Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vizitë në plantacionin e bananeve

Një vizitë në plantacionin e bananeve

Një vizitë në plantacionin e bananeve

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AFRIKËN E JUGUT

GJITHMONË më kanë pëlqyer bananet. Besoj se edhe shumë të tjerëve u pëlqejnë. Bananet nuk janë vetëm të shijshme, por edhe të pasura me vitamina, minerale dhe fibra. A dëshironi të dini më shumë për këtë frutë të ushqyeshme? Para pak kohësh, një fermer dhe gruaja e tij më treguan mënyrën e çuditshme se si ripërtërihen bananet.

Toni dhe Maria (të treguar më lart) kanë një fermë në Provincën Limpopo, të Afrikës së Jugut, në një zonë të quajtur Levubu. Ata rritin një shumëllojshmëri prodhimesh në fermën e tyre me sipërfaqe 55 hektarë. Mirëpo, prodhimi kryesor është banania. Toni dëshiron të na tregojë më shumë rreth kësaj frute të preferuar.

Rritja dhe kushtet klimaterike

«Lloji më i mirë i tokës,​—shpjegon Toni,​—nuk duhet të ketë një përmbajtje tepër të lartë argjile dhe nuk është tokë ranore ose shkëmbore. Përveç kësaj, duhet të jetë e thellë dhe e drenazhuar mirë. Bananet lulëzojnë në zona pa ngrica. Në të vërtetë, ato pëlqejnë temperatura të larta. Temperatura mesatare vjetore e Levubusë luhatet nga 12 deri në 35 gradë Celsius.» Kur e pyes për reshjet, Toni më përgjigjet: «Bananet duan ose reshje të rregullta, ose të ujiten çdo javë.»

Një bimë bananeje mund të duket si një pemë, por trungu nuk është dru, por kërcej gjethesh të ngjeshur me njëri-tjetrin. Banania në të vërtetë është një bimë barishtore gjigante, jo një pemë. Kërcelli i vërtetë shtrihet nën dhè dhe quhet rizomë. Nga rizoma dalin rrënjët dhe sipër rriten gjethet dhe më vonë një lule e madhe e purpurt. Rizoma lëshon edhe filiza, të cilat bëhen bimë të reja.

Bimët e bananes zhvillohen në tri faza kryesore, të cilat fermerët e këtij vendi i quajnë «gjyshja, bija dhe mbesa». (Shiko fotografinë.) «Gjyshja» do të japë frut këtë vit, «bija» vitin tjetër dhe «mbesa» vitin e tretë. «Mbesat» shfaqen në një numër mjaft të madh, pranë «mamasë» së tyre. Kur këto «foshnja» arrijnë afërsisht në lartësinë e gjurit, priten të gjitha, përveç filizit që premton më shumë.

Lulja e madhe e purpurt, e cila më vonë bëhet një tufë bananesh, del nga rizoma e nëndheshme dhe kalon në brendësi të bimës. Së fundi, ajo del midis dy gjetheve që ndodhen në majë dhe rri e varur. Ndërsa bien petalet, zbulohen 10 deri në 15 tufëza të pazhvilluara, të cilat formojnë një tufë dhe që, për një sy të pastërvitur, duken sikur rriten përmbys. Një tufëz mund të përbëhet nga 20 ose më shumë banane të pabëra, të cilat quhen gishtërinj.

Koha e vjeljes

Koha që nga çelja e lules së purpurt deri në vjeljen e bananeve mund të ndryshojë nga tre deri në gjashtë muaj, në varësi të periudhës së vitit. Frutat vilen kur janë të gjelbra, por vetëm pasi gishtërinjtë të jenë mbushur dhe të kenë marrë një formë të lakuar. Pesha mesatare e një tufe që është gati për t’u shitur në treg është rreth 35 kilogramë. Gjatë vjeljes, tufës i vihet një mbulesë plastike, me qëllim që të mos dëmtohet gjatë dërgimit me kamion për në punishten e ambalazhimit. Në këtë ndërtesë, tufëzat ndahen në grupe të vogla të përbëra nga tri deri në gjashtë banane dhe pastaj trajtohen në një tretësirë fungicide për të penguar kalbjen.

Në Afrikën e Jugut, frutat paketohen më pas në kuti kartoni me vrima anash dhe të lyera me dyll dhe çohen në dhomën ku mund të piqen. Këtu një gaz, etileni, shkakton procesin e pjekjes. * Kutitë e kartonit mbahen në një temperaturë të caktuar për një ose dy ditë dhe pastaj dërgohen tek konsumatori.

«Ndoshta po tregohem i anshëm,​—thotë Toni të cilit i qeshnin sytë.​—Por më duket se bananet e Levubusë kanë një shije të veçantë, ndoshta për shkak të tokës sonë. Është për të ardhur keq, sepse, meqë jemi shumë larg nga çdo qytet që eksporton, ato shijohen vetëm në këtë vend.»

Të mira për shëndetin

Bananet janë të pasura me kalium. «Studime të shumta tregojnë se ky element ushqyes mund të ndihmojë në forcimin e kockave dhe mund të ulë rrezikun e tensionit të lartë dhe të apopleksisë»,​—pohon revista Health në një artikull për bananet. Revista shton: «Bananet përmbajnë acid folik, një lloj vitamine B e cila parandalon defektet e lindjes. Ajo është shumë e rëndësishme për këdo që është shtatzënë ose në moshë për të lindur.» Bananet përmbajnë edhe metale të tjera jetësore, si magnezi, i cili i ndihmon kockat që të thithin kalciumin dhe si rrjedhim të qëndrojnë të forta.

Proteina te bananet është e përbërë nga 18 aminoacide, duke përfshirë të gjitha ato që janë thelbësore, por që trupi nuk mund t’i prodhojë në një sasi të mjaftueshme ose nuk i prodhon dot fare. Banania ka 22 për qind karbohidrate, të cilat japin energji të menjëhershme. Kjo sepse bananet treten lehtë. Maria thotë e kënaqur: «Bananet janë një burim i mirë për vitaminat A, B dhe C. Gjithashtu, duket se shuajnë oreksin, meqenëse asnjeri nuk mund të hajë shumë banane njëherësh.» Prandaj, përse nuk hani një? Do t’ju bëjë mirë dhe është shumë e shijshme!

[Shënimi]

^ par. 12 Kur piqen në mënyrë natyrale, bananet çlirojnë të njëjtin gaz, i cili shpejton procesin e pjekjes. Kështu që një mënyrë tjetër për të pjekur bananet e gjelbra është duke vendosur disa të pjekura midis tyre.

[Diagrami dhe figura në faqen 16]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Gjethja

Lulja/bananet

Milli i gjethes

Niveli i tokës

Rrënja

Rizoma

[Burimi]

Vizatim: I bazuar në vizatimin e The Complete Encyclopedia of Illustration/J. G. Heck

[Diagrami dhe figura në faqen 17]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Gjyshja

Bija

Mbesa

[Figurat në faqen 17]

Lulja e madhe e purpurt më vonë bëhet një tufë me banane

[Burimi]

Fotografi nga Kazuo Yamasaki

[Figurat në faqen 18]

Koha e vjeljes (në të majtë); bimë të reja që po rriten (sipër)