Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A janë këpucët tuaja vërtet të rehatshme?

A janë këpucët tuaja vërtet të rehatshme?

A janë këpucët tuaja vërtet të rehatshme?

«Asnjeri nuk e di se ku shtrëngon këpuca më mirë se ai që e vesh.»​—MENDOHET TA KETË THËNË NJË DIJETAR ROMAK.

KUR ishte hera e fundit që bletë një palë këpucë? Si ju rrinin? A ishin të rehatshme? Sa kohë ju është dashur për t’i zgjedhur? Sa ju ndihmoi shitësi apo ndihmësi? A i bletë më tepër sepse ju pëlqeu modeli dhe jo sepse ishin të rehatshme? Si ju rrinë tani që i keni veshur disa herë? A ju shtrëngojnë në ndonjë vend?

Të blesh këpucë nuk është aq e lehtë sa duket. Kurse të gjesh masën e duhur është pothuajse si të ecësh në një labirint. Përse themi kështu?

Bëni zgjedhjen e duhur

Para së gjithash, cilën këmbë keni më të madhe, të djathtën apo të majtën? A mendoni se janë të dyja të barabarta? Mendohuni mirë! Një faktor tjetër që duhet të keni parasysh është se secila këmbë ka katër gjendje, në të cilat këpuca duhet të rrijë mirë: gjendja statike, gjendja mbajtëse, gjendja funksionale dhe gjendja termale. Cilat janë ndryshimet midis tyre?

Përsa i përket gjendjes statike, libri Professional Shoe Fitting thotë: «Kjo do të thotë se si rri këpuca kur këmba nuk lëviz (kur klienti rri ulur).» Kurse në gjendjen mbajtëse matja bëhet kur personi qëndron në këmbë. Ky pozicion ndryshon masën dhe formën e këmbës. Libri i cituar më sipër thotë: «Në prehje, këmba është në të vërtetë si një thes me kocka dhe deje, i cili është i liruar, dhe që ‘shtrëngohet’ menjëherë kur rrimë në këmbë, dhe kështu këmba kërkon kushte të tjera.» Por ka edhe dy gjendje të tjera.

Gjendja funksionale është se si na rrinë këpucët kur jemi në lëvizje, si kur ecim, vrapojmë, kërcejmë ose bëjmë ndonjë ushtrim tjetër. Kjo «bën që madhësia, forma dhe përmasat e këmbës të ndërthuren në mënyra të ndryshme». Gjendja termike ka të bëjë me ndryshimet që ndodhin si pasojë e nxehtësisë, e lagështirës dhe e djersitjes. Këto mund të rritin 5 për qind vëllimin e këmbës. Kuptohet që është një lehtësim t’i heqësh këpucët në fund të ditës, sidomos kur nuk kanë masën e duhur. Kjo e fundit ndodh shpesh.

Si e matni numrin e këmbës?

Për vite me radhë, Eriku ka blerë këpucë me numër dhe 44 e gjysëm ose 45, me gjerësi mesatare. Në të njëjtën kohë, e bezdiste vazhdimisht kalloja dhe thoi që i kishte hyrë në mishin e gishtit të madh të këmbës së majtë. Podiatristja i sugjeroi të pyeste një profesionist në lidhje me numrin e këmbës. Për habinë e Erikut, numri që do ta bënte të ndihej rehat duhej të ishte afërsisht 47, me gjerësi A. Gjerësia «A» tregon se këmba është e ngushtë. Por, a mjaftojnë dy përmasa të vetme, gjatësia dhe gjerësia, për t’u siguruar që këmba ndihet rehat? Si duhet t’i matim këmbët?

Një mjet i njohur për të llogaritur masën në disa vende është pajisja Brenok. (Shiko fotografinë.) Kjo mund të përdoret për të bërë tri matjet kryesore: gjithë gjatësinë e këmbës, lartësinë nga thembra deri te kyçi, dhe gjerësinë e barbullit. Por, sigurisht që çdo këmbë ka formën dhe vëllimin e saj. Është e qartë se për këtë arsye i provojmë këpucët para se t’i blejmë. Këtu mund të gënjehemi. A ju ka ndodhur ndonjëherë të provoni këpucë që ju pëlqejnë vërtet, por pastaj zbuloni se ju shtrëngojnë paksa? Shitësi thotë: «Këpucët do të hapen.» I blini dhe, pasi i vishni për disa ditë ose javë, pendoheni që i bletë. Dhe ja, fillon t’ju dalë një kallo tjetër, një lungë ose t’ju hyjë thoi në mish.

A mund të gjesh një masë të përsosur?

A mund të gjesh një masë të përsosur? Professional Shoe Fitting përgjigjet menjëherë që jo. Pse jo? «Për shkak të disa vështirësive të pakapërcyeshme. . . . Asnjeri nuk i ka të njëjta që të dyja këmbët përsa i përket madhësisë, formës, përmasës ose mënyrës së funksionimit.» Kështu që, nëse këpuca ju rri shumë mirë në këmbën më të madhe, nuk do të rrijë dhe aq mirë në tjetrën. «Kjo nuk do të thotë që nuk mund të gjejmë një masë të përshtatshme, por vetëm që duhet të jemi më të kujdesshëm lidhur me përdorimin e termit ose me idenë që kemi për masën ‘e përsosur’.»

Nëse dëshironi të shihni se ku ju shtrëngon këpuca, hidhuni një sy disa prej këpucëve të vjetra që keni përdorur. Shikojeni shtresën e brendshme të këpucës. Në ç’vend shikoni se janë prishur më shumë? Shpesh, te vendi ku rri thembra, mbrapa thembrës dhe në barbullin e këmbës. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë që «disa pjesë të këpucës nuk përshtaten siç duhet me pjesët përkatëse të këmbës. Disa pjesë prishen tepër, kurse disa të tjera janë pothuajse të paprekura».

Madje edhe qafa e këpucës është e rëndësishme për të qenë të rehatshme. A e keni vënë re se këpucët mund të kenë modele të ndryshme veshësh? Në modelin bal të dy veshët bashkohen në fund të dy vrimave të tyre. Megjithatë, nëse keni këmbë topolake, atëherë do të ndiheni më rehat me lidhjen e stilit blucher, meqenëse të dyja anët e vendosjes së lidhëseve ndahen nga njëra-tjetra. (Shiko figurën.) Përse është e rëndësishme kjo hollësi? I njëjti burim thotë: «Shumë ose shumica e acarimeve të thembrës, të shkaktuara nga këpucët, shpesh ndodh sepse qafa është shumë e ngushtë, e cila e ngjesh thembrën drejt fortesës.»

Ç’mund të themi për këpucët me taka të larta të grave?

Parapëlqimi i grave për taka të larta i shkakton trupit vështirësi të ndryshme. Takat e larta kanë prirje të ndryshojnë qëndrimin e trupit, duke shkaktuar shpesh që trupi të anojë përpara dhe, si pasojë, gjunjtë përkulen më shumë që trupi të rrijë drejt. Gjithashtu, takat e larta tkurrin muskujt e pulpës, të cilët bëhen më të ngritur.

Prandaj taka zakonisht është pjesa kryesore e këpucës së grave dhe çelësi që përcakton rehatinë apo parehatinë e saj. Professional Shoe Fitting thotë se ekzistojnë tri arsye kryesore përse mbahen takat e larta: ‘(1) «spikatja», për t’u dukur më të gjatë, (2) për qëllim zbukurimi​—një punim apo modelim i veçantë i këpucës dhe (3) për një pamje më tërheqëse, për shembull fakti që këto taka të larta paraqesin më mirë formën e këmbëve’.

Gratë duhet të jenë veçanërisht të ndërgjegjshme për lartësinë e takës, e cila përcakton se në ç’pjesë të takës bie pesha e trupit. Nëse pesha e trupit bie mbi skajin e përparmë apo të pasmë të takës mund të jetë e rrezikshme. Përse themi kështu? Sepse kështu taka mund këputet dhe mund të shkaktojë një rrëzim të keq.

Nga ky trajtim i shkurtër, është e qartë se të gjesh këpucët e duhura kërkon kohë dhe madje mund të kushtojë më shumë, meqenëse një këpucë e mirë do më shumë kohë të prodhohet. Por, këpucët mund të ndikojnë shumë në rehatinë në përgjithësi, e madje edhe në shëndetin tuaj. Prandaj mos u nxitoni! Bëni matjet e duhura. Kini durim! Mos u mashtroni nga moda ose nga pamja e jashtme.

[Kutia në faqen 20]

Faktorë të rëndësishëm që duhet të kini parasysh kur zgjidhni këpucët

Uilliam A. Rosi dhe Ros Tenënti japin sugjerimet e mëposhtme në librin Professional Shoe Fitting:

«Qëllimi i matjes së këmbëve nuk është ashtu siç mund të mendojë dikush​—për të përcaktuar me përpikmëri përmasën e këpucëve.» Përse themi kështu? Sepse përmasat e këpucës mund të ndikohen nga shumë faktorë, si: lartësia e takës, stili, modelet, materialet e përdorura dhe nga prodhuesi. Kjo është veçanërisht e vërtetë sot, kur këpucët prodhohen në shumë vende dhe me një larmi standardesh.

Kur matni këmbën, tërhiqeni majën e çorapit përpara, me qëllim që gishtat të mos përkulen dhe si pasojë matja të bëhet gabim.

Si duhet t’i bëni matjet? Të ulur apo në këmbë? «Mënyra më e lehtë mund të jetë që klienti t’i matë duke ndenjur ulur.» Kjo bën që t’i matni gabim. Prandaj qëndroni në këmbë kur bëhen matjet. Matini të dyja këmbët! Mos mendoni thjesht që këmba e majtë është më e madhe. Matini të dyja!

«Aftësia për të gjetur këpucë që ju rrinë mirë është zotësi dhe është specialiteti i një grup njerëzish shumë të talentuar. Këta punojnë në dyqane model, ku e kuptojnë dhe e vlerësojnë faktin se sa e rëndësishme është të kenë një personel të tillë.»

[Diagramet në faqen 19]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Pjesët përbërëse të këpucës

sholla

faqja

harku

astar shtroje

lapetë sholli

sipërtaka

kapaku

sholla

xhiri

faqja

harku i veshit

llapa

veshi

astar i takës

taka

[Figurat në faqen 20]

Pajisja Branok

[Figura në faqen 21]

Të gjitha dizenjot e këpucëve bazohen në këto shtatë modele kryesore

[Figurat në faqen 21]

Modelet e veshëve

«Blucher»

«Bal»