Skicojnë të famshmit dhe famëkëqijtë
Skicojnë të famshmit dhe famëkëqijtë
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI
A KENI provuar ndonjëherë të skiconi ndonjë portret? Nuk është e lehtë. Por ç’do të thoshit po t’ju kërkonin të vizatonit portretin e dikujt që e shihni për herë të parë dhe, për më tepër, që e shihni vetëm për pak minuta? Si për ta vështirësuar edhe më shumë punën, duhet ta bëni skicën duke u bazuar vetëm në shënimet që ka mbajtur kujtesa juaj për tiparet e fytyrës që keni parë. Së fundi, kjo skicë me pastel, që është fryt i kujtesës, duhet të jetë gati brenda 30 minutave, sepse një grup i ardhur nga televizioni po pret.
Për shumicën prej nesh do të ishte e pamundur që t’ia dilnim mbanë kësaj pune. Megjithatë, në Britani, ka një numër të vogël burrash dhe grash që specializohen për këtë gjë. Kush janë ata? Artistët e gjykatës.
Kufizime ligjore
Rastet gjyqësore ngjallin fare lehtë interes te publiku. Në shumë vende është e zakonshme që për to të jepen kronika televizive dhe të bëhen fotografi. Por në Britani ndodh ndryshe. Njerëzit ndalohen rreptësisht «të përpiqen për të bërë ndonjë portret ose skicë të dikujt në çfarëdolloj gjykate»—duke përfshirë këtu edhe skica të gjykatësve, të anëtarëve të jurisë ose të dëshmitarëve, si edhe të të pandehurve ose të të burgorsurve. * Pikërisht këtu hyn në punë mjeshtëria e artistëve të gjykatës, të cilët regjistrojnë për median atë që ndodh brenda mureve të sallës së gjyqit.
Për të mësuar më shumë rreth kësaj pune të mahnitshme vizitova një ekspozitë arti dhe vizatimi që u hap në Londër. Në një stendë ku shkonin shumë vizitorë takova Betin, pjesëtare e këtij grupi të veçantë artistësh. Pyetja e parë që i bëra ishte: «Sa kohë keni në dispozicion në gjykatë për të parë të pandehurin?»
Koha dhe qëllimi
«Kur i pandehuri del në bankën e të akuzuarve gjatë seancës paraprake, ai qëndron atje pak më shumë se dy minuta, por kaq mjafton,—më siguron Beti.—Kjo më jep kohë për të dalluar veçoritë e kokës dhe modelin e flokëve, formën e hundës, të syve, të buzëve dhe të gojës. Gjithashtu duhet të shoh me kujdes dhe të përcaktoj afërsisht gjerësinë e fytyrës, gjerësinë e ballit dhe madhësinë e bulës së veshit, si edhe veçori të tjera plotësuese, siç mund të jenë mjekra ose syzet. Vetëm pasi i kam parë me kujdes këto hollësi, kam të dhënat kryesore për një vizatim të saktë.
Ndonjëherë puna ime bëhet më e vështirë. Për shembull, në një rast të kohëve të fundit në bankën e të akuzuarve ishin 12 veta. Është e vërtetë që ndenjën aty gati 15 minuta, por për të skicuar 12 fytyra në një vizatim duhet shumë përqendrim. Unë e kam atë që ju mund ta quani kujtesë pamore, por më është dashur ta përmirësoj gjatë viteve. Kur largohem nga salla e gjyqit, po t’i mbyll sytë duhet t’i kujtoj mirë fytyrat që kam parë.»
«Sa kohë kaloni duke kërkuar të dhëna për njerëzit që do të shihni në gjyq?»,—e pyeta pastaj. Përgjigjja e Betit më çuditi.
«Ndryshe nga reporterët unë nuk bëj fare kërkime. Hyj në sallën e gjyqit pa paragjykime, me mendje të kthjellët dhe bëj përpjekje të ndërgjegjshme që të mos përcjell ndonjë interpretim me anë të vizatimit tim. Mundohem të fiksoj në mendje seancat gjyqësore. Aty, shprehjet e fytyrës mund të ndryshojnë nga dita në ditë. Duhet t’i kujtoj vetes se juria mund t’i shohë vizatimet e mia në televizor ose në një nga gazetat kombëtare dhe nuk dua që ndonjëri prej tyre të ndikohet dhe të thotë ‘Ç’pamje fajtori që ka ai!’ Kjo veçori thelbësore e bën artin e gjyqit shumë të ndryshëm nga pikturimi i portreteve.»
«Çasti»
Kur e pyeta Betin se cili ishte sekreti i suksesit të saj, ajo u përgjigj: «Shoh për një çast—në fakt unë e quaj atë ‘çasti’, i cili përmbledh atmosferën e seancës gjyqësore. Për shembull, kur një i akuzuar mbuloi kokën me duar, ky veprim tregoi fare mirë se gjërat nuk po shkonin në favor të tij. Në një rast tjetër, shprehja e fytyrës së një gruaje kur e pyetën: ‘A jeni një nënë e mirë?’ foli më shumë sesa përgjigjja e saj. Po njëlloj, një shami që fshin një pikë loti mund të zbulojë ndjenjat e brendshme.
Gjithashtu, artisti i gjykatës duhet të kapë atmosferën e gjyqit, që do të thotë të vizatosh gjyqtarin, avokatët, nëpunësit e gjyqit, librat, si edhe ndriçimin dhe orenditë. Një paraqitje kaq të hollësishme shumica e njerëzve nuk do të kishin kurrë mundësi ta shihnin me sytë e tyre, prandaj kjo gjë iu nxit kureshtjen. Ku i bëj vizatimet? Ndonjëherë në dhomën e gazetarëve, por më shpesh ulem në një vend pa zhurmë te shkallët. Megjithatë, kur thërrasin një dëshmitar tjetër ose kur avokati mbrojtës i drejtohet trupit gjykues duhet të kthehem shpejt në sallën e gjyqit për t’i shtuar vizatimit tim fytyra të reja.» Bethi shton duke qeshur: «Oh, po, e di se shumë nga vizatimet e mia tani janë të varura në zyrat e avokatëve.»
Pashë me vëmendje vizatimet në stendën e saj. Të gjitha ato më ngjallën në mendje rastet gjyqësore që përfshinin si njerëz me famë të mirë, ashtu edhe ata me famë të keqe, për të cilët kisha lexuar kohët e fundit. Pas nja dhjetë minutash, kur po bëhesha gati për të ikur, Beti me mirësjellje më dha një skicë me pastel. Isha unë.
[Shënimi]
^ par. 6 Ky kufizim nuk zbatohet në Skoci
[Figurat në faqet 14, 15]
Skicë e një salle gjyqi dhe mënyra si doli në gazetë (majtas)
[Burimi]
© The Guardian