Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Arinjtë polarë në rrezik

Duke folur rreth një studimi të bërë nga Fondi Botëror për Natyrën (WWF), gazeta gjermane Nassauische Neue Presse thotë: «Ekzistenca e arinjve polarë kërcënohet rëndë për shkak të ngrohjes së klimës.» Sipas WWF-së, në Arktik, sasia e akujve të detit ose e akujve notues​—habitati kryesor dhe terreni ku gjuajnë arinjtë polarë​—po shkrijnë si pasojë e motit më të ngrohtë. Specialistët thonë se temperatura mesatare e ajrit mbi Arktik është «rritur me 5 gradë [celsius] gjatë 100 viteve të kaluara». Për më tepër, «masa e akujve notues është zvogëluar 6 për qind, gjatë 20 viteve të fundit», dhe «deri në vitin 2050 pritet që akulli i formuar nga uji i ngrirë i detit, gjatë periudhës së verës të zvogëlohet 60 për qind». Zvogëlimi i masës së akullit notues dhe zgjatja e periudhave kur mungon akulli i kufizon mundësitë e arinjve polarë për të gjuajtur dhe për të vënë rezervat dhjamore që u nevojiten. Ato që preken më rëndë janë femrat shtatzënë dhe këlyshët. Gazeta raporton se në disa zona, «gjatë periudhave gjithnjë e më të gjata kur mungon akulli, nuk arrijnë të mbijetojnë as gjysma e këlyshëve». Probleme të tjera që hasin arinjtë janë «gjuetia, lëndët kimike helmuese dhe ndotja nga nafta».

Eukaliptet ndërhyjnë te valët e celularëve

«Në shumë pjesë të [shtetit të Nju-Sauth Uellsit], rendimenti i kullave të telefonave celularë shpesh është shumë më i ulët sesa ai i kullave në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara»,​—thotë gazeta australiane Sydney Morning Herald. Problemi ndihet më shumë përgjatë lumit Murej në jug të shtetit. Megjithëse rajoni është relativisht i rrafshët, «ka nam të keq si një vend ku bisedat ndërpriten ose madje nuk nisin kurrë». Sipas artikullit, shkaku duket se janë «korijet e dendura me bimë të kuqe [eukalipte] që janë në dy anët e lumit Murej». Sipas gazetës Herald, Roxher Bamberi, drejtor i një firme për telekomunikacionin, «beson se në gjethet e eukaliptit ka diçka që lidhet me formën, përmasat dhe lagështirën që i bën ato të afta t’i thithin valët e celularëve shumë më tepër sesa pemët e tjera».

Transfuzioni i gjakut mund të dëmtojë mushkëritë

«Njerëzit që marrin produkte gjaku, sidomos ato që përmbajnë plazmë, mund të rrezikojnë të kenë një lloj dëmtimi akut të mushkërive, i cili lidhet me transfuzionin e gjakut»,​—thotë FDA Consumer, një revistë e Entit të SHBA-së për Ushqimin dhe Ilaçet. Kjo sëmundje mund të çojë në vdekje nëse nuk diktohet dhe nuk kurohet siç duhet. «Ky dëmtim mund të ndodhë kur antitrupat e rruazave të bardha të gjakut të dhuruesit hyjnë në reaksion me rruazat e bardha të gjakut të marrësit, duke shkaktuar një ndryshim në indin e mushkërisë. Ky ndryshim lejon që në mushkëri të futet ujë. Shumica e dhuruesve, gjaku i të cilëve shkakton këtë kundërpërgjigje, janë gra me më shumë se dy fëmijë ose dhurues që kanë bërë disa transfuzione gjaku.» Shenjat e sëmundjes «përfshijnë ethe, marrje fryme dhe rënie të tensionit të gjakut. Shpesh rrezet-X i paraqesin mushkëritë e atij që bën [transfuzion] krejt të bardha».

Bletë të helmuara

«A do të mundemi të hamë ndopak mjaltë francez pas dhjetë vjetësh?»,​—pyeti një revistë informative franceze Marianne. Çdo pranverë, miliona bletë po vriten nga helmi, duke bërë që prodhimi i mjaltit në shkallë vendi të bjerë nga 45.000 tonë në vitin 1989, në 16.000 tonë në vitin 2000. Vetëm gjatë një jave, një bletërritës humbi 450 koshere​—22 milionë bletë! Shumë nga ata që merren me prodhimin e mjaltit ia vënë fajin kimikateve bujqësore, siç janë pesticidet, sidomos ato që janë më të forta e më të lira dhe që importohen në mënyrë të paligjshme. Madje disa bujq u kanë hedhur vaj makinash ose zbardhues kimikateve që të jenë më të efektshme. Marianne thotë se në qoftë se nuk merren masa, «ekziston rreziku që mjalti francez të mbetet diçka e së kaluarës».

Fëmijë të paqartë për vdekjen

«Kur një njeri vdes, a mendoni se mund të kthehet sërish në jetë?» Këtë pyetje u bëri profesor Hiroshi Nakamura në Universitetin e Grave, në Japoni, 372 nxënësve në ciklin e lartë të shkollës tetëvjeçare. Sipas gazetës Sankei Shimbun e Tokios, një e treta e nxënësve u përgjigj ‘po’, kurse një e treta ishin të pasigurt. «Ky mendim mund të ketë lindur nga lojërat në kompjuter, në të cilat edhe nëse heronjtë vdesin, gjithçka që duhet bërë është të shtypet butoni reset për t’ia nisur nga e para»,​—thotë gazeta. Sipas profesorit, sondazhi «tregon se shumë nxënës madje edhe ata të klasave të larta në shkollën tetëvjeçare nuk e kuptojnë saktë se çfarë do të thotë në të vërtetë vdekja». Ai u sugjeron prindërve që t’u mësojnë fëmijëve se ç’është vdekja, duke i lënë të shohin vdekjen e kafshëve shtëpiake dhe t’i çojnë për vizitë kur u vdes një i afërm.

Evropa​—e lirë nga poliomieliti

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se deklarata e qershorit 2002, e cila e shpallte rajonin evropian të lirë nga poliomieliti, është «ngjarja më e rëndësishme historike e mijëvjeçarit të ri në fushën e shëndetit publik» për 870 milionë banorët e këtij rajoni. Në rajonin evropian, i cili përmbledh 51 shtete anëtare, «ka më shumë se tre vjet që nuk ka poliomielit të lindur në vend». Ky rezultat është arritja më e madhe e një projekti 14-vjeçar për të zhdukur poliomielitin me anë të fushatave të bashkërenduara kombëtare të vaksinimit. Kjo sëmundje është zhdukur tashmë në kontinentet amerikane dhe në Paqësorin Perëndimor. I shkaktuar nga një virus që prek sistemin nervor, poliomieliti është shumë ngjitës dhe mund të shkaktojë paralizë të plotë e madje edhe vdekjen. Sot ai mund të parandalohet, por jo të kurohet.

Mungesë kritike për ujë

«Nëse nuk merren masa të menjëhershme, më shumë se gjysma e popullsisë së botës do të vuajë nga mungesa e ujit rreth vitit 2032, që do të sjellë pasoja të rënda për shëndetin»,​—thotë revista BMJ (dikur British Medical Journal). Një raport i Kombeve të Bashkuara ka zbuluar se ndonëse numri i njerëzve që kanë ujë të pijshëm më të sigurt «u rrit nga 4,1 miliardë në vitin 1990 në 4,9 miliardë në vitin 2000, 1,1 miliardë njerëz në vendet në zhvillim nuk kanë ende në dispozicion ujë të pijshëm të sigurt. Aktualisht, 2,4 miliardë njerëzve u mungojnë kushtet e duhura higjienike». Kjo ka sjellë si pasojë «katër miliardë raste me diarre dhe 2,2 milionë vdekje çdo vit», për të mos përmendur ata që vuajnë nga krimbat e zorrëve, nga skistosomiaza dhe nga trakoma.

Lëkura zëvendësuese

Lëkura është organi më i madh i trupit dhe vija e parë e mbrojtjes kundër organizmave që shkaktojnë sëmundje, kundër çhidratimit dhe kundër hipotermisë. Prandaj, ata që kanë pësuar djegie, si edhe diabetikët me ulcera të shkaktuara nga diabeti, janë më në rrezik. Lëkura e kufomave njerëzore zakonisht përdoret si lëkurë zëvendësuese, por ajo është me pakicë. Probleme të tjera që vijnë si pasojë e transplantimit të lëkurës janë sëmundjet e transmetueshme dhe flakja që organizmi i marrësit i bën lëkurës së huaj. Gazeta The News e Meksikos raporton se materiali që merret nga zorra e hollë e derrave po përdoret me sukses për transplantim te pacientët me plagë të rënda. Është interesante se pjesa e zorrës që merret nga derri, e cila quhet nënmukoza e zorrës së hollë, ngjan shumë me lëkurën e njeriut dhe gjendet me shumicë. Mjeku i kirurgjisë plastike, Jorge Olivaresi, i cili po drejton eksperimente me këtë lëkurë zëvendësuese, thotë: «Pacientëve që kam trajtuar nuk u ka mbetur pothuajse asnjë shenjë dhe zakonisht plagët u shërohen brenda disa javësh. Përparësia më e madhe është që pacientët çlirohen pothuajse menjëherë nga dhembja dhe pezmatimi i plagës.»

Endet në oqean për katër muaj

Tauaia Raioaoa, një peshkatar 56-vjeçar, arriti të mbijetonte pasi ishte endur për katër muaj në Paqësorin Jugor, siç thotë një artikull në gazetën e Tahitit Les Nouvelles de Tahiti. Ai u nis nga Tahiti më 15 mars 2002, «me barkën e tij të gjelbër tetëmetroshe, që quhej ‘Tehapiti’. Por, larg bregdetit të Tahitit motori pësoi avari». Pasi u end nja 1.200 kilometra, më 10 korrik, atë e shpëtuan afër Aitukakit, njërit prej ishujve Kuk, dhe peshonte më shumë se 20 kilogramë më pak seç ishte kur u nis. Peshkatari me përvojë dhe i shkathët, Raioaoa, mbijetoi duke «u ushqyer me peshk të pagatuar ose të tharë dhe duke mbledhur ujin e shiut në një kovë dhe në një mbajtëse ushqimi».