Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si duhet ta përdorim lirinë e zgjedhjes?

Si duhet ta përdorim lirinë e zgjedhjes?

Pikëpamja e Biblës

Si duhet ta përdorim lirinë e zgjedhjes?

PERËNDIA u dha njerëzve të parë, Adamit dhe Evës, aftësinë për të zgjedhur. Ai e ngarkoi Adamin të kujdesej për kopshtin e Edenit. Një nga detyrat që i caktoi Adamit ishte të zgjidhte emra për kafshët. (Zanafilla 2:15, 19) Por fakti që Adami dhe Eva mund të zgjidhnin t’i bindeshin ose të mos i bindeshin Perëndisë ishte edhe më i rëndësishëm.​—Zanafilla 2:17, 18.

Që nga ajo kohë, njerëzit kanë marrë me miliarda vendime​—shumë nga të cilat kanë qenë të mençura, disa të papjekura dhe të tjera krejtësisht keqdashëse. Disa nga zgjedhjet e pamençura të njerëzve kanë sjellë pasoja shkatërrimtare. Megjithatë, Perëndia nuk ka ndërhyrë kurrë në të drejtën që kemi për të zgjedhur. Si një Atë i dashur, nëpërmjet faqeve të Biblës, Perëndia na siguron ndihmë për të marrë vendime mira. Gjithashtu na paralajmëron për pasojat e zgjedhjeve të gabuara. Bibla thotë se do të korrim atë që mbjellim.​—Galatasve 6:7.

Vendime për çështje personale

Për disa çështje, Perëndia e ka shprehur qartë vullnetin e tij, duke na dhënë një drejtim të përcaktuar qartë. Por në shumicën e rasteve, Bibla nuk vendos rregulla që drejtojnë të gjitha çështjet tona personale. Në vend të kësaj, ajo na siguron një udhëheqje të përgjithshme që lë vend edhe për shijet dhe për dëshirat tona. Për shembull, vëreni se çfarë thotë ajo për zbavitjen.

Shkrimet e quajnë Jehovain ‘Perëndia i lumtur’. (1 Timoteut 1:11) Fjala e tij flet për «një kohë për të qeshur» dhe «një kohë për të hedhur valle». (Predikuesi 3:1, 4) Bibla tregon se mbreti David luajti melodi, për të mirën e të tjerëve. (1 Samuelit 16:16-18, 23) Jezui mori pjesë në një dasmë dhe madje bëri diçka të veçantë për këtë rast, duke e kthyer ujin në verë.​—Gjoni 2:1-10.

Megjithatë, Bibla na paralajmëron me vend: «Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.» (Fjalët e urta 13:20) «Sjellja e turpshme» dhe veprimet e pamoralshme e ofendojnë Perëndinë dhe mund të prishin marrëdhënien me të. (Efesianëve 5:3-5) Kur gjatë aktiviteteve shoqërore pijet alkoolike qarkullojnë lirshëm, si pasojë mund të lindin probleme serioze. (Fjalët e urta 23:29-35; Isaia 5:11, 12) Gjithashtu, Perëndia Jehova e urren dhunën.​—Psalmi 11:5; Fjalët e urta 3:31.

Këto vargje nga Bibla na ndihmojnë që pikëpamja jonë për zbavitjen të jetë e njëjtë me atë të Perëndisë. Në zgjedhjet që bëjnë, të krishterët marrin parasysh atë që thotë Bibla. Sigurisht që secili nga ne do të përballojë pasojat e mira ose të këqija të zgjedhjeve të veta.​—Galatasve 6:7-10.

Ngjashëm, të krishterët nxiten të marrin vendime të mençura, në përputhje me parimet biblike për çështje të tilla, si: veshja, martesa, të qenët prind dhe çështjet e biznesit. Këtu përfshihen çështje që Shkrimet nuk i kanë përmendur në mënyrë specifike, sidoqoftë, parimet që gjejnë aty i ndihmojnë që të marrin vendime duke përdorur ndërgjegjen. (Romakëve 2:14, 15) Norma e mëposhtme duhet zbatuar në të gjitha vendimet personale që marrin të krishterët: «Nëse jeni duke ngrënë ose duke pirë, apo nëse jeni duke bërë diçka tjetër, gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.»​—1 Korintasve 10:31.

Gjithashtu, lidhur me çështjen e zgjedhjes së lirë, duhet të mbajmë parasysh parimin që ‘të shikojmë punët tona’. (1 Selanikasve 4:11) Shpesh të krishterët përballen me disa zgjedhje që nuk bien ndesh me vullnetin e Perëndisë. Prandaj, parapëlqimet e një të krishteri mund të ndryshojnë nga ato të një të krishteri tjetër. Perëndia do të ndihej i pakënaqur po të shihte se shërbëtorët e tij gjykojnë njëri-tjetrin. (Jakobi 4:11, 12) Bibla jep këtë këshillë të mençur: «Askush nga ju le të mos vuajë . . . si dikush që fut hundët në punët e të tjerëve.»​—1 Pjetrit 4:15.

Vendimi për t’i shërbyer Perëndisë

Bibla nxjerr në pah dobitë që vijnë kur i bindemi Perëndisë. Gjithsesi, Perëndia nuk i detyron njerëzit që ta adhurojnë. Përkundrazi, i fton të gjitha krijesat njerëzore që të bëhen adhurues të tij. Për shembull, Bibla thotë: «Ejani, të adhurojmë dhe të përkulemi; të gjunjëzohemi përpara Zotit që na ka bërë.»​—Psalmi 95:6.

Kjo ftesë iu bë Izraelit të lashtë. Më shumë se 3.500 vjet më parë, ndërsa kombi i Izraelit qëndronte para malit Sinai, Perëndia u bëri të njohur atyre miliona njerëzve sistemin e adhurimit të vërtetë të paraqitur në Ligjin e Moisiut. Tani ata kishin për të zgjedhur: a do t’i shërbenin apo nuk do t’i shërbenin Perëndisë? Si u përgjigjën ata? Ata thanë njëzëri: «Jemi gati të bëjmë gjithçka që ka thënë Jehovai dhe të jemi të bindur.» (Dalja 24:7, BR) Ata vetë morën vendimin t’i shërbenin Jehovait.

Në shekullin e parë, Jezui filloi predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 4:17; 24:14) Ai nuk detyroi kurrë askënd që të bashkohej me të në këtë vepër. Përkundrazi, me mirëdashje i ftoi të tjerët, duke thënë: «Eja e bëhu ithtari im.» (Marku 2:14; 10:21) Shumë veta e pranuan ftesën e tij dhe filluan të predikonin me të. (Luka 10:1-9) Pas njëfarë kohe, disa zgjodhën që ta linin Jezuin. Juda zgjodhi ta tradhtonte. (Gjoni 6:66; Veprat 1:25) Më vonë, nën drejtimin e apostujve, shumë njerëz të tjerë u bënë dishepuj, jo sepse u kërcënuan nga tehu i shpatës, por sepse ushtruan vullnetin e tyre të lirë. Ata ishin «të prirur» siç duhet dhe «u bënë besimtarë». (Veprat 13:48; 17:34) Edhe sot, me vullnet të lirë, të krishterët e vërtetë i binden Fjalës së Perëndisë dhe ndjekin mësimet e Jezuit.

Është e qartë, Perëndia dëshiron që ne ta përdorim aftësinë që kemi për të zgjedhur. Përveç kësaj, me anë të Biblës ai na siguron udhëheqje që na ndihmon të marrim vendime të mençura. (Psalmi 25:12) Kur merr vendime për çështje personale, çdo i krishterë duhet të shqyrtojë me kujdes parimet hyjnore. Vetëm në këtë mënyrë mund t’i bëjmë Perëndisë ‘shërbim të shenjtë me fuqinë tonë për të arsyetuar’.​—Romakëve 12:1.