Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shqisat mahnitëse të botës së kafshëve

Shqisat mahnitëse të botës së kafshëve

Shqisat mahnitëse të botës së kafshëve

NDËRSA vrapon në kërkim të ushqimit, miu ndihet i sigurt në errësirë. Por nuk e ka parashikuar aftësinë e një gjarpëri të familjes Crotalidae, që ka gropëza me receptorë. Ky gabim miut i kushton jetën, sepse me anë të këtyre receptorëve, gjarpëri mund të «shohë» nxehtësinë që del nga trupi i tij i ngrohtë. Një shojzë është fshehur plotësisht nën shtresën e rërës brenda një akuariumi me peshkaqenë. Një peshkaqen i uritur po noton drejt shojzës. Peshkaqeni nuk mund ta shohë atë, megjithatë, sa hap e mbyll sytë, ai ndalon, fut turirin në rërë dhe e përlan prenë e tij.

Vërtet, ky lloj gjarpëri dhe peshkaqeni janë shembuj të kafshëve të pajisura me shqisa të veçanta që njerëzit nuk i kanë. Nga ana tjetër, shumë krijesa kanë shqisa të ngjashme me tonat, por më të mprehta ose në gjendje të perceptojnë elemente të jashtme që ne nuk mund t’i perceptojmë. Sytë janë një shembull interesant i kësaj aftësie.

Sy që shohin një botë tjetër

Gama e ngjyrave që mund të shquajë syri ynë është vetëm një pjesëz shumë e vogël e spektrit elektromagnetik. Për shembull, sytë tanë nuk mund t’i shohin rrezet infrakuqe, të cilat kanë gjatësi vale më të gjatë sesa drita e kuqe. Megjithatë, gjarpëri që përmendëm më sipër ka dy organe të vogla ose dy gropëza midis syve dhe vrimave të hundës që dallojnë rrezatimin infrakuq. * Kështu që edhe në errësirë ato mund të gjuajnë tamam në shenjë një pre me gjak të ngrohtë.

Pas ngjyrës vjollcë, që është edhe fundi i spektrit të dukshëm, vijnë rrezet ultravjollcë (UV). Megjithëse këto rreze janë të padukshme për sytë tanë, shumë krijesa, ku futen zogjtë dhe insektet, mund t’i shohin ato. Për shembull, bletët orientohen me anë të diellit​—madje edhe kur dita është disi e vrenjtur dhe diellin e kanë zënë retë​—duke gjetur një copëz qiell blu dhe duke parë figurën e krijuar nga polarizimi i dritës UV. Shumë bimë me lule kanë në vetvete disa figura që mund të shihen vetëm në spektrin UV dhe disa lule madje kanë një «shënues nektari»​—një zonë që i pasqyron ndryshe rrezet UV dhe shërben për t’i drejtuar insektet te nektari. Në një mënyrë të ngjashme, disa fruta dhe fara i bëjnë reklamë vetes para zogjve.

Meqë zogjtë mund t’i shohin rrezet UV dhe meqenëse kjo dritë u jep pendëve të tyre një shkëlqim më të madh, ka shumë mundësi që zogjtë t’i duken njëri-tjetrit me më shumë ngjyra nga ç’na duken neve. Një ornitolog tha se ata kanë aftësinë për të parë «ngjyra kaq të gjalla dhe të thella, që ne as nuk mund t’i përfytyrojmë». Aftësia për të parë rrezet UV mund t’i ndihmojë disa lloje fajkojsh dhe sokolash për të gjetur se ku ndodhen nuselalat ose minjtë e fushave. Si e bëjnë këtë? Siç thotë revista BioScience, nuselalat meshkuj «nxjerrin urinë dhe jashtëqitje që përmbajnë lëndë kimike, të cilat thithin rrezet UV dhe kur largohen, nuselalat lënë pas gjurmë urine». Në këtë mënyrë, zogjtë mund «të dallojnë zonat ku nuselalat janë me shumicë» dhe i përqendrojnë atje përpjekjet e tyre.

Pse shikojnë kaq mirë zogjtë?

Aftësia e zogjve për të parë është një mrekulli. «Arsyeja kryesore,​—thotë libri All the Birds of the Bible (Gjithë zogjtë që përmenden në Bibël),​—është se indi që krijon pamjen dhe që vesh syrin nga brenda ka më shumë qeliza të pamjes, sesa syri i krijesave të tjera. Numri i qelizave të pamjes përcakton aftësinë e syrit për të parë nga larg objekte të vogla. Ndërkohë që retina e syrit të njeriut ka rreth 200.000 qeliza të pamjes për milimetër katrorë, shumica e zogjve ka trefishin e këtij numri, kurse fajkojtë, hutat dhe shqiponjat kanë një milion ose më shumë qeliza të tilla për milimetër katror.» Përveç kësaj, disa zogj kanë edhe një avantazh. Ata kanë në secilin sy dy vatra​—zona të zbërthimit optik maksimal​—dhe kjo gjë i pajis me një aftësi më të madhe për të perceptuar largësinë dhe shpejtësinë. Edhe zogjtë që gjuajnë insekte fluturuese kanë sy me veçori si këto.

Gjithashtu, kristalini i syrit të zogjve është shumë elastik, dhe kjo bën të mundur fokusimin e shpejtë të rrezeve. Përfytyroni se sa e rrezikshme do të ishte të fluturonin​—sidomos në pyje dhe në shkurrnaja​—nëse gjithçka do të dukej turbullt. Vërtet, çfarë mençurie shohim në projektimin e syrit të zogjve! *

Shqisa elektrike

Skena që përshkruam më lart, me shojzën e fshehur dhe me peshkaqenin, ndodhi në të vërtetë gjatë një studimi shkencor për peshkaqenët. Studiuesit donin të dinin nëse peshkaqenët dhe rajat i ndienin fushat elektrike shumë të vogla që krijojnë peshqit e gjallë. * Për ta zbuluar këtë, ata fshehën elektroda që kishin tensionin e duhur nën bazamentin me rërë të akuariumit të peshkaqenit. Cili ishte rezultati? Sapo peshkaqeni u afrohej elektrodave, i sulmonte ato me egërsi.

Peshkaqenët zotërojnë atë që quhet elektromarrje pasive; ata i ndiejnë fushat elektrike ashtu sikurse veshët i dëgjojnë tingujt vetvetiu, në mënyrë pasive. Por peshqit elektrikë kanë elektromarrje aktive. Ashtu si lakuriqi i natës që lëshon një sinjal akustik dhe percepton jehonën e tij, këta peshq lëshojnë valë ose impulse elektrike që varen nga lloji i peshkut. Pastaj, me anë të receptorëve të veçantë, diktojnë çdo ndryshim që shkaktojnë valët në këto fusha. * Në këtë mënyrë, peshqit elektrikë mund të dallojnë pengesat, gjahun e mundshëm, madje edhe një partner.

Një busull e brendshme

Përfytyroni si do të ishte jeta nëse në trupin tuaj do të kishit një busull të brendshme. Pa dyshim që asnjëherë s’do ta kishit problem të gjenit rrugën! Në trupin e shumë krijesave, duke përfshirë bletët dhe troftat, shkencëtarët kanë zbuluar kristale mikroskopike magnetiti ose oksid hekuri magnetik, një substancë magnetike natyrore. Qelizat që përmbajnë këto kristale lidhen me sistemin nervor. Për këtë arsye, bletët dhe troftat kanë provuar se janë të afta për të diktuar fushat magnetike. Në fakt, bletët përdorin fushën magnetike të tokës për të shkuar te hojet ose për t’u orientuar.

Gjithashtu, shkencëtarët kanë gjetur magnetit te një lloj bakteri që jeton në llumin në fund të detit. Kur llumi ngrihet lart, fusha magnetike e tokës vepron te magnetiti për t’i drejtuar bakteret në një mënyrë të tillë që ato të shtyjnë veten dhe të kthehen shëndoshë e mirë në shtëpinë e tyre në fund të detit ose përndryshe do të vdisnin.

Edhe shumë krijesa që shtegtojnë​—duke përfshirë shpendët, breshkat e ujit, salmonin dhe balenat​—mund të kenë një shqisë magnetike. Megjithatë, me sa duket, ato nuk mbështeten vetëm te kjo shqisë, përkundrazi orientohen nëpërmjet një sërë shqisash. Për shembull salmonët, për të gjetur vendin ku kanë lindur, ka shumë të ngjarë që të përdorin shqisën e mprehtë të të nuhaturit. Gargujt evropianë orientohen me anë të diellit; dhe disa zogj të tjerë me anë të yjeve. Por siç shkruante në librin e tij Sensory Exotica​—A World Beyond Human Experience profesori i psikologjisë Hauard C. Hjuz, «është e qartë se kemi ende shumë rrugë për të bërë, me qëllim që të kuptojmë këto mistere të natyrës, si edhe të tjera».

Veshë për t’u pasur zili

Në krahasim me njerëzit, aftësia për të dëgjuar te shumë krijesa është e habitshme. Ndërkohë që ne mund të dëgjojmë tinguj nga 20 deri në 20.000 herc (cikle në sekondë), qentë mund të dëgjojnë në diapazonin nga 40 në 46.000 herc dhe kuajt nga 31 në 40.000 herc. Madje elefantët dhe gjedhët mund të dëgjojnë infratinguj (me frekuencë pak më të vogël sesa tingujt që mund të dëgjojnë njerëzit) deri në 16 herc. Meqë tingujt me frekuencë të ulët kanë aftësinë për të shkuar më larg, elefantët mund të komunikojnë në largësi katër kilometra ose më shumë. Në fakt, disa studiues thonë se kafshë të tilla mund t’i përdorim për të na lajmëruar që më përpara për tërmetet dhe çrregullimet e rënda të motit, të cilat krijojnë që të dyja infratinguj.

Gjithashtu, insektet mund të dëgjojnë një diapazon të gjerë tingujsh. Disa mund të dëgjojnë ultratinguj që janë më shumë se dy oktavë mbi kufirin e dëgjimit të njeriut, kurse të tjerë mund të dëgjojnë infratinguj. Disa insekte dëgjojnë me anë të membranave të holla e të sheshta të ngjashme me daullen e veshit që gjenden pothuajse në çdo pjesë të trupit, përveç kokës. Të tjera dëgjojnë me ndihmën e qimeve të holla, të cilat reagojnë jo vetëm ndaj tingujve, por edhe ndaj lëvizjeve më të lehta të ajrit të tilla, si ato që mund të shkaktojë dora e njeriut. Kjo ndjeshmëri shpjegon se përse është kaq e vështirë t’i vrasësh mizat.

Përfytyroni sikur të ishit në gjendje për të dëgjuar hapat e një insekti! Këtë aftësi mahnitëse për të dëgjuar e ka gjitari i vetëm fluturues në botë​—lakuriqi i natës. Sigurisht, lakuriqët kanë nevojë për aftësi të dëgjuari të veçantë për t’u orientuar në errësirë dhe për të kapur insektet, duke përcaktuar vendndodhjen e objekteve me anë të jehonës. * Profesori Hjuz thotë: «Përfytyroni një sistem radar më të sofistikuar sesa ai i nëndetëseve tona më moderne. Tani përfytyroni që këtë sistem e përdor një lakuriq nate i vogël, të cilin mund ta mbani fare lehtë në pëllëmbën e dorës. Të gjitha lidhjet që i nevojiten lakuriqit të natës për të përcaktuar largësinë, shpejtësinë dhe madje edhe llojin e insektit që ka në shënjestër i bën një tru që është më i vogël sesa thoi i gishtit të madh!»

Siç thotë edhe një libër, meqenëse përcaktimi i saktë i vendndodhjes me anë të jehonës varet edhe nga cilësia e tingullit të lëshuar, lakuriqët e natës kanë «aftësinë për të kontrolluar lartësinë e zërit të tyre kaq mirë sa do t’i kishte zili çdo këngëtar opere». * Me sa duket, me anë të palave që kanë përreth hundës disa lloje lakuriqësh mund t’i lëshojnë tingujt në një drejtim të caktuar. Të gjitha këto veçori ndihmojnë për të krijuar një radar kaq të sofistikuar, saqë mund të krijojë një «pamje akustike» të objekteve kaq të imta si fija e flokëve të njeriut!

Përveç lakuriqëve të natës, të paktën dy lloje zogjsh​—një lloj dejke e Azisë dhe e Australisë dhe guaçarot, zogj nate të Amerikës​—përdorin përcaktimin e vendndodhjes me anë të jehonës. Megjithatë, me sa duket e shfrytëzojnë këtë aftësi thjesht për t’u orientuar në shpellat e errëta ku kalojnë natën.

Radar në det

Edhe balenat me dhëmbë shfrytëzojnë përcaktimin e vendndodhjes me anë të jehonës, megjithëse shkencëtarët kanë ende për të zbuluar se si funksionon saktësisht ky radar. Radari i delfinëve nis me kuisje të qarta, të cilat mendohet se nuk burojnë nga laringu, por nga aparati i hundës. Pjesa e fryrë prej indi dhjamor në ballin e delfinit i mbledh tingujt si në një rreze që «ndriçon» një zonë përballë kafshës. Si i dëgjojnë delfinët jehonat e tyre? Jo me veshë me sa duket, por me nofullën e poshtme dhe me organe të tjera që lidhen me veshin e mesëm. Është domethënëse që kjo zonë përmban të njëjtin lloj indi dhjamor si ai që gjendet në pjesën e fryrë në ballin e delfinit.

Kuisjet e delfinëve, të cilat shërbejnë për përcaktimin e vendndodhjes, ngjasojnë në mënyrë të habitshme me formën e valës në grafikun e funksionit të Gaborit. Hjuz thotë se ky funksion provon që kuisjet e delfinëve «janë sinjale pothuajse të përsosura matematikisht nëpërmjet të cilëve përcaktohet vendndodhja».

Delfinët mund të ndryshojnë fuqinë e këtyre kuisjeve, duke e ndryshuar nga një pëshpërimë e thjeshtë në një kuisje të jashtëzakonshme 220 decibel. Sa e fuqishme është kjo? Po ja, muzika rok me zë të lartë mund të shkojë deri në 120 decibel dhe zjarri i artilerisë arrin deri në 130 decibel. Meqë janë të pajisur me një sistem radar që lëshon tinguj shumë më të fuqishëm, delfinët mund të dallojnë gjëra kaq të vogla, siç mund të jetë një top tetë centimetra, i cili ndodhet 120 metra larg. Madje në ujëra të qeta, kjo largësi mund të jetë më e madhe.

A nuk mbusheni me nderim dhe a nuk mbeteni të mrekulluar kur meditoni për shqisat e mrekullueshme që shfaqen në botën e gjallë? Njerëz të përulur dhe që kanë njohuri për këto gjëra, zakonisht ndihen kështu, dhe kjo gjë na kthen përsëri te pyetja si jemi krijuar ne. Vërtet, shqisat tona shpesh janë të dobëta në krahasim me ato të disa kafshëve dhe të insekteve. Megjithatë, vetëm ne prekemi nga ajo që vërejmë në natyrë. Pse i provojmë këto ndjenja? Dhe pse kërkojmë që jo vetëm t’i kuptojmë krijesat, por edhe të kuptojmë për çfarë qëllimi ekzistojnë, si edhe të mësojmë çfarë vendi zëmë ne mes tyre?

[Shënimet]

^ par. 5 Ka rreth 100 lloje gjarpërinjsh me gropëza receptorësh. Këtu futen bolla helmuese e Amerikës, gjarpëri me zile dhe gjarpëri peshkngrënës i gjinisë Agkistrodon.

^ par. 10 Lexuesit e interesuar rreth çështjes nëse jeta erdhi si pasojë e evolucionit apo e një projektimi inteligjent janë të ftuar të lexojnë librin Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?, të botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 12 Kur janë nën ujë, të gjitha krijesat e gjalla, duke përfshirë edhe njeriun, krijojnë një fushë elektrike shumë të vogël, por që megjithatë mund të ndihet.

^ par. 13 Peshqit elektrikë për të cilët po flasim, prodhojnë një ngarkesë elektrike shumë të vogël. Ata nuk duhen ngatërruar me peshqit elektrikë që krijojnë tensione shumë më të larta. Këtu futen peshq të tillë, si torpedat elektrike dhe ngjalat elektrike, që e trullosin si sulmuesin kur duan të mbrohen, ashtu edhe prenë që duan të kapin. Ngjalat elektrike mund të vrasin madje edhe një kalë!

^ par. 21 Familja e lakuriqëve të natës përmban rreth 1.000 lloje. Të gjithë kanë sy të fortë, ndryshe nga mendimi i përhapur, por jo të gjithë përdorin sistemin radar. Disa lakuriqë, si ata që ushqehen me fruta, shfrytëzojnë aftësinë e shkëlqyer për të parë natën që të gjejnë ushqim.

^ par. 22 Lakuriqët e natës lëshojnë një sinjal kompleks me frekuenca nga 20.000 deri në 120.000 herc ose më shumë.

[Kutia dhe figurat në faqen 9]

Insekte, kini kujdes!

«Çdo ditë, aty nga muzgu, poshtë kodrave të valëzuara në afërsi të San-Antonios, në Teksas [SHBA], ndodh diçka vërtet e mahnitshme»,​—thotë libri Sensory Exotica​—A World Beyond Human Experience. «Po të jesh në njëfarë largësie mund të mendosh se po sheh një re të zezë shumë të madhe që del në formë shtëllunge nga thellësia e tokës. Megjithatë ajo që e errëson qiellin kur bie buzëmbrëmja nuk është një re tymi, por tufa e 20 milionë lakuriqëve bishtgjatë meksikanë që dalin nga thellësia e shpellës Braken.»

Llogaritje të kohëve më të fundit tregojnë se numri i lakuriqëve që dalin nga shpella Braken shkon rreth 60 milionë. Duke fluturuar deri në 3.000 metra lart në qiellin e mbrëmjes, ata vihen në kërkim të ushqimit të tyre të preferuar, insekteve. Ndonëse qielli i natës duhet të jetë i tejmbushur me ultratingujt e lakuriqëve, ata nuk ngatërrohen, sepse secili nga këta gjitarë të pashoq është i pajisur me një sistem shumë të sofistikuar për të njohur jehonat e veta.

[Figura]

Shpella Braken

[Burimi]

Me mirësjelljen e Lise Hogan

[Figura]

Lakuriqi bishtgjatë meksikan: përcaktimi i vendndodhjes me anë të jehonës

[Burimi]

© Merlin D. Tuttle, Bat Conservation International, Inc.

[Figura në faqen 7]

Bletët: shqisa e të parit dhe ajo magnetike

[Figura në faqen 7]

Shqiponja e artë: shqisa e të parit

[Figura në faqen 7]

Raja: shqisa elektrike

[Figura në faqen 7]

Peshkaqeni: shqisa elektrike

[Figura në faqen 7]

Gargujt: shqisa e të parit

[Figura në faqen 7]

Salmoni: shqisa e të nuhaturit

[Burimi]

U.S. Fish & Wildlife Service, Washington, D.C.

[Figura në faqen 7]

Breshka e ujit: ka të ngjarë të ketë shqisën magnetike

[Figura në faqen 8]

Elefanti: aftësi për të dëgjuar frekuenca të ulëta

[Figura në faqen 8]

Qeni: dëgjon frekuenca të larta

[Figura në faqen 9]

Delfinët: aftësi për të përcaktuar vendndodhjen me anë të jehonës