Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Paniolot​—Kaubojsat e Havait

Paniolot​—Kaubojsat e Havait

Paniolot​—Kaubojsat e Havait

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Havai

SHUMË vizitorë që vijnë në ishujt Havai habiten kur mësojnë se në këta ishuj, sidomos në Ishullin e Madh që quhet Havai, lulëzon një industri gjedhësh. Megjithëse plantacionet e dikurshme të sheqerit dhe të ananasit, si edhe kafeja e Konës janë të mirënjohura, kaubojsat e vërtetë ose paniolot janë diçka e re për vizitorët dhe çuditërisht atyre u duket sikur kaubojsat nuk kanë lidhje me këtë vend. Vizitorët pyesin: «Si erdhën në Havai gjedhët dhe kaubojsat?»

Mbërritja e gjedhëve

Gjedhët erdhën në Ishullin e Madh të Havait shumë kohë më parë. Kjo ndodhi në vitin 1793, kur eksploruesi dhe kapiteni i një anijeje angleze, Xhorxh Vankuveri, i solli ato si dhuratë për mbretin Kamihamiha I. Ishujt Havai nuk ishin diçka e panjohur për kapitenin Vankuver. Ai kishte qenë atje edhe më parë së bashku me një eksplorues të famshëm anglez, kapitenin Xhejms Kuk, duke u bërë kështu, evropianët e parë që shkuan në këta ishuj.

Mbreti e pranoi dhuratën dhe mbeti kaq i kënaqur, saqë Vankuveri u kthye përsëri vitin pasues, duke sjellë më shumë gjedhë dhe dhen. Vankuveri shpresonte që këto kafshë të rriteshin më së miri dhe të shumoheshin, duke shërbyer si një burim ekonomik plotësues për ishujt Senduiç, siç quheshin në atë kohë. Për të arritur këtë synim, ai i sugjeroi mbretit Kamihamiha që të vendoste një kapu (tabu), për të ndaluar vrasjen e këtyre kafshëve në mënyrë që ato të shumoheshin shpejt. Mbreti i kuptoi menjëherë dobitë që do të sillte kjo gjë dhe e vuri kapunë për një periudhë dhjetëvjeçare.

Gjedhët kthehen në shqetësim

Gjedhët që solli Vankuveri ishin brigjatë nga Kalifornia. (Shih ilustrimin në faqen 18.) Ato ishin të mëdha e të frikshme si kafshë, dhe majat e brirëve të tyre ishin shumë larg njëra-tjetrës. Shumë shpejt banorët e Havait i quajtën ato puaa pipi (që fjalë për fjalë do të thotë derr me mish lope). Njerëzit u qëndronin larg atyre, duke respektuar kështu kapunë. Meqë u lanë të lira, gjedhët endeshin nëpër një zonë të gjerë dhe u shtuan shumë.

S’kaloi shumë dhe këto gjedhë u kthyen në shqetësim. Duke pasur liri të plotë dhe duke mos pasur grabitqarë, ato filluan t’u shkaktonin dëme të mëdha pyjeve kombëtare në mauka (mal) dhe shpesh kërkonin ushqim në kopshtet e vendeve makai (të ulëta, në breg të oqeanit). Në këto kopshte fshatarët rritnin patate të ëmbla, bimë me zhardhokë dhe bimë të tjera. Gardhet për gjedhët, të ndërtuar me shkëmbinj vullkanikë, e madje edhe papipit (gardhet me fik deti) nuk ishin një mbrojtje e përshtatshme kundër këtyre kafshëve të fuqishme, të egra dhe që nuk sprapseshin.

Vetëm rreth vitit 1815, mbreti Kamihamiha I lejoi që Xhon Palmer Parkeri, një njeri me iniciativë, nga Anglia e Re, të vriste disa nga gjedhët që tashmë ishin me shumicë në Ishullin e Madh dhe ishin bërë shqetësuese. Për këtë, ai do të përdorte mushqetën e tij të re të prodhuar në Amerikë. Mbreti mendjehollë e kuptoi shpejt se mishi, dhjami dhe lëkura e këtyre kafshëve ishin gjëra që mund të sillnin fitime në tregti, dhe ndodhi pikërisht kështu. Me kalimin e kohës, pastërmaja zuri vendin e drurit të santalit, i cili atëherë ishte prodhimi kryesor i Ishullit të Madh.

Nga barinj në paniolo

Rreth fillimit të viteve 1830, kopetë me gjedhë të egra ishin përhapur kaq shumë dhe ishin kaq të rrezikshme, saqë duhej bërë diçka. Mbreti Kamihamiha III e kuptoi nevojën që ato të mbaheshin nën kontroll. Prandaj ai dërgoi në Kaliforninë Spanjolle një komandant të lartë për të sjellë burra që kishin përvojë në tufëzimin e gjedhëve. Puna e tyre ishte që të mblidhnin gjedhët dhe të stërvitnin banorët e Havait që të bënin të njëjtën gjë. Në atë kohë, gjedhë nuk kishte vetëm në Ishullin e Madh, por edhe në Oahu, Maui dhe Kauai.

Në vitin 1832, mbërritën në Havai barinj spanjollë, meksikanë dhe indianë​—lopçarë me pamje pompoze e me përvojë, që e kishin mësuar mjeshtërinë e tyre në fermat e mëdha meksikano-spanjolle. Ata kishin me vete sombrerot e tyre karakteristike, shalë për kuaj, litarë e mamuze, dhe për shkak të origjinës spanjolle ose espanjol, atyre shpejt u vunë nofkën paniolo. Ky emër u mbeti, dhe sot e kësaj dite i quajnë ende paniolo.

Paniolot ishin punëtorë të palodhur, u pëlqente të dëfreheshin dhe jo vetëm që shkëlqenin në punën e tyre, por u pëlqente edhe të këndonin e t’u binin veglave muzikore. Ata i dhuruan punës së tyre kolosale përvojën, guximin, qëndrueshmërinë dhe krenarinë. Dikush që ka qenë paniolo nga shumë kohë i shprehu kështu ndjenjat e tyre: «Po të punosh shumë, jeton gjatë.» Dhe sa shumë që punonin ata! Ata e fillonin ditën e gjatë të punës që kur lindte dielli dhe e mbaronin pasi ishte errësuar. Gjatë kësaj kohe grumbullonin gjedhë, i ndanin ato në tufa, i kapnin me lak dhe i damkosnin. Dhe natyrisht duhet të ndërtonin dhe të riparonin gardhe, sepse tani gjedhët duheshin zbutur.

Por ç’mund të bënte një lopçar ose një kauboj pa kalë? Në vitin 1803, Riçard J. Klivlendi solli me anijen dydirekëshe Lelia Bird për herë të parë kuaj në Havai. Ata ishin me prejardhje arabe dhe arabo-berbere dhe vetë mbreti Kamihamiha I ishte i pari në ishujt Havai që hipi në kalë.

Këta kuaj ishin të shpejtë, të shkathët e të fuqishëm dhe u përshtatën shpejt me terrenin e thyer. Paniolot panë që asgjë s’mund t’i zëvendësonte dot kuajt gjatë punës së tyre për mbarështimin dhe zbutjen e gjedhëve.

Disa kuaj, ashtu si qetë, në fillim endeshin të lirë dhe, me kalimin e kohës, u kryqëzuan me kuaj të tjerë që i kishin sjellë nga Britania e Madhe dhe nga Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë këtu ata të racës së pastër dhe ata arabë. Ky kryqëzim solli një llojshmëri interesante kuajsh që ishin në dispozicion të paniolove. Por, nëse do t’u kërkonit paniolove të sotëm të zgjidhnin kalin e tyre të preferuar për t’i hedhur lakun dhe për të shoqëruar kopenë, ka shumë mundësi që të zgjidhnin kalin e garave çerek milje. Pse? Sepse siç e kuptuan edhe paniolot, është e vështirë t’ia kalosh në garë një kafshe që është e aftë t’u përgjigjet shpejt urdhërave që i japin për t’u nisur, ndaluar dhe urdhërave të tjerë.

Kampionati botëror i rodeos

Paniolot e Havait zotëruan mjeshtëritë për të cilën janë të mirënjohur kudo kaubojsat​—të ngasin kuaj dhe dema, t’i kapin ata me lak dhe të bëjnë gara. Ata ishin kaq të zotë, saqë, në vitin 1908, disa prej tyre, duke përfshirë Ikua (Ajk) Pardin dhe Arçi Kaauan, morën pjesë në garën më të madhe të rodeos në Shtetet e Bashkuara. Kjo ishte gara e rodeos e quajtur Frontier Days në Çejen Uajoming, një ngjarje vërtet e rëndësishme.

Këta paniolo, me rrobat e tyre gjithë ngjyra, stilin mbresëlënës dhe kurorat e tyre havajane, tërhoqën vëmendjen e botës së kaubojsave perëndimorë. Dhe sa shumë u përhap fama e tyre! Ajk Pardi u bë kampion bote në garën e kapjes me lak të demave. Edhe Arçi ishte i zoti në garën rodeo. E gjithë bota u mahnit dhe kështu interesi për Havain dhe për paniolot e tij të mrekullueshëm u rrit. Më vonë, më 1996, madje emri i Ajk Pardit iu shtua Dhomës Kombëtare të Kaubojsave të Famshëm.

Jeta e paniolove sot

Si është jeta e paniolove sot? Ndoshta më pak emocionuese, por ka ende shumë punë për të bërë në një fermë moderne. Ferma Parker në Uimea, në Ishullin e Madh është një shembull i mirë. Ajo ka një sipërfaqe shumë të madhe, qindra kilometra gardh dhe shumë mijëra krerë gjedhë. Një paniolo ka shumë punë për të bërë dhe, bashkë me kalin e tij të preferuar, ai i çon gjedhët nga një kullotë në tjetrën.

Sot në Uimea, pasi mbaron dita e punës, mund të shohësh një grup paniolosh që pushojnë pranë një korite. Të veshur me blu xhinse, çizme kaubojsh dhe me kapele kaubojsh, që ndoshta ka një kurorë havajane rreth e qark, ata po dëgjojnë një muzikë të lehtë me kitarë që është veçori e vendit ose ndoshta po shijojnë një këngë të vjetër të preferuar havajane.

[Figura në faqen 17]

Mbreti Kamihamiha I

[Figura në faqen 18]

Duke damkosur gjedhët

[Figura në faqen 18]

Brigjatë

[Figura në faqen 18]

Nga e majta në të djathtë: Arçi Kaaua, Eben Lou dhe Ajk Pardi

[Burimi]

Paniolo Preservation Society/Dr. Billy Bergin

[Burimi i figurës në faqen 16]

Ishujt Havai: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Burimi i figurës në faqen 17]

Ferma Parker/John Russell

[Burimi i figurës në faqen 18]

Ferma Parker/John Russell