Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Videoklipet: Si mund të jem përzgjedhës?

Videoklipet: Si mund të jem përzgjedhës?

Të rinjtë pyesin . . .

Videoklipet: Si mund të jem përzgjedhës?

«Sapo shoh që shfaqet emri i një grupi ose titulli i një kënge të dyshimtë, pikërisht atë çast e ndërroj stacionin.»​—Kejsi.

VIDEOKLIPET: shumë të rinj mendojnë se ato janë jashtëzakonisht zbavitëse. Por siç tregoi edhe një artikull i mëparshëm i kësaj serie, shumë nga videoklipet përmbajnë skena skandaloze me imoralitet seksual dhe me dhunë. * Sigurisht, nëse një lloj argëtimi nxit gjërat që Perëndia dënon, atëherë një i krishterë nuk duhet ta shohë. Megjithatë jo të gjitha videoklipet janë paturpësisht të pamoralshme. Disa mund të jenë pak a shumë të padëmshme. Kurse të tjera, në pamje të parë, mund të mos kenë gjëra që shihet hapur se janë të këqija. Sidoqoftë, videoklipe të tilla fare mirë mund të përçojnë tinëzisht mesazhe që bien në kundërshtim me fjalën e Perëndisë.

Nëse prindërit janë dakord që të shohësh videoklipe, është e nevojshme të jesh përzgjedhës dhe të përdorësh «aftësitë perceptuese» të stërvitura sipas Biblës, në mënyrë që të dallosh se çfarë është e çfarë nuk është e përshtatshme për t’u parë. (Hebrenjve 5:14) Cilat parime biblike mund të të ndihmojnë për këtë gjë? Më poshtë janë paraqitur disa vargje nga Bibla dhe komente që mund të të ndihmojnë.

Fjalët e urta 4:23: «Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet e jetës.» A ke ndonjë pajisje sporti ose ndonjë vegël muzikore që është e çmuar për ty? Pa dyshim që përpiqesh ta mbash në gjendje të mirë dhe në vend të sigurt. Sigurisht që nuk do ta lije në mes të rrugës, pa mbikëqyrje, qoftë dhe për pak çaste, sepse do të kishe frikë se mos dikush e dëmtonte ose e vidhte. Po, do ta ruaje. Po kështu, duhet të marrësh vendimin që ta ruash zemrën tënde, që nuk do ta vësh në rrezik, madje për asnjë çast, duke e vënë përballë ndonjë zbavitjeje jo të shëndoshë.

Efesianëve 2:1, 2: «Perëndia ju dha jetë, ndonëse ishit të vdekur në shkeljet dhe mëkatet tuaja, në të cilat ecnit dikur sipas sistemit të kësaj bote, sipas sundimtarit të autoritetit të ajrit, frymës që tani vepron në bijtë e mosbindjes.» Ajri është fryma e botës, mënyra e të menduarit dhe qëndrimet që nxitin sjelljen e paperëndishme. Kjo frymë pasqyrohet në shumë videoklipe dhe është krejtësisht në kundërshtim me frymën e Perëndisë, e cila prodhon cilësi të tilla, siç janë gëzimi, paqja dhe vetëkontrolli.​—Galatasve 5:22, 23.

2 Timoteut 2:22: «Ik nga dëshirat karakteristike rinore.» Të shohësh skena seksuale, qoftë edhe kur janë të shkurtra, vetëm sa do t’i fryjë më shumë zjarrit të dëshirës. Shumë të rinj e pranojnë që e kanë të vështirë të harrojnë skena të tilla; madje ka shumë mundësi që këto skena t’u kthehen ndër mend herë pas here. Një i ri me emrin Dejv, i cili pa një videoklip provokues, pranon: «Pas asaj dite, sa herë që e dëgjoja atë këngë mendoja për atë videoklip.» Pra, shikimi i videoklipeve të tilla mund të ushqejë dëshirën për të pasur marrëdhënie seksuale imorale.​—1 Korintasve 6:18; Kolosianëve 3:5.

Fjalët e urta 13:20, (BR): «Atij që ka lidhje me budallenjtë do t’i shkojë keq.» Pyet veten: a do të ftoja në shtëpinë time njerëz të dhunshëm, që merren me spiritizëm, pijanecë ose imoralë? Të shoqërohesh me njerëz të tillë nëpërmjet televizorit është njëlloj sikur t’i ftosh ata në shtëpinë tënde. A mund të sjellë si pasojë kjo që ‘të të shkojë keq’? Kimbërlia thotë: «Kam parë raste ku gjatë grumbullimeve shoqërore, vajzat imitonin veshjen ose kërcimet provokuese, që kishin parë së fundi në një videoklip.» Ndoshta edhe ti ke parë diçka të ngjashme. Duke imituar ata që nuk duan t’ia dinë për normat hyjnore, këta të rinj tregojnë se tashmë kanë filluar ‘të bëhen të këqinj’. Pra shmangni me çdo kusht çdo formë ‘shoqërie të keqe’.​—1 Korintasve 15:33.

Psalmi 11:5, (BR): «Vetë Jehovai shqyrton si të drejtin, ashtu edhe të ligun, dhe shpirti i Tij urren këdo që do dhunën.» Nëse shikojmë videoklipe që nxitin dhunën shtazarake e zvetënuese, a nuk u japim të tjerëve, të paktën në pamje të parë, përshtypjen se e ‘duam dhunën’?

Sfida për të qenë përzgjedhës

Meqë «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut» po bëhet gjithnjë e më e vështirë të gjesh ndonjë zbavitje që nuk është infektuar nga mënyra e të menduarit dhe nga qëndrimet e botës. (1 Gjonit 5:19) Disa stacione që transmetojnë videoklipe mund të japin shumë gjëra të neveritshme. Edhe kur programi nuk është haptazi i dhunshëm ose i pamoralshëm, shpesh ai nxit frymën e botës. Një muzikant profesionist vërejti se një stacion i mirënjohur videoklipesh «është kthyer nga një stacion që transmeton muzikë në ‘një stacion që transmeton mënyrë jetese’ ».

Zgjidhja mund të duket e thjeshtë: në qoftë se videoklipi ka gjëra të papranueshme ndrysho stacionin. Problemi është se mund të jetë e nevojshme të jesh po kaq vigjilent edhe kur sheh stacione të tjera televizive. Shumë prej tyre japin programe që kanë skena të gjalla me dhunë, gjëra të ndyra ose tregojnë njerëz që bëjnë gjëra të papërshtatshme nga ana morale. Vërtet mund të jetë e mërzitshme, ndoshta edhe acaruese, që të përpiqesh të kënaqesh pak dhe në të njëjtën kohë të jesh gjithnjë gati për të ndryshuar stacionin. Dhe ndonjëherë, para se të ndryshojmë stacionin ka ndodhur ajo që s’duam. Pamjet me skena imorale tashmë na janë ngulitur në mendje. Pavarësisht nga kjo, mund të jesh i sigurt se Jehovai do të bekojë çdo përpjekje të sinqertë që bën për të ruajtur zemrën tënde.​—2 Samuelit 22:21.

Ka edhe hapa të tjerë praktikë që mund të jenë të dobishëm. Kejsi, që përmendëm më parë, shpjegoi se ç’gjë e ndihmon: «Zakonisht në fillim të videoklipit shfaqet emri i grupit dhe titulli i këngës. Meqenëse grupet kanë njëfarë reputacioni, pothuajse gjithmonë e di se cilat grupe dhe cilat këngë ka shumë mundësi që të jenë të këqija. Kështu, sapo shoh që shfaqet emri i një grupi ose titulli i një kënge të dyshimtë, pikërisht në atë çast e ndryshoj stacionin. Pikërisht në fillim.»

‘Të thuash të vërtetën që ke në zemër’

Edhe nëse i di parimet biblike, është e mundur të fillosh ta tolerosh atë që është e pahijshme. Në ç’mënyrë? Duke e justifikuar. (Jakobi 1:22) Bibla na thotë se mik i Jehovait është ai që «thotë të vërtetën që ka në zemër». (Psalmi 15:2) Pra ji i ndershëm me veten. Mos lejo që të mashtrosh vetveten. Nëse justifikohesh se po sheh diçka të dyshimtë, pyet veten: ‘A do ta miratonte vërtet Jehovai këtë që po shoh? Mbaj në mend se shpesh sfida nuk është që thjesht të dish se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar, por që të vendosësh se do të bësh atë që është e drejtë! Duhet ta shohësh marrëdhënien me Jehovain si diçka më të çmuar se sa çfarëdo zbavitje.​—2 Korintasve 6:17, 18.

Zakonisht nuk mjafton të marrësh një vendim me gjysmë zemre se do të jesh më përzgjedhës. Mund të lëkundesh shpejt nëse nuk je plotësisht i vendosur. Bibla na tregon se si njeriu i Perëndisë, Jobi, vendosi t’i qëndronte besnik gruas së tij. Ai tha: «Unë kisha bërë një besëlidhje me sytë e mi; si mund ta fiksoja, pra, shikimin mbi një virgjëreshë?» (Jobi 31:1) Përfytyro! Jobi bëri një besëlidhje ose një marrëveshje solemne me veten për t’u vënë kufij syve dhe të mos u lejonte të shihnin çfarëdolloj gjëje. Në fakt, edhe ti mund të bësh të njëjtën gjë. Të marrësh një vendim të prerë​—t’i bësh vetes një premtim solemn​—që të mos shohësh gjëra të këqija. Vendos kufij të qartë. Parashtroje këtë çështje në lutje. Pastaj përmbaju marrëveshjes, dhe po të jetë e dobishme për ty, bëje edhe me shkrim. Nëse ke nevojë edhe për më shumë ndihmë, pse të mos bisedosh për këtë gjë me dikë më të rritur, tek i cili ke besim, për shembull me prindërit?

Duke mbajtur parasysh rreziqet, disa të rinj të krishterë kanë vendosur që thjesht të mos shohin fare videoklipe. Çfarëdo që të vendosësh, përdor aftësitë e tua shquese. Mbaj një ndërgjegje të pastër. Po të ndjekësh vetëm zbavitjet e shëndetshme dhe freskuese mund të shmangësh dëmin që do t’i shkaktosh vetes dhe gjithashtu do të ruash miqësinë me Jehovain.

[Shënimi]

[Figura në faqen 12]

Ndonëse në disa videoklipe nuk shfaqen hapur gjëra të pamoralshme, ato nxitin mendime të dëmshme

[Figura në faqen 13]

Vendos që të mos shohësh gjëra që Perëndia nuk i miraton