Mbijeton falë stomakut të tij
Mbijeton falë stomakut të tij
NUK është i shpejtë. Për shumë njerëz nuk është aspak i bukur. Por, oh, çfarë stomaku që ka! Për kë po flasim? Për peshkun glob me gjemba, i cili quhet edhe peshku tullumbace dhe peshku ferrëgjatë. Kur ndien kërcënimin, kjo krijesë «pëson një transformim të çuditshëm»,—thotë revista Natural History. Trupi i arrin një gjatësi rreth 50 centimetra. Ai fryhet dhe «peshku arrin një madhësi tri herë më të madhe sesa zakonisht e bëhet një glob i ngurtë, gati i përsosur, që mbulohet me një parzmore me gjemba. Kjo formë nuk është e përshtatshme për të notuar, por pa dyshim që i zmbraps grabitqarët».
Peshku fryhet duke mbushur me ujë stomakun, i cili zgjerohet pothuajse njëqind herë më shumë sesa vëllimi normal. Ideja që fshihet prapa këtij veprimi mahnitës të peshkut glob është e thjeshtë dhe njëkohësisht e bukur—palët.
Në fakt, Natural History shpjegon se stomaku i peshkut glob përbëhet nga pala më të vogla brenda palëve më të mëdha. Më të mëdhatë janë rreth tri milimetra të gjera «dhe secila ka brenda pala edhe më të vogla, e kjo gjë vazhdon derisa palat bëhen kaq të vogla, saqë mund të shihen vetëm me mikroskop»,—thotë artikulli i kësaj reviste.
Sigurisht, bashkë me stomakun e peshkut glob duhet të zgjerohet edhe lëkura. Për ta bërë këtë, lëkura, e cila përbëhet nga dy shtresa, përdor dy mënyra të ndryshme. Ngjashëm stomakut, shtresa e brendshme e lëkurës është me pala, por shtresa e jashtme është elastike. Kjo cipë e jashtme elastike nuk lejon që lëkura të rrudhet, gjë që do të ulte shpejtësinë dhe shkathtësinë e peshkut në shfryrje.
Madje, për të përzënë grabitqarët e mundshëm, peshku glob jo vetëm që fryhet, por, ndërsa lëkura zgjerohet, nxjerr shpejt parzmoren me gjemba. Prandaj, nëse shihni një peshk glob ndërsa notoni të zhytur në ujë, mos e prekni! Ruhuni edhe nga goja e tij. Mund t’ju kafshojë deri në kockë.
Kur Perëndia e pyeti Jobin rreth krijesave të Tij, Jobi iu përgjigj: «E pranoj që mund të bësh gjithçka dhe që asnjë nga planet [idetë BR] e tua nuk mund të pengohet.» (Jobi 42:2) Po, edhe buçkoja i vogël me gjemba, peshku glob, që vështirë se do të fitonte një konkurs bukurie, jep prova të të bollshme për mençurinë dhe fuqinë krijuese të Perëndisë.—Romakëve 1:20.
[Burimet e figurave në faqen 31]
Në krye: Fotografi nga John E. Randall; poshtë: © Jeff Rotman