, duke e shkulur barin tufa-tufa me turinjtë e tyre të gjerë.
Në Serengeti gjenden me shumicë kope me luanë. Gjatë të nxehtit të ditës, ata dembelosen nën hijen e pemëve dhe të kaçubeve, e presin freskinë e natës për të filluar gjuetinë. Leopardët për shkak të pullave në trupin e tyre, pothuajse nuk duken fare kur shtrihen sa gjatë e gjerë dhe me elegancë në degët e sipërme të pemëve. Aty, ata maskohen nën gjethet e degëve ku rrezet e diellit krijojnë hije aty-këtu. Lëndinat e hapura janë një vend i shkëlqyer për vrapimet e shpejta si vetëtima të gatopardit. Trupi i dobët i bëhet gati i padallueshëm ndërkohë që sulet përmes rrafshnaltave në ndjekje të gjahut.
Vërtet, ekosistemi i Serengetit është një parajsë e botës shtazore, e cila të duket një mrekulli kur e sheh. Por janë tufat e mëdha me antilopa ato që formojnë një nga mrekullitë natyrore më të mëdha të botës shtazore.
Klouni i fushave
Rreth 1,5 milionë antilopa afrikane enden nëpër Serengeti. Kjo është një krijesë me pamje të çuditshme, me kokë të gjatë dhe sy që shkëlqejnë, të cilët ndodhen në pjesën e sipërme të kafkës larg njëri-tjetrit. Brirët e saj ngjashëm brirëve të lopës kanë formë drapri. Kurrizi bëhet i pjerrët në drejtim të kofshëve të pasme që duken të dobëta dhe nuk janë në përpjestim me qafën dhe shpatullat e forta të kafshës. Këmbët e dobëta e të holla mbajnë peshën e rëndë të trupit të antilopës. Me tufën e qimeve të bardha nën mjekër, krifën e errët në qafë dhe bishtin ngjashëm atij të kalit, antilopa afrikane duket si kombinim i disa kafshëve.
Shpesh, karagjozllëqet e antilopave ngjasojnë me ato të klounëve dhe janë zbavitëse. Kur mblidhen në tufa të mëdha pëllasin dhe kështu krijohet një zhurmë që ngjan
si kori i mijëra bretkosave. Duke qëndruar në fushat e hapura, ato kanë gjithmonë një pamje si të shushatur dhe të habitur, teksa shohin ngultas botën që i rrethon.Ndonjëherë, një antilopë mashkull vrapon si i marrë përmes fushave, duke u hedhur pupthi anash e duke vrapuar në formë rrethi. Duke tundur kokën, ai hedh shkelma e kërcen mbi këmbët e tendosura dhe e ngre pluhurin në një mënyrë qesharake. Disa thonë se këto veprime kanë si qëllim të bëjnë për vete femrat ose t’i paralajmërojnë meshkujt e tjerë me anë të një shfaqjeje trimërie. Megjithatë ndonjëherë, antilopa mashkull thjesht duket se ka dëshirë të lodrojë.
Lindur në një botë armiqësore
Kur është koha e duhur, antilopat lindin të vegjlit. Ato kanë aftësinë e pashoqe për të sinkronizuar lindjen e të vegjëlve, duke lindur 80 deri në 90 për qind të tyre brenda një periudhe trijavëshe. Gjatë kësaj kohe, tufa shtohet me mijëra antilopa të vogla që nxjerrin një zë si blegërimë. Nëna duhet të lidhet shpejt me të voglin e saj, sepse nëse kopeja ia mbath nga frika, është e lehtë që nëna të ndahet nga i vogli. Po të ndodhte kjo, mundësitë e tij për të mbijetuar i vetëm do të ishin të pakta.
Të vegjlit lindin në një botë armiqësore me grabitqarë që rrinë gjithmonë në pritë. Para se të lindë, femra pret derisa të mos ketë shenja rreziku. Megjithatë, nëse papritur has një grabitqar, ajo ka aftësinë e habitshme që ta ndërpresë procesin e lindjes dhe t’ia mbathë. Pastaj më vonë, kur nuk kërcënohet nga ndonjë rrezik, ajo është në gjendje ta çojë deri në fund lindjen e të voglit.
Edhe vetë i vogli duket se e ka të lindur ndjenjën e rrezikut dhe brenda pak minutash pas lindjes është në gjendje të qëndrojë në këmbë. Pas një jave, ai do të jetë gati për të vrapuar me shpejtësi 50 kilometra në orë nëpër fusha.
Koha për të shtegtuar
Antilopat shtegtojnë në tufa të mëdha përmes Serengetit. Arsyeja kryesore që ato largohen në masë është shiu. Reshjet e shiut drejtohen nga sistemet e motit që veprojnë në formë ciklesh vjetore. Gjatë vitit, brenda kufijve të kësaj savane tejet të madhe, zakonisht ka gjithmonë ndonjë vend ku bie shi.
Çdo ditë, antilopat kanë nevojë për ujë dhe për bar për t’u ushqyer. Ato qëndrojnë në të njëjtën zonë përsa kohë që kanë ushqim dhe ujë. Por ndërkohë që stina e thatë vazhdon, bari i fushave nis të thahet dhe burimet
e ujit zhduken. Tufat e antilopave nuk mund të rrinë e të presin që shiu të vijë tek ato. Janë ato që duhet të shkojnë te shiu.Kudo që bie shi, fushat e thata transformohen shpejt. Brenda pak ditësh, filizat e vegjël të gjelbër çajnë dheun për të dalë në sipërfaqe dhe bari rritet vrullshëm. Këta filiza të njomë janë të mbushur me lëndë ushqyese dhe me lagështirë. Kjo gjë i tërheq shumë antilopat.
Këto krijesa kanë aftësi të zbulojnë se ku bie shi, edhe në distanca të mëdha. Askush nuk mund të thotë me siguri se nga e dinë ato që po bie shi në pjesë tjetër të Serengetit. Nuk dihet nëse e bëjnë këtë duke parë retë e fryra të shiut që ngrihen shumë lart atje tej apo duke nuhatur lagështirën në ajrin e thatë. Gjithsesi, për të mbijetuar tufat duhet të shtegtojnë. Dhe çfarë shtegtimi!
Udhëtim i rrezikshëm
Në fillim nisja bëhet dalëngadalë. Antilopat janë kafshë që rrojnë në tufa; kur njëra nga kafshët fillon të ecë në një drejtim të caktuar, të tjerat përreth, e ndërpresin kullotjen dhe përpiqen ta ndjekin. Shpejt e gjithë tufa dyndet përpara ngjashëm një eksodi mbresëlënës. Të shtyra nga uria dhe nga etja, ato shkojnë përpara. Ndonjëherë vrapojnë. Herë të tjera çapiten me zor në radhë të gjata, duke formuar gjurmë të thella në tokën me pluhur.
Udhëtimi i tyre është plot rreziqe. Grabitqarët ndjekin tufat e mëdha të thundrakëve, duke i bërë sytë katër që të dallojnë ndonjë kafshë që është e ngadaltë, e çalë ose e sëmurë. Duke shkuar përpara, antilopat hyjnë në territorin e tufave me luanë, të cilët u zënë pusi. Të fshehur mes barit të gjatë, luanët e mëdhenj u sulen kafshëve që po kullotin në tufa, duke bërë që ato të shpërndahen nga tmerri. Leopardët, gatopardët, qentë e egër dhe hienat përfitojnë nga ndonjë kafshë që mbetet prapa ose që është larguar nga tufa. Kur grabitqarët vrasin ndonjë kafshë shfaqen hutat. Teksa zihen dhe luftojnë për të marrë atë që ka mbetur, ato nuk lënë asgjë, përveç një skeleti, i cili nën diellin e nxehtë të Afrikës bëhet i bardhë.
Lumenjtë e rrëmbyeshëm krijojnë pengesa të frikshme që tufa duhet t’i kapërcejë. Është një pamje spektakulare të shohësh mijëra kafshë që hidhen nga brigjet e larta në ujë që të kapërcejnë lumin. Shumica dalin shëndoshë e mirë në anën tjetër. Të tjera i merr rryma ose krokodilët që presin pikërisht nën sipërfaqen e ujit. Ky udhëtim i rrezikshëm bëhet çdo vit. Në përfundim, kafshët mund të kenë përshkuar një distancë rreth 3.000 kilometra.
Njeriu—Grabitqari më i madh
Për mijëra vjet, ndikimi i njeriut te shtegtimi i antilopave ka qenë i paktë. Tani, njeriu përbën kërcënimin kryesor për këtë spektakël. Dhjetëvjeçarët e fundit qeveritë e Tanzanisë e të Kenias janë përpjekur të mbrojnë kafshët e Serengetit. Megjithatë, ndonëse shtegtimi i antilopave bëhet kryesisht brenda kufijve të mbrojtura të rezervateve të kafshëve të egra, mijëra kafshë zihen në kurth dhe vriten në mënyrë të paligjshme nga gjuetarët pa leje. Të pajisur me kurthe të ndërtuara me tela, me shigjeta të helmatisura dhe me pushkë, ata i gjuajnë kafshët për t’u siguruar mish dhe trofe blerësve të paduruar. Një ushtri me roja kafshësh dhe me rojtarë pyjesh patrullon zonat e mbrojtura, por Serengeti është kaq i madh, saqë është e pamundur ta mbrosh plotësisht. Ndërkohë që popullsia e njerëzve rritet, presioni për t’i shpërdoruar këto savana bëhet më i madh. Rezervimi i zonave të mëdha për botën shtazore është një çështje e vështirë që vazhdimisht ka ngjallur debate.
Dikur, miliona bizonë u binin kryq e tërthor fushave të Amerikës së Veriut. Tani nuk janë më. Disa kanë frikë se mos i njëjti fund i pret edhe tufat e mëdha të antilopave që kanë mbetur në Afrikën Lindore. Do të ishte e hidhur të ishim dëshmitarë të zhdukjes së kësaj mrekullie mbresëlënëse të natyrës. Mezi presim ditën kur nën sundimin e drejtë të Perëndisë, njerëzit dhe kafshët do të jetojnë në një ekuilibër të përsosur dhe në harmoni. (Isaia 11:6-9) Ndërkohë do të vazhdojmë të mrekullohemi nga ky spektakël që të ngjall nderim, nga shtegtimi i madh i antilopave afrikane.
[Figura në faqen 18]
Tufat duhet të kapërcejnë lumenj të rrëmbyeshëm