Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur shpërtheu një uzinë kimike

Kur shpërtheu një uzinë kimike

Kur shpërtheu një uzinë kimike

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FRANCË

MË DATËN 21 shtator 2001, pikërisht dhjetë ditë pas sulmit ndaj Qendrës Tregtare Botërore në Nju-Jork, një shpërthim i fuqishëm që ndodhi aksidentalisht në një uzinë kimike shkaktoi mjaft dëme në periferinë e Tuluzës, në Francën Jugperëndimore. Revista informative franceze Le Point e përshkroi këtë si «katastrofa më e madhe industriale në Francë që nga përfundimi i Luftës II Botërore».

Shpërthimi i afro 300 tonëve me pleh kimik krijoi një gropë me diametër 50 metra dhe me thellësi 15 metra. Nga shpërthimi, dhe nga vala goditëse që erdhi si pasojë, u vranë 30 veta e u plagosën më shumë se 2.200 të tjerë. Brenda një rrezeje prej tetë kilometrash, pati shkatërrime të rreth 2.000 shtëpive dhe u dëmtuan 27.000 të tjera. Meqenëse gabimisht njerëzit menduan se këtë gjë e kishte shkaktuar një sulm terrorist dhe se nga uzina kishte dalë një re gazi helmues, si pasojë u përhap paniku.

Shpërthimi plagosi edhe disa Dëshmitarë të Jehovait dhe shumë të tjerë pësuan dëme të formave të ndryshme. Dashuria e krishterë i nxiti bashkëbesimtarët Dëshmitarë që t’u shkonin menjëherë në ndihmë. (Gjoni 13:34, 35) Më poshtë po tregojmë rreth përpjekjeve për të dhënë këtë ndihmë.

«Nga ndërtesa nuk mbeti asgjë»

Kudiri është një nga të mbijetuarit që punonte në uzinën kimike. Nga shpërthimi dhe copërat që fluturuan në ajër iu thye nofulla, i doli klavikula dhe mbeti pa ndjenja. Benzhamenin, i cili punonte pranë uzinës kimike, forca e shpërthimit e flaku mespërmes një zyre dhe e përplasi pas një muri tre metra larg. Copërat e xhamit që fluturonin në ajër e çanë në disa vende dhe i shpuan syrin e djathtë, duke i dëmtuar shikimin. «Lumturisht nuk gjendesha në tavolinën e punës,​—tha ai.​—Afërsisht 600 kilogramë tulla ranë mbi karrigen time.»

Alani, mësues i një shkolle që ndodhej vetëm 200 metra larg uzinës, po bënte disa fotokopje kur ndodhi shpërthimi. Ai tha: «Nga ndërtesa nuk mbeti asgjë tjetër përveç copave prej çeliku. As mure, as çati, asgjë fare. Disa copëza xhami më goditën. Kisha të çara në gjithë fytyrën. M’u duk sikur më qëlluan në fytyrë me çomange.» Për shkak të shpërthimit, Alani u verbua nga njëri sy dhe mbeti pjesërisht i shurdhër.

Përpjekje të shpejta për të ardhur në ndihmë

Sa më shpejt që ishte e mundur, pleqtë e 11 kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait që u prekën nga katastrofa u lidhën me çdo pjesëtar të kongregacionit për të parë nëse ishin plagosur ose nëse kishin pësuar dëme. Vullnetarët u dërguan menjëherë për të ndihmuar ata që kishin më shumë nevojë. Shpejt, vullnetarët morën vesh se ishin dëmtuar rreth 60 shtëpi të Dëshmitarëve dhe ndihmuan për t’u strehuar afro dhjetë familje. Gjithashtu, vullnetarët ndihmuan për riparimin e dy Sallave të Mbretërisë. Përveç kësaj, ata dhanë ndihmë praktike, duke i treguar se si mund të përpilonin kërkesat e siguracioneve.

Katerina dhe Misheli jetojnë pikërisht përballë uzinës. Katerina po ngiste makinën kur ndodhi shpërthimi. Ajo shpjegon: «Në fillim na u duk sikur po binte tërmet. Pas pak sekondash dëgjuam shpërthimin. Pastaj pamë tymin që ngrihej. Shkova me makinë në lagjen time; dukej si shesh lufte. Për shkak të shkatërrimit që kishin pësuar, të gjitha shtëpive iu dukej pjesa e brendshme dhe vitrinat e dyqaneve ishin thyer. Njerëzit vraponin nëpër rrugë. Të tjerë ishin ulur ose ishin shtrirë në rrugë duke qarë ose duke ulëritur. Në shtëpinë tonë dritaret, madje edhe kasat, ishin shqyer të gjitha nga muri, dhe shtëpia kishte mbetur pa dyer. Vëllezërit dhe motrat tona të krishterë erdhën shpejt për të na ndihmuar. Aty nga pasditja, nga kongregacioni erdhi një skuadër vullnetarësh të pajisur me kova, fshesa, si edhe me materiale plastike për të mbyllur dritaret.»

Edhe Alani e Liljana jetojnë pranë uzinës. Shpërthimi e shkatërroi plotësisht apartamentin e tyre. «Çdo gjë u bë copë-copë,​—thotë Alani.​—Muret dhe pllakat u krisën dhe të gjitha dritaret, dyert dhe orenditë u shkatërruan. Nuk mbeti as edhe një gjë. Vëllezërit e krishterë erdhën menjëherë për të na ndihmuar. Ata hoqën mbeturinat dhe ndihmuan edhe për pastrimin e apartamenteve të tjera të ndërtesës. Fqinjët u çuditën mjaft kur panë kaq shumë njerëz që erdhën për të na ndihmuar.» Mëngjesin e shpërthimit dikush, me të cilin studionte Biblën, i kishte telefonuar Alanit dhe i kishte kërkuar që të shkonte për të bërë studimin. Liljana kishte dalë për të kryer një porosi. Pra, asnjëri nuk ishte në shtëpi kur ndodhi shpërthimi.

Dëshmitarët nuk u dhanë ndihmë vetëm anëtarëve të kongregacionit. Pasi ndihmuan njëri-tjetrin, ata ndihmuan edhe fqinjët e tyre, duke hequr mbeturinat nga apartamentet dhe duke mbyllur me materiale plastike dritaret e shkatërruara. Fqinjët iu ishin shumë mirënjohës dhe u habitën që ata nuk kërkuan asnjë shpërblim.

Dëshmitarët ndihmuan edhe autoritetet vendëse që ishin të mbytyra me punë për shkak të shtrirjes së madhe të dëmit. Dëshmitarët pastruan shkolla dhe ndërtesa të tjera publike. Në një lagje, për të përcaktuar vlerën e gjërave që u nevojiteshin njerëzve, autoritetet vendëse dërguan nga dera në derë Dëshmitarë që dolën vullnetarë.

Sigurohet ndihmë frymore

Përveç ndihmës materiale, shumë prej Dëshmitarëve në zonën e shpërthimit kishin nevojë për ndihmë frymore. Prandaj, mbikëqyrësit udhëtues, bashkë me pleqtë vendës shkuan tek të gjithë ata që ishin prekur nga katastrofa. Kjo mbështetje u çmua shumë. Katerina tha: «Pleqtë na u gjendën pranë. Ata erdhën për të na dhënë zemër. Në fakt, pikërisht për këtë kishim nevojë, madje më shumë sesa për ndihmën materiale.»

Dashuria e krishterë, që menjëherë pas kësaj katastrofe u shpreh me vepra, i nxiti njerëzit të bënin komente interesante. Një Dëshmitar që u plagos rëndë tha: «Thjesht nuk e dimë se ç’do të ndodhë nesër. Gjithmonë duhet t’i shërbejmë Jehovait sikur të ishte dita e fundit e jetës sonë.» (Jakobi 4:13-15) Një Dëshmitar tjetër nxori si përfundim: «E gjithë kjo na ndihmoi të kuptojmë se nuk duhet t’i kemi tepër për zemër gjërat materiale. Ajo që ka me të vërtetë vlerë është të jemi mes popullit të Jehovait.»

[Figura në faqen 14]

Benzhameni dhe Kudiri

[Figura në faqen 14]

Alani

[Figura në faqen 15]

Tuluza të nesërmen pas shpërthimit

[Burimi]

© LE SEGRETAIN PASCAL/CORBIS SYGMA

[Figura në faqen 15]

Alani dhe Liljana