Gjumi—Luks apo nevojë?
Gjumi—Luks apo nevojë?
PËR DISA NJERËZ, gjumi është humbje kohe. Meqë parapëlqejnë që gjatë ditës të jenë shumë të zënë me aktivitete shoqërore dhe biznesi, ata i dorëzohen gjumit vetëm kur janë tejet të lodhur. Përkundrazi të tjerë që vazhdimisht, natë pas nate, rrotullohen sa nga njëra anë në tjetrën deri në orët e para të mëngjesit, do të jepnin gjithçka për një natë çlodhëse me gjumë.
Përse disa e kanë kaq të vështirë që t’i zërë gjumi, kurse të tjerë dëshirojnë kaq shumë të qëndrojnë zgjuar? A duhet ta shohim gjumin si një luks apo si një nevojë? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, kemi nevojë të kuptojmë se çfarë ndodh kur jemi në gjumë.
Misteret e gjumit
Shkaku i vërtetë që e bën njeriun të humbasë vetëdijen dhe ta zërë gjumi mbetet enigmë. Megjithatë studiuesit kanë treguar se gjumi është një proces i ndërlikuar që drejtohet nga truri dhe që i bindet një ore të brendshme biologjike me cikle 24-orëshe.
Ndërsa mosha kalon, zakonet e gjumit ndryshojnë. Një i sapolindur fle me periudha të shkurtra e të shpeshta që po t’i mbledhim arrijnë në rreth 18 orë në ditë. Sipas specialistëve në fushën e gjumit, ndonëse disa të rritur duket se kanë nevojë vetëm për tri orë gjumë në ditë, të tjerë kanë nevojë deri në dhjetë orë.
Një studim i kohëve të fundit ka treguar se ndryshimet në orën e brendshme biologjike shpjegojnë edhe se përse disa adoleshentë mezi ngrihen nga shtrati në mëngjes. Ora biologjike me sa duket shkon përpara gjatë pubertetit, duke bërë që të rinjtë të dëshirojnë të flenë më vonë dhe të ngrihen më vonë. Kjo vonesë në gjumë është e zakonshme dhe ka prirjen të zhduket aty nga mesi ose fundi i adoleshencës.
Ora jonë biologjike rregullohet nga disa substanca kimike, shumë prej të cilave tashmë njihen. Njëra nga këto substanca është melatonina, një hormon që mendohet se shkakton ndjesinë e përgjumjes. Melatonina prodhohet në tru dhe disa shkencëtarë mendojnë se ajo bën që të ngadalësohet metabolizmi i trupit, gjë që ndodh para se të na zërë gjumi. Kur çlirohet melatonina, temperatura e trupit bie dhe truri furnizohet me më pak gjak. Gjithashtu, dalëngadalë muskujt e humbin tonusin e tyre dhe lëshohen. Por, çfarë ndodh më vonë kur njeriu bie në botën e mistershme të gjumit?
‘Kryeushqyesi i jetës’
Pothuajse dy orë pasi na ka zënë gjumi, sytë fillojnë të lëvizin shpejt nga njëra anë në tjetrën. Vrojtimi i kësaj dukurie bëri që shkencëtarët ta ndanin gjumin në dy faza bazë: LShS (gjumë me lëvizje të shpeshta të syve) dhe jo-LShS (gjumë pa lëvizje të shpeshta të syve). Gjumi LShS mund të ndahet në katër nënfaza, gjatë së cilave gjumi bëhet gjithnjë e më i thellë. Gjatë një nate me gjumë të mirë, gjumi LShS ndodh disa herë dhe këmbehet me gjumin jo-LShS.
Shumica e ëndrrave shihen gjatë gjumit LShS. Gjithashtu, trupi ka edhe shtendosjen maksimale të muskujve, e cila bën që njeriu të ndihet i ripërtërirë fizikisht kur zgjohet. Përveç kësaj, disa studiues besojnë se informacionet më të fundit që na futen në mendje nguliten në kujtesën tonë afatgjatë gjatë kësaj faze të gjumit.
Gjatë gjumit të thellë (faza e tretë dhe e katërt e gjumit jo-LShS) tensioni i gjakut bie dhe rrahjet e zemrës pakësohen. Kjo i jep mundësi sistemit të qarkullimit të gjakut që të çlodhet
dhe ndihmon që të parandalohen sëmundjet kardiovaskulare. Po kështu, gjatë gjumit jo-LShS, prodhimi i hormonit të rritjes arrin kulmin dhe te disa adoleshentë ky hormon prodhohet gati 50 herë më shumë natën, sesa ditën.Gjithashtu, duket se gjumi ndikon edhe në oreksin tonë. Shkencëtarët kanë zbuluar se gjumi është vërtet, siç thotë edhe Shekspiri, ‘kryeushqyesi i dasmës së jetës’. Për trurin mungesa e gjumit është si mungesa e ushqimit. Kur flemë, organizmi ynë prodhon leptinën, hormonin që normalisht i tregon trupit tonë që jemi të ngopur me ushqim. Kur qëndrojmë zgjuar më gjatë se ç’duhet, trupi ynë prodhon më pak leptinë dhe ne ndiejmë nevojën për më shumë karbohidrate. Pra mungesa e gjumit mund të çojë në një konsumim më të madh të sheqernave, dhe kjo mund të shkaktojë dhjamosjen.—Shih kutinë në faqen 6 «Një dremitje pasdreke».
Jetësor për shëndetin
Por kjo nuk është e gjitha. Gjumi e lehtëson procesin metabolik të trupit për radikalet e lira—molekula që thuhet se ndikojnë në plakjen e qelizave, e madje edhe shkaktojnë kancerin. Në një studim të fundit që bëri Universiteti i Çikagos, 11 të rinj të shëndetshëm i lanë të flinin vetëm katër orë në ditë, për gjashtë ditë. Në fund të kësaj periudhe, aktiviteti i qelizave të trupit të tyre ishte si ai i 60-vjeçarëve dhe niveli i insulinës në gjak ishte i përafërt me ata që vuajnë nga diabeti! Mungesa e gjumit ndikon edhe në prodhimin e rruazave të bardha dhe të hormonit kortizol, duke e bërë njeriun më të prirur ndaj infeksioneve dhe ndaj sëmundjeve të sistemit të qarkullimit të gjakut.
Pa dyshim që gjumi është jetësor për shëndetin e trupit dhe të mendjes. Sipas themeluesit të qendrës së parë për studimin e gjumit, në Universitetin e Stenfordit, SHBA, studiuesit Uilliam Dement, «duket se gjumi është treguesi më i rëndësishëm se sa gjatë do të jetosh». Debora Susheki, e cila merret me kërkime shkencore në qendrën e studimit të gjumit në San-Paulo, Brazil, thotë: «Në qoftë se njerëzit do ta dinin se çfarë ndodh brenda trupit kur atij i mungon gjumi, ata do të mendoheshin mirë para se të nxirrnin si përfundim se gjumi është humbje kohe ose që është vetëm për përtacët.»—Shih kutinë më sipër.
Por, a është gjithmonë ripërtëritës gjumi? Përse disa njerëz ndihen përsëri të lodhur ndonëse flenë gjithë natën? Artikulli tjetër do t’ju ndihmojë të njihni disa nga çrregullimet kryesore të gjumit dhe do të shpjegojë se si të bëni një gjumë të mirë.
[Kutia dhe figura në faqen 6]
PASOJAT E MUNGESËS SË GJUMIT
PASOJA AFATSHKURTRA
▪ Përgjumje
▪ Luhatje të papritura të humorit
▪ Humbje e kujtesës afatshkurtër
▪ Humbje e aftësisë për të krijuar, për të planifikuar dhe për të kryer punë të ndryshme
▪ Humbje e përqendrimit
PASOJA AFATGJATA
▪ Dhjamosje
▪ Plakje e parakohshme
▪ Ndjesia e rraskapitjes
▪ Rrezik më i madh për t’u prekur nga infeksionet, diabeti, sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut dhe sëmundjet e aparatit tretës
▪ Humbje kronike e kujtesës
[Kutia në faqen 6]
NJË DREMITJE PASDREKE
A keni ndier ndonjëherë një përgjumje të pakontrollueshme pasi keni ngrënë drekë? Kjo nuk është medoemos një shenjë që tregon se vuani nga mungesa e gjumit. Është normale të na flihet gjumë në orët e para të pasdites, sepse temperatura e trupit bie vetvetiu. Gjithashtu, kohët e fundit shkencëtarët kanë zbuluar një proteinë të quajtur hipokretinë ose oreksinë, që prodhohet në tru dhe na ndihmon të qëndrojmë zgjuar. Si lidhet hipokretina me ushqimin?
Kur hamë, trupi prodhon leptinën, e cila na sinjalizon se jemi ngopur. Por leptina frenon prodhimin e hipokretinës. Me fjalë të tjera, sa më shumë leptinë të prodhohet në tru, aq më pak hipokretinë do të prodhohet dhe aq më të përgjumur do të jemi. Ndoshta për këtë arsye, në disa vende gjatë një dite pune, njerëzit bëjnë një pushim të shkurtër pasdreke. Në këtë mënyrë mund të marrin një sy gjumë pasi kanë ngrënë drekë.
[Grafiku në faqen 5]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
FAZAT E GJUMIT
Skicë e thjeshtuar
Fazat e gjumit
Zgjimi
Gjumë LShS
Gjumë jo-LSHS
Gjumë i lehtë 1
2
3
Gjumë i thellë 4
1 2 3 4 5 6 7 8
Orët e gjumit
[Figura në faqet 4, 5]
Gjumi i mjaftueshëm është jetësor për shëndetin e trupit dhe të mendjes
[Figura në faqen 5]
Prodhimi i hormonit të rritjes arrin nivelin maksimal gjatë gjumit