Së shpejti: Një botë pa drogë
Së shpejti: Një botë pa drogë
A mund të përfytyroni një botë ku nuk do të ketë më abuzim me drogën?
SEKRETARI i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anani, u bëri thirrje të gjitha kombeve që të përpiqeshin për një botë të tillë. Ai tha: «Duhet të bëjmë hapa të tjerë dhe të guximshëm për ta luftuar këtë të keqe; këtë murtajë që ka zënë në kurth shumë nga fëmijët tanë.»
Ndonëse udhëheqësit mund të jenë në një mendje që të pakësojnë prodhimin mbarëbotëror dhe shpërndarjen e drogave të paligjshme, sfida që kanë përpara është jashtëzakonisht e vështirë. Henadi Udovenko nga Ukraina, i cili ishte president i një sesioni të jashtëzakonshëm të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, tha se «duke pasur një vlerë prej më shumë se 400 miliardë dollarësh në vit, tregtia e narkotikëve është një nga bizneset e fshehta më fitimprurëse, . . . që është në gjendje të korruptojë dhe të bëjë të paqëndrueshëm aktivitetin ekonomik mbarëbotëror». Ai shtoi se problemi i drogës «është bërë një dukuri mbarëbotërore, dhe asnjë komb nuk mund të ndihet i imunizuar nga ky kërcënim».
Është e vështirë të përfytyrosh një botë ku nuk do të ketë më droga të rrezikshme. Sigurisht që qeveritë njerëzore kanë dalë të paafta për ta shkulur nga rrënjët problemin e drogës. Megjithatë, askush nuk mund ta pengojë Perëndinë e Plotfuqishëm që të përmbushë qëllimin e tij për të sjellë në tokë një parajsë, ku do të plotësohet çdo nevojë emocionale, fizike dhe frymore. (Psalmi 145:16; Luka 23:43; 2 Pjetrit 3:13) Sipas profetit Isaia, fjala e Perëndisë ‘nuk do t’i kthehet bosh atij, pa kryer atë që dëshiron dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgoi’.—Isaia 55:11.
Shpresa për këto premtime mund të sjellë që tani dobi të habitshme. Për shembull, Emundoja përdorte drogë. Por kur mori për zemër premtimin e Biblës për një botë të re të drejtë, kjo gjë e nxiti të shqyrtonte jetën e tij. Tani Emundoja thotë: «Sa pa mend paskam qenë që e kam humbur kohën kot.» Dëshira për të pasur miratimin e Perëndisë bën që ai tani të ketë një motiv për t’i qëndruar larg drogës. Po, njohuria për Perëndinë dhe për premtimet e tij mund të na japë që tani motivin për ‘të veshur personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë’.—Efesianëve 4:24.
Edhe shumë të tjerë që më parë ishin përfshirë në abuzimin me drogën kanë arritur të gëzojnë një marrëdhënie të ngushtë me Krijuesin e tyre. Për këta njerëz fjalët e psalmistit marrin domethënie të veçantë: «Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia; por në dashamirësinë tënde më kujto, o Zot, për hir të mirësisë sate. Zoti është i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t’u mësojë rrugën mëkatarëve.» (Psalmi 25:7, 8) Sa ngushëlluese është për prindërit e fëmijëve të pabindur që të dinë se fëmijët e tyre mund të ndryshojnë! Me përpjekje të zellshme prindërit mund t’i ndihmojnë të rinjtë që të mos i dorëzohen kësaj murtaje, pra abuzimit me drogën, dhe «të rrokin jetën e vërtetë», e cila do të bëhet realitet në botën e re të Perëndisë.—1 Timoteut 6:19.
[Figurat në faqen 10]
Shpresa për të jetuar në botën e re të Perëndisë i ka motivuar shumë nga ata që përdornin drogë të bëjnë ndryshime në jetën e tyre