Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinjtë dhe droga

Të rinjtë dhe droga

Të rinjtë dhe droga

«A duhej të vdisnin?»

Kjo pyetje ngrihej në kopertinën e revistës braziliane Veja. Bashkë me këto fjalë ishin paraqitur edhe fotografi të rinjsh të këndshëm dhe me pamje të zakonshme, të cilët kishin vdekur​—viktima të abuzimit me drogën.

MEGJITHËSE rreziqet e përdorimit të drogës njihen mirë, njerëzit vazhdojnë të abuzojnë me të, dhe ky abuzim vazhdon të shkatërrojë jetë. Abuzimi me drogën u kushton Shteteve të Bashkuara afërsisht 100 miliardë dollarë në vit. Në këtë shifër futen shpenzimet për kujdesin shëndetësor, rënia e rendimentit në punë, rrogat e papaguara dhe pasojat e krimeve. Por ndoshta ata që e paguajnë më shtrenjtë janë më të vegjlit: fëmijët. Sipas një studimi të bërë në Brazil dhe të botuar në gazetën Jornal da Tarde, 24,7 për qind e atyre nga mosha 10 deri në 17 vjeç tashmë kishin provuar ndonjë lloj droge.

Megjithëse në Shtetet e Bashkuara përdorimi i drogës nga adoleshentët mund të jetë zvogëluar disi, vitet e fundit numri i të rinjve që varen nga droga në këtë vend është alarmues. Shqyrtoni rastin e nxënësve në vitin e fundit të shkollës së mesme. Sipas një studimi, 37 për qind e tyre vitin e mëparshëm kishin provuar të paktën marihuanën. Një muaj më parë 1 në çdo 5 veta kishte marrë drogë. Pothuajse 1 në 10 veta e kishte provuar drogën ekstazë vitin e mëparshëm. Më shumë se 6 për qind kishin provuar LSD-në.

Nga e gjithë bota vijnë raporte të zymta. Zyra Britanike e Statistikave Kombëtare raporton se «12 për qind e nxënësve të moshës 11-15 vjeç kanë përdorur drogë vitin e kaluar . . . Patjetër ka të ngjarë që droga që kanë përdorur më shumë të jetë kanabisi [marihuana]». Veçanërisht alarmues ishte fakti që «më shumë se një së tretës (35 për qind) së tyre iu kishin ofruar një ose më shumë lloje drogash».

Po kështu, një raport i financuar nga Bashkimi Evropian tregon se «po përhapet gjithnjë e më shumë pirja e alkoolit deri në dehje». Gjithashtu, raporti thotë se ky «abuzim me alkoolin shoqërohet me lloj-lloj pasojash të këqija që duken shpejt, siç janë aksidentet, dhuna, helmimi, si edhe me probleme të zhvillimit të organizmit e me probleme shoqërore». Një raport që vjen nga Japonia thotë se «në Japoni drogat më të përdorura nga adoleshentët janë tretësit organikë, të cilat mund të çojnë në përdorimin e drogave të tjera».

Prandaj nuk është për t’u habitur që Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anani, tha: «Droga po e rrënon shoqërinë, duke u bërë burim krimesh, duke përhapur sëmundje si SIDA, duke vrarë të rinjtë tanë dhe të ardhmen tonë.» Shpesh, njerëzit që merren me drogë janë fajtorë për krime të tilla si trafiku i drogës dhe vrasjet që lidhen me drogën. Përveç kësaj, për shkak të abuzimit me drogën, shumë njerëz bëhen viktima të dhunës, dëmtohen ose kryejnë marrëdhënie seksuale të rrezikshme dhe të rastësishme. Dhe nëse mendoni se familja juaj është e imunizuar, mendohuni mirë! Në një raport të qeverisë së Shteteve të Bashkuara thuhej: «Droga nuk është problem vetëm i të varfërve, i pakicave ose i banorëve të lagjeve me probleme shoqërore. . . . Përdoruesit e drogës vijnë nga të gjitha shtresat ekonomike e shoqërore dhe nga të gjitha pjesët e vendit. Problemi i drogës prek çdokënd.»

Megjithatë, shpesh prindërit nuk bëhen të vetëdijshëm për rrezikun që u kanoset fëmijëve para se të jetë tepër vonë. Shqyrtoni rastin e një të reje braziliane. Motra e saj Rexhina * shpjegon: «Ajo pinte pije alkoolike. Familja mendonte se kjo gjë ishte e padëmshme. Por ky qëndrim bëri që ajo së bashku me shokët e saj të provonin droga të ndryshme. Gjithmonë, prindërit e trajtonin sikur ato që bënte nuk ishin ndonjë gjë e madhe. Prandaj ajo doli jashtë kontrollit. Disa herë u largua nga shtëpia dhe askush s’e dinte ku ishte. Dhe sa herë që një e re gjendej e vdekur, policia i telefononte babait tim që të shkonte e të shihte se mos ishte ajo! Kjo gjë i solli shumë vuajtje familjes sime.»

Organizata Botërore e Shëndetësisë paraqet pesë arsye bazë, pse të rinjtë mund të jepen pas drogës:

(1) Duan të ndihen të rritur dhe t’i marrin vetë vendimet

(2) Duan t’i përshtaten shoqërisë

(3) Duan të çlodhen dhe të jenë në humor

(4) Duan t’u futen rreziqeve dhe të rebelohen

(5) Duan të shuajnë kureshtjen

Gjithashtu, mundësia për ta gjetur drogën dhe presioni i bashkëmoshatarëve e bëjnë më të lehtë për një të ri të nisë këtë rrugë vetëshkatërruese. «Prindërit e mi nuk flitnin kurrë për drogën. Në shkollë mësuesit e përmendnin si problem, por pa hyrë në hollësira»,​—shpjegon Luiz-Antonioja, një i ri brazilian. I nxitur nga shokët e shkollës, ai filloi të përdorte drogë kur ishte 14 vjeç. Më vonë, kur u përpoq ta linte, «shokët» që e furnizonin me drogë e kërcënuan me thikë që ta vazhdonte këtë ves!

A e pranoni se mund të jenë në rrezik vetë fëmijët tuaj? Çfarë keni bërë për t’i mbrojtur ata nga abuzimi me drogën? Artikulli vijues do të trajtojë disa mënyra nëpërmjet të cilave prindërit mund t’i mbrojnë fëmijët e tyre.

[Shënimi]

^ par. 9 Disa emra janë ndryshuar.

[Diçitura në faqen 4]

«Droga po e rrënon shoqërinë, duke e bërë burim krimesh, duke përhapur sëmundje si SIDA, duke vrarë të rinjtë tanë dhe të ardhmen tonë.»​—KOFI ANAN, SEKRETAR I PËRGJITHSHËM I KOMBEVE TË BASHKUARA

[Burimi i figurës në faqen 3]

© Veja, Editora Abril, 27 maj 1998