Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Misteri i Kahokisë

Misteri i Kahokisë

Misteri i Kahokisë

KUR mendoni për qytetet historike, cili ju vjen ndërmend? Roma, Londra, Parisi? Po Kahokia? ‘Kahokia?!’​—mund të pyesni. Po, Kahokia. Ai ndodhet në Ilinois, trembëdhjetë kilometra nga Sent-Luisi në drejtim të lindjes, në Misuri, ShBA. * Duke qenë i madh, shumë i zhvilluar dhe i projektuar mirë, për 500 vjet me radhë ai u rendit si një qytet i shquar i indianëve të Amerikës. Në kulmin e qytetërimit të tij, rreth vitit 1150 e.s., Kahokia ishte më e madhe edhe se Londra ose Roma e asaj kohe.

Me një shtrirje prej më shumë se trembëdhjetë kilometrash katrorë, sipas një burimi, Kahokia «ishte padyshim qyteti më i madh parahistorik në veri të Meksikës». (Encyclopedia of North American Indians) Për më tepër, përgjatë gjithë luginës së lumit Misisipi, ndodhen rrënojat e kodrave artificiale, përkujtuese të heshtura që dëshmojnë se dikur këtu ekzistonte një qytetërim i lulëzuar. Në fakt, vetë Sent-Luisi u quajt Qyteti i Kodrave Artificiale përpara se zgjerimi urban të shkatërronte 26 kodra artificiale që ndodheshin brenda kufirit të tij.

Një vend historik i mbrojtur

Disa indianë të Amerikës e shikojnë Kahokinë si pikën fillestare nga e cila shumë fise mund të përcaktojnë origjinën e tyre. Në librin The Native Americans thuhet se «pasardhësit e banorëve të Misisipit që ndërtonin këto lloj kodrash u bënë fiset Çikasau, Seminolë dhe Çoksau». Një burim tjetër thotë që banorët e Misisipit ishin paraardhësit e Krikëve, të Çirokëve, të Neçizëve dhe të fiseve të tjera.

Në fillim Kahokia përmbante 120 kodra ose pirgje të mëdha dheu. Por tani, pasi kanë kaluar shumë vite që kur është përhapur bujqësia dhe qytetet janë zgjeruar, kanë mbetur vetëm 80 të tilla. Nga këto, 68 shtrihen brenda kufijve të vendit, i cili është 890 hektarë.

Që prej vitit 1925, Kahokia mbrohet si një Vend Historik i shtetit të Ilinoisit. Kurse në vitin 1982, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë i quajti kodrat artificiale të Kahokisë si një vend të Trashëgimisë Botërore, për shkak të rëndësisë që kanë për të kuptuar historinë e hershme të Amerikës së Veriut.

Përse u ndërtua këtu?

Duke filluar që në vitin 700 e.s., zona përreth Kahokisë banohej nga indianët që i përkitnin kulturës së Udlendit të vonë. Sidoqoftë, këto pirgje dheu u ndërtuan rreth 200 vjet më vonë. Përse u ndërtua këtu Kahokia? Për të njëjtat arsye që Sent-Luisi u ndërtua aty afër. Vendi ndodhet pranë bashkimit të tre lumenjve kryesorë: Misisipit, Misurit dhe Ilinoisit, në fushën lumore pjellore, të cilën gjeologët e quajnë Shtrati i Amerikës.

Lumenjtë dhe degët e tyre ishin plot me peshq dhe zogj uji shtegtues. Pyjet përreth siguronin jo vetëm lëndë druri, por edhe gjah, veçanërisht drerin bishtbardhë​—një burim kryesor për mish. Pasuri të tjera, si bazalti, okëri i kuq, galeniti dhe graniti, vinin nga Rrafshnalta e Ozarkut që ndodhej aty afër. Nëpër stepa kishte shumë barëra me kërcell të lartë për të ndërtuar shtëpi dhe ndërtesa të tjera për një popullsi që arriti një maksimum prej rreth 20.000 ose më shumë banorësh. Fusha lumore prodhonte një bollëk të korrash që përfshinin misrin, nenëzën, kungujt, kungulleshkat dhe lulediellin. Kahokasit mblidhnin gjithashtu arra pecans, arra hickory, manaferra dhe kumbulla të egra. Për më tepër, lumenjtë u jepnin mundësi të bënin tregti në të gjitha drejtimet. Në Kahoki janë zbuluar guaska nga Gjiri i Meksikës, bakër nga rajonet e Liqeneve të Mëdha të Amerikës së Veriut dhe mika nga malet Apalashe.

Jeta dhe besimi i kahokasve

Në qendrën e mikpritjes së vizitorëve ndodhet një pamje me përmasa natyrore që përshkruan veprimtaritë e veçanta të jetës së përditshme në Kahoki, të cilat përfshijnë rrjepjen e drerit dhe bluarjen e misrit. Në themel të qytetërimit të Kahokisë, përveç njohurisë për kultivimin e misrit, ishte edhe mundësia për të shfrytëzuar burimet e tjera natyrore.

Një arkeolog e përshkroi Kahokinë si «Jerusalemi i Amerikës së Veriut», meqë feja duket se ka ndikuar në çdo fushë të shoqërisë. Një burim tjetër thotë që «në kulmin e zhvillimit të saj (vitet 1000-1150 e.s.) Kahokia drejtohej nga sundimtarë që mendohej se udhëhiqeshin në mënyrë hyjnore». Punimet artizanale të gjetura këtu tregojnë që sipas mendimit të kahokasve feja dhe shoqëria ishin të pandashme. Sipas librit Cahokia​—City of the Sun (Kahokia: Qyteti i diellit), bota e tyre ishte plot me elemente të kundërta: errësira dhe drita, rregulli dhe anarkia, shpërblimi i së mirës dhe dënimi i së keqes.

Kahokasit besonin në botën e përtejme. Prandaj të vdekurit varroseshin me nder dhe shpeshherë me ceremoni të ndërlikuara, veçanërisht personat e shquar. Disa prej pirgjeve të dheut që ndërtonin ishin tuma, pra varre. Këto mund të kenë luajtur një rol të ngjashëm me atë të piramidave të faraonëve të Egjiptit.

Një vizitë përreth kodrave artificiale

Le t’u hedhim një vështrim më nga afër këtyre pirgjeve të dheut. Edhe pse ndryshojnë në madhësi dhe në formë, të gjitha janë të bëra me baltë, e cila transportohej me shporta në vendet e ndërtimit të kodrave. Është përllogaritur se në këtë mënyrë gjithsej u transportuan afro 1,5 milion metra kub dhe.

Ka tri lloje kodrash artificiale ose pirgjesh dheu. Ka kodra me kreshtë lineare, të cilat mund të shërbenin si shenja orientimi, megjithëse disa përmbajnë varre. Gjithashtu ka edhe kodra konike, të cilat mund të shërbenin për varrime, si edhe kodrat platformë, të cilat arrinin gati një metër deri në 30 metra lartësi dhe shërbenin si themel për ngritjen e ndërtesave. Sipër kodrave platformë zakonisht kishte tempuj, banesa për këshillin ose banesa të personave të shquar.

Ndalesa jonë e parë ishte te Kodra 72, e ndërtuar sipër tri tumave të vogla. Ajo është 43 metra e gjatë, 22 metra e gjerë dhe mezi arrin 2 metra lartësi. Nuk është shumë e madhe në krahasim me të tjerat, por nga ajo është nxjerrë një grumbull i jashtëzakonshëm me punime të çmuara artizanale, të cilat hedhin dritë mbi Kahokinë. Në këtë kodër gjendej varri i një burri, i cili mund të ketë qenë udhëheqës i shquar. Mendohet kështu sepse afërsisht 20.000 rruaza guaskash nga bregu i Gjirit të Meksikës ishin shpërndarë poshtë burrit. Përveç kësaj, dhuratat e varrimit që ishin vendosur bashkë me të përfshinin 800 maja shigjetash, 15 gurë të lugët për t’u përdorur në lojërat indiane, një grumbull i madh mikash dhe një rrotull bakri. Gjithashtu, këtu ishin varrosur rreth 300 njerëz të tjerë, shumica vajza të reja, pjesa më e madhe ndoshta si flijime njerëzore.

Kodra e Murgjve: Përse kaq e veçantë?

Tani le të drejtohemi për në veri, përmes sheshit qendror të Kahokisë drejt Kodrës së Murgjve. Ajo quhet kështu pasi murgjit trapistë, të cilët në vitet 1800 jetuan aty pranë, kultivuan një kopsht në kodër. Është kodra artificiale më e madhe e Kahokisë dhe ka formë të ngjashme me një piramidë të prerë horizontalisht, por me katër tarraca në nivele të ndryshme. Është ndërtuar gjatë 14 periudhave të ndryshme dhe besohet se u ndërtua midis viteve 900 dhe 1200 e.s. Baza e saj është më shumë se 6 hektarë, «më e madhe se çdo piramidë e Egjiptit ose e Meksikës». Kodra ngrihet deri në 30 metra lartësi dhe është më shumë se 300 metra e gjatë, duke qenë kështu ndërtesa më e madhe prej balte e periudhës përpara ardhjes së Kolombit, në Hemisferën Perëndimore. Në anën jugore të Kodrës së Murgjve ndodhet një rrugë e pjerrët që të çon lart në tarracat e sheshta. Gërmimet tregojnë se në këtë rrugë të pjerrët ndoshta kishte shkallë.

Asnjë njeri i thjeshtë nuk lejohej të ngjitej në majë të këtyre shkallëve. Në majë ndodhej një ndërtesë e madhe. Ai ishte vendbanimi i sundimtarit të Kohokisë​—një prijës shumë i nderuar, i njohur si Dielli i Madh. «Atje kreu dhe priftërinjtë e tij ndoshta kryenin rite fetare dhe detyra administrative, mbikëqyrnin zotërimet e tyre dhe përshëndetnin emisarët që vinin nga vende të thella»,​—thuhet te Cahokia​—City of the Sun. Nga kjo pikë e favorshme vrojtimi, prijësi mund të vrojtonte poshtë, me vëmendje ndërtesat e ndryshme të qytetit, të cilat përfshinin banesat e këshillit, grunarët, ndërtesat për ruajtjen e ushqimit, banjat me ujë të nxehtë, varrezat dhe vendbanimet e qytetarëve.

Prijësi gjithashtu mund të vrojtonte gardhin mbrojtës me kullat e shumta të vrojtimit që rrethonte qytetin. Gardhi rrethues me një gjatësi prej rreth tri kilometrash u rindërtua tri herë dhe çdo rindërtim kërkonte deri në 20.000 pemë. Disa arkeologë besojnë që ky shërbente si një pengesë për t’u ndarë nga bashkësitë e tjera. Por ndoshta shërbente edhe për t’u mbrojtur. Megjithatë, se kush ishin armiqtë e kahokasve, mbetet një mister.

Çfarë u ndodhi kahokasve?

Edhe ky është një tjetër mister. Rreth vitit 1500 e.s. Kahokia u braktis. Çfarë ndodhi? Teoritë janë të shumta. Dëshmitë e zbuluara deri më sot nuk tregojnë shenja të ndonjë epidemie, të ndonjë pushtimi ose të ndonjë katastrofe natyrore. Ndoshta një kombinim faktorësh, të cilët përfshijnë ndryshimin e klimës dhe shpyllëzimin, thatësirën që erdhi si pasojë, urinë dhe trazirat shoqërore. Disa shkencëtarë besojnë se Kahokia mund të ketë vuajtur nga të njëjtat probleme shoqërore që pllakosin qytetet moderne, si ndotja, mbipopullimi, hedhja e mbeturinave në vende të papërshtatshme dhe ndoshta konfliktet civile. Por, meqenëse nuk ekziston asnjë kahokas për të përshkruar mënyrën e tij të jetesës, mbeten kaq shumë mistere të pazbuluara.

[Shënimi]

^ par. 2 Emri Kahokia iu dha gjatë viteve 1800. Disa besojnë se kjo fjalë do të thotë «qyteti i diellit». Specialistë të tjerë besojnë se do të thotë «pata të egra». Nuk ka asnjë dëshmi të shkruar që tregon se si e quanin banorët veten ose qytetin e tyre.

[Kutia dhe figurat në faqet 14, 15]

CILA ËSHTË ORIGJINA E KAHOKISË?

Ka shumë hamendje rreth origjinës së qytetërimit së Kahokisë dhe specialistët nuk japin të njëjtën përgjigje. Frensis Xhenings, drejtor nderi i Qendrës së Bibliotekës Njuberi për Historinë e Indianëve të Amerikës, është i bindur se kolonistët e hershëm nga Amerika Qendrore e sollën misrin dhe arkitekturën e tyre në luginën e Misisipit. Ai shkruan: «Kolonistët me sa duket krijuan një epërsi tregtare në një shkallë kaq të madhe mbi fiset indiane në luginën e Misisipit saqë në hartë dukej më shumë ngjashëm një perandorie. Ata sollën nga Amerika Qendrore praktikën e ndërtimit të piramidave të prera dhe të ngritjes së tempujve e të strukturave administrative mbi platformat më të larta.»

Megjithatë, Xheningsi e pranon se ka shumë gjëra të paqarta. «Arkeologët debatojnë në lidhje me faktin nëse misisipasit ishin kolonistë nga Meksika dhe janë shumë të pavendosur në lidhje me këtë çështje, duke mos dhënë asnjë mundësi të besueshme.»

Xhorxh E. Stjuarti, në librin e tij Ancient Pioneers​—The First Americans, thotë: «Për shumë arkeologë dhe historianë arti, kodrat platformë të rregulluara rreth shesheve» dhe disa enë balte «tregojnë qartë ndikimin, ndoshta jo të drejtpërdrejtë të Amerikës Qendrore siç bënë llojet e misrit dhe të bathëve që ndodhen në këto vende». Sidoqoftë, ekziston një farë dyshimi në fjalët e tij: «Në juglindje nuk është gjetur asnjë punim artizanal që të jetë plotësisht prodhim i Amerikës Qendrore.» Kështu mbetet një mister: Kush ndikoi te banorët e Kahokisë? A ishin kolonistët e Amerikës Qendrore? Ndoshta një ditë koha dhe arkeologjia do ta japin një përgjigje.

[Figurat]

Maja shigjetash dhe gurë që janë gjetur në Kodrën 72

[Kutia dhe figurat në faqet 16, 17]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

QENDRA ASTRONOMIKE E KAHOKISË

Një tjetër veçori e Kahokisë është një seri «rrathësh të përsosur që formoheshin nga shtyllat e mëdha dhe me largësi të barabartë, të cilat dikur dilnin nga sipërfaqet e sheshta të kodrave». (Revista National Geographic, dhjetor 1972) Këto janë quajtur woodhenges, për shkak të ngjashmërisë që kanë me kalendarin e hershëm diellor prej guri në Stonehenge, në Angli.

Një woodhange është restauruar. Është një rreth me diametër 125 metra, i përbërë nga 48 shtylla të mëdha e të kuqe prej cedri dhe disa mendojnë se shërbente për të vëzhguar diellin. Shtyllat janë «të radhitura sipas pikave të horizontit dhe të rregulluara në mënyrë që shtylla e dyzetëenëntë që gjendet jashtë rrethit t’i jepte mundësi vrojtuesit që ishte brenda, të shikonte lindjen e diellit në ekuinokset dhe solsticet në vitin 1000 e.s.».

Arkeologët kanë arritur të përcaktojnë se për ç’qëllim përdoreshin vetëm tre prej shtyllave. Një shtyllë tregon ekuinokset, ditën e parë të pranverës dhe të vjeshtës, kur dielli ngrihet në të njëjtin vend. Dy të tjerat tregojnë lindjen e parë të diellit në solsticin e dimrit dhe në solsticin e verës. Qëllimi i shtyllave të tjera ende nuk dihet.

[Figura]

Woodhenge

[Burimi]

Vendi historik shtetëror i kodrave të Kahokisë

[Figurat]

Përshëndetja për lindjen e diellit

Një treg i Kahokisë

Veprimtaritë e banorëve

[Burimi]

Tre pikturat në mes: Vendi historik shtetëror i kodrave të Kahokisë/Michael Hampshire

[Figura]

Si mund të ketë qenë Kahokia rreth vitit 1200 e.s. sipas përfytyrimit të artistëve. Në kulmin e zhvillimit të tij qyteti kishte afërsisht 20.000 banorë

1. Kodra e Murgjve

2. Sheshi qendror

3. Kodrat binjake

4. Gardhi rrethues

[Burimi]

Vendi historik shtetëror i kodrave të Kahokisë/William R. Iseminger

[Hartat në faqen 14]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Zonë e zmadhuar

Lumi Ilinois

Lumi Misisipi

Lumi Misuri

Sent-Luisi

Kodrat e Kahokisë

[Burimi]

Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Figura në faqen 15]

Pllaka e luftëtarit me krahë zogu të Kahokisë

[Figura në faqen 17]

Kodra me kreshtë lineare

[Figura në faqen 17]

Kodra konike

[Figura në faqen 17]

Kodra platformë

[Figurat në faqen 18]

Qendra e informacionit për kodrat e Kahokisë

Kodra e Murgjve

[Burimi]

Pikturat sipër dhe poshtë: Vendi historik shtetëror i kodrave të Kahokisë

[Burimi i figurave në faqen 15]

Të gjitha fotografitë: Vendi historik shtetëror i kodrave të Kahokisë