Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një nga arrat më të dobishme në botë

Një nga arrat më të dobishme në botë

Një nga arrat më të dobishme në botë

ËSHTË një «arrë» e pazakontë, e cila ka shëtitur në të gjithë botën. Ajo siguron si ushqim, ashtu edhe pije. Silueta e veçantë e pemës që prodhon këtë arrë është shenja dalluese e ishujve tropikalë. Për ç’lloj arre po flasim? Për arrën e kokosit, një nga arrat më të dobishme të tokës. *

Për njerëzit që nuk jetojnë në tropik, palma e arrës së kokosit mund të jetë vetëm një simbol i pushimeve në vendet tropikale. Por për ata që jetojnë në tropik, pema është shumë më e çmuar. Indonezianët pohojnë se fruti i saj ka «aq shumë përdorime, sa ditë ka viti». Në Filipine thuhet: «Ai që mbjell një arrë kokosi, mbjell enë, veshje, ushqim, pije, një banesë për vete dhe një trashëgimi për fëmijët.»

Kjo thënie nuk është e tepruar. Sipas librit Coconut​—Tree of Life, palma e arrës së kokosit «siguron jo vetëm ushqim, ujë dhe vaj për gatim, por edhe gjethe për të bërë çati, fije për litarë e rrogozë, guaska që mund të përdoren si enë kuzhine e zbukurime dhe lëng të ëmbël që nxirret nga tufat e luleve dhe me të cilat prodhohet sheqer dhe alkool». Libri shton: «Edhe druri, në qoftë se pritet në mënyrën e duhur, mund të përdoret.» Në të vërtetë, banorët e ishujve Maldive, në Oqeanin Indian, ndërtuan varka duke përdorur prodhimet e pemës së arrës së kokosit dhe thuhet që lundruan me to deri në Arabi e në Filipine. Por arra e kokosit ka treguar se lundron shumë më larg se kultivuesit e saj.

Farë lundruese

Arra e kokosit rritet mirë përgjatë shumicës së brigjeve tropikale për sa kohë që bie mjaftueshëm shi. Megjithëse vendasit mund ta mbjellin palmën e gjithanshme të arrës së kokosit, ajo e ka gjetur vetë rrugën për të shkuar në disa nga vendet më të izoluara të planetit. Farërat përhapen në shumë mënyra, por arra e kokosit shfrytëzon ujërat e oqeanit. Pikërisht kjo gjë e bën atë një udhëtare të suksesshme në botën mbarë.

Kur piqet, arra e kokosit bie në tokë. Në disa raste, arra e pjekur rrokulliset tatëpjetë bregut dhe bie në ujë. Pastaj batica mund ta marrë me vete në det. Meqenëse lëvozhga me fije mban shumë ajër brenda, arra e kokosit noton lehtë mbi ujë. Në rast se arra e kokosit do të ndodhej në ndonjë ishull koralor të Paqësorit, mund të shkonte vetëm deri në anën tjetër të lagunës. Por, nëse arrin në det të hapur, arra e kokosit mund të udhëtojë në largësi të mëdha.

Uji i kripur, i cili shkatërron shumicën e farërave të tjera, do shumë kohë që të depërtojë në lëvoren e fortë të arrës së kokosit. Arrat e kokosit mund të rezistojnë me lehtësi tre muaj në det, disa herë duke përshkruar mijëra kilometra, dhe prapëseprapë mbijnë me sukses nëse mbërrijnë në ndonjë breg që është më i përshtatshëm për to. Ndoshta kjo është mënyra nëpërmjet së cilës arra e kokosit është përhapur në shumë brigje tropikale.

Shija e tropikut

Jashtë tropikut, njerëzit mund ta mendojnë arrën e kokosit si një aromatizues për ëmbëlsirat ose për biskotat. Megjithatë, në qoftë se shkoni në Azinë Juglindore, do të zbuloni se arra e kokosit është shumë e dobishme. Sipas librit Pacific and Southeast Asian Cooking, «arra e kokosit është një nga përbërësit kryesor të gatimit, në të gjitha vendet, rajonet dhe ishujt që ndodhen që nga Havai deri në Bangkok». Libri gjithashtu pohon se për banorët e këtyre vendeve, «arra e kokosit është një gjë e domosdoshme, me anë të së cilës ushqehen . . . në shumë mënyra dhe me anë të një shumëllojshmërie pothuajse të pafundme gatimesh e shijesh».

Arsyeja se përse arra e kokosit zë një vend të nderuar në kuzhinën tropikale është e thjeshtë: ajo siguron ujë, qumësht dhe vaj për gatim. Lëngu i tejdukshëm dhe i ëmbël që ndodhet në arrën e papjekur jeshile njihet si uji ose lëngu i arrës së kokosit. Ky lëng është një pije freskuese e shijshme, i cili në tropik shpesh shitet në dyqanet që ndodhen buzë rrugës. Nga ana tjetër, qumështi i arrës së kokosit përgatitet duke e përzier me ujë tulin e grirë të arrës së kokosit e pastaj shtrydhet për t’i nxjerrë lëngun. Qumështi i arrës së kokosit i jep shije dhe i pasuron supat, salcat dhe brumërat.

Për të nxjerrë vajin për gatim nga arra e kokosit, fshatari e çan arrën e pjekur, e hap dhe e than në diell. Pasi thahet, tuli i arrës së kokosit ndahet nga guaska dhe pastaj mund të nxirret vaji. Në tropik, vaji i arrës së kokosit është vaji kryesor për gatim, ndërsa në vendet perëndimore përdoret shpesh në margarinë, akullore dhe ëmbëlsira.

Të vjelësh arra kokosi nuk është punë e lehtë. Shpesh, vjelësi ngjitet në majë të pemës dhe i pret. Vjelës të tjerë përdorin një shkop të gjatë ku lidhin një thikë. Në Indonezi janë stërvitur majmunë për të bërë këtë punë. Metoda më e thjeshtë, e preferuar nga ata që duan të jenë të sigurt se do të mbledhin kokrra të pjekura, është të presësh derisa arra e kokosit të bjerë vetë në tokë.

Sido që të mblidhet, përdorimet e shumta të arrës së kokosit e bëjnë atë një prodhim të mirë për t’u shitur në treg, si dhe një burim tepër i çmuar ushqimi për shumë njerëz. Kështu, herën tjetër që shihni një palmë arre kokosi, qoftë në fotografi, qoftë me sytë tuaj, kujtoni që është shumë më tepër sesa një pemë zbukuruese, e cila stolis plazhet tropikale. Po shihni pemën që prodhon një nga «arrat» më të dobishme të tokës.

[Shënimi]

^ par. 2 Edhe pse në disa vende arra e kokosit nuk konsiderohet një arrë, burime të ndryshme i referohen farës së frutit si arrë.

[Kutia dhe figurat në faqen 26]

KURIOZITETE PËR ARRËN E KOKOSIT

GAFORRJA E ARRËS SË KOKOSIT Nuk janë vetëm njerëzit ata që kënaqen me prodhimet e arrës së kokosit. Gaforrja e arrës së kokosit jeton në një gropë në tokë gjatë ditës, por kënaqet me arra kokosi gjatë natës. Edhe pse njerëzve u duhet një hanxhar për të çarë arrën e kokosit, kjo gaforre e shkathët bën një punë të madhe për ta çarë, duke e goditur pas një shkëmbi derisa ajo të ndahet. Kjo mënyrë të ushqyeri me arra kokosi duket se i plotëson nevojat e kësaj krijese, e cila mund të jetojë më shumë se 30 vjet.

ARRA E KOKOSIT NË KOZMETIKË Meqenëse vaji i arrës së kokosit është shumë i mirë për lëkurën, prodhuesit e përdorin atë në të kuq buzësh dhe në solucionet kundra diellit. Nëse përdorni një sapun të dekompozueshëm ose një shampo që bën shumë shkumë, ka shumë të ngjarë që vaji i arrës së kokosit të jetë një nga përbërësit kryesorë.

[Figurat]

Arra e kokosit mund të rezistojë gjatë udhëtimeve nëpër oqean

Gaforrja e arrës së kokosit

Bimë e arrës së kokosit

[Burimi]

Godo-Foto

[Burimi i figurës në faqen 25]

Fotografia sipër në të djathtë: Godo-Foto