A po bëhet dhjamosja një epidemi botërore?
A po bëhet dhjamosja një epidemi botërore?
GAZETA mjekësore britanike The Lancet raporton: «Dhjamosja, e cila shpesh shihet si një pasojë e jetës moderne në vendet e pasura dhe të zhvilluara, po përhapet edhe në vendet në zhvillim.» Ajo vërente se specialistët në fushën e të ushqyerit tani paralajmërojnë për «një epidemi botërore» të sëmundjeve që lidhen me dhjamosjen. Disa nga këto sëmundje janë: diabeti, hipertensioni, kanceri dhe sëmundjet e zemrës.
Përqindjet e rasteve me hipertension në Kinë tani janë të ngjashme me ato në Shtetet e Bashkuara. Në të vërtetë, në Kinë, këto tetë vitet e kaluara, numri i burrave në mbipeshë është trefishuar, ndërsa numri i grave në mbipeshë është dyfishuar. Më shumë se gjysma e të gjitha rasteve të reja të diagnostikuara me diabet ndodhin në Indi dhe në Kinë. Numri i të sëmurëve me diabet në Egjipt është i barabartë me atë të Shteteve të Bashkuara, dhe gjysma e grave në këtë vend janë në mbipeshë. Meksika ka pasur shtim të shpejtë të rasteve të dhjamosjes midis të gjitha shtresave të shoqërisë në çdo zonë të vendit, dhe si pasojë numri i rasteve të diabetit është shtuar. Madje edhe në vendet shumë të varfëra të zonës së Afrikës që ndodhet poshtë Saharasë dhjamosja dhe diabeti po shtohen.
Në disa vende, shkaku i dhjamosjes mund të jetë një dietë me ushqime të çastit e të yndyrshme. Megjithatë, një shkak i rëndësishëm është se shumë prodhues tani u shtojnë më shumë sheqer ushqimeve, «për t’u dhënë më shumë shije». Përveç kësaj, ushqimet aziatike dhe afrikane përmbajnë më shumë vajra ushqimore, dhe për pasojë kanë më shumë kalori. Teknologjia e përparuar në fabrika dhe në bujqësi bën që të duhet më pak punë fizike për të prodhuar të mira materiale. Njerëzit duan të punojnë më pak dhe të kenë më shumë kohë të lirë. Tani që kompjuterat dhe televizorët janë kaq shumë të përhapur, punonjësit lëvizin më pak. «Posta elektronike i ka dhënë fund kohës kur ata çoheshin për t’u dhënë mesazhe dhe për të biseduar me kolegët.»
Dhjamosja po shtohet me të shpejtë edhe te fëmijët e shkollave, sidomos në zonat ku zbavitja dhe aktiviteti fizik është pakësuar. Prandaj është një nevojë urgjente që mësuesit të jenë të vetëdijshëm për lidhjen midis të ushqyerit dhe rezultateve në mësime. Geil Harisoni, që punon në Shkollën e Shëndetit Publik, në Universitetin e Kalifornisë, paralajmëron se nuk mjaftojnë vetëm strategjitë e parandalimit në nivel lokal. Për këtë «është thelbësor një program i përbashkët për një parandalim në shkallë botërore, i shoqëruar me zhvillimin e strategjive, të përvojës dhe të infrastrukturës». Ky program duhet me qëllim që t’i bëjmë ballë epidemisë së dhjamosjes dhe të sëmundjeve që lidhen me të.