Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Iriqi gjembaç i fushave

Iriqi gjembaç i fushave

Iriqi gjembaç i fushave

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI

NJË mjegull e bardhë kishte mbështjellë luginën e Tajnit në veri të Anglisë dhe krakëllimat e korbave dëgjoheshin deri larg në mbrëmjen e qetë. Po ecja nëpër një shteg mes pyllit, kur më tërhoqi vëmendjen një fëshfërimë e lehtë mes gjetheve të rëna, të cilat krijonin nuanca të ndezura të ngjyrës së kuqe, kafe dhe të verdhë. Më zunë sytë një palë këmbë të pasme të holla e të shkurtra që u zhdukën sakaq në një të çarë në bregun e thatë të rrjedhës së ujit që po ndiqja.

U afrova që të shihja më mirë dhe gjeta një iriq që po përgatiste me kujdes banesën e tij, një strofkë të vogël, për muajt e ftohtë të dimrit. Iriqi tashmë kishte çuar aty gjethe, bar të thatë dhe fiere. Po përgatiste shtratin e tij, për t’i kaluar në gjumë ditët dhe netët e ftohta të dimrit.

S’ke se si ta ngatërrosh këtë iriq të vogël tërheqës që zakonisht banon në kodra, fusha dhe pyje. Kokën dhe qafën e ka të mbuluar me qime të ashpra në ngjyrë kafe në të bardhë, por tipari i tij më i veçantë është shtresa mbrojtëse e përbërë nga gjemba që vijnë si të verdhë në majë. Këta gjemba të mprehtë rreth dy centimetra të gjatë dalin nga një gëzof i ashpër e janë të vendosur në grupe që përhapen si rreze nga një qendër e përbashkët dhe mbulojnë trungun e trupit. Çdo gjemb ka nga 22 deri në 24 brazda për së gjati dhe, kur del nga baza që është gjysmë sferike, krijon një kënd pothuajse 90 gradë me të. Afër bazës gjembat kanë një qafëz të ngushtë që vjen menjëherë e përkulur. Kjo do të thotë që, nëse një iriq bie nga një lartësi, mund të mbijetojë sepse gjembat janë në një kënd të tillë që nuk ia shpojnë atij lëkurën. Çfarë projektimi i mrekullueshëm!

Në rast alarmi, iriqi merr pozicion mbrojtës duke u mbledhur si top. Disa muskuj të fuqishëm e shtrijnë lëkurën prej gjembash në gjithë trupin, duke e tërhequr nga të gjitha anët, pak a shumë si kordoni që mbyll grykën e një çante prej lëkure të butë. Kjo mburojë mbrojtëse mbulon kokën, bishtin, këmbët dhe pjesën e poshtme me një mantel gjembash të mprehtë si gjilpëra. Iriqi mund të qëndrojë në këtë pozicion mbrojtës për një kohë mjaft të gjatë.

Muzgu zakonisht është koha kur iriqi bëhet gati për të ngrënë. Darkën, të përbërë nga insekte dhe krimba, mund ta plotësojë me minj, bretkosa, zhapikë e ndonjëherë edhe me arra e fruta pylli. Dëgjimin iriqi e ka të mprehtë. Po kështu edhe shqisën e nuhatjes, siç mund ta kuptoni duke parë turirin e tij të zgjatur dhe flegrat e lagështa të hundës.

Armiqtë e tij natyrorë dhe jonatyrorë

Përveç dhelprave dhe baldosave, iriqët kanë shumë pak armiq natyrorë. Baldosa e hap me lehtësi iriqin e mbledhur si top duke përdorur kthetrat e përparme të fuqishme, pa u bërë merak për gjembat. Më ka ndodhur disa herë që të shoh lëkurë iriqësh, ndoshta gjëja e vetme që ka mbetur nga darka e një baldose. Nga ana tjetër, dhelpra nuk hahet dot me gjembat, por përpiqet ta rrotullojë iriqin e ta hedhë në ujë, ku ky i fundit ose duhet të hapet, ose të mbytet. Duke qenë notar i mirë, iriqi ka mjaft mundësi për të arritur në ndonjë strehë midis shkëmbinjve ose në ndonjë gropë buzë lumit, para se dhelpra ta zërë pre.

Ciganët dhe disa banorë të tjerë të fshatrave i hanë iriqët duke i pjekur në argjilë. Kur argjila ftohet dhe thyhet, gjembat shkëputen nga trupi, duke lënë vetëm mishin e pjekur, i cili është «ushqim për të lëpirë gishtat», sipas thënies së Zhan-Pol Kleberit në librin e tij Ciganët. Sot, mjerisht nëpër rrugë shihen shumë iriqë të shtypur nga makinat. Duket se ata janë veçanërisht të dobët kur sapo janë zgjuar nga gjumi i dimrit dhe fillojnë të kërkojnë ushqim. Por, nëse iriqi arrin të mbijetojë ndaj gjithë këtyre armiqve natyrorë dhe jonatyrorë, mund të jetojë rreth gjashtë vjet dhe të arrijë një gjatësi prej 25 centimetrash.

Shumimi, dimërimi dhe gjetja e ushqimit

Iriqët shumohen fillimisht në periudhën midis muajve maj e korrik e pastaj për herë të dytë në fund të stinës. Periudha e shtatzënisë zgjat katër deri gjashtë javë dhe zakonisht lindin tre ose katër të vegjël, secili me peshë më pak se 30 gramë. Për dy javë pas lindjes, të vegjlit janë të pambrojtur, sepse as dëgjojnë e as shohin. Pastaj qimet e buta të lëkurës zëvendësohen dalëngadalë me gjemba. Pas kësaj gjithashtu fitojnë aftësinë për t’u mbledhur si top. Në qoftë se ngacmohen para se të fitojnë këtë aftësi, ata hidhen papritur në ajër dhe lëshojnë një tingull të mprehtë fërshëllyes. Ky reagim i papritur spraps shumë grabitqarë.

Ndërsa ushqehen gjatë muajve të ngrohtë, iriqët grumbullojnë në trup dhjamë që do t’u shërbejë si ushqim gjatë dimërimit. Në kohën e dimërimit, temperatura e trupit të tyre bie ndjeshëm dhe frymëmarrja mezi ndihet. Iriqi ka një gjëndër të veçantë që gjatë dimërimit kontrollon temperaturën e trupit. Nëse temperatura e trupit bie tepër gjatë dimërimit, gjëndra prodhon më shumë nxehtësi, aq sa duhet për ta sinjalizuar iriqin që të gjejë një vend më të ngrohtë e më të mbrojtur. Gjatë gjumit të dimrit, iriqi nuk mbetet asnjëherë i shkëputur plotësisht me botën e jashtme. Ai ndien çdo tingull që dëgjohet aty afër, dhe kjo i shkakton lëvizje të vogla të trupit.

Po ta mbyllni iriqin në ndonjë kopsht, shumë shpejt ai do të ngjitet në mur, në gardh ose edhe nëpër tubat e kullimit për të dalë jashtë, sepse i duhet të kërkojë gjerë e gjatë për ushqim. Për këtë arsye, iriqi mbetet një kafshë e egër dhe nuk është e lehtë ta kthesh në kafshë shtëpiake. Po kjo është gjë e mirë, sepse iriqët në gjendje të lirë zakonisht janë plot me pleshta. Megjithatë, ecejaket e këtyre iriqëve simpatikë e tërheqës përgjatë fushave britanike janë një pamje e këndshme dhe interesante e për këtë i jam gjithnjë mirënjohës Krijuesit tonë, Perëndisë Jehova.

[Figura në faqen 15]

Iriq i mbledhur si top

[Figura në faqen 16]

Ilustrim i iriqit, nga Beatriks Poteri, marrë nga libri i saj me tregime për fëmijë i vitit 1905, «Përralla e zonjës Tigi-Uinkël»

[Figura në faqen 16]

Iriq i zakonshëm njëjavësh

[Figurat në faqen 17]

Iriq xhuxh i Afrikës së Jugut