Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’i mbroni fëmijët tuaj?

Si t’i mbroni fëmijët tuaj?

Si t’i mbroni fëmijët tuaj?

«Pa dyshim, prindërit luajnë rolin kryesor për t’i mbrojtur fëmijët nga abuzimi me substanca të ndryshme. Ata duhet të lënë një shembull të mirë dhe t’i mësojnë fëmijët e tyre.»​—DONA SHALALA, SEKRETARE NË SEKSIONIN E SHËNDETËSISË DHE TË SHËRBIMEVE SOCIALE NË SHBA.

PRA, ju si prindër jeni në vijën e parë të mbrojtjes në luftën kundër abuzimit me drogën. Mjerisht, jo të gjithë prindërit mund ta kuptojnë se sa i rëndësishëm është ky rol. «Babai im ishte gjithnjë i zënë,​—kujton Ireneu, një i ri brazilian.​—Ai fliste pak me ne. Kurrë nuk na dha ndonjë këshillë për drogën.»

Ndryshe nga rasti i mësipërm, shqyrtoni atë që thotë Aleksandroja, një tjetër i ri brazilian. Ai kujton: «Kur televizori shfaqte programe që flitnin për të droguarit, babai na thërriste mua dhe vëllezërit e mi që t’i shihnim. Ai na tregonte për gjendjen e tmerrshme që po kalonin ata, për shkak të abuzimit me drogën. Ndonjëherë përfitonte nga rasti dhe na pyeste nëse kishim parë në shkollë të rinj të tjerë që merrnin drogë. Në këtë mënyrë na paralajmëronte për rreziqet e drogës.»

A keni biseduar me fëmijët tuaj për rreziqet e drogës? Për ta bërë këtë mund të jetë e nevojshme të informoheni për këto rreziqe. Prindërit e krishterë mund t’i ndihmojnë fëmijët e tyre që të kuptojnë se përdorimi i drogës i dëmton frymësisht. Bibla na paralajmëron ta mbajmë trupin të pastër nga çdo ndotje, qoftë ajo fizike ose frymore. (2 Korintasve 7:1) Prandaj, studimi i rregullt i Biblës me fëmijët mund të jetë një mjet i fuqishëm për t’i mbrojtur. *

«Mik i besuar»

Gjithashtu është e rëndësishme që të krijoni me fëmijët një marrëdhënie, e cila bazohet te besimi. Jehovai është një «mik i besuar» për fëmijët e tij tokësorë. (Jeremia 3:4, BR) A jeni një mik i besuar për fëmijën tuaj? A e dëgjoni vërtet fëmijën kur flet? A ndihet i lirshëm ai për t’ju treguar problemet që ka? A jeni më i shpejtë për ta kritikuar sesa për ta lavdëruar? Gjeni kohë që të arrini ta njihni fëmijën tuaj. A ka ai ose ajo shokë? Kush janë ata? Mbani ndër mend se Bibla na paralajmëron: «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» (1 Korintasve 15:33) Mos kini frikë të vini kufij të prerë ose të jepni disiplinë të dashur. Bibla thotë: «Korrigjo birin tënd, ai do të japë rehatinë dhe do t’i sigurojë kënaqësi shpirtit tënd.»​—Fjalët e urta 29:17.

Për më tepër, mos i nënvlerësoni rreziqet që has fëmija juaj. Të vetëkënaqur, disa prindër mund të arsyetojnë se, meqë vijnë nga një familje e respektueshme, fëmijët e tyre thjesht nuk janë nga ata lloj njerëzish që përfshihen në problemet e drogës. Por, dr. Zhuze-Enrike Silvera shpjegon: «Ai që shet drogë kërkon të zërë shoqëri me fëmijët e njerëzve me influencë, sepse kështu siguron një biznes fitimprurës.» Po, shpesh kur një i ri i respektueshëm joshet dhe tërhiqet nga droga, të rinj të tjerë ndjekin shembullin e tij.

Pra jini realistë. Përpiquni të njihni disa nga shenjat e para të përdorimit të drogës. Për shembull, mos vallë papritur fëmija juaj është bërë i veçuar, i trishtuar, i egër ose nuk bashkëpunon? Mos ndoshta në mënyrë të pashpjegueshme ai ose ajo është veçuar nga miqtë e vjetër ose nga pjesëtarët e familjes? Nëse po, mund të jetë diçka për t’u shqetësuar.

Mjerisht, pavarësisht nga përpjekjet e lavdërueshme të prindërve, disa të rinj dorëzohen para presionit të drogës dhe eksperimentojnë me të. Çfarë duhet të bëni nëse kjo është e vërtetë në rastin e fëmijës tuaj?

Kur një i ri drogohet

«Kur prindërit e zbuluan,​—thotë Ireneu,​—vëllai kishte disa muaj që drogohej. Meqë s’e kishin menduar kurrë se një ditë njëri prej fëmijëve të tyre do të jepej pas drogës, menjëherë i zuri paniku. Në fillim babai s’mund të mendonte gjë tjetër përveçse ta ndëshkonte ashpër vëllanë tim.»

Kur zbulojnë që një fëmijë drogohet, ka shumë mundësi që fillimisht prindërit t’i pushtojë zemërimi, zhgënjimi dhe ndjenja e dështimit. Megjithatë, një fletëpalosje e botuar nga Seksioni i Arsimit në Shtetet e Bashkuara këshillon: «Të mos ju zërë paniku! Dhe mos ia vini fajin vetes. Pikërisht tani është e rëndësishme të qëndroni të qetë [dhe] të kuptoni se ç’po ndodh. . . . Përdorimi i drogës mund të parandalohet. Varësia nga droga është sëmundje që mund të kurohet.»

Po, jini të dashur dhe të vendosur, në mënyrë që gjendja të mos keqësohet. Shërimi i fëmijës tuaj mund të pengohet, po të ndiheni tepër të zemëruar ose të zhgënjyer. Gjithashtu, dëshira juaj është ta ndihmoni fëmijën që të piqet e të bëhet një i rritur i përgjegjshëm, i aftë për të marrë vendime. Prandaj gjeni kohën e mjaftueshme për të arsyetuar e për të folur hapur me të riun, që ta ndihmoni të kuptojë dobitë që vijnë po t’i rrish larg drogës. Përpiquni të zbuloni çfarë ka në zemrën e fëmijës të pabindur dhe jini të gatshëm për të dëgjuar.​—Fjalët e urta 20:5.

Më tej Ireneu kujton: «Më vonë, prindërit e ndryshuan sjelljen dhe filluan ta këshillonin vëllanë. Ata i vunë kufij për vendet ku mund të shkonte dhe, në mënyrë që të mos takonte të njëjtët shokë çdo ditë, vendosën që ai t’i ndiqte mësimet në klasa të ndryshme. Ata filluan të kontrollonin se me kë shoqërohej dhe t’i kushtonin më shumë vëmendje atij dhe pjesës tjetër të familjes.»

Shqyrtoni si disa prindër arritën të merrnin masa të suksesshme, kur zbuluan se fëmijët e tyre drogoheshin.

Masa të suksesshme

«Është gjëja më e keqe që na ka ndodhur,​—shpjegon Marçeloja, një burrë që jeton në San-Paulo, Brazil.​—Unë dhe gruaja nuk kishim vënë re ndonjë gjë të veçantë në sjelljen e dy djemve tanë të rinj. Shpesh, ata hanin darkë nëpër restorante me një grup të rinjsh, të cilët mendonim se i njihnim mirë. U tronditëm shumë kur një mik na tregoi se djemtë tanë merrnin marihuanë. Megjithatë, kur i pyetëm, ata e pranuan menjëherë.»

Si reagoi Marçeloja ndaj veprimeve të bijve të tij? «Unë dhe gruaja nuk mund ta fshihnim dhembjen që ndienim,​—pranon ai.​—Por, ndonëse e dënuam veprimin e tyre, asnjëherë nuk vumë në dyshim vlerën e tyre si individë. Ishim të një mendjeje se duke filluar nga ai çast e më pas qëllimi ynë do të ishte t’i ndihmonim djemtë të hiqnin dorë nga droga. Folëm hapur për çka kishim ndër mend të bënim, dhe që të dy djemtë i pranuan kushtet tona. Ata do të vazhdonin të shkonin në shkollë dhe të punonin. Nuk do të dilnin më vetëm për t’u zbavitur. E tregonim dashurinë për ta çdo ditë, jo vetëm në raste të veçanta. Meqë punoja si ndërtues, i merrja me vete sa herë të mundesha. Filluam të zbaviteshim më shumë bashkë, të kalonim më shumë kohë duke folur për të ardhmen dhe se në jetë duhet të kemi qëllime që ia vlejnë.» Kështu Marçeloja dhe gruaja e tij ia dolën t’i ndihmonin fëmijët që të çliroheshin nga abuzimi me drogën.

Shqyrtoni rastin e një babai tjetër nga Brazili. Djali i tij, Robertoja, kujton: «Kur zbuloi se vëllai po abuzonte me drogën, në vend që ta qortonte ose ta disiplinonte ashpër, babai u soll si mik me vëllanë dhe fitoi besimin e tij. Ai u njoh me shokët e vëllait dhe me vendet ku shkonte ai. Babai filloi të arsyetonte me vëllanë që ky të kuptonte se nuk kishte nevojë as për drogën e as për shokë të tillë. Babai i tha se nuk donte të kalonte net pa gjumë, duke e kërkuar.» Njerka e mbështeti plotësisht burrin e saj, duke u përpjekur të ndihmonte të riun që të dilte nga gjendja e vështirë. Të dy ishin të mendimit se nuk duhej të humbnin kohë dhe vendosën që ndihmën e nevojshme t’ia jepnin në shtëpi.​—Shih kutinë «Marrin ndihmë».

Mos u dorëzoni!

Të ngresh familje në këto «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar» mund të jetë sfilitëse dhe e vështirë. (2 Timoteut 3:1) Megjithatë, kurrë nuk duhet të lini pas dore nevojat tuaja emocionale dhe frymore. (Mateu 5:3) Sa e vërtetë është ajo që thuhet te Fjalët e urta 24:10: «Po të mos kesh guxim ditën e fatkeqësisë, forca jote është shumë e paktë.» Mund të merrni shumë forcë, po të shoqëroheni me të krishterët e vërtetë. Në mbledhjet që bëhen në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait do të gjeni mbështetje dhe forcë.​—Hebrenjve 10:24, 25.

Vërtet, t’i mësosh familjes të ketë besim te Perëndia ndoshta është mbrojtja më e mirë ndaj abuzimit me drogën. Sigurisht, Perëndia nuk i detyron të rinjtë që të ndjekin një rrugë të caktuar në jetë. Por jep vërtet këshilla të shëndosha. Siç tregohet në Psalmin 32:8, Perëndia thotë: «Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh; unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty.» Si një Atë i dashur qiellor, Perëndia dëshiron t’i mbrojë të rinjtë nga dëmet emocionale, fizike dhe frymore. (Fjalët e urta 2:10-12) Jini të sigurt se Perëndia do t’i ndihmojë e do t’i mbështetë po njësoj edhe prindërit që janë të vendosur t’i rritin fëmijët e tyre «në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait».​—Efesianëve 6:4.

Gjithsesi, presioni që ushtron ambienti i sotëm në rritjen e fëmijëve ndonjëherë mund të jetë shumë i fuqishëm. A duket ndonjë lehtësim në horizont?

[Shënimi]

^ par. 5 Dëshmitarët e Jehovait kanë botuar informacione që mund t’i ndihmojnë prindërit të bisedojnë me fëmijët për gjëra të tilla siç janë rreziqet e drogës. Për shembull, shihni kapitujt 33 dhe 34 të librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike.

[Diçitura në faqen 8]

«Përdorimi i drogës mund të parandalohet. Varësia nga droga është sëmundje që mund të kurohet.»​—SEKSIONI I ARSIMIT NË SHBA

[Kutia në faqen 6]

Marrin ndihmë

Disa prindër mund të vendosin se është më mirë që fëmija i tyre të jetë nën mbikëqyrjen e mjekut, ndërkohë që përpiqet të heqë dorë nga droga. Se çfarë kurimi do të kërkojnë saktësisht prindërit, ky është një vendim personal. Por meqenëse cilësia e trajtimit në klinikat e rehabilitimit ndryshon shumë, prindërit do të bënin mirë t’i shqyrtonin me kujdes këto çështje, para se të vendosnin se në cilën klinikë do të kurohet fëmija. Sipas psikiatrit Artur Guerra di Andrade, profesor në Universitetin e San-Paulos, Brazil, vetëm 30 për qind e atyre që kurohen në këto klinika shërohen nga abuzimi me drogën. Prandaj prindërit duhet të bëjnë pjesën e tyre edhe në rastin kur për shërimin e fëmijëve merret ndihmë nga specialistët e mjekësisë.

[Kutia dhe figurat në faqen 7]

Ndihmë për të hequr dorë nga droga

A je një i ri që po përpiqesh të çlirohesh nga abuzimi me drogën? Nëse po, do të zbulosh se leximi i Biblës dhe zbatimi i asaj që lexon aty do të të ndihmojnë në përpjekjet që po bën për të hequr dorë nga droga. Sidomos, një ndihmë mund të jetë libri i Psalmeve, sepse ai shpreh shumë nga ndjenjat e dhembshme që ndoshta po provon. Gjithashtu do të të ndihmojnë edhe lutjet e sinqerta drejtuar Perëndisë, duke i zbrazur madje edhe mendimet e tua më të fshehta. (Filipianëve 4:6, 7) Do të fillosh të ndiesh se ai interesohet vërtet për ty dhe se dëshiron t’ia dalësh mbanë. Por, meqenëse Perëndia nuk detyron askënd që të veprojë kundër vullnetit të vet të lirë, është thelbësore që të duash vërtet të çlirohesh nga droga. Psalmisti David, që e provoi shumë herë mbështetjen e Perëndisë, tha: «Unë kam pritur me ngulm dhe me durim Zotin dhe ai u përkul mbi mua dhe dëgjoi britmën time. Më nxori jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia.» (Psalmi 40:1, 2) Sot Perëndia i mbështet po njësoj ata që dëshirojnë të pastrohen nga zakonet e papastra dhe t’i shërbejnë atij.

[Figura në faqen 5]

«Babai na paralajmëronte për rreziqet»​—Aleksandro

[Figura në faqen 8]

Gjeni kohë për të paralajmëruar fëmijët për rreziqet fizike dhe frymore të abuzimit me drogën

[Figura në faqen 8]

Jini vigjilentë ndaj shoqërive të fëmijëve tuaj

[Figura në faqet 8, 9]

Trajtimi i çështjeve me qetësi mund të parandalojë keqësimin e gjendjes