Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fundjavë të këndshme!

Fundjavë të këndshme!

Fundjavë të këndshme!

GATI të gjithë e presin me padurim dhe, kur ajo vjen, shpesh është pjesa më interesante e javës. Gjatë saj disa njerëz udhëtojnë, disa luajnë, disa merren me veprimtari fetare, kurse të tjerë rrinë në shtëpi dhe flenë gjumë.

Po flasim për atë interval kohor midis mbarimit të ditëve të punës gjatë javës (ose të ditëve të shkollës) dhe fillimit të javës pasuese, pra, për fundjavën! Në vendet perëndimore, ndonjëherë fundjava fillon të premten dhe vazhdon deri të dielën. Por, në ç’vend lindi ideja për fundjavën? Dhe, nëse në vendin ku jetoni zakonisht punohet pesë ditë në javë, cilat mund të jenë disa mënyra të frytshme për të kaluar fundjavën?

Dikur ditë pushimi, sot fundjavë

Ligjet e sabatit që iu dhanë kombit izraelit rreth 3.500 vjet më parë përcaktonin: «Do të punohet gjashtë ditë; por dita e shtatë është e shtuna e pushimit, e shenjtë për Zotin; kushdo që do të bëjë ndonjë punë ditën e shtunë do të dënohet me vdekje.» (Eksodi 31:15) Sabati ishte gjithashtu një mundësi që prindërit izraelitë të kujdeseshin për nevojat frymore të familjes së tyre.

Sabati i judenjve zgjaste nga perëndimi i diellit të premten e deri në perëndimin e diellit të shtunën. Megjithatë, sipas The World Book Encyclopedia, ata që e quanin veten të krishterë «e kthyen të dielën në një ditë adhurimi të veçantë, sepse besonin që ringjallja e Jezuit ndodhi në këtë ditë. Rreth viteve 300 të e.s., si kisha, ashtu edhe shteti, e njohën zyrtarisht të dielën si ditë pushimi në Evropë».

Është interesante që zgjatja e pushimit më shumë se një ditë është një ndryshim pak a shumë i kohëve të fundit. Duke filluar në vitet 1870, në Britani, ditët e punës mbaronin të shtunën në kohën e drekës. Gjysma e ditës që ishte pushim të shtunën pasdite u bashkua me të dielën dhe kështu lindi fundjava. E shtuna pasdite fillonte me një vakt ngrënieje si familje. Sipas revistës Atlantic Monthly, ky vakt «shpesh pasohej nga banja javore në banjën publike të lagjes».

Në Shtetet e Bashkuara fundjava u zgjat edhe pak më shumë, deri në një pushim prej dy ditësh. Sipas një burimi, java me pesë ditë pune u zbatua për herë të parë në vitin 1908, në një fabrikë në Anglinë e Re. Ky rregullim ishte i pranueshëm si për punëtorët judenj, ashtu edhe për ata «të krishterë», meqë secili grup kishte ditën e vet të pushimit​—judenjtë të shtunën dhe «të krishterët» të dielën. Ideja e javës me pesë ditë pune u përhap me shpejtësi. Duke u treguar mendjemprehtë, prodhuesi i automobilave, Henri Fordi, e përkrahu këtë gjë, pasi arriti në përfundimin se piknikët e familjeve gjatë fundjavës do ta shtonin kërkesën për makina.

A keni ndonjë plan për fundjavën?

Sot, fundjava dyditore është bërë traditë për mënyrën e jetës në Perëndim. Kështu, po të jetoni atje, kur afrohet fundi i çdo jave ka mundësi që shokët e punës t’ju pyesin: «A ke ndonjë plan për këtë fundjavë?» Kjo pyetje të vë përpara disa mundësi emocionuese.

Meqë gjatë gjithë javës ka qenë punëdhënësi që ka pasur nën kontroll kohën tuaj, fundjava mund të jetë një mundësi që ju të rifitoni ndjenjën e kontrollit mbi jetën tuaj. Ajo mund t’ju japë mundësi që të shkëputeni pak nga rutina e javës. Mund të jetë një rast për të pushuar pak, dhe për këtë keni nevojë, ose për të kaluar njëfarë kohe me njerëzit e dashur. Ose mund të jetë thjesht një mundësi që të psonisni, një nga gjërat më të pëlqyera për të kaluar kohën në fundjavë. «Të dalësh nëpër dyqane është shumë zbavitëse»,​—thotë Brigita që jeton në Gjermani.

Sondazhet zbulojnë se shumë njerëz parapëlqejnë ta kalojnë kohën e lirë thjesht duke u çlodhur. Ka shumë mënyra për t’u argëtuar edhe për ata që nuk heqin dorë nga zakoni për t’i kaluar fundjavët në shtëpi. Ata mund të merren me kopshtari brenda ose jashtë shtëpisë, të koleksionojnë pulla, të luajnë ose të dëgjojnë muzikë, të shohin videokaseta, të gatuajnë, të shkruajnë letra, të lexojnë, të qepin, të punojnë me shtiza, të merren me sport ose të pikturojnë, për të përmendur vetëm disa. Disa parapëlqejnë aktivitete ku mund të marrin pjesë bashkë me fëmijët dhe me bashkëshortin. Të tilla janë lojërat gjëegjëzë me formime figurash ose lojërat e tavolinës. *

A i dënon Bibla këto mënyra për të kaluar kohën, të cilat nga jashtë duken si gjëra pa rëndësi? Jo medoemos. Solomoni shkroi: «Vlen më tepër një grusht me pushim sesa dy grushte, me mundim, duke u përpjekur të kapësh erën.» (Predikuesi 4:6) Po të bëhen me masë, lojërat, pushimi dhe zbavitja patjetër që kanë vendin e tyre në jetën e një të krishteri.

Kur teprohet

Nga ana tjetër, po ta teprojmë, qoftë edhe me gjërat që në vetvete janë të mira, mund të mos na sjellë dobi, madje të na dëmtojë. Për shembull, stërvitja fizike ka dobitë e saj. (1 Timoteut 4:8) Por disa njerëz që merren me sport në fundjavë jepen pothuajse me fanatizëm pas tij. Meqë duan të fitojnë vazhdimisht duke zhvilluar teknikën e duhur, disa shpenzojnë tepër kohë dhe para për pajisje sporti të sofistikuara dhe për të marrë mësime nga trajnerët.

Gjithashtu mund të jetë e rrezikshme për shëndetin që trupat e pastërvitur të sforcohen përtej mundësive të tyre. Një revistë raportoi për «trimat e sportit të fundjavës», me moshë mesatare, të cilët meqë janë të vendosur të fitojnë sërish rininë e tyre, përfundojnë të rraskapitur, me ndrydhje, me çarje dhe të mavijosur. Të tjerë rrezikojnë të humbin jetën ose të dëmtohen rëndë duke marrë pjesë në të ashtuquajturat sporte të emocioneve të forta ose sporte ekstreme. * Pra është shumë me vend këshilla që jep Bibla për të qenë «të përkorë». (Titit 2:2) Ushtrimet duhet të na përtërijnë, jo të na rraskapitin ose të jenë të rrezikshme.

Kështu, disa parapëlqejnë të merren me aktivitete fizike më pak ekstreme. Për shembull, ecja dhe ekskursionet në këmbë janë jashtëzakonisht të përhapura në Gjermani. Në fakt, një formë për të kaluar kohën e lirë, e cila ndiqet nga shumë njerëz në Evropë quhet të ecurit sfidues. Gjatë këtij sporti nuk bëni garë me të tjerët, por me orën. Synimi është të përshkosh një rrugë në natyrë, me gjatësi të caktuar brenda kohës së caktuar. Ç’mënyrë e këndshme për të stërvitur trupin dhe në të njëjtën kohë për t’u kënaqur me peizazhin e bukur! Dhe në këtë formë zbavitjeje mund të marrë pjesë e gjithë familja.

Fundjavë të mbingarkuara

Ndonjëherë, njerëzit planifikojnë kaq shumë gjëra për në fundjavë, saqë arrijnë të shijojnë vetëm pak prej tyre ose asnjërin. Kur fillon java e re, ata nuk ndihen të ripërtërirë, por përkundrazi, shumë të lodhur. Revista gjermane Focus foli për një studim ku 27 për qind e atyre që u pyetën thanë se veprimtaritë e tyre të kohës së lirë kishin prirjen të ishin shumë të ethshme dhe stresuese.

«Pushimi është roja e efektshmërisë»,​—shkruante revista Time. Po kështu, edhe Jezu Krishti e kuptonte nevojën që kemi për t’u çlodhur dhe për t’u zbavitur. Marku 6:31 tregon se Jezui u tha dishepujve të tij: « ‘Ejani ju vetë veçmas në një vend të vetmuar dhe pushoni pak.’ Sepse vinin e shkonin shumë veta dhe nuk kishin kohë as për të ngrënë bukë.» Pra, ndonëse ushtrimet fizike, psonisja dhe gjëra si këto kanë vendin e tyre, të programoni që në kohën e lirë të lexoni pak, të pushoni ose të flini mund t’ju ndihmojë shumë që t’i merrni sërish forcat. Megjithatë ka edhe diçka tjetër që mund t’jua bëjë edhe më të kënaqshme fundjavën.

Nevojat frymore

Në Predikimin në Mal, Jezui tha: «Lum ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore.» (Mateu 5:3) Një nga qëllimet e ditës së pushimit në sabatin e dikurshëm ishte t’u jepte mundësi njerëzve që të kujdeseshin për nevojat e tyre frymore. A mund të përdoren fundjavët për të njëjtin qëllim edhe sot? Shqyrtoni rastin e Dëshmitarëve të Jehovait. Shumica e kongregacioneve të tyre i mbajnë mbledhjet kryesore të krishtere të shtunën ose të dielën. Fundjavët përdoren edhe për grumbullime më të mëdha siç janë asambletë dhe kongreset. Shpesh shumë Dëshmitarë të Jehovait e kalojnë fundjavën duke shkuar nga shtëpia në shtëpi për të biseduar me fqinjët e tyre rreth Biblës.

Natyrisht, si gjithë të tjerët, edhe Dëshmitarët e Jehovait duhet të kujdesen për punën, shtëpinë dhe familjen. Kështu, kur është e mundur, ata planifikojnë edhe aktivitete gjatë kohës së lirë për vete dhe për familjet e tyre. Megjithatë u japin përparësi gjërave frymore. A është kjo një barrë për ta? Shqyrtoni përvojat e individëve të mëposhtëm.

Para se të bëheshin Dëshmitarë, një çift gjerman, Jyrgeni dhe Dorisi, i kalonin fundjavët duke u stërvitur në klubet sportive. Meli dhe Helena e kalonin fundjavën nëpër galeritë e arteve. Për një burrë me emrin Helmut, fundjava ishte koha për të shijuar natyrën. Kurse një grua e quajtur Silvia i kalonte fundjavët në disko. Megjithatë, kur u bënë Dëshmitarë të Jehovait, zakonet e tyre për kohën e lirë kanë ndryshuar shumë.

Jyrgeni dhe Dorisi shpjegojnë: «Aktivitetet që bënim në kohën e lirë na hiqnin mërzinë, por s’mund të thuhet se e pasuronin jetën tonë. Sot ndihma që u japim njerëzve për të kuptuar Biblën i jep më shumë domethënie dhe qëllim jo vetëm jetës së tyre, por edhe tonës.» Ç’të themi për Melin dhe Helenën? Ata thonë: «Bibla na jep udhëzimet e duhura për mënyrën më të mirë të jetës dhe të flasësh me njerëzit për këtë gjë na sjell shumë gëzim.» Përse tani Helmuti gjen më shumë kënaqësi në jetë? «E di se ajo që po bëj në shërbimin publik është e rëndësishme për Jehovain»,​—thotë ai. Kurse Silvia thotë: «Të predikosh do të thotë të njihesh me njerëz e të bësh biseda interesante, dhe mua më pëlqejnë që të dyja.»

Përse të mos flitni me Dëshmitarët e Jehovait herën tjetër që do t’ju vijnë për vizitë? Një bisedë e shkurtër me një prej tyre mund të jetë hapi i parë për të gjetur më shumë qëllim në jetë, jo vetëm gjatë fundjavës, por edhe çdo ditë të javës!

Pavarësisht se çfarë ju pëlqen të bëni në kohën e lirë, bëjeni fundjavën ndërtuese dhe të kënaqshme. Nëse jetoni në vendet ku flitet gjermanisht ju urojmë «schönes Wochenende». Nëse gjuha juaj është spanjishtja, atëherë «¡Buen fin de semana!». Po të jeni ukrainas, mund t’ju urojmë «Бажаю вам приємно провести вихідні». Kudo që të jetoni dhe çfarëdo që të bëni, ju urojmë fundjavë të këndshme!

[Shënimet]

^ par. 12 Për të marrë një informacion rreth rreziqeve të mundshme të disa lojërave elektronike, shihni artikullin «Të rinjtë pyesin . . . A duhet të luaj lojëra në kompjuter ose me videolojëra?» në revistën Zgjohuni! të 22 gushtit 1996, anglisht, si edhe serinë e artikujve «Lojrat elektronike​—A kanë ndonjë gjë të keqe?» të numrit të 22 dhjetorit 2002, anglisht.

^ par. 16 Shikoni artikujt «Të rinjtë pyesin . . . Sportet e emocioneve të forta: A ia vlen të rrezikosh?» te Zgjohuni! e 8 korrikut 1994 anglisht dhe «Kërkuesit e emocioneve të forta: Pse kjo tërheqje vdekjeprurëse?» në numrin e tetorit 2002.

[Diçitura në faqen 6]

Një fundjavë e kënaqshme është një kombinim i shëndetshëm i pushimit, i zbavitjes dhe i veprimtarisë frymore