Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Frika nga të panjohurit

The Independent e Londrës raporton: «Më shumë se 80 për qind e shofereve femra do të parapëlqenin ta kalonin natën të kyçura në automjetet e tyre të prishura sesa të pranonin ndihmën e një të panjohuri.» Një anketë me 2.000 shoferë, e drejtuar nga Direct Line Rescue tregoi se 83 për qind e grave dhe 47 për qind e burrave nuk do ta pranonin ndihmën, nëse do t’u prishej automjeti. Po ashtu edhe shumica e shoferëve nuk do të ndalonin për të ndihmuar një shofer që ka ngecur në mes të rrugës. Në këtë rast, veçanërisht gratë frikësohen për sigurinë e tyre, duke pasur merak se mos defekti është i rremë. Zëdhënësi Nik Kol, tha: «Mundësia për të qëndruar të ulur vetëm në makinat e tyre, gjatë gjithë natës, u duket shumë shoferëve një variant më i mirë sesa frika që ndiejnë kur kanë të bëjnë me një të huaj. Kjo është një akuzë e trishtueshme ndaj shoqërisë tonë.»

Jobesimtarët drejtojnë besimtarët

Sipas The Times e Londrës femrat që predikojnë në Kishën Anglikane janë «zakonisht shumë më tepër skeptike, sesa kolegët meshkuj përsa i përket . . . doktrinave thelbësore të kishës». U bë një sondazh me rreth 2.000 klerikë në Kishën Anglikane. Ky sondazh tregoi se «tetë në dhjetë priftërinj besojnë se Jezui vdiq për të larë mëkatet e botës», ndërsa predikueset që e besojnë këtë janë 6 në 10. Gjithashtu, ndërkohë që 7 në 10 burra besojnë në ringjalljen e Jezu Krishtit, vetëm 5 në 10 gra e besojnë këtë. Robi Lou, zëdhënës i Cost of Conscience që kërkoi të bëhej anketa, tha: «Duket qartë se ka dy kisha që veprojnë brenda Kishës Anglikane: Kisha besimtare dhe Kisha jobesimtare. Ky është një turp. Pozitat e autoritetit po lihen përherë e më shumë në duart e njerëzve që kanë gjithnjë e më pak besim. Që besimtarët të udhëhiqen gjithnjë e më shumë nga jobesimtarët, kjo është një situatë e pafalshme.»

Pesimistë pavarësisht nga shëndeti dhe pasuria që kanë

The Toronto Star thotë se ndonëse një raport tregonte se në vitin 2001 «kushtet ekonomike dhe shoqërore u përmirësuan për të tretin vit radhazi», kanadezët ndihen ende pesimistë për të ardhmen e tyre. Studiuesit e Këshillit Kanadez për Zhvillimin Shoqëror zbuluan se «kanadezët ndiheshin më pak të sigurt financiarisht, më të stresuar në punë, më pak të sigurt se rrjeti i sigurimeve shoqërore do t’i ndihmonte në rast nevoje, si edhe më të pambrojtur nga krimi». Midis shkaqeve të ankthit përmendeshin «pagat që nuk ngriheshin në një hap me inflacionin, futja më tepër në borxhe, . . . listat e gjata të pritjes për të marrë ndonjë trajtim mjekësor, rritja e çmimeve të ilaçeve, shtimi i dëmtimeve nga aksidentet rrugore dhe frika e pajustifikuar për rritjen e krimeve të dhunshme». Autorët e raportit thonë: «Nëse e përkufizojmë sigurinë si një gjendje mendore, atëherë po ecim në drejtim të gabuar.»

Është ulur vdekshmëria

Një raport i Associated Press thotë se në Shtetet e Bashkuara, «përmirësimi i kujdesit gjatë rasteve urgjente, këto 40 vitet e fundit, ka ndihmuar në uljen e vdekshmërisë midis viktimave të sulmeve». Studiuesit zbuluan se që nga viti 1960 deri në vitin 1999, vdekshmëria nga sulmet kriminale në Shtetet e Bashkuara u ul me rreth 70 për qind, edhe pse gjatë së njëjtës periudhë kohe kishte gati gjashtë herë më shumë sulme kriminale. Studimi gjithashtu tregoi se në vitin 1960, 5,6 për qind e sulmeve të rënda kriminale përfundonin me vdekje, por në vitin 1999, përfunduan me vdekje vetëm 1,7 për qind e tyre. Raporti pohon se sipas studiuesve meritën për uljen e vdekshmërisë e kishin një sërë përparimesh në fushën e mjekësisë. Këto përparime përfshinin «shërbimet publike në raste urgjente, stabilizimin dhe transportimin e shpejtë të viktimave të plagosura, stërvitjen më të mirë të personelit mjekësor në raste urgjence dhe shtimin e qendrave spitalore e traumatologjike». Profesori Antoni Haris, i Universitetit të Masaçusetsit, në Amërst tha: «Njerëzit që 20 vite më parë do të kishin përfunduar në morg, tani thjesht shërohen dhe dalin nga spitali, shpesh në pak ditë.»

Pultet dhe gazet që shkaktojnë efektin serrë

The Sydney Morning Herald raporton se në të gjithë botën, Australia është vendi që lëshon më shumë gaze që shkaktojnë efektin serrë për person. Një nga shkaqet kryesore të këtij problemi është «mania e Australisë për pulte». Çfarë lidhjeje kanë pultet me lëshiminin e gazeve që shkaktojnë efektin serrë? Që të punojë pulti, televizorët, videoregjistratorët dhe pajisjet e tjera elektronike duhet të rrinë në gjendjen që quhet standby. Kështu që ato rrallë fiken plotësisht. Si rezultat, centralet elektrike në atmosferë lëshojnë çdo vit pesë milionë ton dioksid karboni më tepër. Me fjalë të tjera, si pasojë e energjisë që nevojitet në Australi për t’i mbajtur pajisjet elektrike në gjendjen standby, çlirohet e njëjta sasi gazi që shkakton efektin serrë, të cilin e nxjerrin një milion makina. Duke komentuar për harxhimet e konsumatorëve australianë, gazeta thotë: «Në vitin 2000, energjia e harxhuar nga pajisjet që rrinë në gjendje gatishmërie përbënte 11,6 për qind të energjisë elektrike që përdorin njerëzit në shtëpi. Pra, edhe 500 milionë dollarë më shumë.»

«Epoka e titanit?»

Titani është një metal i lehtë, i fortë dhe i reziston shumë brejtjes. I përftuar në gjendje të pastër për herë të parë në vitin 1910, qëndrueshmëria e tij e bën mjaft të përshtatshëm për t’u përdorur në ndërtimin e aeroplanëve dhe në fushën e mjekësisë. Rrallë shkakton mahisje kur futet në trupin njerëzor. Kështu që mund të përdoret për të bërë kocka artificiale. Një përfaqësues i Shoqatës Japoneze të Titanit tha: «Për shkak se titani i reziston pothuajse gjithmonë brejtjes, vështirë se nevojitet të mirëmbahen (prodhimet e titanit) dhe metali nuk ka nevojë të hidhet pasi e kemi përdorur vetëm një herë. Nga pikëpamja ekologjike, titani do të jetë metali i kërkuar më shumë në shekullin e 21-të.» Problemi më i madh është se kostoja e tij është dhjetë herë më e madhe sesa ajo e çelikut që nuk ndryshket. Sidoqoftë, me rritjen e përdorimit të titanit, çmimi i tij pritet të bjerë. Sipas gazetës së Japonisë Daily Yomiuri «historia e përdorimit të metaleve ka ndryshuar nga bakri te çeliku dhe nga çeliku tek alumini. Duket se shekulli i 21-të do të jetë epoka e titanit».

Përgatitje e pamjaftueshme për martesë

Daily News e Nju Jorkut raporton se më shumë se 40 për qind e çifteve që jetojnë së bashku para se të martohen divorcohen përpara se të kenë kaluar dhjetë vjet. Llogaritjet e përpiluara nga Qendra Kombëtare për Statistikat e Shëndetit tregojnë gjithashtu se çiftet që bashkëjetojnë përpara martesës dhe që rrinë të martuar për më shumë se dhjetë vjet ka dy herë më shumë të ngjarë që të divorcohen. «Nëse një çift mendon të lidhë jetën së bashku [dhe] mendon se nuk është e drejtë të bashkëjetojë, këta janë ata lloj njerëzish që ka më pak të ngjarë të divorcohen»,​—thotë Methju Bramlet, hartuesi i raportit. Përveç kësaj, njerëzit që jetojnë së bashku para se të martohen «duket se janë shumë më pak të gatshëm të durojnë dhembjen që përjetohet ndërsa zgjidhen problemet martesore»,​—thotë këshilltarja e martesave Alisa Stivënz.

Kërkimi për të zgjedhur një kishë

The Sacramento Bee raporton: «Më parë thuhej se një metodist do të mbetej gjithmonë metodist. Nuk është më kështu.» Sipas Dekster Meknëmera, drejtor i Interfaith Service Bureau në Sakramento, «përkatësitë fetare tani janë më pak të rëndësishme për njerëzit . . . Njerëzit kanë më shumë dëshirë të provojnë kisha të ndryshme». Gjatë kërkimit për të zgjedhur një kishë, adhuruesit shpesh marrin parasysh gjëra të tilla, si: muzikën, mënyrën e adhurimit, kohëzgjatjen e shërbesave, programet për të rinjtë, madhësinë e kongregacionit dhe largësinë nga shtëpia. «Është si të shkosh në treg»,​—thotë Alan Karlsën, drejtor i Qendrës së Hauardit për Familjen, Fenë dhe Shoqërinë. «Në vitin 1950, kishin të njëjtën përkatësi fetare me prindërit e tyre 85 për qind e të rriturve», por tani «ata kanë shumë mundësi të tjera për të zgjedhur».