Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Flokët U kënaqa me artikullin «A shqetësoheni për flokët?» (8 gusht 2002, anglisht) Kam 14 vjet që punoj në një sallon bukurie për. Mënyra që treguat për të krehur flokët e dëmtuar është ashtu siç e bëjmë ne. Më bën përshtypje kur shoh se sa seriozë janë artikujt tuaj.
K. K., Japoni
Si një lexues i etur i Zgjohuni!, dua t’ju shpreh mirënjohjen time për këtë artikull. Fillova të kisha thinja që në fillim të adoleshencës. Në fund të adoleshencës, thinjat dukeshin madje që nga larg. Kjo më vinte vërtet në siklet. Ky artikull më ndihmoi të kem një pikëpamje modeste për pamjen time fizike, ndërsa përqendrohem më tepër në zhvillimin e cilësive që i pëlqejnë Perëndisë.
E. J., Nigeri
Dashuriçka Faleminderit për pjesën e titulluar «I dehur nga dashuria» në rubrikën «Një vështrim rreth botës». (8 gusht 2002, anglisht) Më ndihmoi të kuptoja se edhe nëse një dashuriçkë zgjat, ajo nuk është medoemos një themel i qëndrueshëm për një martesë të lumtur. Këshilla të tilla vërtet që mund të të shpëtojnë nga një rrugë jo e mençur.
P. L., Rusi
Luaut E lexova me interes artikullin tuaj «Të festojmë një ‘luau’ të Havait.» (Qershor 2002) Disa vite më parë mora pjesë në një luau në Havai. M’u duk se kishte ngjyrime të forta fetare dhe spiritiste. Edhe pse sot luaut nuk përfshijnë aspekte fetare ose spiritiste, ç’ndryshim kanë nga festimet e tjera që kanë origjinë pagane, por që thjesht janë huazuar nga kulturat moderne si aktivitete zbavitëse për familjen?
L. F., Shtetet e Bashkuara
«Zgjohuni!» përgjigjet: Siç thuhej në shënimin në fund të faqes 24, edhe pse luau dikur mund të ketë pasur ndonjë lidhje me praktikat e feve të rreme, tani kjo fjalë ka të bëjë thjesht me një banket të Havait. Një veprimtari e veçantë, së cilës i vënë emrin «luau», edhe mund të mos jetë e përshtatshme për një të krishterë. Si në të gjitha aspektet e jetës, të krishterët duhet të marrin vendime që do t’i lënë me një ndërgjegje të pastër përpara Perëndisë Jehova.—1 Timoteut 1:5, 19; shiko edhe numrin e Zgjohuni! të Janarit 2000, faqet 26, 27.
Depresioni i paslindjes Faleminderit shumë për artikullin «Fitoj betejën me depresionin e paslindjes.» (Gusht 2002) U ndjeva sikur artikulli të ishte shkruar për mua. Edhe pse nuk vuaj nga depresioni i paslindjes—unë dhe burri nuk kemi fëmijë—kam luftuar me depresionin dhe ankthin për një vit e gjysmë. Isha vazhdimisht e lodhur dhe e pështjelluar dhe ndihesha e paaftë për të marrë vendime të thjeshta. Kisha frikë të isha mes njerëzve. Madje as në ushqimore nuk shkoja dot pa burrin tim. Kam filluar ta marr veten dhe po marr mjekime. Nga artikulli mund të kuptoj që ka edhe shumë gjëra që mund të bëj. Edhe burri e ka lexuar artikullin dhe ka kuptuar se si mund të më mbështetë më shumë.
Xh. R., Shtetet e Bashkuara
Sa mirënjohëse që jam për artikullin për depresionin e paslindjes! Pas lindjes së fëmijës sime të tretë, mjekët më thanë se vuaja nga një depresion i rëndë i paslindjes. Përpara kësaj, mendoja se po çmendesha. Ishte një kohë e tmerrshme dhe e zymtë për mua dhe familjen time. Marr bimë mjekësore e vitamina dhe bëj ushtrime rregullisht, dhe të gjitha këto më ndihmojnë që ta përballoj sa më mirë që mundem. Ju lutem ta falënderoni Xhanelën që na e tregoi edhe ne historinë e saj.
Xh. K., Shtetet e Bashkuara