Ruhuni nga pickuesit vdekjeprurës!
Ruhuni nga pickuesit vdekjeprurës!
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI
ISHTE një mëngjes i bukur vere në Kuinslandin verior të Australisë, një ditë e shkëlqyer për t’u larë në ujin qetësues dhe për t’i shpëtuar vapës. Por atë mëngjes stacioni radiofonik i Taunsvillit shpesh transmetoi paralajmërimin se kushdo që do të lahej atë ditë duhej të ruhej, sepse në ujërat e vendit ishte parë kandili i detit i llojit Chironex fleckeri, i cili është vdekjeprurës.
Një çift i ri nuk i dëgjoi paralajmërimet e radios. Ata ishin ulur të qetë pranë bregut në një thellësi prej pesëdhjetë centimetrash në ujërat e kaltra të Paqësorit. Papritur, gruaja, e cila ishte shtatzënë që prej 34 javësh, klithi. Duke kërcyer përpjetë, ajo u përpoq të hiqte disa tentakula nga kofsha dhe nga stomaku. Burri bëri shumë përpjekje për ta nxjerrë në rërë. Megjithëse edhe ai kishte dhembje nga pickimi, vrapoi furishëm për të kërkuar ndihmë. Kur u kthye pak minuta më vonë, gruaja dukej sikur nuk merrte më frymë dhe fytyra e gjymtyrët i ishin nxirë. Lumturisht, falë përpjekjeve të menjëhershme për ta sjellë në jetë dhe mbërritjes së shpejtë të ambulancës, gruaja mbijetoi. Po kështu edhe fëmija e saj, i cili lindi pak javë më vonë.
Qindra plazhistë pickohen çdo vit nga ky lloj kandili deti. Disa prej tyre kanë vdekur brenda një minute pasi ishin prekur nga tentakulat. Prandaj, s’është për t’u çuditur që kur shihet një kandil i tillë deti, e gjithë vija bregdetare me plazhistë mund të zbrazet në një çast. Tufa me tentakulat e gjata—kandilët më të mëdhenj kanë 40 deri në 60 të tillë—mund të jetë e rrezikshme.
A ka ndonjë masë parandaluese?
Disa zgjedhin të mos notojnë fare në oqean kur sillen rrotull këta kandilë deti. Por, për ata që guxojnë të hyjnë në ujë gjatë muajve më të ngrohtë, një kostum zhytësi, i cili mbulon gjithë trupin, do të ishte mënyra më e mirë për të shmangur një takim të dhimbshëm.
Shumë plazhe të Australisë veriore patrullohen rregullisht dhe, sa herë që dallohen kandilët e këtij lloji, shumica e tyre kapen me rrjetë. Për më tepër, në stacionin radiofonik vendës transmetohen paralajmërime të shpeshta. Pavarësisht nga këto masa paraprake, gjithmonë ka rrezik kur ky kandil deti sillet rrotull. Mendohet se ata lëshojnë vezë në përrenjtë dhe lumenjtë e rrëmbyeshëm. Kur rriten, duket se parapëlqejnë plazhet.
Lumturisht, pickimi i kandilit të detit të llojit Chironex fleckeri zakonisht nuk është vdekjeprurës. Kjo varet mjaft nga sa shumë të prekin tentakulat, nga sasia e helmit që nxirret, nga sa i madh është kandili i detit dhe nga mosha e shëndeti i viktimës së pickuar. Gjithsesi, nëse nuk mjekohesh menjëherë,
mund të vdesësh nga infarkti brenda një minute pasi të të kenë prekur tentakulat. Arsyeja se përse ndodh kjo është se tentakulat kanë disa radhë me qeliza pickuese, të cilat dalin si shigjeta kur vihen në kontakt me krijesat e tjera. Sigurisht, kjo është mënyra e tyre për siguruar ushqimin, si për shembull, karkalecat e detit.Ky lloj kandili deti ka deri në tetë sy, të cilët, edhe pse janë të drejtuar në brendësi të trupit të tejdukshëm, mund të përcaktojnë vendndodhjen e një pengese, si për shembull të një njeriu ose të një grabitqari. Kjo nuk do të thotë se këta kandilë deti i sulmojnë njerëzit qëllimisht. Jo, sepse nëse ka kohë të mjaftueshme kandili manovron për t’i shmangur pengesat. Mund ta bëjë këtë duke përdorur trupin e tij në formë kutie, i cili lëviz duke thithur dhe duke nxjerrë ujë, si një gjyryk.
Problemi tek njerëzit qëndron se ata shpesh vrapojnë ose zhyten në ujë, duke mos i dhënë kohë kandilit të detit që të shmangë përplasjen. Kur tentakulat prekin lëkurën e njeriut reagojnë menjëherë, duke u ngjitur pas saj dhe duke nxjerrë helm. Dhembja që provon viktima është e fortë. Helmi injektohet nga shumë qeliza të quajtura nematociste dhe përthithet me shpejtësi. Nëse viktima vrapon ose përplas gjymtyrët, përthithja e helmit shpejtohet. Një tjetër problem i madh është se edhe pse tentakulat shkëputen nga kandili i detit, ato ngjiten pas mishit të viktimës dhe, nëse viktima përpiqet t’i shkulë, nxjerrin më shumë helm.
A ka ndonjë kundërhelm?
Po, ekziston një kundërhelm dhe përdorimi i menjëhershëm i kundërhelmit të duhur ka shpëtuar shumë jetë. Për vite me radhë, gabimisht mendohej se mjekimi më i mirë në rast urgjent për të ngadalësuar futjen e helmit ishte të derdhje alkool të metiluar në tentakulat që i ishin ngjitur viktimës. Megjithatë, kërkimet e kohëve të fundit kanë zbuluar që përdorimi i alkoolit të metiluar në të vërtetë nxit derdhjen e helmit.
Tani besohet se uthulla, një lëng që kushton pak dhe që mund të gjendet mjaft lehtë, është lëngu më i mirë për t’u derdhur mbi tentakulat. Uthulla i bën krejtësisht joaktivë nematocistet dhe nuk i lë të derdhin helmin. Prandaj, në ditët tona, shumica e këshillave vendore në zonat e rrezikuara nga këta pickues, vendosin shishe plastike me uthull në vende të dukshme, bashkë me tabela të mëdha që paralajmërojnë për pickuesin detar.
Kështu, edhe pse të notosh në ujërat e ngohta tropikale të Australisë është freskuese, madje gjallëruese, plazhistët duhet të ruhen gjatë sezonit të këtij kandili deti.
[Kutia dhe figura në faqen 27]
MASA TË THJESHTA PARAPRAKE PËR T’U MBROJTUR NGA PICKUESIT
• Notoni vetëm në plazhe të patrulluara
• Vishni një kostum zhytësi që mbulon gjithë trupin në sezonin e kandilit të detit të llojit Chironex fleckeri
• Mbani sa më pranë një kuti të ndihmës së shpejtë, duke përfshirë uthullën.
• Nëse pickoheni, mos u përpiqni t’i shkulni tentakulat
• Nëse viktimës i pushon zemra ose i ndalet frymëmarrja, bëjini menjëherë frymëmarrje artificiale
[Figura në faqen 26]
Pamje nga afër e tentakulave të kandilit të detit të llojit “Chironex fleckeri”
[Burimi]
Me mirësjelljen e Surf Life Saving, Kuinsland