Proverbat akanase: Pasqyrim i normave të shoqërisë
Proverbat akanase: Pasqyrim i normave të shoqërisë
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË GANË
ÇFARË është një proverb? Një fjalor e përkufizon proverbin si «një fjali të shkurtër që përmendet shpesh nga njerëzit, e cila ju këshillon ose ju tregon diçka për jetën». Joruba të Nigerisë e përkufizojnë proverbin me një gjuhë më të gjallë, duke e quajtur «një kalë që të çon me shpejtësi drejt zbulimit të ideve».
Rëndësia e proverbave ose e thënieve proverbiale shprehet në këtë proverb shumë të njohur për akanasit e Ganës: «Njeriut të mençur i flitet me proverba dhe jo në prozë.» Pika është që një njeri i mençur nuk ka gjithmonë nevojë për leksione që të bindet se cila është gjëja e drejtë që duhet bërë. Një proverb i përshtatshëm të shtyn të mendohesh, të ndihmon të kuptosh dhe mund të të nxisë për të bërë atë që është e drejtë.
Në Ganë, proverbat përdoren në një masë të madhe gjatë ceremonive martesore e gjatë funeraleve dhe janë pjesë e muzikës popullore. Gjithashtu, ata janë të domosdoshme në bisedimet diplomatike. Një zëdhënës ose një i dërguar shpesh është shumë i aftë t’i përdorë proverbat.
Në shoqërinë akanase, të përdorësh me zgjuarsi proverbat është shenjë mençurie. Është interesant fakti që në Bibël thuhet se mbreti Solomon, një burrë i famshëm për mençurinë, njohurinë dhe diplomacinë e tij, dinte 3.000 proverba. Sigurisht që proverbat e Biblës, ndryshe nga proverbat që janë të bazuara në përvojën dhe gjykimin njerëzor, u frymëzuan në mënyrë hyjnore dhe mbeten gjithnjë të vërteta. Proverbat njerëzore, sado të mençura që të jenë, kurrë nuk duhen të barazohen me Biblën. Por, le të shqyrtojmë disa proverba akanase.
Mendimi për Perëndinë
Në Ganë, thëniet proverbiale shpesh e pranojnë ekzistencën e Perëndisë, dhe kjo pasqyrohet në shumë proverba akanase. Idetë ateiste nuk kanë vend në filozofinë akanase. Për shembull, një proverb thotë: «S’ka nevojë t’i tregosh Perëndinë një fëmije.» Ekzistenca e Perëndisë është shumë e dukshme edhe për një fëmijë. Ky proverb shpesh përdoret kur flitet për diçka që një fëmijë ka për ta mësuar vetë, me pak udhëzime.
Një tjetër proverb akanas thotë: «Edhe nëse largohesh nga Perëndia, je përsëri nën të.» Kështu pra kushdo që orvatet të shpërfillë Perëndinë, do të zhgënjehet. Shumë kohë më parë Bibla fliste për një pikë të ngjashme, kur thoshte që sytë e Perëndisë «janë kudo për të shikuar të këqijtë dhe të mirët». (Fjalët e urta 15:3) Të gjithë japim llogari përpara të Plotfuqishmit.
Shprehje të normave dhe të vlerave të shoqërisë
Ngjashëm proverbave të kulturave të tjera, proverbat akanase janë një gurrë e pasur me norma dhe vlera të shoqërisë. Për shembull, ndikimi i fuqishëm që ka një fjalë e thënë theksohet qartë në këtë proverb: «Më mirë të shkasë këmba, sesa të shkasë gjuha.» Një gjuhë e papërmbajtur mund të dëmtojë vërtet shumë dhe në fakt mund jetë çështje jete a vdekjeje.—Fjalët e urta 18:21.
Sidoqoftë, kur mbahet nën kontroll, gjuha mund të sjellë paqe të vërtetë, siç dëshmon edhe fjala e urtë: «Dhëmbët nuk grinden në prani të gjuhës.» Kuptimi i kësaj është se çështjet midis palëve që kanë mosmarrëveshje, për shembull burrit dhe gruas, mund të zgjidhen në mënyrë miqësore nëpërmjet një diskutimi të qetë. Edhe nëse kjo nuk sjell rezultat, përdorimi i mençur i gjuhës nga një person i tretë që i ndihmon, mund të ndalë konfliktin.
Mençuri praktike
Vlera e aftësisë dalluese dhe e largpamësisë shprehet me një gjuhë të gjallë në një numër të madh thëniesh proverbiale që theksojnë mençurinë praktike. Një person të rrëmbyer dhe kokëkrisur, i cili nuk merr parasysh pasojat e veprimeve të tij, e këshillon kjo thënie proverbiale: «Gjej një rrugë shpëtimi përpara se të ngacmosh kobrën.»
Një prind që vëren tipare të padëshiruara tek fëmija i tij, duhet t’i vërë veshin këtij proverbi: «Nëse vëren që një kërcell rritet aq sa mund të shpojë syrin, shkule, mos e mprih.» Po, çdo tipar i padëshiruar duhet të çrrënjoset ose të shkulet që në rrënjë, përpara se të lulëzojë e të shndërrohet në një problem të vërtetë.
Japin një ide për traditat dhe zakonet kulturore
Disa herë është e nevojshme që të njihesh me kulturën e vendit, përpara se të kapësh kuptimin e proverbave të tij. Për shembull, për akanasit, është e pasjellshme të bësh shenjë me dorën e majtë kur je në shoqëri me të tjerët, sidomos me të moshuarit. Kjo rregull e mirësjelljes përmendet tërthorazi te proverbi: «Mos përdor dorën e majtë për të treguar rrugën që të çon në qytetin e lindjes.» Me fjalë të tjera, secili duhet të vlerësojë atë që ka, duke përfshirë edhe origjinën.
Një proverb që bën fjalë për traditën e ngrënies në një familje karakteristike akanase thotë: «Fëmija që mëson të lajë duart, ha bashkë me të rriturit.» Në vaktet e ngrënies, pjesëtarët e familjes grupohen sipas moshës. Megjithatë, një fëmijë që sillet mirë, veçanërisht në fushat e pastërtisë fizike dhe të mirësjelljes, mund të nderohet duke qëndruar bashkë me babanë dhe të rriturit e tjerë në tavolinë. Proverbi nënvizon faktin se të qenët i nderuar përcaktohet më shumë nga sjellja, sesa nga mosha.
A ke ndërmend të martohesh? Atëherë, mbaj parasysh këtë proverb akanas: «Martesa nuk është verë palme për t’u provuar.» Shitësit e verës së palmës, një pije e fermentuar që nxirret nga pema e palmës, zakonisht i lënë blerësit e mundshëm që ta provojnë përpara se të vendosin se sa do të blejnë ose edhe nëse do ta blejnë. Megjithatë martesa nuk mund të provohet. Ky proverb thekson se lidhja martesore është e përhershme dhe se martesat-provë janë të papranueshme.
Vështrim i hollësishëm për gjërat
Shumë thënie proverbiale dëshmojnë për vështrimin në thellësi që paraardhësit e akanasve i bënin njerëzve dhe kafshëve. Për shembull, duke vështruar me kujdes klloçkën bashkë me zogjtë e saj, lindi ky proverb: «Zogu që qëndron pranë mamasë merr kofshën e karkalecit.» Cili është kuptimi? Nëse një person veçohet nga të tjerët, harrohet lehtë kur ndahen gjërat e mira.
Kushdo që vështron një bretkosë të ngordhur nuk e ka shumë të vështirë të kuptojë vërtetësinë që ka thënia: «Gjatësia e plotë e bretkosës shihet kur është e ngordhur.» Ky proverb përmendet shpesh, kur dikush nuk vlerësohet. Në një situatë si kjo, njeriu i pavlerësuar ngushëllohet nga fakti që mungesa e tij apo e saj mund të bëjë që njerëzit të kuptojnë në një masë më të plotë cilësitë e mira të tij apo të saj.
Proverba «të shkurtra»
Megjithëse, proverbat akanase kanë kaluar gojë më gojë nga brezi në brez, shumë thënie janë ruajtur në formë simbolesh. Këto simbole shihen si te gdhendjet në dru, bastunët, gurët e peshës prej ari, në veshjet tradicionale, ashtu edhe në modelet e veshjeve moderne. Vizitorët në galeritë e artit në Ganë shikojnë të paraqitet një njeri, i cili ngjitet në pemë dhe një tjetër që po e ndihmon. Ai është një përshkrim i gjallë i këtij proverbi:
«Nëse ngjitesh në një pemë të mirë, mund të të japin një ndihmë.» Mesazhi kryesor është i qartë: nëse ndjek synime të vlefshme, mund të kesh mbështetje.Sidomos funeralet japin mundësinë për atë që një shkrimtar e quan «gjuha e veshjes». Atmosfera e zisë në të vërtetë të bën të meditosh për jetën. Si rezultat, motivet që shihen në veshjet e funeralit përcjellin mesazhe, thelbi i të cilave është filozofik. Për shembull, veshja që ka të vizatuar një shkallë ose një shkallare të kujton proverbin: «Një njeri nuk mund t’i ngjitë vetë shkallët e vdekjes.» * Kjo na sinjalizon të gjithëve që të kemi një pikëpamje të përulur për veten dhe të mos e jetojmë jetën sikur nuk do të vdisnim kurrë.—Predikuesi 7:2.
Në shoqërinë akanase, të dërguarit ose zëdhënësit e sundimtarëve tradicionalë, janë shumë të zotë për të përdorur me rrjedhshmëri proverbat dhe gjithashtu mbajnë një skeptër zyrtar me motive që shfaqin disa nga vlerat e çmuara të popullit. Për shembull, një zog që ka kapur me kthetra kokën e një gjarpri është «shkurtim» për thënien: «Nëse e kap gjarpërin nga koka, pjesa tjetër është thjesht si litar.» Çfarë mesazhi përcjell? Bëju ballë problemeve me vendosmëri, me këmbëngulje.
Përdorimi me vend i proverbave
Ngjashëm ilustrimeve, koha dhe mënyra e përdorimit të proverbave varet si nga linja e arsyetimit, ashtu edhe nga auditori. Bukuria e arsyetimit mund të zbehet nga përdorimi jo i duhur i proverbave. Meqenëse në disa kultura, përdorimi i proverbave përbën një pjesë të rëndësishme të mënyrës së komunikimit, çdo përdorim i gabuar mund të ndikojë për keq në vlerësimin që kanë njerëzit për atë që flet.
Në Ganë, pleqtë e shoqërisë shikohen si autorë dhe ruajtës të fjalëve të urta. Prandaj, thëniet proverbiale shpesh fillojnë me shprehjen: «Pleqtë tanë thonë . . . » Në rastin kur folësi u drejtohet personave shumë më të mëdhenj në moshë është e hijshme që përpara se të përdorë proverbin, të fillojë me shprehjen: «Ju pleq thoni . . . » Nga respekti që ka, një folës më i ri në moshë nuk dëshiron të japë përshtypjen sikur po u mëson pleqve fjalët e mençura që personifikohen tek proverbi.
Disa gjëra për t’u përmendur
Proverbat ose mund të paraprijnë, ose mund të vijnë pas një argumentimi. Gjithashtu, ato mund të ndërthuren me kaq mjeshtëri me arsyetimin, saqë mund të nevojitet mendjehollësi që të dallosh se po përdoret një proverb. Për shembull, për një njeri të përulur dhe paqedashës, një akanas mund të thotë: «Nëse varej vetëm nga filani, nuk do të kishte asnjë krismë në këtë fshat.» Kjo të sjell ndërmend proverbin: «Po të varej vetëm nga kërmilli dhe nga breshka, nuk do të kishte asnjë krismë në kaçube.» Të dyja krijesat shihen si të buta, të matura dhe që nuk kanë prirje të grinden. Njerëzit që zotërojnë këto cilësi sjellin paqe.
Megjithatë, nëse dëshironi që një akanas të thotë përmendësh një varg proverbash, mund të dëgjoni vetëm proverbin: «Nuk ka ëndrra, nëse s’ka gjumë.» Me fjalë të tjera, nuk mund të përdoren proverbat në tym, ashtu siç nuk mund të ëndërrojmë kur jemi zgjuar. Përdorimi i tyre varet sipas rrethanave.
[Shënimi]
^ par. 25 Ia vlen të përmendim që ky motiv gjendet në pëlhura me ngjyra të larmishme dhe nuk paraqitet vetëm me ngjyra të errëta, të cilat zakonisht mbahen nëpër funerale.