Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një udhëtim me linjën më të gjatë të trolejbusit

Një udhëtim me linjën më të gjatë të trolejbusit

Një udhëtim me linjën më të gjatë të trolejbusit

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË UKRAINË

A është e mundur që të blesh një përvojë të paharrueshme vetëm me pak monedha? Po, nëse blini një biletë të linjës më të gjatë në botë të trolejbusit. Trolejbusi përshkon rreth 95 kilometra duke u nisur që nga Simferopoli, në qendër të Gadishullit të Krimesë, i cili ndodhet në jug të Ukrainës, deri në Jaltë, në bregun verior plot diell të Detit të Zi. Përse nuk vini me ne për një udhëtim magjepsës?

NË ZYRAT e transportit të Simferopolit, takojmë Sllavni Xhorxhi Mihajloviçin ose shkurt z. Sllavnin. Ai ka punuar këtu që nga viti 1959 dhe patjetër që ka përvojë në këtë punë. Z. Sllavni në fillim na shoqëron në muzeun e transportit, ku paraqiten fotografitë e burrave dhe të grave që e ndërtuan këtë linjë trolejbusi. «Trolejbusi nuk kërkon vetëm rrugë të shtruar,​—shpjegon ai.​—Punëtorët e ndërtimit ngritën qindra kulla për të mbajtur sipër tyre shumë kilometra kabllosh elektrikë. Inxhinierët projektuan centrale për të siguruar energjinë elektrike.»

«Përse përdoren trolejbuse elektrikë për t’u ngjitur në këto rrugë të gjata malore në vend të autobuzëve me benzinë?»​—e pyesim ne.

«Trolejbusët janë më të pastër se autobusët me benzinë,​—na thotë ai.​—Në këtë mënyrë mbrojmë natyrën e virgjër të maleve dhe bregdetin e pandotur.»

«Por, vërtet kaq shumë ndotje mund të bëjnë disa autobusë me benzinë?»​—e pyesim ne.

«Disa autobusë?!​—përgjigjet ai.​—E pra, disa vite më parë, në kulmin e tyre, gjatë stinës së verës, trolejbusët niseshin çdo dy ose tre minuta dhe bënin gjithsej 400 udhëtime në ditë.»

Me këtë në mendje, mezi presim të fillojmë udhëtimin.

Udhëtimi fillon

Stacioni Qendror i Simferopolit është pika e nisjes. Qindra kabllot elektrikë që ndodhen sipër ngjajnë si një labirint i argjendtë. Gjejmë biletarinë dhe blejmë biletat. Pastaj, hipim në trolejbusin me Nr. 52. Udhëtimi fillon!

Pasi bëjmë 29 kilometra rrugë, fillojmë të ngjitemi midis maleve. Pas pak arrijmë në hijet e freskëta të këtyre kullave vigane natyrore. Shpatet e rrëpirëta, të mbuluara me pemë gjethegjërë dhe me gjelbërim të përhershëm shtrihen poshtë për t’u bashkuar me luginat e mbuluara nga dëbora. Sapo arrijmë në majë, mbetemi gojëhapur për të tatëpjetën po aq mahnitëse që kemi përpara. Përpara nesh, në horizont, zbret një rrugë gjarpëruese. Frenat e forta të trolejbusit kontrollojnë uljen e shpejtësisë. Shoferi na zbret tatëpjetë shëndoshë e mirë.

Hyjmë në qytetin e Alushtës që gjendet në rrëzë të malit, kthehemi djathtas dhe udhëtojmë drejt jugut përgjatë rrugës bregdetare. Në të majtë të trolejbusit tonë ndodhet Deti i Zi. Në të djathtë, malet madhështore të Krimesë formojnë një mur mbrojtës.

Ndërsa ngjitemi pak më sipër, në rrethinat e fshatit Pushkino, dallojmë Malin e Ariut. Sipas legjendës që tregojnë banorët e fshatit, një ari gjigant u kthye në gur, ndërsa përpiqej të përpinte Detin e Zi. Ata thonë se koka e tij ndodhet ende nën ujë, duke pirë shumë ujë. Unë pyes veten: «Përse fshatarët nuk thonë se ariu ra në ujë sepse kishte pirë tepër verë? Në fund të fundit, ne kaluam shumë fusha me rrush.» Ky është një vend që prodhon verë dhe këtu rritet hardhia Masandra, fituese e konkurseve ndërkombëtare.

Më pas, në fshatin Nikita, zbresim nga trolejbusi për të parë Kopshtin Botanik Nikitski. Kopshti është me të vërtetë ndërkombëtar, sepse përmban mijëra bimë nga e gjithë bota. Bashkë me udhërrëfyesen tonë Tamarën, e cila e njeh shumë mirë këtë vend, kënaqemi me aromën e drurëve përherë të gjelbra që ndodhen pranë hyrjes. «Këta janë cedrat e Libanit,​—shpjegon ajo.​—Me këto pemë hijerënda Solomoni ndërtoi tempullin.» Udhërrëfyesja ka të drejtë, sepse Bibla tregon që cedrat u përdorën shumë në atë projekt madhështor ndërtimi të ndërmarrë nga Solomoni.​—1 Mbretërve 5:6-18.

Duke zbritur me ngadalë nëpër shtigjet e shtruara mirë me zhavorr, vëmë re një shtrat shkurresh me gjemba. «Këta janë trëndafila,​—thotë Tamara.​—Kopshti ka 200 varietete dhe lulëzon plotësisht në fund të majit dhe në fillim të qershorit.» Më vonë, ndodhemi përballë një shkurreje të zakonshme, e cila është rreth dy metra e gjysmë e lartë. «Kjo pemë është një Parrotica persica,​—tregon Tamara, e cila duket qartë se i pëlqen ky lloj.​—Druri i saj elastik, një zëvendësues metalesh, mund të ngulet si një gozhdë çeliku. Madje fundoset në ujë.» Pas pak vjen një trolejbus dhe ne jemi të lumtur që ulemi përsëri e çlodhim këmbët tona të lodhura gjatë udhëtimit të shkurtër për në Jaltë, ndalesën e fundit e trolejbusit. Shumë njerëz e kujtojnë Jaltën kryesisht për shkak të konferencës historike të Luftës II Botërore, të mbajtur në Pallatin Livadia në vitin 1945. Në këtë konferencë, udhëheqësit e tre shteteve kryesore të Forcave Aleate u takuan për të bërë planet e sulmit përfundimtar dhe të pushtimit të Gjermanisë Naziste.

Udhëtimi i kthimit

Po afron mbrëmja dhe është koha që t’i hipim trolejbusit për t’u kthyer në shtëpi. Përgjatë rrugës, fëmijët shesin buqeta me lule të ndryshme. Kur dalim me nxitim për të blerë disa, rrethohemi menjëherë nga një grup fëmijësh të shkathët për të shitur. «Çfarë janë këto lule të bardha me ngjyrë perle»,​—e pyes Janën, një vajzë 15-vjeçare me flokë ngjyrë kuqërreme. «Luleborë»,​—përgjigjet me krenari. Duke bërë shenjë me kokë nga kodra përtej rrugës, ajo shton: «I mbledhim në shpatin e kodrës, herët në mëngjes, në anët ku fillon të shkrijë dëbora.»

Pas pak jemi përsëri brenda në trolejbus, duke kërcyer, ndërsa udhëtimit po i vjen fundi. Ashtu si fëmijët që kanë bërë për herë të parë një xhiro në trenin fluturues në parkun e lojërave, dëshirojmë të kthehemi dhe ta përsëritim udhëtimin.

[Hartat në faqet 22, 23]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

UKRAINA

KRIMEA

Deti i Zi

SIMFEROPOLI

↓ Mali Çatir-Dag

Alushta

Pushkino

↓ Mali i Ariut

Nikita

↓ Masandra

Jalta

Livadia

Mali Ai Petri

Alupka

[Figura në faqet 22, 23]

Mali Ai Petri

[Figurat në faqen 23]

Pallati Vorontsov, Alupka

[Figura në faqen 23]

Shpella e Mermertë, mali Çatir-Dag

[Figura në faqen 23]

Mali i Ariut

[Figura në faqen 24]

Kështjella ‘Çerdhja e dallëndyshes’, Jaltë

[Figura në faqen 24]

Qilar i verës Masandra, Jaltë, me shishe sherry të vitit 1775

[Figura në faqen 24]

Ujëvarat Uçansu, Jaltë, me lartësi më shumë se 106 metra, më të lartat në Krime

[Figura në faqen 24]

Pallati Historik i Lavadias, Jaltë