Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sa shqisa kemi në të vërtetë?

Sa shqisa kemi në të vërtetë?

Sa shqisa kemi në të vërtetë?

«Ne bashkëveprojmë kaq mirë dhe kaq natyrshëm me botën që na rrethon, saqë është e vështirë të kuptojmë numrin e jashtëzakonshëm të llogaritjeve që qëndrojnë edhe pas ndijimit më të thjeshtë të shqisave.»​—SENSORY EXOTICA​—A WORLD BEYOND HUMAN EXPERIENCE

PËRFYTYRONI sikur po ngitni biçikletën nëpër një rrugë të qetë fshati. Ndërkohë që i jepni pedaleve, fijet nervore në këmbë bëjnë të mundur që të ushtroni pikërisht forcën e duhur për të ruajtur shpejtësinë. Organet e ekuilibrit bëjnë që të qëndroni drejt; me hundë nuhatni aromat; me anë të syve perceptoni peizazhin; veshët kapin cicërimat e zogjve. Të etur, merrni një shishe për të pirë dhe për këtë ju ndihmojnë receptorët e të prekurit që keni në gishtërinj. Puprritë e shijes dhe receptorët e të nxehtit dhe të të ftohtit ju zbulojnë se ç’shije dhe ç’temperaturë ka lëngu që pini. Receptorët e lëkurës dhe ata që ndodhen në qimet e trupit tregojnë se sa fort po fryn era dhe, duke bashkëpunuar me sytë, ju tregojnë se sa shpejt po i jepni biçikletës. Gjithashtu, lëkura tregon temperaturën dhe lagështirën e mjedisit, kurse vetëdija për kohën ju tregon afërsisht se sa kohë keni që po ecni me biçikletë. Në fund shqisat e brendshme do t’ju detyrojnë të pushoni dhe të hani. Po, jeta është vërtet një simfoni e mrekullueshme e shqisave!

A kemi vetëm pesë shqisa?

Sa shqisa marrin pjesë gjatë kësaj shëtitjeje me biçikletë​—vetëm ato pesë të zakonshmet: të parit, të dëgjuarit, të nuhaturit, të shijuarit dhe të prekurit? Sipas Encyclopædia Britannica, këto pesë shqisa i renditi filozofi i lashtë Aristoteli dhe «ndikimi i tij i ka qëndruar kaq shumë kohës, saqë ende shumë njerëz flasin vetëm për pesë shqisa, sikur të mos kishte të tjera».

Megjithatë, sipas Encyclopædia Britannica, studimet e bëra vetëm për ndjeshmërinë e lëkurës «provojnë se njerëzit kanë më shumë se pesë shqisa». Si është e mundur? Disa funksione që më parë konsideroheshin si pjesë e shqisës së të prekurit tani shihen si shqisa më vete. Për shembull, receptorët e dhembjes reagojnë dhe dallojnë ngacmuesit e jashtëm mekanikë, termikë dhe kimikë. Receptorë të tjerë sinjalizojnë ndjesinë e kruarjes. Dëshmitë tregojnë se kemi të paktën dy lloj receptorësh të shtypjes​—një për të dalluar shtypjet e lehta dhe një tjetër për ato të fortat. Përveç këtyre, trupi ynë ka një llojshmëri të madhe shqisash të brendshme. Çfarë roli luajnë ato?

Shqisat e brendshme

Shqisat e brendshme diktojnë ndryshimet që ndodhin brenda trupit tonë. Ato na sinjalizojnë për gjëra të tilla, si urinë, etjen, lodhjen, dhembjet e brendshme dhe për nevojën për të marrë frymë ose për të shkuar në banjë. Shqisat e brendshme, duke bashkëpunuar me orën e brendshme biologjike bëjnë që të ndihemi të lodhur në fund të ditës ose të ndihemi të përgjumur, nëse gjatë fluturimit me avion kapërcejmë zona orare të ndryshme. Në fakt, meqenëse në vetëdijen tonë mund «të ndiejmë» që koha rrjedh, është sugjeruar që vetëdija për kohën t’i shtohet listës së shqisave.

Gjithashtu kemi një shqisë vestibulare ose shqisën e ekuilibrit, e cila ndodhet në veshin e brendshëm. Kjo shqisë reagon ndaj forcës së rëndesës, rritjes së shpejtësisë dhe rrotullimit. Dhe në fund kemi shqisën e kinestezisë, e cila na bën të aftë të dallojmë tendosjen e muskujve dhe, madje të dimë lëvizjen dhe pozicionin e gjymtyrëve tona edhe po t’i kemi sytë mbyllur.

Sigurisht, perceptimin me anë të shqisave nuk e kanë vetëm njerëzit. Edhe kafshët kanë një shumëllojshmëri shqisash, duke përfshirë disa shqisa vërtet mahnitëse që ne nuk i kemi. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë disa prej tyre. Përveç kësaj, do të shqyrtojmë më me hollësi veten dhe veçoritë e pashoqe, të cilat na bëjnë neve njerëzve të zëmë një vend të veçantë mes qenieve të gjalla që jetojnë në tokë.

[Kutia dhe figurat në faqen 4]

Mrekullia e shqisës së të prekurit te njeriu

Dora e njeriut e ka veçanërisht të zhvilluar shqisën e të prekurit. Sipas revistës Smithsonian, studiuesit kanë zbuluar se dora jonë mund të ndiejë edhe një pikë të ngritur vetëm tre mikronë. (Një fije floku njeriu ka diametër nga 50 deri në 100 mikronë.) Megjithatë, «duke përdorur një sipërfaqe të ashpër në vend të një pike, studiuesit zbuluan se dora mund të dallojë të dala vetëm 75 nanometër të larta»​—një nanometër është një e mijta e mikronit! Kjo ndjeshmëri e jashtëzakonshme bëhet e mundur në sajë të 2.000 receptorëve të të prekurit që gjenden në majën e secilit gisht.

Gjithashtu, shqisa e të prekurit luan një rol kyç në shëndetin dhe në mirëqenien tonë. U.S.News & World Report thotë: «Kur dikush na përkëdhel çlirohen hormone që mund të lehtësojnë dhembjen dhe të kthjellojnë mendjen.» Disa mendojnë që nëse një fëmije i mungojnë përkëdheljet e ngrohta, rritja e tij do të ngadalësohet.

[Burimet e figurave në faqen 3]

Syri: The Complete Encyclopedia of Illustration/J. G. Heck; veshi dhe veshi i brendshëm: © 1997 Visual Language; dora: Anatomia e trupit të njeriut, me ilustrime të vizatuara, duke u bazuar në modele reale dhe të bëra nga disa prej mjeshtrave më të mirë të Evropës. . . Oksford, 1698, William Cowper